Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes
E marte, 03.03.2026, 06:58 PM
PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
Nga
Frank Shkreli
Më
duket sikur Shqipëria ka “arritur” kulmin e krizave ciklike politiko-ekonomike
të këtyre 35-viteve tranzicion, si pasojë e skandaleve, korrupcionit dhe
polarizimit politik, duke rezultuar në një mungesë besueshmërie të thellë të
shqiptarëve ndaj klasës politike të periudhës së tranzicionit të pafund.
Mungesa
e besimit të shqiptarëve ndaj politikës aktuale nuk është thjesht pasojë e
skandaleve të fundit apo e krizave ciklike. Ajo i ka rrënjët më të thella, në
shekullin e kaluar. Një pjesë e kësaj krize lidhet me faktin se Shqipëria nuk u
përball kurrë plotësisht me trashëgiminë e hidhur të krimeve të regjimit të
Enver Hoxha. Për pothuaj 20-vjetë tani jam përpjekur që me dyzina shkrimesh
modeste, herë pas here, të sjellë në vëmendjen e publikut, anë e mbanë trojeve
shqiptare dhe në diasporë, rrezikun -- e mos-distancimit zyrtar të Shqipërisë
nga e kaluara komuniste -- ndaj lirisë dhe demokracisë së vërtetë në vend, duke
paralajmëruar se Demokracia nuk pret! Me ndihmën e (ai), po sjell,
shkurtimisht, në vija të përgjithshme, një përmbledhje të mendimeve të mia
modeste dhe paralajmërimet e hershme në lidhje me këtë çeshtje, përball krizës
aktuale politike në vend.
Rënia
e sistemit zyrtar komunist në Shqipëri, në vitin 1991 shënoi fundin formal të
diktaturës, por jo fundin e kulturës së saj politike. Nuk pati një proces të
mirëfilltë lustracioni. Nuk pati një gjykim të gjërë moral dhe institucional të
së kaluarës. Dosjet u hapën pjesërisht dhe me vonesë. Për shumë vite,
tranzicioni u fokusua më shumë në stabilitet politik, pjellë e një
autoritarizmi individual qeverisë dhe jo në drejtësi historike dhe në të
drejtat të njeriut, të lirisë e demokracisë. Me shembjen e Murit të Berlinit,
1989, shqiptarët besuan se edhe në Shqipëri do shembej kultura e pushtetit të
pakontrolluar diktatorial komunist prej pothuaj një gjyësm shekulli. U premtua
demokraci, treg i lirë, shtet ligjor. Parulla ishte, “E duam Shqipërinë si
gjithë Evropa.” Por tre dekada më pas,
një pjesë e brezit të ri politik – të pakën ai që mendohet se nuk mban mbi supe
përgjegjësinë direkte të krimeve të diktaturës komuniste – ndonëse nën rrethana
të reja politike, duket se ka rënë në të njëjtin pus të errët: korrupsionin e
thellë dhe kapjen e shtetit. Propozimi i fundit RAMA-VUÇIQ, botuar ditët e
fundit në gazetën gjermane Frankfurter Allgemaine Zeitung, duket se varros
përgjithmonë këtë ëndërrë të vjetër të shqiptarëve: Shqipërinë si gjithë
Evropa. E kam thenë vazhdimisht besimin
tim se tranzicioni shqiptar nuk ishte as nuk është një shkëputje radikale nga e
kaluara e ish-regjimit dhe as nga mentaliteti komunist, por ka provuar gjatë
viteve se në të vërtetë, ishte një riciklim i asaj kulture të flliqt politike
konfliktuale, por në forma të reja. Përfshir, mentalitetin e pushtetit komunist
si pronë private që nuk u zhduk por thjesht ndërroi gjuhë dhe kostum.
Kjo
krijoi një paradoks: ndryshoi sistemi, por jo plotësisht mentaliteti politik.
