Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dorian Koçi: Pashkët në kujtesën e letërsisë së vjetër shqipe, një traditë më e vjetër se vetë fjala jonë e shkruar

| E hene, 06.04.2026, 06:59 PM |


Pashkët në kujtesën e letërsisë së vjetër shqipe, një traditë më e vjetër se vetë fjala jonë e shkruar

Nga Dorian Koçi

Ka momente në historinë e një populli që nuk kanë një datë lindjeje, sepse janë të pranishme që në agimin e vetëdijes së tij kulturore. Pashkët në botën shqiptare janë një prej tyre. Krishterimi mbërriti në hapësirat iliro-arbërore shumë herët, që në shekullin I pas Krishtit, duke ndjekur rrugët tregtare dhe kulturore të Perandorisë Romake, ku brigjet e Adriatikut dhe qytetet si Durrës (Dyrrahium i lashtë) përbënin nyje të rëndësishme komunikimi. Qysh rreth vitit 58 pas Krishtit dëshmohet ekzistenca e një ipeshkvie në këtë qytet, një tregues i qartë se bashkësitë e para të krishtera nuk ishin më thjesht embrionale, por tashmë të organizuara dhe të strukturuara. Procesi i kristianizimit në këto troje u zhvillua gradualisht përgjatë shekujve I–III, duke u përhapur nga qytetet bregdetare drejt territoreve më në brendësi, duke u ndërthurur me traditat vendase dhe duke krijuar një shtresëzim të hershëm kulturor e shpirtëror që do të mbijetonte në kohë. Në këtë kontekst, Pashkët – si festa qendrore e krishterimit, që mishëron Ringjalljen e Krishtit – duhet të jenë kremtuar që në fillesat e këtyre bashkësive iliro-arbërore. Festimi i tyre nuk u shfaq si një risi e mëvonshme, por si pjesë organike e jetës liturgjike dhe shpirtërore të besimtarëve të parë. Që nga ai moment, kremtimi i Pashkëve u bë një rit i përsëritur çdo vit, një akt kujtese dhe besimi që lidhi brezat, duke krijuar një vijimësi të pandërprerë që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët tona.

Kur lexojmë tek "Meshari" i Gjon Buzuku për Pashkët, librin e parë në gjuhën shqipe, nuk gjejmë aty një festë që po prezantohet për herë të parë, por një univers liturgjik të konsoliduar, ku Pashkët qëndrojnë në qendër të kalendarit kishtar vjetor. Aty përshkruhen Ungjijtë e Ringjalljes, struktura e Javës së Madhe, ritmi i besimit të përkthyer tashmë në shqip. Ky përshkrim është dëshmi e një përvoje të brendësuar, ku gjuha shqipe bëhet mjet i shprehjes së së shenjtës. Këto pasazhe në "Meshar" dëshmojnë se përpara se të shkruhej gjuha shqipe, ajo ishte tashmë pjesë e liturgjisë; përpara se të shtypej me gërma në letër, ajo kishte gjetur vendin e saj në ritual, në kujtesë dhe në përditshmërinë shpirtërore të bashkësive.

Në "Doktrina e Krishterë", Pjetër Budi nuk i shpjegon Pashkët si një risi, por si themelin e besimit: Ringjallja e Krishtit si boshti rreth të cilit rrotullohet kuptimi i jetës dhe i shpëtimit. Gjuha e tij është didaktike, por njëkohësisht popullore dhe afruese, duke synuar jo vetëm të informojë, por të formojë ndërgjegjen fetare të besimtarëve. Në këtë kuptim, Pashkët nuk janë vetëm një ngjarje që përkujtohet, por një e vërtetë që përjetohet, një përvojë që i jep kuptim ekzistencës njerëzore dhe e lidh jetën tokësore me premtimin e përjetësisë.

Ndërsa në "Cuneus Prophetarum", Pjetër Bogdani e ngre këtë festë në një dimension filozofik e kulturor, duke e parë si triumf të jetës mbi vdekjen dhe si metaforë të ripërtëritjes së përhershme. Tek Pjetër Bogdani, Pashkët tejkalojnë kufijtë e liturgjisë dhe bëhen pjesë e një vizioni më të gjerë intelektual, ku historia, teologjia dhe kultura ndërthuren. Ato shndërrohen në një simbol të qëndresës dhe të shpresës, një ide që flet jo vetëm për shpëtimin shpirtëror, por edhe për aftësinë e një populli për t'u ringritur, për t'u ripërtërirë dhe për të vijuar përpara në rrjedhën e historisë.

Letërsia jonë e hershme dokumenton në këtë mënyrë kujtesën kolektive të shqiptarëve: ajo nuk na jep një "datë-fillim" se kur filluan të festoheshin Pashkët në Arbëri, por na dëshmon për vazhdimësinë e tyre. Një vazhdimësi që shtrihet përtej faqeve të librave—në traditat popullore, në vezët e kuqe, në ritualet familjare—një kujtesë e gjallë që e ka ruajtur këtë festë si pjesë të identitetit. Kësisoj, Pashkët në kulturën shqiptare janë dëshmi se historia nuk është vetëm ajo që shkruhet, por edhe ajo që jetohet dhe transmetohet. Si me të drejtë pohon Eqrem Çabej, ekzistenca e një treve me një besim të vetëm—madje edhe në një vend si Shqipëria mesjetare, ku mungonte gjithmonë bashkimi shtetëror—kishte një ndikim koncentrues, përfshirë edhe legjislacionin. Një nga këto treva ka qenë Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), ndërsa nga jugu arrinte deri në Shkumbin. Në këtë zonë të hapur, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh duhet të ketë ndihmuar në zhvillimin e kulturës dhe gjuhës, duke formuar një bazë të qëndrueshme për identitetin shqiptar.

Ndoshta ky është mesazhi më i thellë: para se të kishim letërsi, ekzistonte një botë ku besimi, gjuha dhe tradita kishin filluar tashmë të ndërtojnë identitetin tonë. Dhe pikërisht në këtë vijimësi qëndron forca e saj—një trashëgimi që nuk është vetëm e kaluar, por që vazhdon të jetojë në çdo brez.

Dorian Koçi, PhD

Instituti i Historisë / Akademia e Shkencave e Shqipërisë