E merkure, 25.03.2026, 06:38 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Kur historia trokiti në derë…

E marte, 24.03.2026, 06:58 PM


KUR HISTORIA TROKITI NË DERË:

“Liria erdhi—po a u ndërtua shteti?”

Nga Frank Shkreli

Kujtime dhe emocione: Nga zbarkimi i delegacionit të parë amerikan në Tiranë, 20  mars 1991 e deri tek dështimet e zgjatura të tranzicionit shqiptar: një reflektim!

Kujtime dhe emocione nga vizita e parë në Shqipërinë e posa dalë nga errësira komuniste gjysëm shekullore – 20 mars 1991. Kjo ishte data e arritjes së delegacionit amerikan të parë zyrtar në Tiranë. 

Nga këndvështrimi i një pjesëtari të delegacionit të Departamenti i Shtetit i SHBA, udhëtimi drejt Shqipërisë në mars të vitit 1991, nuk ishte një mision rutinë diplomatik. Ishte hyrje në një realitet të panjohur për dekada – një vend që sapo kishte dalë nga izolimi më i thellë në Evropë.

Pas pothuaj 50-vjet komunizëm, izolimi ideologjik dhe politik, Shqipëria priti 15 marsin 1991 -- rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës -- si një datë që do shënonte një kthesë historike për vendin.  Me urdhër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të (15 marsit 1991) në Uashington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara -- pa vonesë, Washingtoni ka vendosur të dërgonte delegacionin e parë diplomatik amerikan në Tiranë, “për përgatitjet dhe hapjen e misjonit diplomatik,,,” amerikan në Tiranë.

Mendime të hedhura

Kujtime dhe emocione – Për mua, arritja ime në Tiraanë më 20-Mars, 1991, me delegacionin e parë amerikan zyrtar në Shqipëri, plot emocione, nuk ishte vetëm një kthim në tokën e të parëve të mi, që i përkiste jo vetëm një personi si mua, por i përkiste edhe një brezi të tërë shqiptarësh, kundërshtarë të komunizmit, të arratisur nepër botë, ç’prej Luftës së II Botërore dhe më vonë. Një brez që kishte jetuar larg atdheut, por për dekada me mallin për atdheun e të pareve tanë, përjetësisht, të ndaluar ta vizitonim tokën e shqipeve. Por, me 20 mars 1991, vetëm pak ditë pas ngjarjeve historike të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri në Washington, (15, mars, 1991) toka shqiptare e të parëve të mi, për mua, por jo vetëm, nuk ishte më një ishull i ndaluar, as i izoluar më në hartën e Europës, por ishte një vend që sapo kishte filluar të merrte frymë në liri e demokraci. Delegacioni ynë u nis drejt Tiranës më 19 mars, 1991 me një ndjenjë përzierje mes përgjegjësisë historike dhe kureshtjes njerëzore. Mbërritja në një botë të mbyllur -- që në momentin e zbritjes, ndjesia dhe përvoja jonë ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e amerikane; kishte një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.

Një kthim në vendin e të parëve -- Për një shqiptaro-amerikan si unë, me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe por i lindur në trojet iliro-arbërore sot nën Mal të Zi, kthimi në Shqipëri pas dekadash në mërgim, nuk ishte thjesht një udhëtim fizik. Por ishte një përplasje emocionesh: mall, dhimbje, shpresë, ndërsa duke parë gjëndjen e mjeruar politike dhe ekonomike të Shqipërisë në vizitën tonë mars/prill të vitit 1991, nuk e di se pse, por më mbuloi edhe një ndjenjë e thellë përgjegjësie, “guilt feeling” në anglisht, një ndjejnë faji.  Për mua, pra kjo vizitë nuk ishte vetëm një mision zyrtar-shtetëror. Por ishte edhe një kthim shumë i vonuar në vendin e të parëve të mi – një tokë që për vite me radhë kishte qenë e pa-arritshme, pothuaj mitike, si për mua dhe për shumë bashkatdhetarë tanë. Shqipëria e imagjinuar në mendjen time gjatë viteve nuk përputhej aspak me realitetin që gjetëm në Tiranë dhe anë e mbanë atij vendi: një vend i varfër, i lodhur, megjithse me një shpirt të pathyer. Ndërsa avioni i afrohej aeroportit të Tiranës, ndjeva një përzierje emocionesh që është e vështirë të përshkruhet: mall, krenari, por edhe një trishtim i thellë për kohën e humbur. Pse, duhej të ishte kështu, pyesja veten.

Mbërritja në një botë të mbyllur-- Delegacioni ynë u nis nga Washingtoni drejt Tiranës më 19 mars, 1991 ssisçp thashë më lartë, me një përzierjeje ndjenjash tëtë pa kontrolluara mes përgjegjësisë historike, misionit të detyrës profesionale dhe  kureshtjes njerëzore. Që në momentin e zbritjes, ndjesia ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e amerikane. Aeroportin e Tiranës e kishte mbuluar një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.

Ballë-përballë me realitetin -- Shqipëria e marsit 1991 nuk ishte siç paraqitej në revistat propagnadtiskie të Tiranës komuniste që i shpërndante anë e mbanë botës për “sukseset” e komunizmit shqiptar dhe as ajo e kujtimeve të trashëguara, apo e rrëfimeve të idealizuara të mia ose të tjerëve. Shqipëria komuniste ishte një vend i xhveshur nga mjaft tradita, i rraskapitur nga varfëria, i zbehur nga izolimi dhe i lodhur, shpirtërisht dhe fizikisht, nga abuzimet dhe vuajtjet e njerzëve nga një regjim diktatorial komunist që për pothuaj një gjysëm shekulli kishte shtypur lirinë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve – një regjim që nuk kishte shok në botë për nga trajtimi barbar i shtetasve të vet. Frank Shkreli: Kështu e gjetëm Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, 30-vjet më parë | Gazeta Telegraf – Një regjim që kishte izoluar Shqipërinë nga bota dhe kishte shuar iniciativën dhe besimin e shqiptarëve ndaj çdo të mire dhe vlerave, jo vetëm në vetveten, por edhe në besimin e tyre në Zotin – një regjim që si asnjë tjetër në botë, kishte shpallur Shqipërinë, “si vendi i parë ateist në botë”. Rrugët ishin të heshtura, ndërtesat të zymta dhe njerëzit – megjithëse të etur për ndryshim – mbanin ende, në sy dhe në fytyrë, hijen e frikës nga regjimi dhe nga Sigurimi i Shtetit.

Rrugës nga aeroporti, drejt qendrës së Tiranës, pamjet ishin tronditëse: ndërtesa gri, infrastrukturë e rrënuar dhe një mungesë e theksuar e jetës ekonomike. Por edhe në këto kushte të vështira politike dhe ekonomike, ajo që binte më shumë në sy ishte kontrasti midis varfërisë së theksuar materiale dhe ngrohtësisë njerëzore me bashkbiseduesit e rastit. Ato që mbeten më të gjalla në kujtesë nuk janë sallat e mbledhjeve, as takimet zyrtare por kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit e zakonshëm. Në rrugë, në hotel Dajti, apo në biseda të shkurtra spontane me njerëz të thjesht, ndjeje një etje të jashtëzakonshme të tyre për komunikim me njerëz të botës së jashtme.  Shumë prej tyre nuk kishin parë kurrë një amerikan. Kur mësonin se ishim nga Shtetet e Bashkuara, reagimi ishte i menjëhershëm: kureshtje, respekt, por edhe një lloj shprese që nuk mund të fshihej, megjithë frikën që ende kishin nga regjimi komunist ende në fuqi. Por dallohej një dritë e re shprese se, më në fund, liria po agonte në atdheun e të parëve të mi.  Takimet me njerëzit mbeten ndoshta momentet më të fuqishme të vizitës. Nuk ishin ato zyrtare, por ato të thjeshtat: shtrëngimet e duarve, përqafimet me të panjohur – që pasi merrnin vesh se unë vija nga Zëri i Amerikës ku kam shërbyer për tre dekada -- më trajtonin si të tyrin. Më kanë mbetur në mbresë sytë që mbusheshin me lot kur dëgjonin se një delegacion zyrtar kishte ardhur, për herë të parë në Shqipëri në 50-vjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte pra një Shqipëri që kërkonte të rilindte, dhe njerëzit e saj, edhe pse të varfër në mjete, ishin të pasur në dinjitet dhe me shpresë se ditë më të mira do agonin për veten, familjet e tyre dhe mbarë Kombin.

Takimet zyrtare dhe nënteksti i tyre –Takimet me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ishin të kujdesshme, shpesh të ngarkuara me formalizëm dhe një lloj pasigurie të ndërsjellë. Ata po përpiqeshin të hapeshin ndaj botës, ndërsa ne përpiqeshim të kuptonim se deri ku ishte real kjo dëshirë për transformim të vërtetë. Pas dekadash nën regjimin e Enver Hoxha, institucionet shqiptare mbanin ende gjurmët e një sistemi të mbyllur e fanatik. Gazeta Zëri i Popullit, si organ i Partisë së Punës në pushtet, nuk raportoi arritjen e delegacionit të parë amrikan në Shqipëri, deri pothuaj në fund të vizitës, kur antarët e delegacionit takuan Xhelil Gjonin, 2-3 ditë para se të ktheheshim në Washington. Megjithatë, pothuajse në të gjitha nivelet kishte shenja të qarta se një epokë kishte marrë fund dhe një tjetër po përpiqej të lindte.

Ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë – Për mua, ajo vizitë si pjesëtar i një delegacioni zyrtar amerikan, në atë kohë dhe në atë vend, nuk ishte vetëm emocionale që më kujtote historinë e tmershme të komunizmit në atë vend, vuajtjet e shumë familjeve që njihja në mërgim, por njëkohsisht, ajo ishte, njëkohsisht, edhe një thirrje për një të ardhme më të mirë për atë vend. Ishte një thirrje edhe për diasporën shqiptaro-amerikane – si individë dhe si komunitet -- që në atë moment të historisë, të mos mbetej spektatore, por të bëhej pjesë aktive e rindërtimit moral, politik dhe ekonomik të vendit.  Sepse rënia e komunizmit – siç jemi dëshmitarë sot 35-vjet më vonë, nuk ishte fundi i një beteje – por ishte vetëm fillimi i ngadalt i një prove shumë më të vështirë e më të ndërlikuar -- e që është vendosja dhe ndërtimi i lirisë, vlerave të demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut për të gjithë shqiptarët, pa dallim, në një vend që nuk kishte parë as nuk kishte përjetuar vlera të tilla në historinë e tij. Thirrja e atyre ditëve, ashtu siç është ende edhe sot, 35-vjet më vonë, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, reklamohej ato ditë në rrugët e Tiranës, e që vazhdon të mbetet një ëndërrë e pa realizuar e shqiptarëve, sot e kësaj dite.

Një kujtim që mbetet -- 20 marsi i vitit 1991, nuk ishte vetëm një datë në kalendarin e historisë shqiptare. Por ështe një moment i kthimit të shpresës, i ribashkimit fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve nga kudo ishin por edhe e një premtimi të heshtur se Shqipëria nuk do të mbetej më kurrë e izoluar nga bota dhe nga bijtë e saj të përjashtuar e të dëbuar në mërgim -- të arratisur si kundërshtarë të regjimit sllavo-aziatik komunist. Nga Washington, D.C.Tiranë, historia e shqiptarëve në pragun e vitit 1991 nuk ishte thjesht një rrugëtim diplomatik por ishte një rikthim shpirtëror, një ribashkim vlerash dhe aspiratash që kishin mbijetuar përtej oqeanit dhe përtej dekadave të izolimit komunist. Në njërin kryeqytet, zemra e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin ruajtur dhe kultivuar zërin e shqiptarëve përmes diasporës dhe institucioneve si Zëri i Amerikës. Në tjetrin, në Tiranë, një popull i tërë priste me padurim hapjen e një dere që për shumë kohë kishte qenë e mbyllur me dry ideologjik.

Dhe për ata që patën fatin e përjetuan atë kthim të parë si unë në atdheun e të parëve – ajo ditë dhe ajo vizitë për mua mbetet një plagë e hidhur por e ëmbël, njëkohësisht: po, edhe si një kujtesë e dhimbjes së krimeve të diktaturës komuniste por edhe e besimit kokëfortë të një shprese kundër shpresës se çdo gjë do të bëhet mirë. Por edhe një kujtesë e embël, gjithashtu, bazuar në një besim dhe shpresë më reale dhe shpresëdhënëse për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët, pa dallim, brenda dhe jashtë Atdheut. Se krimet e shqiptarit kundër shqiptarit, në emër të komunizmit dhe të këqiat e regjimit komunist në Shqipërinë e shkeullit XX nuk do të përsëriten më në ato troje iliro-arbërore.

Një moment që kapërcen gazetarinë dhe diplomacinëDhe më në fund, për ne si anëtarë të delegacionit, megjithë vështirsitë që hasëm gjatë asaj vizite, mbeti bindja se kishim qenë dëshmitarë të një momenti historik – një fillimi të brishtë, por të domosdoshëm për atë popull të vuajtur. Hapja e ambasadës amerikane në Tiranë ishte më shumë se një akt diplomatik. Ishte një simbol i fortë i kthimit të Shtetetve të Bashkuara në Shqipëri pas 5-dekadash dhe i kthimit të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar perëndimor, aty ku e ka vendin historikisht, dhe njëherazi ishte edhe një një mesazh i qartë se vet-izolimi komunist i Shqipërisë kishte marrë fund. Dhe se Shqipëria po me hapa të pasigurt por të vendosur po shkonte drejt botës së vlerave demokratike. Për mua, si shqiptaro-amerikan dhe si anëtar i atij misioni, ai moment historik mbetet ndër më të rëndësishmit e jetës sime. Ishte një bashkim i identitetit personal me detyrën profesionale – një rast që, rrallëherë, historia dhe jeta individuale, ecin në të njëjtin drejtim.