Edhe nga klasa e re politike që e quan veten “jo komuniste”, pushteti vazhdoi
të perceptohej si privilegj, jo si përgjegjësi e shërbim për qytetarët. Besnikëria partiake, ashtu si në kohën e
diktatorit komunist Enver Hoxha, vazhdoi të mbetej jo mbi meritën individuale,
as mbi interesat dhe mirëqenjen ekonomike të shqiptarëve duke lënë pas dore
dukshëm interesat e shënjta madhore afat-gjata kombëtare. Ndërkohë që
transparenca publike, pjesë e pandarë e një shoqërie të lirë e demokratike
është zëvendësuar nga kontrolli i informacionit nga entet mediatike të
pushtetit në fuqi. Në këtë terren politik dhe atmosferë të dështuar të
tranzicionit politik “post-komunist”, korrupsioni, në të gjitha nivelet e
qeverisë, të shtetit dhe të shoqërisë, (“kap ç’a të kapësh”), në Shqipërinë
“post-komuniste”, nuk është, në kuptimin e vërtetë të fjalës, një devijim nga e
kaluara, jo. Por, ishte dhe mbetet një vazhdimësi e një kulture komuniste ku
shteti shihet dhe përdoret si pronë e atyre që e zotërojnë, përkohësisht, ose
për periudha më të gjata qeverisjeje. Si rrjedhim, shpesh herë në shkrimet e
mia modeste gjatë viteve ia kam “lënë të dera”, fajin për pothuaj të gjitha dështimet politike, ekonomike
dhe shoqërore dhe krimet barbare, regjimit
të Enver Hoxhës. Megjithëkëtë, bazuar në përvojën politike të tranzicionit
“post-komunist” të tre dekadave të fundit “pluralizëm” politik, ndoshta do të
ishte e padrejtë dhe e pasaktë të fajësohej vetëm e kaluara komuniste për
dështimet e politikës së sotme, po të merret parasysh niveli dhe përmasat e
krizës aktuale politiko-ekonomike e shoqërore, në pëgjithsi.
Ndonëse
kanë kaluar më shumë se tre dekada “pluralizëm”, brezi i ri politik — ai që u
formua pas viteve ’90 -- ka pasur kohën e nevojshme dhe mundësinë të ndërtojë
institucione të forta dhe standarde të reja etike. Në shumë raste, kjo mundësi,
jo vetëm, është shpërdoruar, për të mos thënë ka dështuar, krejtsisht dhe
mizorisht, nga një klasë që tani mund të quhet e dështuar politikisht dhe ekonomikisht.
Ndërkohë që mungesa e ndëshkueshmërisë ka krijuar bindjen e vazhueshme se
politika aktuale është zonë imuniteti. Por për këtë gjëndje të krijuar, nuk
është krejt faji as i politikës.
Shoqëria shqiptare, e lodhur nga tranzicioni i pafund dhe i pa shpresë,
shpesh ka relativizuar korrupsionin duke justifikuar me fjalët se “të gjithë
politikanët vjedhin”, “edhe ata të mëparshmit bënin njësoj”, e tjera. Kjo
filozofi e barazimit të fajit është armiku më i madh i ndryshimit të pritur për
aq shumë kohë nga shqiptarët e vuajtur, por që, fatkeqsisht, një ndryshimi të
pritshëm, por që nuk po ndodh.
Sot,
ndërsa reforma në drejtësi dhe veprimet e Strukturës së Posaçme Kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duket se ka krijuar deri diku një
klimë të re llogaridhënieje dhe ndëshkueshmërie. të pakën tani për tani, por
mbetet përtu parë. Ndërkohë që përplasja mes kulturës së vjetër politike
komuniste, përfshir drejtësinë dhe kërkesës për standarde moderne qeverisëse,
është më e dukshme dhe më e egër se kurrë më parë. Kjo përplasje shpjegon
tensionet, rezistencën, polarizimin ekstrem politik dhe mbi të gjitha largimin
masiv të shqiptarëve thellësisht të shqetësuar për të ardhmen e vet dhe të
familjeve të tyre në një vend të qeverisur nga klasë politike që për 35-vjet
refupon me kryeneçsi t’i përshtatet rrethanave politike vendore, rajonale dhe
botërore të shekullit XXI.
Mosbesimi
dhe zhgënjimi i thellë qytetar nuk lind vetëm nga korrupsioni faktik ose nga
polarizimi politik. Për më tepër, mos-besimi dhe zhgënjimi shumicës së
shqiptarëve ndaj pushtetit të shfrenuar dhe të pa kontrolluar, ushqehet edhe
nga mungesa e një narrative të qartë morale e kombëtare. Kur e kaluara
relativizohet, zyrtarisht, patjetër që edhe e tashmja do të relativizohet. Kur
krimet e djeshme të komunizmit nuk dënohen, ndërkohë që trajtohen me ambiguitet
me qëllim që të hidhen në harresë, atëherë edhe shkeljet e sotme flagrante --
përfshir korrupsionin zyrtar në të gjitha nivelet e shoqërisë -- minimizohen me
justifikimin se, “këto ndodhin kudo”, edhe në Amerikë.
Prandaj
besoj se problemet e sotëme ndër shqiptarët janë, thelbësisht, jo vetëm
politike, por edhe të një natyre morale të dështuar shoqërore. Sepse një
shoqëri që nuk e ndan qartë vijën e kuqe midis autoritarizmit të pa kontrolluar
dhe demokracisë, e gënjeshtres nga e vërteta, ajo shoqëri rrezikon ta mbajë atë
vijë të paqartë në vazhdimsi, sidomos në praktikën e përditshme të pushtetit
qendror e lokal, duke i dhënë një goditje të rëndë besueshmërisë së shumicës së
shqiptarëve ndaj atyre që janë në krye të qeverisë e të shtetit, e nga të cilët
populli pret ndershmëri, llogaridhënie dhe ndëshkueshmëri.
Prandaj,
më duhet të them me keqardhje sa u përket ndryshimeve të fundit në qeverinë
shqiptare, mos të pritet ndonjë ndryshim i madh, përsa i përket ndikimit të
tyre në jetën e përditshme të shqiptarëve.
Sepse besimi ndaj qeverisë dhe ndaj politikës në përgjithsi, përfshir
opozitën, nuk vendoset me ndryshime të herë-pas-hershme emrash të rinj as të
vjetër. Pas 35-vjetësh të kësaj politike dështuese, shqiptarët kanë nevojë për
një shkundje të fortë të kësaj kulture politike dhe shoqërore në Shqipërinë,
“post-komuniste” si vend anëtar i NATO-s. me ambicje për antarësim të plotë
edhe në Bashkimin Evropian, nëse zgjedhim t’i besojmë propagandës së kësaj
klase politike ndër vite, pa asnjë prove a rezultati konkret deri më tani. Sepse besimi i qytetarëve ndaj pushtetit,
qoftë edhe ai shqiptar, kërkon standarde të qëndrueshme demokratike, me ndarje
reale pushtetesh, me drejtësi të pavarur dhe me një kulturë ku dorëheqja dhe
përgjegjësia, por edhe ndëshkueshmëria janë norma dhe jo përjashtime. Prandaj,
pa një ndarje të qartë njëherë e mirë — jo vetëm një distancim politik, por
edhe moral nga e kaluara komuniste, Shqipëria do ta ketë të vështirë të
ndërtojë një të ardhme me institucione të besueshme me standard
demokratike. Sepse besimi, krydesisht,
është produkt i kujtesës së ndershme, ndëshkueshmërisë dhe i përgjegjësisë së
vazhdueshme të pushtetit në shërbim të qytetarve.
Për
të përmbyllur -- këtë përmbledhje të mendimeve të mia të shprehura gjatë viteve në shkrimet e mia modeste mbi
zhvillimet politike në Shqipëri -- me një notë shprese se kurrë nuk është vonë
për një shkundje të vërtetë politike duke u distancuar njëherë e mirë nga e kaluara,
në përputhje me kërkesat e kohës të këtij brezi të shqiptarëve. Megjithë
horizontin e errët politik, unë gjithnjë jam i besimit se çdo periudhë i qet
njerzit e vet të nevojshëm për ndryshimet e duhura të një shoqërie. Besoj pra
se edhe brezi i ri politik i shqiptarëve ka ende mundësi të zgjedhë një të
ardhme më të mirë, më shpresëdhënse, për të gjithë shqiptarët, pa dallim: Që
jetë një vazhdimësi e një tranzicioni të korruptuar e autoritar, apo themel i
një republike funksionale, vërtetë të lirë e demokratike. Koha e justifikimeve
ka mbaruar. Koha e përgjegjësisë së vërtetë morale dhe kombëtare, sapo ka
filluar!









