E merkure, 01.04.2026, 12:39 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Masakra e Tivarit, 1945: Heshtja zyrtare që vazhdon të vrasë

E marte, 31.03.2026, 07:01 PM


MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË

Nga Frank Shkreli

Një simpozium i cilësuar si “ndërkombëtar”, me temën “Masakra e Tivarit 1945 – E vërteta e fshehur” do të zhvillohet ditën e martë më 31 mars 2026, në Tivar,  Tivar: Simpozium ndërkombëtar për “Masakrën e Tivarit 1945”, thirrje për ndriçimin e së vërtetës historike - Ulqini Online - Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia, njoftoi tre ditë më parë portali Ulqinionline.  Sipas portalit, kjo veprimtari po organizohet në përkujtim të Masakrës së Tivarit, 1945, “ku në pranverën e vitit 1945 u vranë pa gjyq qindra të rinj të paarmatosur, kryesisht shqiptarë, si dhe një numër i konsiderueshëm boshnjakësh”, shton Ulqinionline, duke iu referuar njoftimit zyrtar të organizatorëve të këtij tubimi. Se si e sa “boshnjakë” paskan qenë pjesë e asaj masakre unë nuk e di dhe as nuk kam parë deri më sot ndonjë referencë të besueshme për një konstatim të tillë. Ne e dinim se të masakruarit në Tivar më 1945 kanë qenë të gjithë djelmosha shqiptarë nga Kosova. Por presim që ky simpozium të hedh dritë mbi tezën e “boshnjakëve” të masakruar në Tivar, gjoja së bashku me shqiptarët nga Kosova.  Në këtë ndërkohë, shpresojmë që organizatorët e këtij simpoziumi të mos përhapin dezinformacion pa prova mbi identitetin e të masakruarve, madje pa filluar ende tubimi shkencor.

Qoftë kjo si të jetë – por me këtë shënim modest nuk e kisha në mend që “boshnjakët” të ishin subjekt diskutimi, por vetëm të shënoj këtë rast për të përkujtuar edhe njëherë, ashtu siç kam bërë disa herë në të kaluarën, masakrën e 2-3 mijë djelmoshave shqiptarë në Tivar, në vitin 1945, duke bërë thirrje, njëkohsisht, për ndriçimin e së vërtetës historike për këtë krim kundër njerëzimit, ndër krimet më të mëdha jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe në mbarë rajonin e Ballkanit.

Masakra e Tivarit 1945, një plagë e hapur që kërkon kujtesë dhe ndriçimin e të vërtetës. Ka momente në histori kur detyra më e thjeshtë -- të kujtosh -- bëhet edhe më e rëndësishmja. Jo për të ushqyer dhimbjen, por për të zbuluar dhe për të ruajtur të vërtetën. E tillë është edhe Masakra e Tivarit, një nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të trajtuara të historisë kombëtare të shqiptarëve.

Në pranverën e vitit 1945, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit, mijëra shqiptarë nga Kosova u mobilizuan nga autoritetet jugosllave të luftës dhe u drejtuan në mënyrë të organizuar drejt Tivarit, nepërmjet rrugëve dhe shtigjeve të Shqipërisë së Veriut. Të çarmatosur, të lodhur dhe të mashtruar për fatin që i priste, ata u përballën, me kushte të vështira gjatë rrugëtimit dhe në mbërritje në Tivar, me një tragjedi që do të mbetej për dekada në hijen e historisë. Shumë prej tyre u vranë në rrethana të dhunshme, duke shënuar një nga episodet më të dhimbshme të asaj periudhe dhe një nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të trajtuara, të historisë  kombëtare. Si e tillë ajo tragjedi lidhet ngushtë me marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të kohës dhe me politikën sllavo-komuniste të Josip Broz Tito-s për konsolidimin e kontrollit mbi shqiptarët në Kosovë. Dhe ekzistonte nga frika e komunistëve jugosllavë dhe e regjimit komunist në Tiranë, nga një rezistencë shqiptare anti-komuniste në trojet shqitare. Siç dihet, në historiografinë zyrtare të ish-Jugosllavisë, kjo ngjarje u hesht për dekada. Edhe në Shqipërinë komuniste, e deri në ditët e sotëme të tranzicionit të turpshëm, Tirana zyrtare politike dhe akademike e 35-viteve të fundit, Masakrën e Tivarit e ka  filtruar politikisht, duke e trajtuar atë si një temë për të cilën nuk flitet. Se çfarë fshehin sot autoritetet politike dhe akademike shqiptare në Tiranë dhe në Kosovë për të vërtetën e Masakrës së Tivarit, vetëm ata e dijnë!?

Për dekada me radhë, kjo ngjarje nuk mori vëmendjen që meritonte nga historiografia shqiptare. Rrethanat politike të kohës së komunizmit, ndërtimi i një narrative zyrtare dhe mungesa e një vullneti institucional për ta trajtuar të plotë të vërtetën, bënë që Masakra e Tivarit të mbetej në periferi të kujtesës historike shqiptare. Në vend të një shqyrtimi të hapur dhe të balancuar, mbizotëroi heshtja zyrtare. Dhe me heshtjen, siç ndodhë, gjithëmonë, erdhi edhe harresa.  Megjithatë, kujtesa nuk mund të shuhet plotësisht. Në vitet e mëvonshme, ndonjë studiues, dëshmitarë dhe familjarë të viktimave kanë bërë përpjekje për të sjellë në dritë faktet, për dokumentimin e asak masakre dhe për të ruajtur dinjitetin e atyre që humbën jetën. Këto përpjekjet, ndonëse të pamjaftueshme, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt një kuptimi më të plotë të historisë shqiptare dhe të Masakrës së Tivarit. Uroj që edhe simpoziumi i ditës së martë në Tivar, të zhvillohet në këtë frymë – që të trajtohet, seriozisht dhe shkencërisht, e vervet e asaj tragjedie.

Sepse sot, më shumë se 8-dekada më vonë, Masakra e Tivarit mbetet gjithnjë plagë e hapur. Jo vetëm për shkak të dhimbjes që ajo përfaqëson, por edhe për mungesën e një ballafaqimi të plotë institucional dhe historik me këtë ngjarje, qoftë nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina zyrtare, sikur ata të shkretë që u vranë në Tivar të mos kishin qenë shqiptarë. Njohja e së vërtetës, në të gjitha dimensionet e saj, nuk është thjesht një detyrim ndaj së kaluarës — është një nevojë për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme mpër shqiptarët. Të kujtosh nuk do të thotë të mbetesh peng i së shkuarës, sado tragjike të jetë ajo. Përkundrazi, është një akt përgjegjësie qytetare dhe historike. Por kujtesa është një mënyrë për të nderuar viktimat dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Sepse një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e saj, sidomos me krimet e rënda, siç është masakra e Tivarit, rrezikon ta përsërisë atë, qoftë fjala për krimet e shtetit shqiptar në komunizëm, qoftë krimet e ish-Jugosllavinë komuniste kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve, nën ish-Jugosllavi, qofshin krimet tyre të përbashkëta të komunist[ve shqiptarë e jugosllavë, sa ishin miq e bashkpuntorë të ngusht të asaj kohe.

Tivari kërkon drejtësi historike. Dhe drejtësia fillon me pranimin e së vërtetës — edhe kur ajo na vë përballë vetvetes. Tirana zyrtare por edhe Prishtina e kanë për detyrë morale e kombtare hapjen e plotë të arkivave dhe një hetim të ndershëm histtorik, përndryshe përgigjja dhe e vërteta mbeten peng. Mos mendoni se heshtja zyrtare dhe mungesa e përgjigjeve për Masakrën e Tivarit do zbeh edhe përgjegjësinë zyrtare sot për ju.   Përkundrazi, e rëndon atë.

Sepse tragjedia nuk mbaron me krimin, por ajo thellohet me heshtjen. Prandaj, kujtesa për Tivarin nuk është vetëm një përkujtim. Ajo është një thirrje edhe për reflektim, për maturi dhe për përkushtim ndaj së vërtetës dhe përgjegjësive zyrtare të shtetit aktual. Sepse ndonjëherë, kujtesa është forma më e qëndrueshme e drejtësisë që kemi.

Sot, Masakra e Tivarit nuk është vetëm çështje historie. Është çështje e vet dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Një komb që nuk kërkon të vërtetën për viktimat e veta gjatë historisë, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën, por edhe drejtimin për të ardhmen.  Nuk kërkohet hakmarrje, jo. Kërkohet zbulimi i së vërtetës. Nuk kërkohet propagandë, por kërkohet drejtësi historike. Se Masakra e Tivarit, nuk është, thjesht, një episod i errët i historisë –por është një krim i pambyllur, një e vërtetë e shtypur dhe një ndërgjegje e paqartësuar kombëtare.  Sepse pa e quajtur krimin me emrin e tij të vërtetë, pa e nxjerrë atë nga hija e ideologjisë komuniste dhe frikës, masakra e Tivarit do të mbetet një plagë që nuk shërohet – por vetëm mbulohet. Dhe plagët e mbuluara, herët a vonë, rihapen.

Urojmë që Simpoziumi për “Masakrën e Tivarit 1945”, ditën e martë me 31 mars, 2026 në Tivar, të hedhë në dritë dokumentacione të reja për ndriçimin e së vërtetës historike të asaj tragjedie kombëtare e njerërzore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Një shembull i heshtur i fisnikërisë shqiptare në rrethin e Ulqinit Frank Shkreli: Me dr. Elez Biberajn në Tiranë, në çastin kur u thye vetizolimi komunist, mars 1991 Frank Shkreli: Kur historia trokiti në derë… Frank Shkreli: Themeli i AlbLibris – Libri shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Frank Shkreli: Mallin e të parëve që malësorët e Rrjollit e mbronin dikur me gjak nga serbo-malazezët – sot ua merr shteti shqiptar me dhunë Frank Shkreli: Romani “Brenga” i autorit Dr. Pashko Camaj Frank Shkreli: Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales në Shkodër Frank Shkreli: 50 vjet Shqipëria priti! Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes Frank Shkreli: Hafiz Sabri Koçi – një jetë kujtese që sfidoi diktaturën Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë: Jo fjalë boshe! Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx