Kulturë
Albert Habazaj: 3 tregime të Elma Ramës si tronditje cvajkiane
E diele, 15.03.2026, 06:52 PM

Albert
Habazaj duke i dorëzuar poetes dhe shkrimtares Elma Rama çertifikatë vlerësimi.
(Mbas poetet Enkeleida Fejzo, Anila Toto e Rudina Papajani) Vlorë, 26.11.2024
3 TREGIME TË ELMA RAMËS SI TRONDITJE CVAJKIANE
Nga
Albert HABAZAJ
Nuk e kam në natyrë e as më pëlqen që të
bëj krahasimin e stilit të një autori me një tjetër, sepse sekush ka natyrën e
vet dhe shpërfaq me profilin krijues ndjenjat, dëshirat, botën e brendshme, atë
të jashtme, realitetin jetësor, universin e mendimit filozofik e
letraro-kulturor.
Mund të kem mbi 35 vjet që e njoh nga
afër penën e përmbajtur e të matur të Elma Ramës, një firmë e dinjitetshme dhe
gjurmëlënëse, që nderon letërsinë femërore në veçanti dhe letërsinë shqipe
patjetër.
Elma Rama është poete dhe tregimtare
moderne. Ka shkruar katër vëllime me poezi: “Trishtimi i ullirit”, “Sytë e kanë
fajin”, “Kontrast” dhe “Ku është njeriu”, - ku libri i fundit shënon një tjetër
nivel të lartë artistik në përdorimin e teknikave poetike, ndjeshmëri dhe
perceptim të thellë të realitetit.
Po ashtu, është autore e vëllimit me
tregime “Parfum i burgosur”.
Elma Rama ka qenë dhe drejtoreshë e
Bibliotekës publike “Shefqet Musaraj” të qytetit tw Vlorës.
Poezia e Elma Ramës është shprehja
lirike e hollë e qenies qytetare, me të drejtat dhe detyrimet që lindin, për të
cilat autorja ka zërin e saj serioz e të respektuar
Nuk dua të përhapem tutje, por dy fjalë
do të shpreh për tre tregime të saj. Në fakt janë dy skica llahtarisht të
mrekullishme e shumë të shkurtra: “Muret” dhe “Parfumi i burgosur”, për të cilët
kam shkruar më parë e nuk mund të përsëris veten, veçse, fatmirësisht ndjej se
janë në lartësinë e skicave të Migjenit e Nonda Bulkës, patjetër në formë dhe përmbajtje
të përditësuara. I veçantë është tregimi “Jetimja”, i cili më ka tronditur gjer
në drithërimë të frymës, saqë dhe kockat më therin nga dhembja që më ka
shkaktuar përshkrimi artistik i ngjarjeve aq të hidhura, veçmas gdhendja aq mjeshtërore
e personazheve, sidomos atyre negative. Më pruri në tru “Amokun” e Stefan
Cvajgut (Stephan Zweig) me një subjekt tronditës, një
realitet të ndjeshëm, drithërues e sugjestionues. Elma Rama bën letërsi modern,
është futur në labirinthet e subkoshiencës, ka hyrë në çdo qelizë dhe në çdo
skutë të psikologjisë njerëzore, të mentalitetit të egër e barbar, të natyrës
tejshtazarake të dy grave të pashpirta, që i ka qëndisur si ajo me ngjyrat më të
zeza të mundshme. Ajo na ka dhuruar tipologjinë e gruas së ligë, asaj që
ndoshta ka munguar në letërsinë tonë, se
ndoshta jemi mësuar të lexojmë vetëm letërsi “pozitive”, ku gruaja është e mirë,
e dashur, e dhembshur, e kujdesshme, e sakrificës … Dhe kaq. Por jo. Ky është
realiteti. Ka ndodhur ndoshta. Kurrë mos ndodhtë. Por është e besueshme
ngjarja, janë të besueshëm personazhet, falë artit të fjalës së shkruar që zotëron
shkrimtarja Elma Rama, që është dhe një ndër poetet më të mira që ka Vlora, të
paktën.
Tek “Jetimja” rrëfen në vetë të parë.
Njihemi me një ansambël të trishtë femëror, që na gufos e na zë frymën. Një
mjedis ode me shirit të zi sa i frikshëm! Katër vjeçares i kishte vdekur nëna.
Gratë e vajtonin. E ku kuptonte gjë e gjorta vajzë. Kishte uri e vogla dhe
dridhej. Kush nuk i jepte. Eee… Bonjakja e shkretë. Pa nënë, kur thonë… E
lemeritshme.
