Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Me dr. Elez Biberajn në Tiranë, në çastin kur u thye vetizolimi komunist, mars 1991
E shtune, 28.03.2026, 06:58 PM
ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË
NË
ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
Midis
shpresës dhe realitetit të ashpër shqiptar
Nga Frank Shkreli
Marsi i vitit 1991
shënon një kthesë themelore në historinë moderne shqiptare, një moment kur vet-izolimi
gjysëmshekullor i regjimit komunist të Enver Hoxhës nisi të çahej,
përfundimisht. Në këtë sfond dramatik, përveç delegacionit të Departmentit
Amerikan të Shtetit (DASH) që kishte shkuar më heret, në Tiranë arrijti edhe një
delegacion i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i kryesuar nga Senatori Dennis
DeConcini, pjesë e të cilit ishte edhe Dr.
Elez Biberaj – në atë kohë Shef i Shërbimit shqip e më vonë edhe Drejtor për
Euro-Azinë dhe më në fund edhe Drejtor i Përgjithshëm i Zërit të Amerikës Frank Shkreli: Elez Biberaj
emërohet Drejtor i Përgjithëshëm i “Zërit të Amerikës” | Gazeta Telegraf -- Arritja në Tiranë e
dy delegacioneve të nivelit të lartë të qeverisë amerikane -- Degës Ekzekutive
dhe Degës Legjislative -- merrte përmasa
që tejkalonin një akt diplomatik të zakonshëm. Vizita e tyre, pothuaj menjëherë
pas nënshkrimit, një javë më parë, në Washington, të Memorandumit për
rivendosjen e marrëdhënieve midis dy kombeve tona, ishte një shenjë e qartë e
rëndësisë që Washingtoni zyrtar i kushtonte Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por
njëkohësisht, edhe rikthimit, më në fund, të Shqipërisë në hartën e botës së
lirë perëndimore. Por, për Elezin dhe mua, si pjesëmarrës në këto dy delegacione
zyrtare në Shqipëri mars/prillin e 1991, ajo vizitë përfaqësonte jo vetëm
interesin institucional amerikan për Shqipërinë e shqiptarët por edhe lidhjen
-- shpirtërore dhe familjare të mijëra familjeve anti-komuniste të diasporës
shqiptare në Amerikë -- me atdheun e origjinës.
Marsi i vitit 1991 në
Tiranë nuk ishte thjesht një stinë kalimtare, nga një sistem në tjetrin. Ishte
një çarje në kohë, një moment kur një vend si Shqipëria komuniste, i mbyllur e
i vet-izoluar për gati pesë dekada, po përpiqej të hapte sytë drejt botës së
lirë. Në ato ditë të pazakonta, kisha privilegjin të jem në Tiranë, si pjesë e
delegacionit të Departamentit të Shtetit i SHBA, krah për krah, për disa ditë,
me mikun, kolegun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë prej 5-dekadash, Dr Elez
Biberaj. Ai ishte pjesë e delegacionit të Kongresit amerikan, kryesuar nga
Senatori Dennis DeConcini i shtetit
Arizona. Former Senator, Dennis DeConcini at VOA Albanian Service's
70th Anniversary. Mendoj se edhe Elezi do ishte dakort, se
prania e tij ato ditë në Tiranë – 35-vjet më parë -- nuk ishte një mision i
zakonshëm zyrtar, siç ishim mësuar të ndërmirrnim dikur në vende të tjera, si
pjesë e funksioneve tona zyrtare. Por ishte një kthim – ndonëse i vonuar, por i
shumëpritur dhe thellësisht personal – në një atdhe, që për vite ekzistonte
vetëm në kujtimet tona, rrëfime dhe mall. Tirana, 35-vjet më parë, ishte e
zymtë në pamje dhe e trazuar në shpirt. Rrugët mbanin gjurmët e një sistemi të
lodhur, ndërtesat flisnin për izolimin, ndërsa njerëzit – përkundrazi –
përçonin, ndonëse me pak frikë, një energji të re, një etje për ndryshim që nuk
mund të fshihej më nga askush. Në
Tiranën e atyre ditëve, realiteti ekonomik e politik ishte i zymtë: kudo
varfëri ekstreme, mungesë infrastrukture dhe një popullsi e etur për ndryshim.