Kthimi për në Uashington - Por ndërsa po largohesim nga Tirana pas asaj vizitë historike për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ma merrte mendja se ajo vizitë nuk ishte fundi i një udhëtimi, por fillimi i një angazhimi më të madh – për të ndihmuar, për të dëshmuar dhe për të mos harruar kurrë se ku ishin rrënjët e mia dhe të familjes time. U largova së andejmi edhe me ndjenjën e falënderimit të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj për mua, kjo histori nuk është thjesht një kapitull i lexuar apo i analizuar—është një përjetim i jetuar dhe një kujtesë e paharruar. Si pjesë e atij delegacioni të parë amerikan që zbriti në Tiranë në 20 marsin e vitit 1991, pata privilegjin të isha dëshmitar nga afër i një kthesë historike për atdheun e të parëve të mi dhe për atdheun tim të adaptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, mbi çdo vlerësim kritik për atë që erdhi më pas, ajo vizitë mbetet një ndjenjë që nuk ndryshon: mirënjohja e thellë për atdheun tim të adaptuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen historike të pavarësisë, të lirisë dhe vlerave të demokracisë për Kombin shqiptar nga shpallja e pavarësisë e deri në ditë e sotëme. Sepse në atë çast vendimtar të muajit mars, 1991, Amerika nuk ishte thjesht një aleat, mike dhe mbrojtëse e vjetër e të drejtave të shqiptarëve -- por ishte dhe mbetet si një “qytet që shkëlqen mbi një kodër”, sipas Ronald Reagan-it. Si një një dritë orientimi për një popull që po dilte nga errësira e komunizmit -- megjithse nuk pretendon të jetë vetë e përsosur. Fan Noli ka thënë se “Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës”. Prandaj një komb që njeh historinë e tij, nuk harron kurrë dorën që iu shtri në ditën e parë të lirisë dhe gjatë historisë. Sot e 35 vjet më parë, liria erdhi për Shqipërinë, por sot pyetja është dhe mbetet aktuale: a u ndërtua shteti i ligjit dhe i vlerave demokratike që shqiptarët donin e dëshironin!? 

Njerëz të ndryshëm mund të kenë përgjigje të ndryshme ndaj kësaj pyetjeje, bazuar në bindjet e tyre politiko-partiake dhe në rrethanat e tyre ekonomike. Megjithëate, sot, 35vjet më pas, kjo datë duhet të mbetet pikë historike referimi. Ajo na kujton se demokracia nuk erdhi si dhuratë, por si një mundësi që duhej ndërtuar me përpkjekje, përgjegjësi dhe vizion. Por mbi të gjitha na kujton se marrëdhënia shqiptaro-amerikane nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një aleancë strategjike -- ndonëse edhe kjo e ka rëndësinë kritike për mbijetesën e Kombit shqiptar – por të jetë mbi të gjitha një lidhje e thellë vlerash dhe aspiratash të përbashkëta midis dy kombeve tona. Prandaj, vizita e parë zyrtare amerikane e 20 marsit, 1991 nuk ishte thjesht një zbritje turistike e rastit për katër amerikanë në aeroportin e (Rinasit) në atë kohë, por simbolizonte edhe fillimin e një ngritjeje morale e politike të një Kombi nga errësira komuniste gjysëm shekullore -- drejt një horizonti të ri lirie e demokracie. 

Këto ishin disa kujtime dhe emocione personale nga data e arritjes së delegacionit të parë zyrtar të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, 20 mars, 1991, pjesë e të cilit kam patur nderin dhe privilegjin të isha edhe unë. Por siç kam zbuluar më vonë, kjo ka qenë gjithashtu edhe dita, njëkohësisht, kur Sigurimi i Shtetit të regjimit komunist të Shqipërisë ka mbyllur, zyrtarisht, Dosjen e mbajtur për mua – pasi isha ndjekur nga agjentët e Sigurimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dëshmon ky dokument nga Dosja zyrtare, nxjerrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Themeli i AlbLibris – Libri shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Frank Shkreli: Mallin e të parëve që malësorët e Rrjollit e mbronin dikur me gjak nga serbo-malazezët – sot ua merr shteti shqiptar me dhunë Frank Shkreli: Romani “Brenga” i autorit Dr. Pashko Camaj Frank Shkreli: Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales në Shkodër Frank Shkreli: 50 vjet Shqipëria priti! Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes Frank Shkreli: Hafiz Sabri Koçi – një jetë kujtese që sfidoi diktaturën Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë: Jo fjalë boshe! Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës Frank Shkreli: Ibrahim Rugova - Burrështetasi që e sfidoi dhunën me qytetërim Frank Shkreli: Dr. Athanas Gegaj – Gjergj Kastrioti Skënderbe Frank Shkreli: Abaz Kupi - I harruar dhe i keqtrajtuar nga historia zyrtare

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx