| E enjte, 09.04.2026, 06:31 PM |
Një univers rrëfimesh mes kujtesës dhe realitetit ne librin "Mekati pertej detit" të autorit Gjon Marku
Nga
Hysni Cara
Libri me tregime "Mëkati përtej detit" i autorit Gjon
Marku, ku përfshihen 18 tregime, e lexova me një kënaqësi të veçantë dhe mbeta
thellësisht i befasuar. Së pari, sepse në të ndërthuren tema, fabula dhe ndodhi
që burojnë kryesisht nga vendlindja, duke mbartur në thelb frymën e Mirditës,
edhe pse janë krijime artistike që shtrihen dhe reflektojnë nëpër dekada.
Përvoja ime njëzetepesëvjeçare në zonën e Selitës më bën të them se disa prej
këtyre tregimeve të japin ndjesinë sikur janë përjetuar realisht në atë
hapësirë.
Çdokujt që e lexon këtë
libër do t'i mbeten gjatë në kujtesë tregime të tilla si "Babai i
Ildës" apo "Kedhi i kulakut", ku personazhi që ëndërron të
vazhdojë shkollën, pasi ka përfunduar klasën e tetë, përballet me rrezikun për
të pësuar fatin tragjik të një kedhi të mbytur në ujë. Këto episode nuk janë
thjesht trillime letrare, por rezonojnë me realitete të njohura nga jeta në
kooperativat e Kurbneshit, ku kedhat ngado bliheshin nga kulakët për t'u
dorëzuar në kooperativë. Madje, në këto anw shfaqen edhe detaje domethënëse, si
rasti i këmbyerjes së një kedhi me një shalqi, vetëm për të shmangur dorëzimin
në strukturat kolektive që po krijonin tufëzat e bagëtive.
Vetë libri përshkohet nga
një frymë e qëndrueshme artistike dhe një ritëm i natyrshëm rrëfimor. Tregime
si "Ora në qostek", "Ara në mes të arës",
"Shtriga", "Mëkati përtej detit", "Në kërkim të një
heroi", "Mullari i vjetër" e të tjera dëshmojnë qartë
mjeshtërinë e autorit në ndërtimin e tregimit. Ato spikasin për gjuhën e
përpunuar, strukturën e menduar mirë, karakterizimin e saktë të personazheve,
si dhe për sekuencat përshkruese e dinamike që i japin gjallëri rrëfimit.
Në planin tematik, Gjon
Marku prek çështje thelbësore, si përvojat dhe sjelljet e emigrantëve shqiptarë
në vendet e huaja, duke evidentuar edhe pasojat që sjell shkelja e ligjit në
jetën e tyre. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe luftës së Geziqit, ku
autori rikthen me realizëm pushtimin nazist dhe ashpërsinë e përballjeve, duke
e bërë historinë pjesë të ndërgjegjes narrative.
Në këtë përmbledhje gjejmë
gjithashtu tregime të ngjyrosura me humor dhe satirë, si "Pijanecët e
qytetit tim", ku ndërthurja e përshkrimit të natyrës me portretizimin e
figurave qytetare krijon një tablo sociale të gjallë, shpeshherë ironike dhe
therëse.
Tregimi "Nuse
amerikane" vendos përballë dy botë: normat tradicionale malësore dhe
realitetin modern perëndimor. Konflikti shpërthen në një atmosferë dasme, ku
përplasja e mentaliteteve nxjerr në pah kontraste të thella kulturore dhe
sociale.
Ndërsa në "Babai i
Ildës", autori trajton një ngjarje tragjike - aksidentin e studentëve në
Llogara - duke e shndërruar në një rrëfim prekës mbi dashurinë, humbjen dhe
aftësinë njerëzore për të gjetur pajtimin. Figura e babait të Ildës mbetet një
nga kulmet emocionale të veprës, një portret që ngulitet gjatë në kujtesën e
lexuesit.
"...ngjarjet themelore
lëvizin në botën e brendshme të personazhit dhe ndikojnë për të zbuluar
dinamikën e saj. Subjekti, i mbështetur në veprimin e brendshëm, është
gjithashtu formë e realizimit të konfliktit..."
Kjo qasje e bën prozën e
Gjon Markut të dallohet për thellësinë psikologjike dhe ndërtimin e kujdesshëm
artistik, duke e afirmuar atë si një tregimtar të spikatur në letërsinë
bashkëkohore shqipe. Urime dhe suksese në krijimtari të mëtejshme.