Megjithatë, ajo që
binte në sy ishte shpresa për ditë më të mira. Turmat dhe individët që
përshëndesnin dy delegacionet amerikane nuk shihnin thjesht përfaqësues
diplomatikë amerikanë ose përfaqsues të VOA-s.
Në praninë e delegacioneve amerikane, shqiptarët vendas shihnin simbolin
e një bote tjetër. Një bote të lirë dhe
demokratike, që më në fund po afrohej edhe për ‘ta. Vetë prezenca e Elez Biberajt – një zë i
besueshëm ndër vite për dëgjuesit e shumtë të Zërit të Amerikës në Shqipëri --
ato ditë të marsit, 1991 -- shërbei gjithashtu si një sinjal politik, shpresëdhënës
për elitën e atëhershme shqiptare intelektuale, se epoka e vet-izolimit politik
dhe ekonomik po merrte fund. Kontakti i drejtpërdrejtë me përfaqësuesit
amerikanë, përfshirë figura si Dr Elez
Biberaj, patjetër që ndikoi në përshpejtimin e proceseve, jo vetëm të
mendimit të pavarur dhe fjalës së lirë, por edhe të hapjes dhe pluralizmit
politik në Shqipëri. Një numër intelektualësh të kohës të cilët, jo më larg se
një muaj a dy përpara, nga frika refuzonin t’i dilnin në telefon Elezit për
intervista tek VOA shqip, tani u gjëndën ball-përball me ‘të mu në qendër të
Tiranës. Nuk besoj se kishte nevojë për ndonjë provë tjetër se edhe për ‘ta
diçka po ndryshonte, rrënjësisht dhe shpejt.
Mars–prill 1991 ishte
një nga ato çaste të rralla kur historia nuk shkruhej në libra, por përjetohej
në rrugët e Tiranës, në korridoret e ndërtesave shtetërore dhe në fytyrat e
njerëzve, që për herë të parë, pas disa dekadash ndiheshin të lirë të shpresonin.
Të gjendeshe në Shqipëri me Elez Biberaj
nuk ishte thjesht një përvojë profesionale — ishte një privilegj historik
megjithse përkonte me një periudhë trazimi dhe shprese, njëkohësisht. Regjimi
komunist po jepte shpirt, ndërsa një realitet i ri, ende i paqartë, po përpiqej
të merrte formë e frymë. Në Tiranë,
gjithçka dukej në tranzicion: institucionet, retorika politike, madje edhe vetë
gjuha e komunikimit publik. Në këtë atmosferë, prania e Elez Biberaj, me përvojën e tij në analizën e
zhvillimeve politike në Evropën Lindore dhe Ballkan, ishte një udhërrëfyes i
çmuar. Ai e kuptonte Shqipërinë jo vetëm
si një rast studimi, por edhe si një plagë historike që kërkonte shërim të
thellë. Takimet e atyre ditëve — me përfaqësues të qeverisë së rrënuar
komuniste, me figura të reja të opozitës, me intelektualë dhe qytetarë të
thjeshtë — kishin një element të përbashkët: etjen për ndryshim dhe frikën nga
e panjohura. Shqipëria ishte në një udhëkryq, dhe askush nuk kishte një hartë
të qartë për rrugën përpara. Mbaj mend diskutimet e gjata me Elezin, ku ai theksonte
se sfida më e madhe nuk ishte rrëzimi i sistemit të vjetër — kjo tashmë kishte
filluar — por ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme demokratike.
“Demokracia,” thoshte ai, “nuk është një akt, por një proces që kërkon kohë,
durim dhe mbi të gjitha, vullnet politik.” Në rrugët e Tiranës, njerëzit na
ndalonin, na pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë e reja. Kishte një
idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë
prej tyre, Amerika ishte sinonim i
demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies, një kontrast i fortë me realitetin që
kishin përjetuar për dekada.
Pas atij entuziazmit
fshihej edhe një realitet i ashpër: ekonomia e rrënuar, mungesa e përvojës
demokratike, dhe mbi të gjitha, hija e gjatë e së kaluarës komuniste shihej
gjithkund. Kjo ishte dilema e madhe e Shqipërisë së vitit 1991 — si të
ndërtohej e ardhmja pa u çliruar plotësisht nga e kaluara. Gjatë qendrimit tonë në Tiranë, marsin e 1991
me Elezin e kishim berë zakon e dilnim në Sheshin Skenderbeu për të vëzhguar
atmosferën, duke dëgjuar dhe duke përthithur çdo detaj. Nuk kishim nevojë për
shumë fjalë për të kuptuar situatën as edhe njëri-tjetrin. Të dy e ndjenim se
po jetonim një moment që do të mbetej në histori, për të ardhmen e shqiptarëtve
por edhe në kujtesën tonë, përgjithmonë. Por, siç kam theksuar edhe në shkrimin
e para disa ditëve në lidhje me këtë përvjetor, ajo që na preku më shumë ishin
njerëzit. Në çdo kontakt – të rastësishëm apo zyrtar – ndjehej një dëshirë e
fortë për të komunikuar, për të treguar përvojat, shpesh të tmershme nga jeta e
tyre dhe për tu dëgjuar hallet e tyre nga të huajt që ato ditë kishin ardhur
për herë të parë në Tiranë, nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore
Elezi në Tiranë me
një delegacion të Kongresit Amerikan e unë me delegacionin e DASH, gjatë ditës
kishim agjenda të ndryshme, por takoheshim në hotelin e “famshëm” Dajti, ku
qëndronin të gjitha delegacionet e huaja.
Prandaj, mbrëmjet ishin më të lira për të shkëmbyer biseda e për të bërë
krahasime. Në biseda të gjata, shpesh të thjeshta në formë, por të thella në
përmbajtje -- larg agjentëve të Sigurimit të Shtetit famëkeq që gjithnjë bredhnin
brenda dhe jashtë hotel Dajtit – diskutonim për ngjarjet që po zhvilloheshin aq
shpejt. Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? A do të mundte të ndërtonte
institucione demokratike? A do të arrinte të çlirohej jo vetëm nga sistemi komunist,
por edhe më me rëndësi, nga mendësia komuniste që regjimi i egër i Enver Hoxhës
kishte lënë pas. Si njohës i thellë i realitetit shqiptar ndër vite, Dr Elez
Biberaj si, gjithmonë, sillte një qartësi analitike që më ndihmonte mua dhe kolegëve
tanë ato ditë në Tiranë të kuptonim më mirë kompleksitetin e asaj që po ndodhte
para syve tanë. Ndërsa unë e përjetoja atë përvojë edhe në mënyrë emocionale,
ndoshta edhe me pak egërsi, Elezi arrinte t’a vendoste çdo zhvillim e dukuri të
atyre ditëve në një kontekst më të gjërë historik dhe politik, ashtu siç ka
bërë gjatë gjithë karrierës dhe veprimtarisë së tij, si njëri prej ekspertëve
më të dalluar të çeshtjeve kombëtare dhe evropiane.
Si i tillë, Elezi
gjithashtu e ndjente qartë peshën e atij momenti. Nuk ishim thjesht dëshmitarë por
ishim, në një farë mënyre, pjesë e tij -- të nderuar dhe të privilegjuar -- për
atë moment në historinë e fillimit të
marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Nder më të madh për dy shqiptaro-amerikanë nuk kishte! Kur kujtoj sot ato ditë të marsit/prillit
1991, ato që më mbeten më fort në kujtesë nuk janë vetëm ngjarjet, takimet
zyrtare e tjera, por ishin edhe ndjenjat: një përzierje e rrallë e historisë me
përvojën personale. Edhe për Elez Biberajn ajo vizitë, ishte më shumë se një
kapitull në jetën e tij profesionale. Ishte edhe një dëshmi se si, në momente
të caktuara, secilit prej nesh, jeta na vendos në kryqëzimin e historisë – dhe
të jep mundësinë t’a përjetosh atë, jo si spektator, por si pjesëmarrës. Dhe për këtë, mbetemi thellësisht,
mirënjohës.
Por nga një
këndvështrim më kritik, ajo vizitë ngre edhe pyetje që mbetën aktuale për
Elezin dhe për të gjithë ne: a u shfrytëzua siç duhet ai moment historik? A
arrijti klasa politike shqiptare ta përkthejë atë kapital simbolik, në një
ndërtim të qëndrueshëm institucional? Apo
shpresa e marsit 1991 u konsumua shpejt nga tranzicioni i gjatë dhe shpesh i
dhimbshëm? Megjithë mungesën e
përgjigjeve të sakta ndaj këtyre pyetjeve, në retrospektivë, vizita e marsit
1991 mbetet një nga ato çaste kur historia hapi një dritare të rrallë
mundësish. Roli i Elez Biberajt në atë moment të historisë është
pjesë e një narrative më të gjerë--atë të diasporës shqiptaro-amerikane, e cila
jo vetëm e mbështeti, por edhe e shoqëroi Shqipërinë në hapat e saj të parë
drejt demokracisë. Por ai moment nuk
është thjesht kujtim. Ai është një standard me të cilin duhet matur edhe e
tashmja. Sepse marsi i vitit 1991 nuk ishte vetëm fundi i një epoke të
dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, përfshirë ne në diasporë –por ishte
dhe premtimi për një fillim të ri. Në këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat
e Elez Biberaj shërbyen si një
pasqyrë realiste për politikëbërësit amerikanë dhe për të gjithë të interesuarit,
atëherë dhe më vonë. Në thelb, vizita e
tij ishte më shumë se një episod zyrtar, diplomatik, ose gazetaresk, por ishte
një moment reflektimi për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo vizitë ngriti pritshmëri
të mëdha por, njëkohësisht, paralajmëroi për sfidat që do të vinin. Sot, kur
shikojmë pas, vizita e Elez Biberaj mbetet
një pikë referimi. Jo vetëm për atë që përfaqësonte atëherë, por për pyetjen që
vazhdon të na ndjekë: a arriti Shqipëria të përmbushë pritshmëritë e atij
momenti historik, apo mbeti peng i një tranzicioni të pafund. Një nga aspektet më domethënëse të kësaj
vizite ishte perceptimi i publikut shqiptar. Për shumë qytetarë, prania e një
figure si Elez Biberaj—bashkë me
delegacionin e Kongresit amerikan -- ishte një garanci morale se Shqipëria nuk
ishte më e braktisur. Ishte një sinjal se Perëndimi jo vetëm po vëzhgonte, por
edhe ishte i gatshëm të angazhohej. Megjithatë,
në një lexim më kritik, vizita nxori në pah edhe kufijtë e entuziazmit
fillestar. Ndërsa shpresa ishte e madhe, strukturat shtetërore mbeteshin të
dobëta, mentalitetet e vjetra të rrënjosura në komunizëm dhe tranzicioni i
pashmangshëm do të rezultonte më i gjatë dhe më i dhimbshëm se sa pritej. Në
këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat e Elez
Biberaj shërbyen edhe si një pasqyrë realiste për politikëbërësit
amerikanë.
Një kujtim që mbetet
-- Sot, kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo
vështirësitë, por mbi të gjitha shpresa e shqiptarëve për ditë më të mira për
veten e familjet e tyre. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga
njerëz që kishin duruar shumë, por megjithkëtë nuk kishin humbur besimin. Dhe në këtë kujtesë, figura e Elez
Biberaj mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me ato ditë – si mik, si
bashkëpunëtor dhe si një nga zërat që e kuptoi heret se Shqipëria, megjithë
plagët e saj, kishte ende një të ardhme për të ndërtuar. Ato ditë në Shqipëri, pranë Elez Biberajt,
mbeten një kujtesë e gjallë e një kohe kur gjithçka dukej e mundur, por asgjë
nuk ishte e sigurt. Ishte fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë — një
rrugë që, edhe sot, vazhdon të kërkojë përgjigje për pyetjet e lëna pezull atë
pranverë të largët. Në fund, ajo që
mbetet më e fortë nga ajo përvojë është bindja se historia nuk ndryshon
vetvetiu -- por ajo ndryshohet për më mirë nga njerëzit që kanë guximin,
moralin dhe vullnetin e fortë politik të përballen me të Vërtetën historike, jo
vetëm me fjalë por dhe me vepra.
Një koment personal
si post-scriptum, nëse më lejohet: Përvoja e përbashkët me Elez Biberajn në Shqipërinë e
mars–prillit 1991 nuk ishte thjesht një udhëtim në një vend që po hapej ndaj
botës ishte një përballje e drejtpërdrejtë me historinë në lëvizje. Shkuam dhe pamë një Tiranë të trazuar, ku
rrëzimi i regjimit komunist nuk kishte sjellë ende qartësi, por kishte hapur
një boshllëk të madh politik, institucional dhe moral. Ishte një Shqipëri ku e
kaluara dhe e ardhmja përplaseshin çdo ditë, në çdo takim, në çdo debat, në çdo
shpresë të shprehur me zë të lartë. Si
pjesë e angazhimit amerikan pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike
SHBA-Shqipëri 1991, prania e dy delegacioneve amerikane, përfaqësues të ekzekutivit
dhe të legjislativit të qeverisë amerikane, kishte një dimension të dyfishtë:
nga njëra anë, përfaqësonim një lidhje të shumëpritur të Shqipërisë me
Perëndimin; nga ana tjetër, ishim dëshmitarë kritikë të një realiteti që
kërkonte më shumë sesa entuziazëm -- kërkonte transformim të thellë. Në ato ditë, me Elez Biberajn ndamë jo vetëm
axhendat dhe takimet, por edhe reflektime të vazhdueshme mbi atë që po shihnim.
Pamë nga afër një shoqëri të etur për liri, por të pa-përgatitur për
kompleksitetin e saj. Pamë liderë që flisnin për demokraci, por që shpesh
mbartnin mendësitë e vjetra. Pamë një popull që besonte fort tek Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, ndonjëherë më shumë si një mit, sesa një realitet politik.
Në diskutimet mes nesh,
Elez Biberaj theksonte se Shqipëria nuk do të kishte sukses vetëm duke
përmbysur të kaluarën; sfida e vërtetë ishte ndërtimi i një kulture demokratike
dhe përpjekjet serioze, konkrete për ndërtimin e institucioneve dhe të
mendësisë së re politike e shoqërore.
Por ajo që na bashkoi më shumë në atë përvojë ishte jo vetëm ndjenja se
po jetonin një moment historik, por edhe vetëdija se ky moment ishte vetëm
fillimi. Shqipëria e vitit 1991 nuk kishte nevojë vetëm për miq dhe mbështetje
ndërkombëtare; kishte nevojë për një përmbysje të brendshme — të mendimit, të
etikës publike, të marrëdhënies mes shtetit e qytetarit, por mbi të gjitha një
përballim zyrtar me të kaluarën komuniste.
Përvoja e jonë e përbashkët mbetet një dëshmi e asaj kohe kur shpresa
ishte e madhe, por rruga përpara ishte e pasigurt. Ishte një kohë kur dy shqiptaro-amerikanë,
nga dy realitete të ndryshme, u gjendën së bashku në një pikë kthese për kombin
e tyre — duke parë, duke analizuar dhe duke besuar se Shqipëria mund të bëhej
ndryshe. Dhe ndoshta, vlera më e madhe e
asaj përvoje nuk qëndron vetëm në atë që pamë, por në mënyrën si e kuptuam: me
realizëm, pa iluzione të tepërta, por me një besim të qëndrueshëm se ndryshimi,
sado i vështirë, ishte i pashmangshëm, mgjithë zhgënjimet e mëdha të klasës
politike shqiptare këto 35-vite e deri në ditët e sotëme.

Tiranë, mars, 1991 --Sot,
kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo vështirësitë,
por mbi të gjitha shpresa e shiptarëve për ditë më të mira si pjesë e Evropës
demokratike. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga njerëz që
kishin duruar shumë, por nuk kishin humbur krejtësisht, besimin.

Tifozët dhe dëgjuesit
e rregullt të Zërit të Amerikës pasi u përhap lajmi se Elez Biberaj, Shef i
Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës ishte në Tiranë, reagimi ishte i
menjëhershëm, siç tregon kjo fotografi përpara Hotel Dajtit. Një përzierje
krenarie dhe shprese, pa tjetër. Për shumë prej tyre, prania e dy delegacioneve
amerikane në Shqipëri ishte diçka më shumë se një vizitë diplomatike; ishte një
shenjë se Shqipëria, më në fund, nuk ishte më vetëm, as e izoluar nga bota.
Ishte një kohë kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe -- për herë të parë në
historinë e tij -- nën drejtimin e Dr Biberajt, kishte numrin më të madh të
dëgjuesve në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, në krahasim me
programet e tjera evropiane të VOA’s, në proporcion me popullsinë, natyrisht.

Kryetari i
delegacionit të Kongresit Amerikan, Senatori Dennis DeConcini i shtetit Arizona
në konferencë me shtypin në Tiranë

Konferencë shtypi e
delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ato ditë në Tiranë

Zbritja e
delegacionit të parë të Kongresit Amerikanë në aerportin Rinas të Tiranës,
Mars, 1991

Takimet me
intelektualë, gazetarë dhe figura të reja politike zbuluan një shoqëri në
fermentim, por edhe një elitë ende të papërgatitur për sfidat e një sistemi
pluralist. Në rrugët e Tiranës, njerëzit
na ndalonin, pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë. Kishte një
idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë
prej tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
ishte sinonim i demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies — një kontrast i fortë me
realitetin komunist që kishin përjetuar ata për dekada.

Me të ndjerin Azem
Hajdari, lider i studentëve të Nëntorit

Me udhëheqsin e
Partisë Demokratike në opozitë, Dr Sali Berishën

Në Tiranë me Kongresistin,
ish-governatorin e shtetit Nju Meksiko, dhe ish-ambasadorin amerikan në Kombet
e Bashkuara, Z. Bill Richardson

Me Elezin, bisedat
tona shpesh shkonin përtej detyrës zyrtare. Si dy shqiptaro-amerikanë që kishim
ndjekur për vite me radhë fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nga larg, tani
ndodheshim në zemër të saj, duke parë nga afër pasojat e një sistemi barbar që
kishte lënë plagë të thella në trupin e Kombit. Një miqësi në shërbim të një
momenti historik -- Ditët me Elez Biberajn në Tiranë nuk ishin vetëm një
përvojë profesionale; ishin një dëshmi e asaj se si miqësia dhe përkushtimi
mund të ndërthuren me historinë. Kishte momente reflektimi, por edhe një
ndjenjë të fortë detyrimi – ndaj vendit të origjinës, ndaj së vërtetës, lirisë
e demokracisë dhe ndaj së ardhmes. Në
ato ditë të marsit dhe prillit 1991, Shqipëria ishte ende e brishtë, por e
gjallë. Dhe ne, në mënyrën tonë modeste, ishim dëshmitarë dhe pjesëmarrës në
atë zgjim.









