Speciale
Dorian Koçi: Pashkët në kujtesën e letërsisë së vjetër shqipe, një traditë më e vjetër se vetë fjala jonë e shkruar
E hene, 06.04.2026, 06:59 PM
Pashkët në kujtesën e letërsisë së vjetër shqipe, një traditë më e vjetër se vetë fjala jonë e shkruar
Nga
Dorian Koçi
Ka
momente në historinë e një populli që nuk kanë një datë lindjeje, sepse janë të
pranishme që në agimin e vetëdijes së tij kulturore. Pashkët në botën shqiptare
janë një prej tyre. Krishterimi mbërriti në hapësirat iliro-arbërore shumë
herët, që në shekullin I pas Krishtit, duke ndjekur rrugët tregtare dhe
kulturore të Perandorisë Romake, ku brigjet e Adriatikut dhe qytetet si Durrës
(Dyrrahium i lashtë) përbënin nyje të rëndësishme komunikimi. Qysh rreth vitit
58 pas Krishtit dëshmohet ekzistenca e një ipeshkvie në këtë qytet, një tregues
i qartë se bashkësitë e para të krishtera nuk ishin më thjesht embrionale, por
tashmë të organizuara dhe të strukturuara. Procesi i kristianizimit në këto troje
u zhvillua gradualisht përgjatë shekujve I–III, duke u përhapur nga qytetet
bregdetare drejt territoreve më në brendësi, duke u ndërthurur me traditat
vendase dhe duke krijuar një shtresëzim të hershëm kulturor e shpirtëror që do
të mbijetonte në kohë. Në këtë kontekst, Pashkët – si festa qendrore e
krishterimit, që mishëron Ringjalljen e Krishtit – duhet të jenë kremtuar që në
fillesat e këtyre bashkësive iliro-arbërore. Festimi i tyre nuk u shfaq si një
risi e mëvonshme, por si pjesë organike e jetës liturgjike dhe shpirtërore të
besimtarëve të parë. Që nga ai moment, kremtimi i Pashkëve u bë një rit i
përsëritur çdo vit, një akt kujtese dhe besimi që lidhi brezat, duke krijuar
një vijimësi të pandërprerë që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët tona.
Kur
lexojmë tek "Meshari" i Gjon Buzuku për Pashkët, librin e parë në
gjuhën shqipe, nuk gjejmë aty një festë që po prezantohet për herë të parë, por
një univers liturgjik të konsoliduar, ku Pashkët qëndrojnë në qendër të
kalendarit kishtar vjetor. Aty përshkruhen Ungjijtë e Ringjalljes, struktura e
Javës së Madhe, ritmi i besimit të përkthyer tashmë në shqip. Ky përshkrim
është dëshmi e një përvoje të brendësuar, ku gjuha shqipe bëhet mjet i
shprehjes së së shenjtës. Këto pasazhe në "Meshar" dëshmojnë se
përpara se të shkruhej gjuha shqipe, ajo ishte tashmë pjesë e liturgjisë;
përpara se të shtypej me gërma në letër, ajo kishte gjetur vendin e saj në
ritual, në kujtesë dhe në përditshmërinë shpirtërore të bashkësive.
Në
"Doktrina e Krishterë", Pjetër Budi nuk i shpjegon Pashkët si një
risi, por si themelin e besimit: Ringjallja e Krishtit si boshti rreth të cilit
rrotullohet kuptimi i jetës dhe i shpëtimit. Gjuha e tij është didaktike, por
njëkohësisht popullore dhe afruese, duke synuar jo vetëm të informojë, por të
formojë ndërgjegjen fetare të besimtarëve. Në këtë kuptim, Pashkët nuk janë
vetëm një ngjarje që përkujtohet, por një e vërtetë që përjetohet, një përvojë
që i jep kuptim ekzistencës njerëzore dhe e lidh jetën tokësore me premtimin e
përjetësisë.
Ndërsa
në "Cuneus Prophetarum", Pjetër Bogdani e ngre këtë festë në një
dimension filozofik e kulturor, duke e parë si triumf të jetës mbi vdekjen dhe
si metaforë të ripërtëritjes së përhershme. Tek Pjetër Bogdani, Pashkët
tejkalojnë kufijtë e liturgjisë dhe bëhen pjesë e një vizioni më të gjerë
intelektual, ku historia, teologjia dhe kultura ndërthuren. Ato shndërrohen në
një simbol të qëndresës dhe të shpresës, një ide që flet jo vetëm për shpëtimin
shpirtëror, por edhe për aftësinë e një populli për t'u ringritur, për t'u
ripërtërirë dhe për të vijuar përpara në rrjedhën e historisë.
Letërsia
jonë e hershme dokumenton në këtë mënyrë kujtesën kolektive të shqiptarëve: ajo
nuk na jep një "datë-fillim" se kur filluan të festoheshin Pashkët në
Arbëri, por na dëshmon për vazhdimësinë e tyre. Një vazhdimësi që shtrihet
përtej faqeve të librave—në traditat popullore, në vezët e kuqe, në ritualet
familjare—një kujtesë e gjallë që e ka ruajtur këtë festë si pjesë të
identitetit. Kësisoj, Pashkët në kulturën shqiptare janë dëshmi se historia nuk
është vetëm ajo që shkruhet, por edhe ajo që jetohet dhe transmetohet. Si me të
drejtë pohon Eqrem Çabej, ekzistenca e një treve me një besim të vetëm—madje
edhe në një vend si Shqipëria mesjetare, ku mungonte gjithmonë bashkimi
shtetëror—kishte një ndikim koncentrues, përfshirë edhe legjislacionin. Një nga
këto treva ka qenë Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej
edhe më në veri (Kuçi), ndërsa nga jugu arrinte deri në Shkumbin. Në këtë zonë
të hapur, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh duhet të ketë ndihmuar
në zhvillimin e kulturës dhe gjuhës, duke formuar një bazë të qëndrueshme për
identitetin shqiptar.
Ndoshta
ky është mesazhi më i thellë: para se të kishim letërsi, ekzistonte një botë ku
besimi, gjuha dhe tradita kishin filluar tashmë të ndërtojnë identitetin tonë.
Dhe pikërisht në këtë vijimësi qëndron forca e saj—një trashëgimi që nuk është
vetëm e kaluar, por që vazhdon të jetojë në çdo brez.
Dorian Koçi, PhD
Instituti i Historisë / Akademia e Shkencave e Shqipërisë









