Speciale » Basha
Sabile Basha: Programet dhe elaboratet serbe antishqiptare (6)
E hene, 23.03.2026, 06:59 PM
VASA ÇUBRILLOVIQI: ARKITEKTI I SPASTRIMIT ETNIK DHE IDEOLOGU I ERRËSIRËS ANTISHQIPTARE
(Programet serbe antishqiptare – VI)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në historinë e Ballkanit, ku kufijtë janë vizatuar shpesh me gjakun e popujve të shtypur dhe ku ideologjitë nuk kanë mbetur vetëm në letër, por janë shndërruar në politika të dhunshme, Vasa Çubrilloviqi mbetet një nga figurat më famëkëqija. Ai nuk ishte thjesht historian apo akademik, por një ideolog i mirëfilltë i spastrimit etnik, një njeri që hartoi doktrina të dëbimit, të shpronësimit, të asimilimit dhe të dhunës sistematike ndaj shqiptarëve.
Vasa Çubrilloviqi lindi më 14
janar 1897 në Bosnje, në një kohë kur Perandoria Osmane po tërhiqej nga
Ballkani dhe idetë nacionaliste serbe po merrnin hov. Qysh në rini, ai u lidh
me qarqe ekstremiste serbe që ëndërronin krijimin e një Serbie të Madhe, përmes
eliminimit të çdo elementi joserb në territoret që synonin të sundonin.
Në rininë e tij, ai ishte pjesë e
organizatës sekrete “Dora e Zezë”, një grup me orientim radikal që synonte
bashkimin e serbëve në një shtet të vetëm. Kjo organizatë lidhej edhe me
atentatin ndaj Franz Ferdinandit në Sarajevë në vitin 1914, ngjarje që u bë
shkëndijë e Luftës së Parë Botërore.
Por, ndryshe nga shumë të tjerë
që mbetën thjesht pjesë e rrjedhës së zakonshme të politikës serbe,
Çubrilloviqi kishte një aftësi të veçantë për të formuluar strategji afatgjata,
për të hartuar plane sistematike të përjashtimit etnik dhe për t’i maskuar ato
si politika shtetërore të “domosdoshme” për mbijetesën e Serbisë.
Emri i Vasa Çubrilloviqit lidhet
përgjithmonë me dy dokumente të errëta, të cilat hodhën themelet e dhunës së
mëvonshme kundër shqiptarëve.
E para është Memorandumi i vitit
1937 – “Shpërngulja e Shqiptarëve”. Në këtë dokument, Çubrilloviqi
formuloi një strategji të qartë për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga
Kosova dhe trojet e tyre etnike. Ai nuk e fshehu qëllimin e tij, por propozoi
hapur që shqiptarët të dëboheshin nga toka e tyre me çdo mjet të mundshëm:
terror, presion ekonomik, shtypje politike dhe dhunë të organizuar.
Në këtë memorandum ai shprehej se
Serbia nuk duhej të priste që shqiptarët të largoheshin vetë, por duhej të
krijonte rrethana të tilla që t’i detyronin ata të iknin. Kjo nuk ishte vetëm
një teori, por një projekt konkret, i cili më vonë do të shndërrohej në
praktikë gjatë periudhave të spastrimeve etnike në Jugosllavi.
Dokumenti i dytë është Elaborati
i vitit 1944 – “Problemi i Minoriteteve në Jugosllavi”. Në këtë
elaborat, të hartuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Çubrilloviqi përpunoi një
plan edhe më brutal për shqiptarët dhe për popujt e tjerë joserbë. Ai
propozonte dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, përmes
përdorimit të forcës shtetërore, të propagandës së organizuar dhe të një
mekanizmi të tërë represiv.
Në këtë dokument ai kërkonte: përdorimin
e forcave ushtarake dhe policore për t’i detyruar shqiptarët të largoheshin,
konfiskimin e pronave të tyre, kolonizimin e tokave shqiptare me serbë dhe
shtypjen e çdo përpjekjeje për rezistencë me masa të ashpra.
Politikat e formuluara nga Vasa
Çubrilloviqi nuk mbetën vetëm në letër. Ato u zbatuan me brutalitet gjatë
gjithë shekullit XX. Gjatë viteve 1950, regjimi i Titos përdori metoda të
ngjashme për të dëbuar mijëra shqiptarë nga Kosova drejt Turqisë. Gjatë viteve
1980 dhe 1990, idetë e tij shërbyen si bazë ideologjike për strategjitë e
Slobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa gjatë luftës së
viteve 1998–1999, shumë nga konceptet e tij u mishëruan në veprimet e forcave
serbe, përmes dëbimeve masive, terrorit shtetëror dhe politikës së spastrimit
etnik.
Vasa Çubrilloviqi nuk ishte
thjesht historian apo akademik. Ai ishte një arkitekt i spastrimit etnik, një
mendje e përkushtuar për ta kthyer Serbinë në një fuqi dominuese përmes
shtypjes dhe zhdukjes së popujve të tjerë.
Ai vdiq më 11 qershor 1990, por
hija e veprës së tij mbeti gjallë, e përjetësuar në politikën serbe ndaj shqiptarëve
dhe në përpjekjet e vazhdueshme për të mohuar ose relativizuar krimet e kryera
ndaj tyre.
Historia si gjykatë e së
vërtetës
Historia i mban mend jo vetëm ata
që ndërtojnë, por edhe ata që shkatërrojnë. Vasa Çubrilloviqi nuk mbetet një
figurë e zakonshme e akademisë serbe; ai është një nga ata njerëz që hartuan
strategji për vuajtjen e të tjerëve, që formuluan teori të cilat çuan në
shpërngulje, shkatërrim e zhdukje.
Por historia ka një gjykatë të
pashmangshme. Përballë veprave të errëta të tij qëndron e vërteta e një populli
që nuk u zhduk, që nuk u nënshtrua dhe që nuk u shua. Shqiptarët, të cilët
Çubrilloviqi dëshironte t’i shihte të shpërngulur, të shpërbërë e të harruar,
sot qëndrojnë në tokën e tyre, si dëshmi se çdo elaborat që synon të fshijë një
komb është i destinuar të dështojë.
“Iselavanje Arnauta” –
programi i spastrimit etnik dhe trashëgimia e errët e Vasa Çubrilloviqit
I hartuar në vitin 1937, programi
famëkeq “Iselavanje Arnauta” (“Shpërngulja e shqiptarëve”) nuk ishte
thjesht një dokument politik, por një manifest brutal i ideologjisë së
spastrimit etnik, një plan i detajuar për goditjen e një populli. Ai
përfaqësonte kulmin e një mendësie që zhdukjen e shqiptarëve nuk e shihte si
një akt të rastësishëm dhune, por si një mision shtetëror të organizuar, të
menduar dhe të justifikuar me gjuhën e burokracisë.
Në këtë dokument, Vasa
Çubrilloviqi ndërtoi një udhërrëfyes të plotë për shtypjen dhe përzënien e
shqiptarëve, një përmbledhje teknikash të shpronësimit, dëbimit dhe asimilimit,
që më vonë u shndërruan në pjesë të doktrinës shtetërore serbe. Nuk ishte një
teori abstrakte, as një reflektim i izoluar akademik; ishte një plan veprimi,
një manual i errët i spastrimit etnik.
Në faqet e këtij dokumenti
gjendet një arsenal masash diskriminuese, i ndërtuar mbi intolerancën
kombëtare, jo si urrejtje spontane, por si politikë e programuar dhe e
institucionalizuar nga shteti.
Nëse ky program krahasohet me
metodat e regjimeve totalitare të shekullit XX ndaj popujve të padëshiruar,
ngjashmëritë janë tronditëse. Ndryshon vetëm emri i viktimës. Këtu, në vend të
kombeve të tjera, ishin shqiptarët ata që shënjestroheshin. Në vend të
asgjësimit të menjëhershëm fizik, parashiheshin dëbimi masiv, shpronësimi,
terrori administrativ, asimilimi dhe zhdukja graduale nga trojet e tyre.
Ky program nuk mbeti një ide e
largët apo një dokument i harruar në arkiva. Ai u shndërrua në frymë politike
dhe në praktikë shtetërore. Ngjarjet e mëvonshme, terrori ndaj shqiptarëve,
shpërnguljet, kolonizimi dhe spastrimi etnik i Kosovës, nuk ishin dukuri krejt
spontane, por zbatim në forma të ndryshme i një logjike të përpunuar dekada më
parë.
Në këtë dokument, Çubrilloviqi
përmblodhi forma të ndryshme represioni:
shpronësimin dhe zhdukjen e të drejtave pronësore të shqiptarëve; dëbimin e
heshtur dhe shpërnguljen masive drejt Turqisë; ndryshimin e përbërjes
demografike përmes kolonizimit serb; presionin ekonomik për t’i detyruar
shqiptarët të largoheshin vetë; dhe përdorimin e forcës shtetërore për të
terrorizuar popullsinë shqiptare.
Gjithçka ishte menduar në
hollësi. Çubrilloviqi nuk linte pothuajse asgjë në dorë të rastësisë. Ai
ndërtonte një sistem të tërë të sundimit dhe të eliminimit, të organizuar si
pjesë e një skeme më të madhe politike.
Dhe më e rëndë se vetë përmbajtja
e këtij dokumenti ishte fati i autorit të tij. Në vend që të dënohej për këto
ide çnjerëzore, në vend që historia serbe ta refuzonte si një arkitekt të
errësirës, Vasa Çubrilloviqi u nderua. Ai u bë anëtar i Akademisë së Shkencave
dhe Arteve të Serbisë, një institucion që jo vetëm nuk i dënoi këto ide, por i
lejoi të qarkullonin si pjesë e mendimit politik dhe akademik.
Dhe, si për të dëshmuar
vazhdimësinë e kësaj fryme, në vitin 1986 akademikë serbë hartuan Memorandumin
famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, një dokument që në
shumë drejtime përbënte vazhdim të logjikës së Çubrilloviqit, me gjuhë më
moderne, por me të njëjtin thelb përjashtues.
Një ide që nuk u shua, por
u shndërrua në politikë
Nëse lexohet me kujdes Elaborati
i Çubrilloviqit i vitit 1937 dhe më pas analizohen ngjarjet e viteve 1991–1999,
del në pah një e vërtetë e rëndë: historia e Kosovës nuk është formësuar vetëm
nga rastësia, por edhe nga projekte të hartuara shumë më herët. Lufta nuk ishte
thjesht një shpërthim i çastit, por edhe finalizim i një doktrine të vjetër, të
përpunuar, të përshtatur dhe të ruajtur në thelb me të njëjtin synim:
dobësimin, përjashtimin dhe zhdukjen e shqiptarëve si faktor politik e kombëtar
në Ballkan.
Në çdo faqe të Elaboratit të
Çubrilloviqit ndihet pesha e rëndë e një ideologjie që nuk mbeti në letër, por
u bë realitet në fate të thyera, në shtëpi të djegura, në familje të
shpërngulura dhe në dhimbje të trashëguara brez pas brezi.
Dhe pavarësisht kalimit të
dekadave, historia nuk e harron. Ajo mbetet dëshmitare. Shtypja, dëbimi,
asimilimi dhe spastrimi etnik janë emrat e vërtetë të këtij programi, dhe
mbrojtja e vetme kundër përsëritjes së tij është kujtesa e së vërtetës — një e
vërtetë që duhet thënë, shkruar dhe ruajtur.
Elaborati i dytë i Vasa
Çubrilloviqit: një doktrinë e pandalur e përjashtimit etnik
Nëse historia është kronikë e
mendimeve dhe e veprimeve njerëzore, atëherë Vasa Çubrilloviqi mbetet një nga
arkitektët e errësirës që nuk reshti së përpunuari teoritë e tij të
përjashtimit dhe të asimilimit. Ai nuk u mjaftua me Memorandumin e vitit 1937,
dokument që ndikoi në politikat shtypëse të shtetit serb ndaj shqiptarëve. Me
të njëjtën frymë ideologjike, ai u rikthye edhe në vitin 1944, kur Lufta e Dytë
Botërore po hynte në fazën përmbyllëse, për të formuluar një Elaborat të dytë —
një tjetër plan politik për ndjekjen dhe përjashtimin e shqiptarëve nga trojet
e tyre.
