E premte, 20.03.2026, 10:32 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Themeli i AlbLibris – Libri shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

E premte, 20.03.2026, 06:56 PM


THEMELIMI I ALBLIBRIS - LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Një gur themeli për kulturën shqiptare në diasporë

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit, këtu në Shtetet e Bashkuara, pronari i Shtëpisë Botuese në Tiranë Z. Bujar Hudhri dhe shqiptaro-amerikani, Dr Pashko Camaj hapën librarinë online ‘Alblibris’, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm. AlbLibris - Libri shqip në SHBA --Themelimi i “Alblibris” në Shtetet e Bashkuara përfaqëson një nga nismat më domethënëse kulturore të shqiptarëve në diasporë dhe -- në shumë kuptime -- të parën e këtij lloji në Amerikë.

Në një realitet shpesh të vështirë të jetës në Shtetet e Bashkuara, ku komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht i fokusuar në mbijetesë ekonomike dhe integrim social, krijimi i një strukture kushtuar  librit shqip -- qoftë si platformë botuese, shpërndarëse apo promovuese – plotëson një nevojë të kahershme dhe përbën një akt vizionar nga ana e nismëtarve të këtij projekti. “Alblibris” nuk është thjeshtë një ndërmarrje kulturore, se në të vërtetë, ai mund të shndërrohet në një institucion identiteti për komunitetin shqiptaro-amerikan, në rritje e sipër.

Për dekada, libri shqip në Amerikë ka qenë i fragmentuar. Është e vërtetë se ka pasur dhe ka botime sporadike, por me promovim dhe shpërndarje të kufizuar, pikërisht, për arsye të një mungese infrastrukture profesionale siç është struktura e posa themeluar për librin shqip, “Alblibris”, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Edhe figura historike të shqiptarëve të Amerikës, si Faik Konica apo Fan Noli e kuptonin se pa një bazë të qëndrueshme kulturore në diasporë, si organizata, gazeta e libra, eventualisht, rrezikohej – ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë grupe etnike në këtë vend, të zbehej, gradualisht, identitetit kombëtar, Besoj që themelimi i “Alblibris” të mbush boshllëkun e deritanishëm kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe më gjërë. Në këtë kuptim, “Alblibris” vjen si përgjigje konkrete ndaj një boshllëku të gjatë – me themelimin e saj si një qendër ku libri shqip jo vetëm botohet, por edhe qarkullon, promovohet dhe diskutohet.

Prandaj themelimi i kësaj qendre kulturore është i rëndësishëm në disa nivele, që në shumë pikëpamje, kanë rëndësi strategjike me disa dimensione. Siç iç theksova më lartë, institucionalizimi i librit shqip në diasporë – për herë të parë -- krijohet një platformë e strukturuar në SHBA. Kjo qëndër siguron edhe një ndërlidhje me autorët shqiptarë – një urë e drejtpërdrejtë mes krijuesve, shkrimtarëve dhe poetëve në Shqipëri, Kosovë dhe lexuesve në Amerikë. Mbi të gjitha, kjo qëndëër me misionin e saj të përhapjes së librit shqip, synon ruajtjen e gjuhës shqipe – veçanërisht për brezat e rinj shqiptaro-amerikanë që rriten larg atdheut. Mund ë shërbejë gjithashtu edhe si një shërbim pozitiv në fushën e “diplomacisë kulturore”, libri si ambasador i identitetit shqiptar në shoqërinë amerikane

