Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales në Shkodër
E premte, 13.03.2026, 06:59 PM
IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
Nga
Frank Shkreli
Vendimi
që Katedralja e Shkodrës të marrë më në fund pronësinë e saj të ligjshme mund
të duket si një akt normal drejtësie. Por, në të vërtetë, ai zbulon një ironi
të thellë dhe një hipokrizi që shoqëron historinë e marrëdhënies së shtetit
shqiptar, jo vetëm me trashëgiminë fetare dhe kulturore të vendit, por edhe
qendrimet aktuale të shtetit shqiptar për pronën.
Po
çfarë po ndodh realisht? Një institucion fetar, që e ndërtoi vetë këtë tempull,
që e ruajti me sakrifica dhe që e mbrojti me gjakun e martirëve të tij, sot
trajtohet sikur Kishës Katolike në Shqipëri po i bëhet një “dhuratë” pronësie
nga pushteti vendor, ndërsa shohim e dëgjojmë deklarata triumfale, sikur
pushteti vendor po dhuron diçka nga xhepi i vet. Kjo pasi shteti shqiptar, nën sundimin
komunist e kishte zhdukur nga faqja e dheut, për pothuaj 50-vjetë, fenë dhe
entet e tjera fetare. Në këtë rast duke e kthyer atë vend të shenjtë --
Katedralën e Shkodrës -- në sallë sportive, duke vrarë e burgosur klerikët e
saj që, lirisht, mund të thuhet se ishin ajka e kulturës kombëtare dhe të
gjuhës shqipe, por varret e të cilëve -- nëqoftse eshtrat e tyre nuk i ka marrë
Drini -- as sot nuk dihet se ku janë. Një regjim, si asnjë tjetër në botë, me
një vendim e ligj absurd, kishte shpallur Shqipërinë shteti i parë ateist në
botë, kundër fesë dhe Zotit. Kështuqë, në vend që të pranohet një padrejtësi
historike që i është bërë gjatë dekadave Kishës Katolike dhe enteve të tjera fetare
në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, duhej të kërkohej falje në emër të shtetit për
krimet e komunizmit kundër klerit dhe Kishës. E drejtë dhe morale do të ishte
që të pranoheshin krimet e regjimit komunist, të korigjohet me, përulësi,
padrejtësia historike ndaj të gjitha enteve fetare në Shqipëri, në vend që
përfaqësuesit politikë vendor të shtetit aktual në Shkodër dhe kudo tjetër të
krijojnë përshtypjen sikur shteti po tregon bujari, duke “legjitimuar”, me
letër “pronësie”, Katedralën e Shkodrës.
Unë
po e quaj këtë veprim si ironik dhe hipokritik!
Sepse nuk e dijë nëse, këta zotërinj dhe zonja të pushtetit vendor në
Shkodër dhe më gjërë janë ose jo të vetdijshëm se Katedralja e Shkodrës nuk
është thjesht një ndërtesë guri e tullash. Ajo nuk është as një banesë private
e buldozuar nga shteti, në Theth dhe asnjë një copë tokë në Rrjoll të
Velipojës.
Katedralja
e Shkodrës ka qenë dhe mbetet një simbol i historisë së qytetit dhe i
rezistencës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj.
Në atë altar janë lutur breza besimtarësh, ndërsa shumë nga bijtë e bijat e saj
u persekutuan, u burgosën dhe u martirizuan gjatë diktaturës komuniste të Enver
Hoxhës. Po ai shtet që dikur e grabiti pronën dhe e përdhosi fenë, sot
paraqitet si arbitër që vendos, nëse duhet apo jo dhe kur t’ia kthejë atë
prone, por që nuk duhej t’i ishte marrë kurrë. Kjo është hipokrizia, por mund
të interpretohet edhe si kërcënim, njëkohsisht me mesazhin se unë si pushtet,
dje të kam zhdukur klerikët dhe kam kthyer katedralën në sallë sporti, sot të
njoh pronësinë mbi këtë ndërtesë, por kjo nuk do të thotë se nesër, unë si
pushtet, nuk t’a heq prap këtë të drejtë, pronësie, nëse dhe kur të më teket!?
