E premte, 13.03.2026, 10:15 PM (GMT)

Kulturë

Asllan Dibrani – Luani: Plisi yt, o Babë, ende flet për lirinë

E premte, 13.03.2026, 06:52 PM


Plisi yt, o Babë, ende flet për lirinë

Kushtim

Shkruan: Asllan Dibrani – Luani

Kjo poezi i kushtohet babait tim të ndjerë, Feti Sahit Dibrani, burrë i Malësisë së Gollakut, që jetoi me mallin dhe ëndrrën për lirinë e Kosovës. Ai ishte pjesë e demonstratave dhe e çdo përpjekjeje të popullit për liri e dinjitet.

Kjo poezi shkruhet me dhimbje dhe krenari në 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, si amanet për brezat që të mos harrojnë sakrificën dhe rrugën e gjatë drejt lirisë.

Plisi yt, o Babë,

si një flamur i bardhë mbi stuhinë e kohës,

më del përpara sa herë kujtesa hap plagët

e atyre pranverave të përgjakura.

Ti ishe lis i Gollakut në mes të furtunës,

me rrënjë të thella në tokën e Kosovës,

dhe fjala jote ishte kushtrim

që zgjonte gurët dhe malet.

Kur populli u ngrit në demonstrata,

ti ishe në ballë të turmës si një shkëmb,

zëri yt përplasej mbi qiell

si rrufe që çan errësirën.

Armiku erdhi me hekur e me dhunë,

me kërbaç e me zinxhirë,

por ti nuk u përkule, o Babë,

si mali që nuk përkulet para stuhisë.

Kur më çuan në burgjet e errëta,

në qelitë ku betoni mbytej nga heshtja,

ti vije përmes grilave të ftohta

me një shpirt të thyer, por me zemër çeliku.

Sytë e tu flisnin më shumë se fjalët:

“Mos u dorëzo, bir,

se liria lind nga dhimbja

dhe nga gjaku i burrave të kësaj toke.”

Plagët tona u bënë plagët e Kosovës,

dhimbjet tona u bënë këngë qëndrese,

dhe betimi ynë u ngrit si flamur

mbi rrënojat e frikës.

Ti ike nga kjo botë me mall për lirinë,

por amaneti yt mbeti si zjarr në gjoksin tonë.

Sot Kosova frymon më lirë,

por plagët e atyre viteve ende kullojnë.

Megjithatë, o Babë,

kur flamuri kuq e zi valon mbi këtë tokë,

unë e shoh plisin tënd në horizont

si një dritë që nuk shuhet.

Sepse burrat si ti nuk vdesin kurrë.

Ata bëhen mal në kujtesën e popullit,

bëhen kushtrim në historinë e kombit,

bëhen amanet për brezat që vijnë.

Le të këndojnë lumenjtë për emrin tënd,

le të vajtojnë gurët e Gollakut për ty,

se burrat që jetojnë për lirinë e popullit

nuk shuhen – ata bëhen histori.

Dhe plisi yt, o Babë, si bora mbi Gollak,

rrinte i bardhë mbi ballin tënd burrëror,

si flamur i heshtur i këtij dheu të lashtë

që nuk u përkul kurrë para stuhisë.

Ai plis sot na flet si amanet i gjallë:

ta mbajmë të bardhë nderin e këtij kombi,

sepse përderisa plisi rri mbi ballë shqiptari,

liria e Kosovës nuk do të përkulet kurrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx