Kulturë
Albert Z. Zholi: Legjenda e "Plakave të Marsit" dhe mali i Tomorrit
E marte, 31.03.2026, 06:52 PM
Legjenda e "Plakave të Marsit" dhe mali i Tomorrit
Nga
Albert Z. Zholi
Në
kufirin e brishtë mes dimrit që ikën dhe pranverës që troket, natyra duket
sikur merr frymë thellë para se të ndryshojë faqe. Dielli ngroh me butësi, por
në thellësi fshihet ende një ftohtësi e pabesë. Pikërisht në këto ditë të
pasigurta lind rrëfimi i vjetër i "Plakave të Marsit", një tregim që
vjen nga shpatet e Malit të Tomorrit dhe që na kujton se natyra nuk harrohet,
as nuk sfidohet pa pasoja. Ja si vjen legjenda...
Atë
fund të marsit, kur dielli filloi të ngrohë tokën dhe dëbora tërhiqet në majat
e maleve, në shpatet e Mali i Tomorrit disa plaka baritore që jetonin me burrat
barinj sikur u lehtësuan. Nën hijen e Tomorrit madhështor ato rreze dielli
sikur sollën entusiazëm pë plakat plot halle. Ato kishin kaluar shumë dimra të
ashpër dhe mezi prisnin pranverën. Në mëngjes, dielli doli i ndritshëm dhe
qielli ishte i kthjellët si kristal. Ajri mbante aromën e barit të njomë dhe
zogjtë këndonin sikur dimri të kishte marrë fund përgjithmonë...
-"Erdhi
pranvera," – tha njëra prej plakave, duke shtrirë duart drejt diellit.
-"Po,
marsi e mbaroi fuqinë e tij, të ngricave, jeton minutat e fundit" – ia
ktheu tjetra.
Por
më e vjetra ndër to, një grua me sy të mprehtë dhe gjuhë të fortë, qeshi me
përbuzje:
"Le
të vijë prapë Marsi po deshi! S'ka më ç'të na bëjë. Iku! E mundëm dimrin e
egër! E mundëëëëmmm". Fjalët e saj u shpërndanë nëpër male si jehonë, si
një sfidë ndaj dimrit. Dhe marsi idhnak, egoist, që thuhet se i dëgjonte
gjithmonë njerëzit, u zemërua thellë. Ai iu drejtua Shkurtit :
-"Shkurt
, o vëlla, më jep tri ditë hua, t'i ngrij plakat me gjithë ç'kanë me vete! Më
fyen, më urryen! Do ta shpërblej qindfish..." Prilli si për çudi pranoi.
S'u mendua gjatë dhe pse dallojet për maturi. Ishin minutat e fundit të Marsit
të egër. Dhe papritur, qielli u errësua. Era nisi të fryjë e akullt, retë u
mblodhën si ushtri dhe bora ra pa mëshirë. Plakat, që pak më parë kishin dalë
me bagëtitë në mal, u gjendën të papërgatitura. Të trembura, u përpoqën të
ktheheshin, por stuhia i zuri në mes të rrugës. I ftohti u fut deri në palcë
dhe hapat iu rënduan si gurë. Njëra thirri:
-"Na
fal, o Mars! Nuk e dinim ç'bëmë! Ne gabuam, mos gabo dhe ti, mos na
mallko!"
Por
ishte vonë...
Thuhet
se aty, në shpatet e Malit të Tomorrit, ato mbetën përgjithmonë. U kthyen në
gur, bashkë me bagëtitë e tyre. Dhe edhe sot, disa thonë se mund të dallosh
formën e një pllake me tri plaka që rrinë të përkulura, sikur ende të jenë duke
u mbrojtur nga të ftohtit. Nga një shkëmb i çuditshëm aty pranë rrjedhin pika
uji, që populli i quan "lotët e plakave". Që atëherë, çdo vit, kur
Marsi mbaron dhe i ftohti kthehet papritur, njerëzit thonë me një buzëqeshje të
lehtë, por edhe me respekt:
"Erdhën
plakat e Marsit..." Dhe askush nuk guxon më të sfidojë natyrën. Njerëzit
tashmë e dinë se duhet të respektojnë rregullat e natyrës dhe ti përgjigjen me
kujdes tekave të natyrës. Ndaj kur vijnë ditët e plakave njerëzit thonë: Kujdes
po vijnë plakat, Marsi ikën, kur ikin ato. Mos u gënjeni nga pranvera e
parakohëshme si lulet e pemëve. Në traditën popullore shqiptare, "ditët e
plakave" nuk janë thjesht një tregim, por edhe një vëzhgim i hollë i
natyrës dhe cikleve të saj. Besohet se në fund të marsit, kur dimri duket sikur
është dorëzuar, natyra mashtrohet nga disa ditë të ngrohta dhe të bukura.
Pikërisht në këtë moment, pemët çelin para kohe, duke nxjerrë lule të brishta
që duken si premtim i një pranvere të begatë. Por "Plakat e Marsit"
vijnë si një kthesë e papritur. Temperaturat bien sërish, ngricat rikthehen dhe
këto lule të nxituara dëmtohen. Si pasojë, ato nuk arrijnë të japin fryt. Ky
fenomen, i veshur me legjendë, është në fakt një paralajmërim i hershëm i
mençurisë popullore: natyra ka ritmin e saj dhe çdo nxitim paguhet. Kjo dukuri
nuk është vetëm simbolike, por edhe reale për bujqësinë. Ngricat e vonshme
pranverore janë një nga rreziqet më të mëdha për pemëtarinë, pasi dëmtojnë
lulëzimin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e vitit. Në thelb, legjenda e
"Plakave të Marsit" dhe lulëzimi i parakohshëm mbart një mesazh të
qartë: jo çdo ditë e bukur është shenjë sigurie. Ndonjëherë, pas diellit të
ngrohtë fshihet ende fryma e dimrit.