Sepse,
siç e kam thënë qindra herë, tashti e më shumë se tri dekada pas rënies së
komunizmit zyrtar, Shqipëria ende nuk ka bërë, zyrtarisht, një përballje dhe
distancim të ndershëm nga krimet dhe padrejtësitë e së kaluarës komuniste, as
me kthimin e pronave private tek i zoti. Pronat e konfiskuara nga diktatura
komuniste vazhdojnë të trajtohen si një problem administrativ dhe jo si një
plagë morale e historisë kombëtare. Në këtë kuptim, rasti i Katedrales në
Shkodër nuk është një përjashtim. Ai është vetëm një simbol i një mentaliteti
arrogant pushtetor shqiptar nga i cili shoqëria shqiptare ende nuk është
çliruar, seriozisht dhe zyrtarisht, e që është trashëgimia e shtetit grabitqar
komunist dhe nga mentaliteti se partia e shteti janë mbi të gjitha.
Në
vend që kthimi i pronës të shihet si një akt drejtësie historike, ai akt shpesh
shoqërohet me retorikë politike, me fotografi ceremoniale, si në këtë rast, dhe
me deklarata që ata, si pushtetarë, vendorë ose qendrorë meritojnë dhe kërkojnë
t’u thurin lavdi, atyre dhe partisë, për diçka që është, në çdo shoqëri
normale, thjesht, detyrim moral e ligjor dhe nuk është e tyre për tu “dhuruar”,
as për t’u mohuar. I nderuar lexues,
ironia më e madhe e kësaj pune, është se në një vend ku drejtësia për pronën--
pas 35-viteve -- duhej të ishte një akt i natyrshëm, si në shumë vende të
ish-komuniste të Evropës, në Shqipëri, ajo shitet si “sukses politik” i një
individi ose një partie në pushtet.
Jam
i mendimit se nëse Shqipëria dëshiron, vërtetë, të ndërtojë një shtet të drejtë
dhe të besueshëm vendor e qendror, ajo duhet të heqë dorë nga kjo hipokrizi
ironike. Pronat e grabitura nga diktatura komuniste – qofshin ato të Kishës
Katolike, të komuniteteve të tjera fetare, apo të qytetarëve të thjeshtë – nuk
janë çështje favori, as merite askujt. Prona private është e drejtë
ndërkombëtare e sanksionuar me konventa dhe marrveshje ndërkombëtare. Pronat
janë çështje drejtësie. Dhe drejtësia nuk jepet me bujari. Ajo rikthehet me përgjegjësi dhe pa bujë.
Rasti
i Katedrales në Shkodër është vetëm një pasqyrë e kësaj tragjikomedie
kombëtare. Dihet se mijëra prona të tjera të pronarëve legjitim, të konfiskuara
nga diktatura komuniste në Shqipëri, mbeten ende të bllokuara në labirintet e
burokracisë shqiptare, ndërsa politika vazhdon të kërkojë merita për çdo
korigjim minimal të një padrejtësie të madhe historike, siç ishte dorëzimi i
letrës së pronësisës Katedralës së Shkodrës, para disa ditësh. Një shtet serioz
nuk kërkon duartrokitje kur ndalon së mbajturi një pronë të grabitur
ilegalisht, si kjo. Në vend të kësaj, pushteti normal kërkon falje dhe e kthen
pronën pa zhurmë, tek i zoti legjitim.
Derisa kjo të kuptohet seriozisht, nga klasa politike shqitare, çdo
ceremoni për “dhënien bujare” të Katedrales ose ndonjë prone tjetër, do të
mbetet ajo që në të vërtetë është: një akt simbolik që zbulon, jo bujarinë e
pushtetit, por zbardhë rishtas ironinë dhe hipokrizinë e tij ndaj kthimit të
pronave private tek i zoti, sidomos pronat e enteve fetare.