Sakrifikonte babai me vëllain për të
qenë plot shtëpia, por sa bukur e përshkruan autorja me fjalë të kursyera, të
ngjyera thellë në dhembje: “...diçka më e
ëmbël se buka na mungonte… Nëna!”… “Oh,
nënë moj! Ku je?.”. Dhe pas dy vjetësh ndodhi gjëma. Iku dhe babai… Tani
motra dhe vëllai do të rriten si mos më keq nëpër dyert e botës. Nëpër
xhaxhallarë, xhanëm… Jetimë dhe fukarenj. Kapitali i babait vajti për lumë. Aha!
Më duket sikur i kam parë ngjarjet që
tregon autorja, sikur i kam jetuar dhe unë. Sa shumë trishtohem. Ajo na paraqet
të vërtetën gri, të vërtetën e murme, të vërtetën e zezë, të jetuarën, që nuk
mund të mohohet, kurrsesi të harrohet Më duket sikur i njoh personazhet e saj
dhe më vjen të pëlcas, që nuk u ndodha atje që t`i dilja në krahë jetimes e t`u
thyeja dhëmbët atyre katileve xhaxhesha Sabire e Hava, që mos qofshin. Ato nuk
ishin femra, nuk ishin gra, nuk ishin nëna, nga ato të mirat, që mbajnë botën në
duar. Ato ishin shtriga, kuçedra me fytyrë njeriu. Këtë ndjesi ma jep pena e
artë e lakonikes serioze Elma Rama, që shkruan kaq mirë e meriton vëmendje, se
të mbush me letërsi.
E lexoj dhe e rilexoj prozën e shkurtër
dhe realiste të Elma Ramës dhe kuptoj ndërgjegjen artistike dhe ndjenjën e
thellë të përgjegjësisë shkrimore të autores. Në fraksion të sekondës, nuk e di
përse më parakalojnë në ekranin e kujtesës me fuqinë e imazhit “I urituri” i
Odise Paskalit të paarritshëm, më vijnë ca piktura të ndërkombëtarit tonë Agim
Sulaj apo Ndrek Luca i madhërishëm, që i realizonte aq mjeshtërisht sidomos
rolet negativë, saqë njerëzit “e urrenin” sikur të ishte ai i vërteti Jago, Dom
Pali, Ndrio, Pjetër Mustakuqi apo Ramiu… Aktor kalibri, artist i madh ky Ndrek
Luca, që na dha mbi 30 figura të veçanta në llojin e tyre, sikur të ishin të vërtetë,
realë. Dhe vetvetiu kthehem tek “Jetimja”. Pa pikën e mëdyshjes dhe me krenari
letrare shprehem: shkrimtare e madhe kjo Elma Rama që ka gdhendur si me daltë
skulptori personazhe me mimikë tepër ekspresive, edhe pse kalojnë shpejt e
duken fragmentarë, por mbresat e plagës na i kanë lënë, sikurse janë nëna me
imazhin e saj, turma e grarive, vogëlushja 4 vjeçare, vëllai dhe ai i vogël,
babai, tezja, xhaxhallarët, xhaxheshat. Autorja operon deri në imtësi në piezazhin
njerëzor, natyror, familjar e social, duke përdorur me mençuri fjalën e
figurshme, plastikën, planet tragjikë, gjuhën shprehëse dhe mjetet e tjera të
njëmendësimit shkrimor të personazheve dramatikë që na paraqet. Në këto tregime
të saj ndjejmë kënaqësisht reminishenca të ekzistencializmit human nga Sartri (Jean
- Paule Sartre), por me origjinalitetin krijues të autores sonë, sepse Elma
Rama është një shkrimtare e identitetit qytetar që përfaqëson. Dëshiroj që
autorja ta vijojë më tej rrëfimin , se është tërheqës, ka temporitëm, ka nerv,
situata, dramacitet, ka psikologji letrare të gjallë.
Elma, unë kam qarë me dënesë kur kam
lexuar tregimin tënd “Jetimja”, ç’ka dua të shpreh se kam të bëj me një nga
tregimet më të mira që kam lexuar deri më sot. Ki parasysh që, tej modestisë,
edhe për faktin që kam një jetë të tërë mes librave, unë jam një lexues i
vëmendshëm, por selektiv, që nuk mund të lexoj çdo gjë që del e shtypur në
furrat botuese, ndërkohë krahasimet që bëra, të cilat më erdhën vetë në kokë, i
kam bërë posaçrisht se ti meriton vlerësim dhe mirënjohje qytetar për këtë letërsi
të mirë që i dhuron lexuesit shqiptar. Daltë ndonjë përkthyes i zoti që ta
ndërkombëtarizojë letërsinë e Elma Ramës!









