Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Masakra e Tivarit, 1945: Heshtja zyrtare që vazhdon të vrasë
E marte, 31.03.2026, 07:01 PM

MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
Nga
Frank Shkreli
Një simpozium i cilësuar si
“ndërkombëtar”, me temën “Masakra e Tivarit 1945 – E vërteta e
fshehur” do të zhvillohet ditën e martë më 31 mars 2026, në Tivar, Tivar: Simpozium ndërkombëtar për “Masakrën e Tivarit 1945”,
thirrje për ndriçimin e së vërtetës historike - Ulqini Online - Lajme nga
Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia, njoftoi tre ditë më parë portali Ulqinionline. Sipas portalit, kjo veprimtari po organizohet
në përkujtim të Masakrës së Tivarit, 1945, “ku në pranverën e vitit 1945 u
vranë pa gjyq qindra të rinj të paarmatosur, kryesisht shqiptarë, si dhe një
numër i konsiderueshëm boshnjakësh”, shton Ulqinionline, duke iu referuar
njoftimit zyrtar të organizatorëve të këtij tubimi. Se si e sa “boshnjakë”
paskan qenë pjesë e asaj masakre unë nuk e di dhe as nuk kam parë deri më sot
ndonjë referencë të besueshme për një konstatim të tillë. Ne e dinim se të
masakruarit në Tivar më 1945 kanë qenë të gjithë djelmosha shqiptarë nga
Kosova. Por presim që ky simpozium të hedh dritë mbi tezën e “boshnjakëve” të
masakruar në Tivar, gjoja së bashku me shqiptarët nga Kosova. Në këtë ndërkohë, shpresojmë që organizatorët
e këtij simpoziumi të mos përhapin dezinformacion pa prova mbi identitetin e të
masakruarve, madje pa filluar ende tubimi shkencor.
Qoftë kjo si të jetë – por me këtë
shënim modest nuk e kisha në mend që “boshnjakët” të ishin subjekt diskutimi,
por vetëm të shënoj këtë rast për të përkujtuar edhe njëherë, ashtu siç kam
bërë disa herë në të kaluarën, masakrën e 2-3 mijë djelmoshave shqiptarë në
Tivar, në vitin 1945, duke bërë thirrje, njëkohsisht, për ndriçimin e së
vërtetës historike për këtë krim kundër njerëzimit, ndër krimet më të mëdha jo vetëm
kundër shqiptarëve, por edhe në mbarë rajonin e Ballkanit.
Masakra e Tivarit 1945, një plagë e hapur që kërkon kujtesë dhe
ndriçimin e të vërtetës. Ka momente në histori kur detyra më e thjeshtë -- të kujtosh
-- bëhet edhe më e rëndësishmja. Jo për të ushqyer dhimbjen, por për të zbuluar
dhe për të ruajtur të vërtetën. E tillë është edhe Masakra e Tivarit,
një nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të trajtuara të historisë kombëtare të
shqiptarëve.
Në pranverën e vitit 1945, ndërsa Lufta
e Dytë Botërore po i afrohej fundit, mijëra shqiptarë nga Kosova u mobilizuan
nga autoritetet jugosllave të luftës dhe u drejtuan në mënyrë të organizuar
drejt Tivarit, nepërmjet rrugëve dhe shtigjeve të Shqipërisë së Veriut. Të çarmatosur,
të lodhur dhe të mashtruar për fatin që i priste, ata u përballën, me kushte të
vështira gjatë rrugëtimit dhe në mbërritje në Tivar, me një tragjedi që do të
mbetej për dekada në hijen e historisë. Shumë prej tyre u vranë në rrethana të
dhunshme, duke shënuar një nga episodet më të dhimbshme të asaj periudhe dhe një
nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të trajtuara, të historisë kombëtare. Si e tillë ajo tragjedi lidhet ngushtë me marrëdhëniet
shqiptaro-jugosllave të kohës dhe me politikën sllavo-komuniste të Josip Broz
Tito-s për konsolidimin e kontrollit mbi shqiptarët në Kosovë. Dhe ekzistonte nga
frika e komunistëve jugosllavë dhe e regjimit komunist në Tiranë, nga një
rezistencë shqiptare anti-komuniste në trojet shqitare. Siç dihet, në
historiografinë zyrtare të ish-Jugosllavisë, kjo ngjarje u hesht për dekada.
Edhe në Shqipërinë komuniste, e deri në ditët e sotëme të tranzicionit të
turpshëm, Tirana zyrtare politike dhe akademike e 35-viteve të fundit, Masakrën
e Tivarit e ka filtruar politikisht,
duke e trajtuar atë si një temë për të cilën nuk flitet. Se çfarë fshehin sot
autoritetet politike dhe akademike shqiptare në Tiranë dhe në Kosovë për të
vërtetën e Masakrës së Tivarit, vetëm ata e dijnë!?
Për dekada me radhë, kjo ngjarje nuk
mori vëmendjen që meritonte nga historiografia shqiptare. Rrethanat politike të
kohës së komunizmit, ndërtimi i një narrative zyrtare dhe mungesa e një
vullneti institucional për ta trajtuar të plotë të vërtetën, bënë që Masakra e
Tivarit të mbetej në periferi të kujtesës historike shqiptare. Në vend të një
shqyrtimi të hapur dhe të balancuar, mbizotëroi heshtja zyrtare. Dhe me
heshtjen, siç ndodhë, gjithëmonë, erdhi edhe harresa. Megjithatë, kujtesa nuk mund të shuhet
plotësisht. Në vitet e mëvonshme, ndonjë studiues, dëshmitarë dhe familjarë të
viktimave kanë bërë përpjekje për të sjellë në dritë faktet, për dokumentimin e
asak masakre dhe për të ruajtur dinjitetin e atyre që humbën jetën. Këto përpjekjet,
ndonëse të pamjaftueshme, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt një kuptimi më
të plotë të historisë shqiptare dhe të Masakrës së Tivarit. Uroj që edhe
simpoziumi i ditës së martë në Tivar, të zhvillohet në këtë frymë – që të
trajtohet, seriozisht dhe shkencërisht, e vervet e asaj tragjedie.
Sepse sot, më shumë se 8-dekada më
vonë, Masakra e Tivarit mbetet gjithnjë plagë e hapur. Jo vetëm për shkak të
dhimbjes që ajo përfaqëson, por edhe për mungesën e një ballafaqimi të plotë
institucional dhe historik me këtë ngjarje, qoftë nga Tirana ashtu edhe nga
Prishtina zyrtare, sikur ata të shkretë që u vranë në Tivar të mos kishin qenë shqiptarë.
Njohja e së vërtetës, në të gjitha dimensionet e saj, nuk është thjesht një
detyrim ndaj së kaluarës — është një nevojë për ndërtimin e një të ardhmeje më
të drejtë dhe më të ndërgjegjshme mpër shqiptarët. Të kujtosh nuk do të thotë
të mbetesh peng i së shkuarës, sado tragjike të jetë ajo. Përkundrazi, është
një akt përgjegjësie qytetare dhe historike. Por kujtesa është një mënyrë për
të nderuar viktimat dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten
më. Sepse një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e saj, sidomos me krimet
e rënda, siç është masakra e Tivarit, rrezikon ta përsërisë atë, qoftë fjala
për krimet e shtetit shqiptar në komunizëm, qoftë krimet e ish-Jugosllavinë
komuniste kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve, nën ish-Jugosllavi, qofshin
krimet tyre të përbashkëta të komunist[ve shqiptarë e jugosllavë, sa ishin miq
e bashkpuntorë të ngusht të asaj kohe.
Tivari kërkon drejtësi historike. Dhe
drejtësia fillon me pranimin e së vërtetës — edhe kur ajo na vë përballë
vetvetes. Tirana zyrtare por edhe Prishtina e kanë për detyrë morale e kombtare
hapjen e plotë të arkivave dhe një hetim të ndershëm histtorik, përndryshe
përgigjja dhe e vërteta mbeten peng. Mos mendoni se heshtja zyrtare dhe mungesa
e përgjigjeve për Masakrën e Tivarit do zbeh edhe përgjegjësinë zyrtare sot për
ju. Përkundrazi, e rëndon atë.
Sepse tragjedia nuk mbaron me krimin,
por ajo thellohet me heshtjen. Prandaj, kujtesa për Tivarin nuk është vetëm një
përkujtim. Ajo është një thirrje edhe për reflektim, për maturi dhe për
përkushtim ndaj së vërtetës dhe përgjegjësive zyrtare të shtetit aktual. Sepse
ndonjëherë, kujtesa është forma më e qëndrueshme e drejtësisë që kemi.
Sot,
Masakra e Tivarit nuk është vetëm çështje historie. Është çështje e vet dinjitetit
kombëtar të shqiptarëve. Një komb që nuk kërkon të vërtetën për viktimat e veta
gjatë historisë, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën, por edhe drejtimin për
të ardhmen. Nuk kërkohet hakmarrje, jo.
Kërkohet zbulimi i së vërtetës. Nuk kërkohet propagandë, por kërkohet drejtësi
historike. Se Masakra e Tivarit, nuk është, thjesht,
një episod i errët i historisë –por është një krim i pambyllur, një e vërtetë e
shtypur dhe një ndërgjegje e paqartësuar kombëtare. Sepse pa e quajtur krimin me emrin e
tij të vërtetë, pa e nxjerrë atë nga hija e ideologjisë komuniste dhe frikës, masakra
e Tivarit do të mbetet një plagë që nuk shërohet – por vetëm mbulohet. Dhe
plagët e mbuluara, herët a vonë, rihapen.
Urojmë që Simpoziumi për “Masakrën e
Tivarit 1945”, ditën e martë me 31 mars, 2026 në Tivar, të hedhë në dritë
dokumentacione të reja për ndriçimin e së vërtetës historike të asaj tragjedie
kombëtare e njerërzore.









