Kulturë
Tahir Bezhani: Intimë jete
E hene, 30.03.2026, 06:43 PM
cikël me poezi:
Intimë jete:
LARTËSIA
Kur synon lartësitë
Numëroj shkallët e zbritjes
Pa i bërë dëm çatisë...
AROMA
Kur nuhatë lulet
Polemin mos e shkund
Leja bletës ushqim
Shëndeti yt...
BUKURIA
Bukuria pjesë e jetës
Dhuratë e natës erotike
Mos e shfaq kudo
Përgjaket grishjeve...
KUR TË KËNDOSH
Mbylli sytë kur këndon
Nëse e din këngën përmendësh
Kur rrjedhin lotët
Fshij djersët qukave...
VDEKJA E SKAMNORIT
Ejani në të pame
Ka vdekë skamnori i
lagjes
Nuk ka lënë pasuri
prapa
Vetëm fjalët e mençura
E një shekull histori ...
HIJA E MBRËMJES
Në muzgun e mbrëmjes
Shtohet frika e natës
Ëndrrat përplasen
Rrugëtimeve trishtuese
Trishtimin e mbyt
dita
Me rreze dielli... .
ASGJË...
Asgjë nuk bëra dje
Provokova sot durimin
Formulë mashtruese jeta
Në zbehtësinë e saj boshësi
Asgjë pas....
VALËT
Më parë trazohet deti brenda
Pastaj tërbim valësh
Ushtimë
në hapësirë
Vargëzim thneglash notojnë
Tërësia e qetësisë
Ditën tjetër...
DHUNA
Kam durimin e gurit
Dëboj dhunën me sy mbyllur
Ashti nuk qan as kur dhemb
Bukuri e mbjellë në shpirt...










