Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Një gjuhë, një identitet – studentët dalin në mbrojtje të shqipes
E merkure, 08.04.2026, 07:30 PM
NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPES
“Jemi
brezi që mbron dhe flet shqip”
Nga
Frank Shkreli
Studentë shqiptarë në Maqedoninë e
Veriut kanë dalë ditët e fundit në protestë, për të kundërshtuar kufizimet ndaj
përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Me sloganin e fortë
“Gjuha nuk negociohet”, ata kërkojnë respektimin e të drejtave të garantuara me
ligj dhe kushtetutë. Protesta u zhvillua në Shkup, ku të rinjtë u mblodhën për
të shprehur pakënaqësinë ndaj një qëndrimi institucional që, sipas tyre,
pamundëson dhënien e provimit profesional në gjuhën shqipe. Studentët e
konsiderojnë këtë një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore dhe
një hap prapa në zbatimin e barazisë në institucionet shtetërore. Studentët shqiptarë të
jurisprudencës në universitetet shqiptare po përballen me një realitet absurd:
në vend që të përgatiten për të mbrojtur ligjin, ata detyrohen të përballen me
shkeljen e tij. E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe nuk është as kërkesë
politike dhe as çështje interpretimi – është e drejtë themelore. Dhe çdo
pengesë ndaj saj është shkelje e drejtpërdrejtë. Por problemi nuk qëndron vetëm te shkelja.
Problemi më i madh është heshtja.
“Gjuha shqipe nuk është çështje
kompromisi. Ajo është identiteti ynë dhe e drejtë themelore,” u shprehën
protestuesit, sipas ajencisë INA, duke theksuar se kërkesa e tyre nuk lidhet me
privilegje, por me zbatimin e ligjeve ekzistuese që garantojnë përdorimin e
gjuhëve në vend. Në thelb të reagimit
është kërkesa që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip, në
përputhje me legjislacionin në fuqi. Studentët kërkuan gjithashtu reagim të
menjëhershëm nga institucionet dhe reflektim zyrtar nga të gjithë mbi vendimin
që ka nxitur pakënaqësi, jo vetëm në radhët e studentëve të prekur drejtë për
së drejti nga ky vendim.
Kjo
protestë rikthen në vëmendje debatet e kahershme për statusin dhe përdorimin
praktik të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse ligji për përdorimin
e gjuhëve parashikon të drejta të zgjëruara për komunitetet etnike, zbatimi i
tij në praktikë vazhdon të jetë sfidë. Protesta
e studentëve shihet si një sinjal i qartë se çështjet e identitetit dhe
barazisë mbeten të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut dhe se rinia atje është e
gatshme të reagojë kur ato vihen në pikëpyetje.
Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan
Ademi, para protestuesve parashtroi kërkesat e studentëve, duke theksuar se një
situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në vitin 2026. Sipas tij, është e
papranueshme që studentët të detyrohen të dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën
e tyre, raporton agencia e lajmeve, INA.
“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi
shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është
mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi. “Shqipja assesi nuk negociohet. Ky është
minimumi i dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Nuk jemi kundër
askujt – jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen tonë”, u
shpreh ai. Në fjalën e tij, Ademi shtoi
se studentët nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, por si
pjesë e pandashme e identitetit. “Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës
pa barazi gjuhësore. Jemi brezi që mbron dhe flet shqip”, deklaroi ai mes
duartrokitjeve të protestuesve, raportoi INA.
Në një shtet si Maqedonia e Veriut që synon të ndërtojë standarde
të mirëfillta demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit, të drejtat
themelore nuk mund të vihen në diskutim, e aq më pak të relativizohen. Një ndër
këto të drejta të panegociueshme është përdorimi i gjuhës amtare. Studentët shqiptarë të jurisprudencës në
universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut përballen me sfida që nuk duhet
të ekzistojnë në një shoqëri
evropiane që pretendon barazi dhe respekt për diversitetin. E
drejta për të studiuar dhe për t’u shprehur në gjuhën shqipe nuk është
privilegj, por një e drejtë themelore e garantuar nga parimet ndërkombëtare të
të drejtave të njeriut dhe nga vetë korniza ligjore e vendit. Është e papranueshme që në institucionet e
arsimit të lartë, ku formohen juristët e së ardhmes, të ketë paqartësi apo
pengesa në përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo, jo vetëm cenon dinjitetin e
studentëve shqiptarë por dëmton edhe vetë cilësinë e edukimit juridik dhe
besimin në sistemin e drejtësisë të atij vendi.
Respektimi i gjuhës nuk është çështje teknike apo administrative; është
çështje identiteti, barazie dhe drejtësie. Një shtet i së drejtës matet
pikërisht nga mënyra se si i mbron të drejtat e qytetarëve të tij, pa dallim. Prandaj, kërkohet angazhim i menjëhershëm dhe
i qartë nga institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për të
garantuar zbatimin e plotë të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në të
gjitha nivelet e arsimit juridik. Mospërmbushja e këtij detyrimi nuk është
vetëm padrejtësi ndaj studentëve shqiptarë; është njollë mbi vetë
kredibilitetin e sistemit arsimor dhe juridik në vend. Një shtet që dështon
të garantojë të drejtat elementare në auditoret universitare, vështirë se mund
të pretendojë drejtësi në gjykata. Çdo devijim nga ky standard përbën një hap
prapa në rrugën drejt një shoqërie të barabartë dhe demokratike. Gjuha nuk
negociohet. Ajo mbrohet!
Dështimi institucional ka emër.
Në një shtet që pretendon se ka ndërtuar stabilitetin e tij politik dhe
shoqëror mbi balancën ndëretnike dhe mbi parimet e Marrëveshjes së Ohrit,
çdo cenim i të drejtave gjuhësore nuk është më, thjesht, shkelje ligjore –
është shkelje e vetë themelit mbi të cilin qëndron shteti. Sot, studentët
shqiptarë të jurisprudencës në Universitetin e Tetovës,
në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin Nënë
Terez, përballen me pengesa që nuk duhet të ekzistojnë: kufizime, paqartësi dhe
standarde të dyfishta në përdorimin e gjuhës shqipe në procesin mësimor dhe
vlerësues. Kjo nuk është më çështje
interpretimi. Është shkelje e drejtpërdrejtë. Dhe kur kjo ndodh në fakultetet juridike –
aty ku duhet të mbrohet ligji – atëherë kemi të bëjmë me një paradoks të
rrezikshëm: juristët e së ardhmes po edukohen në një sistem që vetë nuk
respekton normat që pretendon të mësojë.
Institucionet përgjegjëse – nga universitare deri te Ministria e
Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, por as përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare
në Shkup, nuk mund të vazhdojnë të heshtin për këtë çeshtje. Heshtja në këtë
rast është bashkëfajësi. Duhet theksuar e ritheksuar se zvarritja e zgjidhjeve
të kësaj çesthjeje është refuzim për të vepruar dhe mosveprimi është shkelje. Sa
herë që e drejta për gjuhën shqipe relativizohet, dërgohet një mesazh i qartë:
se ligji zbatohet sipas dëshirës, jo sipas detyrimit. Ky është një standard që
nuk mund të tolerohet në një shtet që pretendon integrim evropian dhe sundim të
ligjit. Nëse Marrëveshja e
Ohrit ishte kompromis për paqe, ajo nuk ishte kompromis për të drejtat
bazë të njeriut. Ajo i garanton ato! Dhe çdo shmangie nga këto garanci është
hap prapa – politik, juridik dhe moral. Prandaj, disa pyetje janë të
drejtpërdrejta dhe kërkojnë përgjigje: Kush po e pengon zbatimin e plotë të
gjuhës shqipe në universitetet shqiptare? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë
situatë? Dhe deri kur do të vazhdojë kjo heshtje e qëllimshme, qoftë edhe nga
faktori politik shqiptar, të pakën deri tani? Në interes të kujt është kjo heshtje zyrtare?
Institucionet dhe entet qeveritare duhet të përgjigjen – qartë dhe
konkretisht. Nuk ka më vend për fjalë
boshe dhe as për deklarata protokollare. Kërkohen masa konkrete, të
menjëhershme dhe të verifikueshme. Sepse e vërteta është e thjeshtë: një shtet
që dështon të mbrojë gjuhën, dështon të mbrojë qytetarin. Gjuha nuk negociohet.
Por as dinjiteti nuk pret. Dhe ky nuk është apel – por është kërkesë.

“Gjuha nuk negociohet!” – Studentët shqiptarë në protestë, mesazhe të forta për barazi dhe identitet - Nga portali i agjencisë së lajmeve, INA.