Ky dokument nuk ishte thjesht
përsëritje e memorandumit të parë, por një ripërpunim i doktrinës së mëhershme,
i përshtatur për t’i shërbyer realiteteve të reja politike. Në një kohë kur
Jugosllavia po përgatitej të hynte në një rend të ri socialist, Çubrilloviqi
ofroi “ekspertizën” e tij në fushën e minoriteteve, duke e paraqitur veten si
njohës të mekanizmave të kontrollit, të represionit dhe të asimilimit.
Në dukje, propozimet e tij mund
të duken më pak të drejtpërdrejta se ato të vitit 1937. Nuk kishte gjithmonë
thirrje të hapura për dhunë të menjëhershme, por kjo nuk i bënte më pak të
rënda. Përkundrazi, ato ishin më të rafinuara, më burokratike, më të fshehura
në gjuhën administrative, por me të njëjtin synim në thelb: largimin e
shqiptarëve dhe të minoriteteve të tjera nga hapësira që konsiderohej serbe.
Në këtë Elaborat, Çubrilloviqi
mbështetej në traditën e vjetër të mendimit ekspansionist serb, te Naçertania e
Ilia Garashaninit dhe te projektet gjeopolitike të Nikolla Pashiqit. Plani i
tij nuk ndalej vetëm te shqiptarët, por lidhej edhe me ambiciet më të gjera
serbe për dalje strategjike në jug dhe për zgjerim ndikimi në rajon.
Në këtë logjikë, shqiptarët
paraqiteshin si pengesë kryesore për ambiciet gjeopolitike serbe, si popull që
duhej ose të asimilohej, ose të largohej, ose të zhdukej si faktor politik dhe
demografik.
Më e rënda është se ky program
nuk mbeti shkrim i izoluar. Ai u përqafua nga politika shtetërore, duke u
përkthyer në strategji konkrete të dhunës institucionale, të kolonizimit dhe të
spastrimit etnik. Elaborati i Çubrilloviqit nuk ishte vetëm dokument historik;
ai u bë frymëzim për një vijë të gjatë politikash që lanë gjurmë në çdo dekadë
të sundimit serb mbi shqiptarët.
Dhe sërish, ashtu si pas
Memorandumit të vitit 1937, autori i këtyre teorive nuk u refuzua nga
establishmenti serb. Përkundrazi, u nderua dhe u përfshi në Akademinë e
Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ku për dekada ndihmoi në ndërtimin e një klime
mendimore që ushqente idenë e një shteti etnikisht të pastër.
Historia dëshmoi se idetë e
Çubrilloviqit nuk mbetën në letër. Ato u shndërruan në politikë shtetërore, u
institucionalizuan dhe u rikthyen në forma të ndryshme në çdo valë represioni
ndaj shqiptarëve: nga shpërnguljet për në Turqi, te kolonizimi i Kosovës, nga
shtypja kulturore e gjuhësore deri te luftërat dhe dëbimet e viteve ’90.
Dhe ndoshta më e frikshmja nga të
gjitha është se kjo mendësi nuk u shua plotësisht me fundin e Jugosllavisë. Ajo
vazhdon të shfaqet në forma të tjera, me fjalor më të zbutur, por shpesh me të
njëjtën thelbësi përjashtuese.
E gjithë kjo na kujton një të
vërtetë të hidhur: ideologjitë e errëta nuk vdesin nga koha, por vetëm kur
përballen me të vërtetën. Dhe e vërteta është se Elaboratet e Çubrilloviqit nuk
ishin mendime të izoluara, por pjesë e një vazhdimësie politike shtetërore.
Nëse duam të pengojmë rikthimin e
tragjedive të së kaluarës, rruga e vetme është kujtesa. Sepse harresa është
streha më e mirë e së keqes, ndërsa e vërteta, sado e dhimbshme, mbetet drita e
vetme që mund ta ndalë errësirën.
Vijon