Më kujtohet kur punoja për seksionin shqip të Zërit të Amerikës gjatë 1970-ave, kur me qëllim të ishim në kontakt me gjuhën e përdorur në mediat e kohtë propagandës së atëhershme të Shqipërisë komuniste – porosisnim, gazeta, revista e libra, nepërmjet një kontakti në Itali e që na vinin në thasë një herë në gjashtë muaj ose njëherë në vjet. Për fat të mirë, ajo kohë nuk është më dhe me të drejtë tani konsiderohet si periudha e territ kulturor. Prandaj themelimi i “Alblibrit” këto ditë në Shtetet e Bashkuara duhet të vlerësohet edhe si një nismë me peshë historike, në këtë kohë, për komunitetin tonë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse shekulli i kaluar për shqiptarët e Amerikës është shënuar, kryesisht, nga gazeta si Dielli dhe të tjera, më pak të njohura dhe organizata si Vatra -- shekulli XXI kërkon institucione të reja që i përgjigjen kohës digjitale dhe nevojave të reja gjuhësore e kulturore. Në këtë prizëm, “Alblibris” mund të konsiderohet vazhdim i natyrshëm i kësaj tradite -- por në një nivel të digjitalizmit, natyrisht, shumë më të specializuar dhe professional se në të kaluarën.

Natyrisht se çdo nismë në fillim, nuk është e lehtë, sidomos një projekt i kësaj natyre. Sfidat janë reale! Ndoshta treg i kufizuar, konkurrencë me botimet anglisht, kostoja logjistike dhe për ne shqiotarët, ashtu siç është zakoni, mungesë e politikave mbështetëse. Por pikërisht këto e bëjnë nismën edhe më të vlefshme. Megjithë këto sfida me të cilat mund të përballet “Alblibris”, perspektiva e suksesit është gjithashtu e mirë, nëse ky projekt mbështetet nga brezi i tanishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe nëse gjënden mënyra për të bashkëpunuar edhe me institucione të ndryshme arsimore e kulturore. Në atë mënyrë, “Alblibris”, ka mundësi të kthehet në një pikë referimi për librin shqip në mbarë diasporën shqiptare

Themelimi i “Alblibris” nuk është thjesht një lajm kulturor – por është një zhvillim me peshë historike, nëse i prihet për së mbari në këtë rrugëtim historik.  Ky projekt është dëshmi e gjallë se diaspora shqiptare në Amerikë po hyn në një fazë të re kulturore në fillim të shekullit XXI, ashtu si edhe në fusha të tjera të jetës në Amekë: drejt vetëdijes kulturore dhe një kontributi të qëndrueshëm, gjuhësor, kulturor dhe shpirtëror për komunitetin shqiptaro-amerikan.

I urojmë suksese “Alblibris” – në këtë mision që i shëren diasporës dhe Kombit.  Me rastin e themelimit të “Alblibris” në Shtetet e Bashkuara nga botuesi Bujar Hudhri dhe Dr Pashko Camaj, ju urojmë vetëm sukseset më të përzemërta në këtë rrugëtim fisnik dhe me peshë kombëtare. Kjo nismë nuk është vetëm një ndërmarrje kulturore, por një shërbim i vyer ndaj gjuhës shqipe, librit shqip dhe identitetit shqiptar në diasporë. Urojmë që në gjurmët e traditës së ndritur të themeluesve të Federatës Vatra dhe të mendimit të thellë të figurave të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan të të gjitha kohërave --  Faik Konica e Fan Noli, “Alblibris” ka potencialin të bëhet një vatër e re e dijes dhe e kulturës shqiptare në Amerikë. Me këmbë të mbarë!

Botuesi Bujar Hudhri    Dr Pashko Camaj



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Mallin e të parëve që malësorët e Rrjollit e mbronin dikur me gjak nga serbo-malazezët – sot ua merr shteti shqiptar me dhunë Frank Shkreli: Romani “Brenga” i autorit Dr. Pashko Camaj Frank Shkreli: Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales në Shkodër Frank Shkreli: 50 vjet Shqipëria priti! Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes Frank Shkreli: Hafiz Sabri Koçi – një jetë kujtese që sfidoi diktaturën Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë: Jo fjalë boshe! Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës Frank Shkreli: Ibrahim Rugova - Burrështetasi që e sfidoi dhunën me qytetërim Frank Shkreli: Dr. Athanas Gegaj – Gjergj Kastrioti Skënderbe Frank Shkreli: Abaz Kupi - I harruar dhe i keqtrajtuar nga historia zyrtare Frank Shkreli: Ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, i urtë por edhe guximtar

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx