Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Mbresat e mia me komunitetin shqiptar kërçovar në Olten të Zvicrës
E merkure, 08.04.2026, 06:59 PM
MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRËS
Nga
Prof. Dr. Avzi Mustafa
E
kam zakon që cingërimat në telefonin e xhepit nga numra të panjohur të mos i
hapi, por kur pas pak minutash përsëri cingëroi numri i njëjtë, u bëra
kureshtar, sepse numri ishte nga një vend i huaj. Andaj e hapa. Në telefon më
prezantua dhe më përshëndeti Florim Useni. Pas fjalëve të rëndomta, siç është
zakon, më njoftoi se Shoqata Kulturore “Kërçova” në Zvicër do të mbajë një
tribunë shkencore mbi të folmet e Kërçovës dhe një nder referuesit më kishin
caktuar mua dhe prof. dr. Qemal Muratin. Pasi u njoftova me aktivitetin që do
ta realizojë shoqata, fillimisht nuk i dhashë fjalën e prerë, por e luta të më
presë derisa të bëja disa konsultime me mjekun amë se a mund të udhëtoja, duke
pasur parasysh sëmundjet që i sjell pleqëria. U konsultova me mjekun dhe pas
tri ditësh përsëri u paraqit Florimi, me ç’rast biseduam gjerë e gjatë rreth
udhëtimit dhe organizimit. Kështu edhe unë pranova me dëshirën më të madhe.
Në
Zvicër kisha qenë njëherë, dikur kah vitet e nëntëdhjeta, sepse i kisha
vëllezërit, por si atëherë, ashtu edhe sot, shumica e shqiptarëve kurbetçinj
ishin nga Kërçova. Por, tani kishte një dallim të mdh – nuk ishin ata që kishin
shkuar në gjysmë shekullin e kaluar, por ishin fëmijët e tyre, që i kanë
krijuar edhe familjet e tyre. Me secilin që bisedonim vëreja se kjo gjeneratë e
shkolluar, sigurisht të punësuar dhe me biznese, jo që e fliste bukur gjuhën
shqipe, por mendjen e kishte që vitet e pleqërisë t’i kalojnë në vendlindje.
Kjo është gjenerata që kur janë shpërngulur në dhè të huaj, i kanë marrë me
vete kujtimet e vendlindjes.
Kërçova në Ollten
Pasi
zbritëm në aeroportin e Bazellit dhe i kaluam të gjitha kontrollet, e takuam
një shqiptar nga Kosova, të cilin e lutëm të na i lidhë celularët për të
komunikuar me organizatorët. Nuk shkuam as 5 minuta dhe drejt nesh po vinte një
djalosh shtatlartë dhe i buzëqeshur. Quhej, Bukurim Xhaferi.
E
pyesim si kalojnë aty? Ai na përgjigjet se ata e kanë siguruar mirëqenën
sociale, por një nevojë nuk e përmbushin kurrë – mallin për vendlindje. Ne –
thotë Bukurimi – po mundohemi që etje-dhimbjen ta shuajmë përmes vizitave të
herëpashershme. “E sa u përket fëmijëve tanë, që veç më janë integruar në
shoqërinë zvicrane, po mundohemi në forma të ndryshme t’ua ngulisim lidhjet me
vendlindjen, që ta ruajnë gjuhën tonë të shenjtë shqipe, duke berë vizita me
farefisin ose nëse na pyesin, të martohen me shqiptarë”, shpjegon dhe qeshet
Bukurimi.

Dr.
Qemal Murati, Bukurim Xhaferi dhe prof. dr. Avzi Mustafa
Unë
dhe Qemali e kuptojmë Bukurimin, sepse ai i takon gjeneratës së dytë që kanë
vajtur në Zvicër bshkë me tërë mozaikun shpirtëror të vendlindjes. Gjithë kjo
gjeneratë shprehet në këtë mënyrë, sepse te ata shprehet një presion i
brendshëm që prindërit ua kanë imponuar – që të mos i harrojnë kujtimet dhe të
mos shkëputen nga rrënjët e tyre, për të mos e harruar gjuhën, identitetin,
zakonet, besimin.

Lasgush
Poradeci: “Nuk ka letër që e shuan mallin për vendlindjen...”
Para
se të hyjmë në qytetin Ollten, Bukurimi e kërkon një shok dhe pyet a punon
restoranti. Pasi mori përgjigje, na dërgoi drejt te restoranti “Garana”, ku
pronar ishte një bashkëvendës nga fshati Garanë. Djali i pronarit, Fluturimi,
nga gostiti me kafe dhe ujë, bile na luti që të darkojmë. Iu falënderuam.
Pronari na tregoi se ai jo vetëm që e posedonte restorantin, por e kishte bërë
edhe motel, njësoj si shtëpinë ku banonte me familjen. Fluturimi na tha se
prefekti i Bazellit ka thënë se “pa shqiptarë nuk do të kishte Zvicër”.
Pastaj
u nisëm drejt hotelit në qendër të Olltenit – hoteli “Astoria”. Para se të
arrijmë në hotel, në celular u paraqit kryetari i Shoqatës, z. Resul Mehmedi, i
cili na uroi mirëseardhje. Pasi u vendosëm në hotel, shkuam për të darkuar.
Zgjedhjen e ushqimit ia lamë në dorë Bukurimit, sepse ai ishte njeri ndër
bizismenët e mishit atje, madje edhe shkollën e kishte të mbaruar për
përpunimin e mishit. Andaj edhe porosia e tij ishte me shije të veçantë.
Pasi
shkuam të pushojmë, nuk vonoi shumë edhe na telefonoi z. Florim që të na
vizitojë, por ne e lutem që të pushojmë se ishim të lodhur prej udhëtimit.
Në
mëngjes, pasi hëngrëm kafjall, bashkë me Qemalin ia bëmë një vizitë Olltenit,
duke ecur rrugëve shumë të bukura dhe të pastra. Ajo që na bënë përshtypje që
në kontaktin e parë me qytetin ishte qetësia në hapësirë dhe tek njerëzit. Neve
na mungonte zhurma, buria e veturave, britmat e njerëzve, ajo që në Shkup e
Prishtinë është evidente. Në këtë qytet ndihej një ekuilibrim ndërmjet natyrës
dhe njeriut.
Koha
ikte me të shpejtë. Ende pa u kthyer në hotel, aty kishte ardhur z. Florim Useni,
i cili na mori që të shkojmë në sallën ku do të mbahej kuvendi i Shoqatës dhe
ku do të mbhej tribuna shkencore. U ulëm në fujaenë e klubit dhe aty na
njoftuan në detaje me projektin e ardhshëm. Ai gjithashtu na tha se ka biseduar
edhe me bizismenë nga Maqedonia e Veriut për realizimin e mega-projetit. Ai na
njoftoi se aty do të ndërtohej një kampus i madh, në të cilin do të
funksiononte edhe shkolla edhe xhamia, edhe hoteli edhe salla sporti, edhe
biblioteka edhe atelieja etj.

Florimi,
Bukurimi, Deari, Avziu, Qemali, Resuli
Pas
një çerek ore u drejtuam te salla ku do të mbahej tribuna. Në korrdior takuam
shumë bashkëvendës: disa na njihnim prej më parë e me disa po njoftoheshim. Aty
na ua afrua edhe profesori Rexhep Bajrami, i cili na përgëzoj dhe na uroi
mirëseardhje. Ai u gëzua shumë, por të gjithë kishin dëshirë që të na takojnë.
Kishin ardhur edhe miq e dashamirë edhe nga qytetet e tjera të Zvicrës, si dhe
nga Gjermania.
Para
sallës u takuam edhe me z Resul Mehmedin. Pasi u përshëndetem, u futëm në
sallën ku do të mbahej tribuna shkencore. Neve dhe pjesëmarrësi na përshendeti
kryetari i Shoqatës z. Resul Memehedi dhe më pas sipas programit, nën
udhëheqjen e moderatotit z.Florim u paraqitëm me kumtesat, që me shumë vëmendje
e ndiqnin pjesëmarrësit dhe në fund
pasuan edhe pyetjet dhe përgjigjet,
tribuna mbaroi.

Foto
e përbashkët
Pastaj,
pas fotografisë së përbashkët, shumë pjesëmarrës bashkëvendës kishin dëshirë të
ketë një kujtim me mua dhe me Qemalin.
Më
pas, bashkë me z. Resulin, Florimin, Dearin, Bukurimin....... etj. shkuam për
darkë. Vajtëm në restorantin e një prizrenasi, ku ushqimi ishte fantastik – me
një shërbim shumë dashamirës nga ana e kamerierëve.
Pas
ushqimit, kryetari i Shoqatës dhe stafi i tij na morën në makinë dhe pas 15
minutash udhë, shkuam te restoranti i z. Naim Kurti. Aty biseduam lirshëm,
rrëfyem barcoleta, thjesht u krijua një atmosferë e këndshme, siç vetëm mund të
imagjinohet.
Në
mëngjes para hotelit erdhi z. Dehari, që të na dërgojë në aeroport. Par
kontrolleve në aeroport, u përshëndetëm me z. Deharin dhe pastaj vijuan
kontrollet e parapara. Edhe pasi u ndamë z. Resuli, si edhe z. Florimi, z.
Bukurimi e z. Deari na kërkonin dhe interesoheshin se si kemi udhëtuar dhe si i
kemi gjetur familjarët.
Me
atë që pashë atje, mund të krenohem se komuniteti kërçovar është një shembull
eklatant i punës dhe dinjitetit. Ata sot përfaqësojnë jo veten tonë, por edhe
familjet tona dhe vendlindjen tonë. Ajo që më gëzon më shumë është se ata
qëndrojnë shumë bashkuar dhe e mbajnë gjithmonë gjallë një dëshirë të madhe –
që lidhja e tyre me vendlindjen të forcohet sa më shumë brez pas brezi. Motoja
e tyre ishte që kujtimet e tyre t’i përcjellin te brezat e rinj, që ata t’i
njohin rrënjët e tyre, ta flasin gjuhën e bukur shqipe dhe ndjehen krenarë për
prejardhjen e tyre nga Kërçova.









