E merkure, 08.04.2026, 12:15 AM (GMT+1)

Mendime

Ilir Çumani: 7 prilli i vitit 1939 na kujton se asgjë nuk harrohet…

E marte, 07.04.2026, 06:58 PM


7 PRILLI I VITIT 1939 NA KUJTON SE ASGJË NUK HARROHET…

Nga Ilir Çumani

Historia e Shqipërisë është e ngarkuar me ngjarje dhe data mjaft të rëndësishme që kanë shenjuar gjurmë të pashlyeshme, shumë prej të cilave kanë lënë plagë që nuk mbyllen lehtë. Ato janë prova të karakterit të një kombi dhe njëkohësisht pasqyra e mënyrës se si një komb zgjedh të kujtojë ose të harrojë veten.

Një nga këto data është 7 prilli 1939 — dita kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe kur mbi sovranitetin shqiptar ra një nga hijet më të rënda të historisë moderne.

Pushtimi nuk ishte vetëm një akt ushtarak, por një simbolikë nënshtrimi politik dhe moral. Në pak orë u godit jo vetëm territori, por edhe dinjiteti i shtetit shqiptar, i cili ishte ende i brishtë, i ri dhe në kërkim të konsolidimit të vet institucional. Për këtë arsye, 7 prilli nuk është vetëm një datë historike, por një provë e karakterit kombëtar.

Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë datë nuk është vetëm zbarkimi i trupave italiane, por edhe episodi i mëpasshëm, kur një delegacion shqiptar në Romë i dorëzoi kurorën e Mbretërisë shqiptare mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III. Ky akt përfaqëson një nga momentet më dramatike të komprometimit të elitës politike shqiptare të kohës.

Në atë delegacion bënin pjesë figura si Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Eqrem bej Vlora, Xhafer Ypi, Anton Harapi, Fejzi Alizoti, e të tjerë. Historia i njeh këta emra jo vetëm si individë, por si përfaqësues të një zgjedhjeje politike që mbetet edhe sot objekt debati të fortë historik dhe moral.

Ky episod nuk duhet parë vetëm si akt formal diplomatik, por mirëfilli si një akt simbolik i transferimit të sovranitetit — një gjest që në kujtesën kolektive mbetet i lidhur me idenë e dorëzimit të shtetit.

Megjithatë, drama e vërtetë nuk mbaron në vitin 1939, por në mënyrën se si një shoqëri përballet me të kaluarën e saj.

Pas vitit 1992, në Shqipëri nisi një proces i ndërlikuar rivlerësimi historik. Ky proces ishte i nevojshëm, sepse historiografia komuniste kishte qenë shpesh ideologjike dhe përjashtuese. Në shumë raste rivlerësimi u kthye në relativizim. Në vend që të ndërtohej një kulturë e ekuilibruar e kujtesës historike, shpesh u krijua një konfuzion i ri interpretimesh.

Kur emrat e figurave historike vendosen në rrugë, institucione apo shkolla, kjo nuk është thjesht një çështje nderimi personal, por një akt edukimi publik. Është një deklaratë mbi vlerat që një shoqëri zgjedh të transmetojë tek brezat e rinj, ngase kujtesa publike nuk është neutrale. Ajo është një zgjedhje morale.

Në këtë kuptim, pyetja nuk është vetëm historike, por edhe antropologjike, që lidhet me identitetin: çfarë zgjedhim të kujtojmë dhe pse?

Një shoqëri që nuk arrin të ndërtojë një raport të sinqertë me të kaluarën e saj rrezikon të jetojë në një gjendje të përhershme tensioni mes kujtesës dhe harresës, ngase krijon një paradoks të rrezikshëm: heronjtë relativizohen, ndërsa kompromiset historike justifikohen.

Kjo nuk do të thotë se historia duhet lexuar bardh e zi. Historia është komplekse. Figurave historike duhet t’u njihet edhe konteksti, edhe rrethanat, edhe kufizimet e kohës së tyre. Por po aq e vërtetë është se sovraniteti i një vendi nuk është një kategori relative, por themeli mbi të cilin ndërtohet dinjiteti i një kombi.

Prandaj 7 prilli nuk është vetëm një datë përkujtimore, por edhe një test ndërgjegjeje.

Është një pyetje që i bëhet çdo brezi: si do ta lexojmë historinë tonë — si një barrë për ta fshehur apo si një mësim për ta kuptuar?

Një komb nuk dobësohet kur përballet me të vërtetat e tij, por vetëm kur pushon së kërkuari të vërtetën.

Tiranë, e martë – 7 prill 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Mbushuni mend bashkatdhetarë Kalosh Çeliku: Kurvat “besnike” – partiake të rrufjanëve komunistë Gjon Keka: Triniteti kombëtar Gjuha arbërore, Gjergj Kastrioti dhe Flamuri Isuf B. Bajrami: Fshehja sistematike e krimeve të luftës në Kosovë (1998–1999) Fahri Dahri: Retrospektivë (Prapavështrim) Petrit Dibrani: Kur jetesa në Kosovë po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme nga papunësia dhe çmimet marramendëse Idriz Zeqiraj: Aleanca LDK-PAN amnistoi krimin dhe lëndoi miqtë e Rugovës Nikoleta Kovaçi: Kombëtarja ka fytyrën e qeverisë! Isuf B. Bajrami: Kaosi dhe Sfida Demokratike në Zgjedhjet Lokale në Serbi Gani Pllana: Prof. Dr. Isak Hoxha – pedagog me vlera njerëzore dhe profesionale Kalosh Çeliku: Rrezik sot për një shtet shqiptar Florim Zeqa: Nuk ka tejkalim të krizës pa një alternativë të re politike! Isuf B. Bajrami: Kriza e Ngushticës së Hormuzit dhe fragmentimi i rendit ndërkombëtar Fejzulla Berisha: E vërteta që serbët nuk mund ta mohojnë: Shqiptarët autoktonë në Kosovë, serbët ardhacakë! Luljeta Pula: Mosmirënjohja, turpi ynë i heshtur! Isuf B. Bajrami: E drejta e qytetarëve për vetëmbrojtje ligjore ndaj kërcënimeve psikologjike, rreziqeve natyrore dhe situatave emergjente Ndue Dedaj: Politikanët në kisha e xhami si të “deleguar”, pse? Fahri Dahri: Një bashkëbisedim për Çamërinë Kalosh Çeliku: Jeta qenka e bukur mes kafshëve shtëpiake Llesh Ndoj: Vogjëlia dhe paria…

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx