E shtune, 28.03.2026, 11:35 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Librat “Sfidat e diplomacisë me teknologjinë” dhe “Mbrojtja e minoriteteve dhe trajtimi i tyre në Republikën e Shqipërisë”

E shtune, 28.03.2026, 05:33 PM


Librat “Sfidat e diplomacisë me teknologjinë” dhe “Mbrojtja e minoriteteve dhe trajtimi i tyre në Republikën e Shqipërisë”

Nga Albert Zholi

LIBRI "Sfidat e Diplomacisë me Teknologjinë" me bashkë-autorë diplomatët Jonlinda Hada dhe Adi Hoxha, trajton diplomacinë tradicionale të para viteve 2000 dhe të diplomacisë digjitale që është edhe më e dukshme pas viteve 2012 dhe që po përdoret përherë e më shumë në diplomaci. Libri i botuar është konsideruar si studimi i parë i mirëfilltë akademik në fushën e diplomacisë, që i sherben diplomatëve te rinj dhe studiuesve. Digjitalizimi, si një risi e fundit në sistemin e komunikimit dhe të globalizimit, u ka dhënë një dimension tjetër marrëdhënieve ndërkombëtare, artit të diplomacisë dhe diplomacisë publike. Ajo e ka rritur shkallën e mundësive për të marrë informacion në kohë reale, si dhe cilësinë e shërbimeve në dhënien dhe marrjen e informacioneve në hapësirë dhe kohë. Në mënyrë të veçantë është rritur shkalla e shërbimeve dhe lehtësirave konsullore për shtetasit, siç përshkruhet edhe në këtë studim.

Në pasthënie të librit "Sfidat e diplomacisë me teknologjinë", kanë shkruar disa personalitete të njohura të fushës së diplomacisë, politikës dhe akademisë. Secili prej tyre ka dhënë një vlerësim për librin dhe për autorët. Ja një përmbledhje e shkurtër e asaj që thonë:

1. Prof. Dr. Paskal Milo – ish Ministër i Punëve të Jashtme, historian

Ai e cilëson librin si një provë e guximshme në konceptualizimin e diplomacisë, duke e parë atë si reflektim të kulturës teorike e profesionale të autorëve. Sipas tij, libri sjell risi për zhvillimet bashkëkohore, qasjen ndaj diplomacisë online, "zoom diplomacy", "tweet diplomacy" etj., dhe është një kontribut serioz për literaturën diplomatike shqiptare.

2. Ambasador Dashnor Dervishi – diplomat karriere

Ai thekson se libri është një kontribut i ri në studimin e diplomacisë shqiptare në epokën digjitale, duke sjellë problematikat e komunikimit online dhe ndikimin e teknologjisë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai e vlerëson si një studim të dobishëm për të kuptuar prirjet e reja të diplomacisë dhe për historinë e diplomacisë shqiptare.

3. Prof. Dr. Tonin Gjuraj – Rektor i Universitetit Europian të Tiranës, ish ambasador në Izrael

Ai e konsideron librin si një përpjekje të suksesshme për të lidhur teorinë dhe praktikën diplomatike. Për të, libri është me vlerë për studentët, pedagogët, por edhe për praktikuesit e diplomacisë shqiptare. Gjithashtu e sheh si një burim për t'u kuptuar më mirë diplomacia ndërkombëtare në epokën e teknologjisë.

4. Venera Domi – diplomate karriere, Executive Manager at the Permanent International Secretariat BSEC

Ajo e cilëson librin si një udhërrëfyes për karrierën diplomatike dhe një model se si duhet të zhvillohen aftësitë në kohën moderne. Për të, libri është një kombinim i mirë mes përvojës praktike të autorëve dhe literaturës teorike.

Pra, të gjithë autorët e pasthënieve e shohin librin si një kontribut të veçantë për diplomacinë shqiptare dhe ndërkombëtare në epokën digjitale, duke e vlerësuar si një material me rëndësi për studiues, studentë dhe praktikues të diplomacisë

Së fundmi, po citoj një paragraf nga libri: Të jesh diplomat nuk është zanat, por është një mënyrë jetese në kushtet e një shërbimi diplomatik, ku diplomati shqiptar duhet të përballet me sfida pa pasur mbështetje. Dhe unë do të shtoja: ajo që e bën edhe më të bukur dhe më të fisshme punën në shërbimin e jashtëm, është se në sistemin e administratës civile, ku diplomatët bëjnë pjesë, janë më pak të prekshmit nga korrupsioni, megjithëse janë më pak të paguarit. Dhe meqenëse këtë realitet nuk mund ta ndryshojmë, për arsye objektive dhe subjektive, që lidhen me gjendjen ekonomike-financiare dhe mendësinë që ende mbizotëron, mund të bëjmë një gjë për veten tonë, duke ngritur vlerat e diplomatit në shërbim të vendit, nëpërmjet stimujve moralë, që kanë munguar këto 25 vjet dhe krijimit të kastës elitare të diplomatëve, që është e vetmja, që i mungon këtij vendi ashtu siç janë akademikët, profesorët, doktorët, apo ushtarakët.

Libri Mbrojtja e minoriteteve dhe trajtimi i tyre ne Republiken e Shqiperise

Libri i Jonlinda Hadës është një përpjekje serioze për elaborimin më tej të të drejtave dhe gjendjes së minoriteteve dhe pakicave në Shqipëri.

Ilirian Zhupa, diplomat, shkrimtar

"Libri i Jonlinda Hadës është një përpjekje serioze për elaborimin më tej të të drejtave dhe gjendjes së minoriteteve dhe pakicave në Shqipëri. Analiza dhe puna sistemore e saj, rreket me sukses të ndriçojë sa më shumë skenën ambivalente të ndërlikuar teorike dhe praktike të këtij personazhi të rëndësishëm botëror që quhet 'pakica dhe minoritet', rrugë që, gjithsesi, ngelët e përjetë për shkak të korrektimeve nacionale që ende turbullojnë pamjen."

Prof. dr. Tonin Gjuraj, Rektor në Universitetin Europian të Tiranës

"Hada në këtë libër trajton në mënyrë realiste dhe objektive, përtej perceptimit që ekziston kudo për minoritetet, një prej çështjeve më evazive dhe më të debatuara në kohët moderne. Jonlinda shkon përtej imazhit për pakicat në Shqipëri, duke shfajësuar me kujdes e mëshirë, mbështetur në shumë burime, gjendjen reale të tyre, njëmendësitë zbehërisht të kësaj çështjeje, jo vetëm në dimensionin historik dhe legal të saj, por edhe brenda teorive të ndryshme të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare."

Prof. dr. Mariana Semini Tutulani  Shkolla e Magjistraturës

"Një libër që, teksa e lexon, të krijon hurtën e një kulture të tërë të historisë, gjuhës, gjeografisë, folklorit, ligjeve, diskriminimit, integrimit, shembujve të suksesit etj. Hada është një studiuese e re që duhet lexuar."



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx