E hene, 09.03.2026, 11:00 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Epopeja e Prekazit në rrëfimin monumental dokumentar të Bedri Tahirit

E diele, 08.03.2026, 06:57 PM


EPOPEJA E PREKAZIT NË RRËFIMIN MONUMENTAL DOKUMENTAR TË BEDRI TAHIRIT

(Dekalog leximi: Libri “ADEM JASHARI, LEGJENDË E LEGJENDAVE” i BEDRI TAHIRI, botim i dhjetë i plotësuar, Gazeta RILINDJA, Prishtinë, 2017)

Nga Prend BUZHALA

Figura e Adem Jashari dhe epopeja e familjes Jashari në Prekaz kanë zënë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe nacionale-kulturore të shqiptarëve. Për këtë figurë janë shkruar shumë libra: vepra historike, publicistike, dokumentare, madje edhe studime e kumtesa shkencore nga institute dhe studiues të ndryshëm. Krahas tyre, nuk kanë munguar as krijimet letrare, si poema, drama dhe poezi, të cilat kanë synuar ta shndërrojnë heroizmin e kësaj figure në një simbol artistik të qëndresës dhe sakrificës kombëtare. Kjo shumësi shkrimesh na dëshmon se figura e Adem Jasharit nuk është vetëm objekt i historisë, por edhe burim frymëzimi për letërsinë, publicistikën dhe mendimin kulturor shqiptar.

1. Vepra si themel i kujtesës për Adem Jasharin

Megjithatë, ndër gjithë këto vepra, njëra ka fituar një njohje të veçantë dhe është bërë pothuajse sinonim i rrëfimit për këtë figurë historike. Fjala është për librin dokumentar “Adem Jashari , legjendë e legjendave” të Bedri Tahiri. Kjo vepër u botua në një kohë kur kujtesa për ngjarjet e Prekazit ishte ende e freskët dhe kur shoqëria shqiptare kishte nevojë për një rrëfim të dokumentuar, por edhe emocionalisht të fuqishëm, që ta artikulonte përmasën historike dhe morale të sakrificës së Jasharajve. Pikërisht kjo kohë e duhur dhe përkushtimi i autorit e bënë librin të përhapet gjerësisht dhe të ribotohet disa herë.... deri tek botimet tjera që e kapërcejnë edhe të dhjetin.

Studiues dhe kritikë të ndryshëm e kanë vlerësuar këtë vepër si një dëshmi të rëndësishme të kohës. Sipas vlerësimit të Zymer Neziri, libri i Bedri Tahirit është shkruar për njeriun që i dha një kuptim të ri jetës dhe krenarisë së popullit të vet. Në këtë këndvështrim, Adem Jashari paraqitet si një luftëtar dhe si  figurë që rikthen dinjitetin e shkelur të një populli. Autori, sipas këtij vlerësimi, pati guximin që i pari të përballej me një figurë kaq të madhe dhe të ndritshme të historisë së re shqiptare. Edhe studiuesi Zenun Gjocaj e vlerëson veprën si dëshminë e parë të madhe publicistiko-letrare për këtë ngjarje. Nga ana tjetër, publicisti Xhemail Ali Peci e quan këtë libër një “libër-monument”, të ngritur me flatrat e fjalës shqipe.

Kësisoj, vepra “Adem Jashari – legjendë e legjendave” shfaqet si tekst që ndërlidh dokumentin historik me përjetimin letrar, dëshminë faktografike me reflektimin intelektual. Kjo vepër, përpos që i kashtohet një figure historike, është përpjekje për ta kthyer një ngjarje tragjike dhe heroike në kujtesë  kolektive dhe në simbol identitar. Kësisoj, kjo vepër mbetet një nga tekstet më të rëndësishme që kanë kontribuar në formësimin e mitit modern të Adem Jasharit dhe të epopeve të rezistencës shqiptare në fundin e shekullit XX. Autori përdor gërshetime të rrëfimit dokumentar-historik, esesë reflektuese, prozës poetike dhe diskursit epik, të thurin një tekst që është njëkohësisht dëshmi historike dhe interpretim letrar i luftës së Kosovës dhe figurës së Adem Jasharit.

Me një rast, shkrimtarin dhe studiuesin Bedri Tahiri e kam quajtur kronikan të Drenicës. Ky përcaktim nuk është vetëm një figurë stilistike, por një vlerësim që mbështetet në një korpus të gjerë veprash që ai ia ka kushtuar historisë, figurave dhe kujtesës së kësaj treve. Nëpërmjet librave të tij ai ka ndërtuar një kronikë të gjerë dokumentare dhe publicistike për Drenicën, për luftërat, për figurat e saj historike dhe për traditën e qëndresës shqiptare. Ky numër i madh librash dëshmon se veprimtaria e Bedri Tahirit është e lidhur ngushtë me historinë dhe kujtesën e Drenicës.

Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zë libri dokumentar për komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, “Adem Jashari, legjendë e legjendave” (1999), vepër që është ribotuar shumë herë dhe ka arritur deri në botimin e dhjetë (2018). Ky fakt dëshmon jo vetëm rëndësinë e figurës historike që trajton libri, por edhe ndikimin që ka pasur kjo vepër në formësimin e kujtesës kolektive për luftën dhe sakrificën e familjes Jashari.

2. Libri si qenie shpirtërore

Libri dokumentar-historik “Adem Jashari, legjendë e legjendave” i autorit Bedri Tahiri është një vepër e rëndësishme në historiografinë dhe publicistikën shqiptare, pasi trajton jetën, figurën dhe veprimtarinë e njërit prej simboleve më të mëdha të luftës çlirimtare shqiptare për liri. Trajton gjithashtu historinë e familjes Jashari, duke  i përshkruar rrënjët e saj patriotike dhe ndikimin që kjo familje pati në lëvizjen për liri. Në këtë kontekst, autori përshkruan rëndësinë e edukimit patriotik dhe të traditave familjare në formimin e karakterit të Adem Jasharit. Autori e vendos këtë histori në një kontekst më të gjerë historik, duke filluar nga traditat e Drenicës dhe kulturën e rezistencës që karakterizonte këtë trevë. Në vepër theksohet se Drenica ka qenë gjithmonë një vatër e qëndresës shqiptare: “Në qendër të Dardanisë ilire, përkatësisht të Kosovës së sotme, zë vend Drenica heroike. Kjo fole trimash… me armë në dorë çau shtigjeve të lirisë.”

Gjuha e përdorur nga autori është e përshkuar me veçori simbolike dhe patriotike, duke krijuar një atmosferë të fortë emocionale që e afron lexuesin me realitetin e kohës së luftës. Për më tepër, libri përmban edhe reflektime personale të autorit mbi procesin e krijimit të veprës, duke theksuar se dorëshkrimi i saj lindi në rrethana të vështira të luftës:

“Edhe libri 'Adem Jashari, legjendë e legjendave' ka një histori, sa të dhimbshme, aq edhe krenare. U lind në kohë të pa kohë, në rrethana lufte.”

Kjo përmasë personale dhe emocionale i jep veprës vlerë të veçantë historike, dhe, gjithsesi, edhe letrare. Kështu, edhes stili del një nga veçoritë kryesore, i ndërthurur mes dokumentit historik dhe rrëfimit letrar. Që në fillim të librit theksohet rëndësia simbolike e kësaj figure për lirinë e Kosovës:

“Po të kishte çmim Nobel për lirinë, ai çmim do t’i takonte Adem Jasharit!”

Një tjetër tipar i rëndësishëm i stilit të shkrimit është përdorimi i rrëfimeve personale dhe kujtimeve historike. Për shembull, autori e përshkruan historinë e dorëshkrimit të librit që u krijua gjatë luftës, duke theksuar vuajtjet dhe rrethanat dramatike të kohës:

“Edhe libri Adem Jashari – legjendë e legjendave ka një histori, sa të dhimbshme, aq edhe krenare. U lind në kohë të pa kohë, në rrethana lufte.”

Ky aspekt e bën librin jo vetëm një dokument historik, por edhe një dëshmi shpirtërore dhe personale të një periudhe të rëndësishme të historisë shqiptare. Libri ka gjithashtu vlera të rëndësishme dokumentare, sepse përmban informacione dhe rrëfime mbi ngjarjet historike, mbi traditat familjare dhe mbi aktivitetin e lëvizjes çlirimtare. Autori përfshin dëshmi dhe intervista të njerëzve që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjet e kohës, si dhe referenca për stërvitjen dhe organizimin e luftëtarëve të UÇK-së.

Këto dëshmi e bëjnë librin një burim të rëndësishëm për studiuesit dhe lexuesit që duan ta kuptojnë më mirë historinë e luftës së Kosovës dhe figurën e komandantit legjendar.

Prologu i veprës hapet me një krahasim të thellë dhe simbolik: lindja e librit krahasohet me lindjen e njeriut. Autori sugjeron se çdo libër, ashtu si secila jetë njerëzore, bart në vete një histori të veçantë, një fat të caktuar dhe një rrugëtim që lind nga vuajtja. Që në fillim krijohet një atmosferë reflektuese, ku libri nuk shihet vetëm si tekst i shkruar, por si një qenie shpirtërore që kalon sprova dhe përjeton dramën e kohës në të cilën lind. Autori thekson se shumë vepra të mëdha të letërsisë lindin pikërisht nga dhimbja dhe vështirësitë e jetës. Historia e dorëshkrimit të librit për Adem Jasharin paraqitet si rrugëtim dramatik. Ai nuk lind në kohë paqeje, por në flakën e luftës. Kjo përmasë e bën librin dëshmi të gjallë të kohës, sepse në të përzihen emocione të forta: dhimbja, krenaria dhe etja e pashuar për liri.

Një nga paraqitjet më të fuqishme të prologut është momenti kur dorëshkrimi bie në duart e pushtuesve. Ky episod ka një simbolikë të thellë: libri shndërrohet në një figurë të gjallë që rrezikon të zhduket bashkë me bibliotekën e autorit. Djegia e mijëra librave dëshmon  përpjekjen serbomadhe për shkatërrimin e kulturës dhe kujtesës së një populli. Megjithatë, fakti që dorëshkrimi mbijeton, edhe pse i shtypur dhe i dëmtuar, simbolizon qëndresën e fjalës së shkruar dhe të së vërtetës historike. Takimi i autorit me dorëshkrimin pas dy muajsh është çast po ashtu emocional. Ai e përshkruan këtë moment me një ndjenjë të thellë mallëngjimi, duke e krahasuar dorëshkrimin me një të vdekur që ringjallet. Ky krahasim e thekson lidhjen personale dhe shpirtërore që autori ka me veprën e tij. Libri bëhet një kujtim i gjallë i vuajtjeve dhe i përvojave të kohës së luftës. Në fund të prologut autori i drejtohet lexuesit me një ton të sinqertë dhe reflektues. Ai kërkon mirëkuptim për emocionin dhe nostalgjinë që përshkon rrëfimin, duke kujtuar se edhe vetë lexuesit kanë përjetuar dramën e luftës. Ky dialog i drejtpërdrejtë me lexuesin krijon një ndjenjë afërsie dhe e bën prologun më personal dhe më njerëzor.

3. Trajtat e shkrimit

Libri i Bedri Tahiri paraqet një strukturë komplekse, ku bashkëjetojnë disa trajta të shkrimit dokumentar dhe letrar. Kjo ndërthurje e formave e bën librin njëkohësisht dokument historik dhe krijim që përafron me letërsinë, duke na dhënë një pamje të plotë të ngjarjeve të luftës për Kosovën, si dhe të përjetimeve dhe reflektimeve mbi to. Një nga trajtat kryesore është rrëfimi dokumentar, ku autori sjell ngjarje konkrete historike, të shoqëruara me data, emra dhe vende të saktë. Kjo trajtë shihet në kapituj si “Dëshmorët e Qyqavicës”, “Krimi që tundi botën” dhe “Kodra e dëshmorëve”. Për shembull, në kapitullin “Kodra e dëshmorëve”, përshkruhet ceremonia e varrimit të 33 luftëtarëve:

“Përpara 33 varre gojëhapura… fare pranë 33 ushtarë në arkivole, shndërruar në flamuj lirie e të rreshtuar për front.”

Ky rrëfim i bazuar në fakte e pozicionon tekstin si një dëshmi historike autentike. Libri përdor gjithashtu elemente të rrëfimit epik dhe heroik, ku figurat historike ngrihen në përmasat e heronjve legjendarë. Kjo thurje e tillë shihet në kapituj si “Legjenda e legjendave”, “Trimat jetojnë pas vdekjes” dhe “Me fat përjetësia Adem Jashari!”. Për shembull, për komandantin legjendar thuhet: “Pasi mblodhi fuqinë, mençurinë, trimërinë, bukurinë dhe bujarinë, brumosi mirë e mirë edhe një Adam të ri, Adem Jasharin.”

Kjo trajtë stilistike i jep figurës një përmasë simbolike dhe e bën atë një ikonë kombëtare.  Në disa kapituj, autori ndërpret rrëfimin për të reflektuar mbi historinë dhe fatin e popullit shqiptar. Kjo trajtë shihet në Prolog, Epilog dhe në kapitullin “Orë historie”. Në epilog ai shkruan: “Populli u këndell, erdhi në vete dhe mori zemër. U zgjua nga gjumi letargjik e hipnotizues.” Ky diskurs eseistik i interpreton ngjarjet, jep gjykime historike dhe shpreh mendimin e autorit për rëndësinë e ngjarjeve.

Disa pjesë të librit janë rrëfime personale të autori si dëshmitar i kohës, ku shprehet përjetimi i tij i drejtpërdrejtë: “Ngjarjet e këtij viti, të ligat e të mirat, më goditën rëndë… më sulën si shigjeta helmuese.” Forma e tillë e rrëfimit e bën tekstin të jetë një kujtesë personale për luftën dhe për përjetimet. Pavarësisht karakterit dokumentar, autori përdor gjuhë poetike dhe figurative për ta intensifikuar emocionin. Shembuj tipikë janë këto tekste:

“Lulëkuqet bulëruan fuqishëm edhe mbi dëborën e acartë.”

“Tridhjetë e tre yje fluturuan drejt qiellit për të mos u shuar kurrë.”

Këto figura autoriale i japin tekstit përmasë emocionale dhe artistike. Ndërkaq, këtu kemi edhe diskursin folklorik dhe citime nga tradita. Libri përfshin edhe elemente të traditës popullore, si këngë, vargje dhe thënie: “Kush bie n’luftë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka le.”

Këngët folklorike për trimat dhe thëniet popullore i japin librit po ashtu përmasë të gjallë kulturore dhe shpirtërore, duke i shndërruar ngjarjet historike në rrëfime që lidhen me kujtesën kolektive dhe heroizmin e brezave. Kjo trajtë e vë në gërshet rrëfimin historik me traditën epike dhe folklorike shqiptare, duke e bërë tekstin një urë mes dokumentit dhe kulturës popullore.

Do theksuar se që nga tekstet e para e deri në fund, libri përmban edhe shtresën e intertekstualitetit. Libri përdor intertekstualitet, duke lidhur rrëfimin e ngjarjeve të luftës me pjesë të njohura të trashëgimisë folklorike shqiptare. Për shembull, citimet dhe referencat nga “Lahuta e Malësisë” dhe këngët kreshnike shërbejnë për ta theksuar vazhdimësinë e heroizmit shqiptar dhe për ta vendosur sakrificën e luftëtarëve në një traditë historike dhe kulturore më të gjerë. Përdorimi i intertekstit në këtë libër krijon lidhje mes dokumentit të kohës së re dhe epikës popullore, i jep rrëfimit përmasë simbolike dhe të traditës, e forcon imazhin heroik të figurave si Adem Jashari, duke i futur në një vijë historike të trashëgimisë kombëtare. Kështu, një nga momentet më të fuqishme është leximi i vargjeve nga “Lahuta e Malcisë” e At Gjergj Fishtës. Përmes këtyre vargjeve, autori sjell në skenë figurën epike të Oso Kukës, një hero që simbolizon qëndresën shqiptare. Vargjet tingëllojnë si një këngë epike që zgjon krenarinë dhe emocionin e dëgjuesit:

Oso Kuka ‘i burrë shkodran,

shoq në Shkodër, thonë s’ka lanë,

për kah besa e ka trimnia

qi zanat e ka Shqipnia.

Reagimi i plakut ndaj këtyre vargjeve është i kapluar me emocion. Ai nuk arrin t’i fshehë lotët, sepse përmes këtyre fjalëve zgjohet kujtesa e një kohe të kaluar dhe e një brezi që kishte luftuar për liri. Ky moment tregon se letërsia nuk është vetëm art, por edhe një mënyrë për të ruajtur shpirtin e një kombi.

Së këndejmi, një rrëfim me frymë epike që shpalos historinë, karakterin dhe shpirtin e një treve që ka qenë gjithmonë sinonim i qëndresës shqiptare është  ai që prin me titulliun “Prekazi kurrë s’e vrau këngën e vet”. Që në rreshtat e parë, Drenica paraqitet si hapësirë e shenjtë e rezistencës dhe e lirisë, një tokë që nuk ka pranuar kurrë nënshtrim. Autori e vendos këtë trevë në përmasat historike dhe simbolike, duke e përshkruar atë si vend ku trimëria është pjesë e identitetit. Ai shkruan:

“Në qendër të Dardanisë ilire, përkatësisht të Kosovës së sotme, zë vend Drenica heroike. Kjo fole trimash… me armë në dorë çau shtigjeve të lirisë.”

Në këtë hapësirë historike shfaqet edhe figura e Prekë Kuçit, paraardhës i Jasharëve, një patriark që mishëron vlerat tradicionale të shoqërisë shqiptare: mençurinë, drejtësinë dhe ndershmërinë. Ai paraqitet si udhëheqës moral i familjes dhe i mjedisit të vet, një figurë që e ndërton autoritetin e tij mbi shembullin personal dhe mbi drejtësinë. Përmendet filozofia e tij jetësore, e cila përmbledh thelbin e moralit tradicional shqiptar: “Çdo gjë gjykohet drejt kur e qet dorën në zemër… Zemra nuk të mashtron kurrë.”

Kjo thënie shpreh besimin e thellë në drejtësinë morale dhe në ndershmërinë e njeriut. Përmes saj autori na kumton se udhëheqja në familjen dhe në shoqërinë tradicionale nuk bazohej në forcë, por në integritet dhe në besimin e asaj bashkësie familjare e më gjerë. Ky plak, Prekë Kuçit, paraqitet edhe si simbol i urtësisë dhe i përkushtimit ndaj shoqërisë. Ai nuk ishte vetëm drejtues i familjes, por edhe pajtues i gjaqeve dhe njeri që kërkonte paqen mes njerëzve. Fjala e tij kishte peshë dhe autoritet në kuvendet e burrave: “Fjala e burrit, pesha e gurit.” Ky proverb popullor sintetizon filozofinë e jetës së malësorit shqiptar:  fjala duhet të jetë e drejtë, e fortë dhe e përgjegjshme. Ajo nuk duhet të jetë e zbrazët apo e paqartë, sepse fjala e burrit është themel i besës dhe i rendit shoqëror. Një nga momentet më domethënëse është përshkrimi i frymës së përhershme të luftës për liri: “Pushka e lahuta bashkëjetonin në kullat prej guri. Nuk bënin dot njëra pa tjetrën.”

Është ajo filozofia e traditës së kësaj treve: pushka simbolizon luftën për liri, ndërsa lahuta kujtesën dhe këngën epike që ruan historinë.

Edhe pjesët tjera, si "Një natë pa gjumë", "Nga mësonjëtorja në qeli", "Kulla e përbetimit: liri a vdekje!" vazhdojnë në këtë frymë ndërthurjesh. te e para hasim një nga pjesët më poetike dhe shënjuese të rrëfimit, ku autori ndërton një atmosferë të thellë epike dhe shpirtërore përmes një skene të thjeshtë familjare. Në pamje të parë kemi vetëm një natë dimri, një shtëpi të vogël dhe dy njerëz pranë oxhakut. Mirëpo, në thelb, kjo natë bëhet simbol i një epoke të tërë, ku libri, kujtesa dhe identiteti kombëtar përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira: “Po errej një natë e ftohtë janari… Veç bishave barkthata, që ulërinin lemeritshëm maleve përreth, s’pipëtinte gjë e gjallë. Qetësi varri.” Në këtë heshtje të madhe shfaqet një shtëpi e vogël, ku një plak dhe një djalosh qëndrojnë pranë oxhakut. Kjo skenë e thjeshtë është në fakt një metaforë e fortë për transmetimin e dijes dhe të kujtesës nga një brez te tjetri. Djali lexon me etje një libër, ndërsa plaku dëgjon me mall dhe krenari. Autori e përshkruan këtë moment me një ndjenjë të thellë respekti për fuqinë e fjalës së shkruar: “Gjithçka, babë, gjithçka. Libër më të bukur s’kam lexuar kurrë. E tërë historia jonë qenka mbledhur këtu.” Kësisoj, libri shndërrohet në simbol të historisë dhe të identitetit kombëtar. Djali mëson për trimërinë dhe për figurat historike të kombit. “Kulla e përbetimit: Liri a vdekje!” është një nga kulmet më të fuqishme të këtij libri, sepse këtu kulla e paraqitur si banesë, është edhe vatër e gjallë e historisë, e kujtesës dhe e betimit. Në këtë pjesë, familja Jashari shfaqet si trung që nuk u shkëput kurrë, por që u rrit në heshtje, në dhimbje dhe në përgatitje të gjatë për ditën kur liria do të kërkonte jo vetëm fjalë, por edhe gjak. Fjala e Adem Jasharit në këtë kuvend është bërthama ideore e librit. Ajo vjen e matur, burrërore, pa teprim, por me peshë të jashtëzakonshme morale. Vendin kryesor e zë ndjenja e dinjitetit të humbur dhe domosdoshmëria e ringritjes së tij përmes rezistencës: “Liria është më e shtrenjtë se jeta… Për lirinë e Kosovës nuk do të kursejmë asgjë, as gjakun tonë.” Kjo fjali përmbledh gjithë filozofinë e këtij kapitulli. Liria nuk paraqitet si ideal abstrakt, por si vlerë që e tejkalon jetën biologjike. Pikërisht prej kësaj vjen edhe betimi final: “Të lidhemi me besa-besë e të betohemi: Liri a vdekje!”

Shkrimi  “Armët e lirisë jehuan larg e më larg” shënon kalimin nga përgatitja shpirtërore dhe betimi moral te përballja e hapur me armikun. Në këtë pjesë, oda familjare, e mbushur me ngrohtësi, me bisedë dhe me urtësi, përmbyset papritur nga zhurma e rrethimit, nga kërcënimi dhe nga krisma e pushkëve. Rrethimi i Prekazit të Poshtëm përshkruhet me gjuhë të rëndë, gati apokaliptike: tanke, autoblinda, gryka topash të rëndë. Kjo fuqi e stërmadhe shtetërore përballet jo me një ushtri të rregullt, por me një familje, me një kullë dhe me disa burra që e kanë kthyer pragun e shtëpisë në vijë fronti. Këtu ndodh një nga përmbysjet më domethënëse të tekstit ë Bedriut: shteti i armatosur deri në dhëmbë del i frikësuar përballë një vatre që ka vendosur të mos dorëzohet.

Në këtë sfond, shëmbëlltyra e Adem Jasharit del si figurë e zgjuarsisë, gatishmërisë dhe qetësisë luftarake; ai jeton në gjendje vigjilence historike. Kështu, kur nis sulmi, përgjigjja nuk është panik, por organizim, dalje në oborr dhe thyerje rrethimi. Vjen momenti kur pushteti ulërin me autoparlant: “Dorëzohu, o Adem Jashari!”, por përballë kësaj thirrjeje s’ka heshtje të frikës, por jehona e pushkës: “E pushka e lirisë jehonte larg e më larg si kundërpërgjigje sfiduese.” Kjo është fjalia-bosht e krejt këtij kapitulli. Pushka këtu është përgjigje morale, është refuzim i nënshtrimit. Ajo “jehon larg e më larg”, sepse nuk mbetet më ngjarje i një familjeje. Bëhet kushtrim. Bëhet lajm. Bëhet sinjal që kalon prej një shtëpie në një krahinë, prej një krahine në krejt Kosovën.

Në të njëjtën kohë, autori nuk e harron dimensionin tragjik të këtij ballafaqimi. Poshtë, në lagje, barbaria bie mbi të pafajshmit: gra, fëmijë, kalimtarë, pleq. Dhuna ushtarake është edhe dhunë morale. Ajo synon që ta poshtërojë, ta frikësojë dhe ta shkatërrojë ndjenjën e sigurisë njerëzore. Megjithatë, as kjo nuk e thyen qëndresën. Përkundrazi, prej asaj dite “burrat… tash dolën fare hapur me armët hedhur krahëve për lirinë e vendit”. Kjo ide del edhe në kujtimin e Hamzës: “Kryesorja, puna po ecën mbarë, armët e lirisë po dëgjohen kudo. E unë mendoj se rrugë tjetër nuk ka për të arritur te liria.” Qëndresa nuk mbetet vetëm te brezi i burrave. Edhe djali i madh i Ademit, Lulëzimi, del me gjakftohtësi dhe mendjemprehtësi, duke ua hedhur policëve. Kjo anë e paraqitjes, tregon se fryma e qëndresës ka hyrë tashmë në gjak, në familje, në brez. Autori e ngre pushkën në shkallë simboli kombëtar: ajo është shenjë e mosdorëzimit. Ky këndvështrim  lidhet me gjithë frymën e librit, ku liria është gjithmonë më e madhe se frika dhe më e fortë se rrethimi.

4. Nga mësimi te sakrifica: portreti i mësuesit-atdhetar

“Nga mësonjëtorja në qeli” është një nga pjesët më domethënëse të veprës, sepse shpalos dramën e mësuesit shqiptar në rrethana pushtimi: njeriun që hyn në klasë me abetare, histori e poezi, por që përfundon në qeli pikërisht pse ua mëson fëmijëve emrin e tyre, gjuhën e tyre dhe kujtesën e tyre. Kjo pjesë është rrëfim për persekutimin e një mësuesi; por është edhe dëshmi se pushteti i huaj e ka parë gjithmonë arsimin shqip si kërcënim, për shkak se shkolla nuk formon vetëm nxënës, por zgjon vetëdijen për liri e dije: “Që kur erdhi mësuesi i ri shkolla juaj mori tatëpjetën… edhe nxënësit m’u duken krejt ndryshe.” Kështu ankohen armiqtë. Këtu qëndron ironia e madhe: ajo që pushteti e quan “tatëpjetë”, në të vërtetë është ngritje shpirtërore. Shkolla “prishet” jo pse ka humbur rendin, por sepse ka fituar shpirtin. Fëmijët nuk janë më të heshtur e të nënshtruar; ata tani recitojnë me zë të lartë vargje që i lidhin me atdheun: “Ti, Shqipëri, më ep nder, me ep emrin Shqipëtar, / Zemrën ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr...” Figura e Shaban Murat Jasharit del këtu si figura e mësuesit-atdhetar, që nuk e ndan arsimin nga kombi. Fjala e tij tingëllon si betim moral: “O do vihem në shërbim të kombit, o nuk do të punoj fare!” Në këtë pohim përmblidhet krejt etika e personazhit: mësuesia është një formë shërbimit kombëtar. Pikërisht për këtë arsye ai nuk trembet nga kërcënimet; përkundrazi, ato “ia shtonin edhe më tepër atdhedashurinë”. Autori e ndërton këtë figurë jo vetëm si mësues të dijes, por si mësues të kujtesës. Shaban Jashari u flet nxënësve për Skënderbeun, Ahmet Delinë, Azem e Shotë Galicën, Shaban Polluzhën; pra, ai i çon fëmijët drejt një historie që pushteti do ta mbante të heshtur. Kjo ide arrin kulm në tregimin për kullën e Azem Galicës, gurët e së cilës u përdorën për ndërtimin e shkollës: “Gurët e saj me punë angarie i bartën dhe e ndërtuan shkollën tuaj. Menduan për keq, por jo. Ai e deshi shumë shkollën dhe shpirti i tij i ndritur do të prehet i qetë atje… prej aty shpërndahen rreze diturie.” Kulla e rrënuar e kryetrimit nuk humb as shkatërrohet; ajo rilind si shkollë. Pra, pushtuesi mendon se po e zhduk kujtesën, por në të vërtetë po i jep asaj një formë të re. Nga guri i kullës del banka e nxënësit; nga qëndresa me pushkë lind qëndresa me dije. Kështu historia nuk ndërpritet, por shndërrohet.

Megjithatë, autori nuk e lë këtë shkrim vetëm në dritën e idealit. Mbi të rëndon hija e përndjekjes. Vëzhgimi, spiunimi, “dosja e zezë” që “mbushej e mbushej” krijojnë ndjesinë e një bote ku edhe fjala më e pafajshme ndiqet si krim. Kjo e bën edhe më tragjik kalimin nga klasa në burg. Skena e arrestimit është e shkurtër, por e rëndë: “Pas pak mësuesi Shaban duarlidhur, por ballëlart e krenar, ecte midis tyre. Nxënësit ngelën të nemitur.” Ai është i lidhur në duar, por jo i nënshtruar në shpirt. Pikërisht ky kontrast e bën skenën të fuqishme: burgu prek trupin, por jo idealin. Akuzat ndaj tij janë domethënëse: ai është “mësuesi i papërshtatshëm”, sepse mban libra të ndaluar si “Lahuta e Malcis”, sepse “nxënësit i helmoste me idenë e shqiptarizmit”. Këtu autori zbulon logjikën e pushtetit: për të, historia e kultura kombëtares shqiptare janë helm, ndërsa harresa e saj është rend.

Autori e ngre figurën e Shaban Jasharit në përmasë simbolike me një fjali shumë të goditur: “Lisat e mëdhenj i rrahin erërat më shumë, por rrënjët i lëshojnë më thellë.” Burgosja, prandaj, nuk e shuan dot mësuesin; ajo vetëm e kalit. Dashurinë për kombin dhe për gjuhën amtare ai e përcjell më tej te të afërmit dhe sidomos te bijtë e vet, “Rifati, Hamza dhe Ademi”, që ecin “në rrugën e madhe të lirisë”.

Le ta lexojmë këtë pjesë libri si tribut për mësuesin shqiptar si mbrojtës i kujtesës dhe si mbjellës i lirisë.

5. “Legjenda e legjendave”: Prekazi si kikë e heroizmit dhe e mitit

Dhe vjen “Përballja e parë”,  një tekst ku historia hyn me vrull në mit dhe miti kthehet në histori. Këtu vërtet kemi vetëm përplasje të armatosur mes forcave serbe dhe luftëtarëve shqiptarë, por e kemi edhe çastin kur qëndresa del nga hija, fiton pamje publike dhe i jep Kosovës një horizont të ri. Është kthesa e mëdha shpirtërore: nga oguri i natyrës te gjaku i mësuesit, nga rënia te shfaqja e UÇK-së, nga morti te lindja.

Autori e hap rrëfimin me një agim të zymtë, sikur vetë natyra ta ndiente peshën e asaj që po afrohej. “Agu i së mërkurës u gdhi fare i zymtë. Natyra hijerëndë sikur parandiente diç të pazakontë.” Kjo hyrje e vendos ngjarjen në një atmosferë paralajmëruese, ku qielli, retë dhe mungesa e diellit nuk janë vetëm elemente peizazhi, por pjesë e ankthit historik. Kolona serbe paraqitet si “kolona e zezë mortore”, ndërsa pushtuesit si “bishat e shfrenuara nga Karpatet”, çka i jep rrëfimit ton epik e dramatik dhe e vendos përballjen në kufirin mes njerëzores dhe barbarisë.

Në sfondin kryesor qëndron ideja e ringjalljes së amanetit të brezave. Kur autori shkruan se “thellë, nga gjiri i tokës mëmë fuqishëm shpërtheu amaneti i brezave”, ai, aq sa e përshkruan një pritë luftarake, po aq me përkushtim e shënjon edhe ngritjen shpirtërore të një tradite të tërë qëndrese. Për këtë arsye, figurat e së kaluarës, Millosh Kopiliqi, Ahmet Delia, Shota e Azem Galica, Shaban Polluzha, Tahir Meha, paraqiten si të ringjallura në çastin e ndeshjes. Kjo është  figurë e fuqishme letrare: lufta e tanishme nuk dalka nga hiçi, por nga vazhdimësia e një historie të pambyllur. Një nga pikat më prekëse është goditja e shkollës dhe rënia e mësuesit Halit Geci. Skena është tejet domethënëse: mësuesi po u flet nxënësve për 28 Nëntorin dhe për Shqipërinë e cunguar, kur shkolla mbulohet nga predhat. Në çastin e plagosjes së tij, ai nxjerr një porosi që përmbledh të gjithë etikën e këtij libri: “Mësoni dhe punoni për lirinë e Kosovës!” Kjo fjali e bën mësuesin figurë martire të dijes dhe të lirisë. Ai nuk bie vetëm si viktimë e dhunës, por si dëshmitar se arma më e madhe e kombit nuk është vetëm pushka, por edhe fjala, shkolla dhe vetëdija. Prandaj varrimi nuk qenka fundi i i tij, por shndërrim historik: momenti vendimtar është shfaqja publike e tre luftëtarëve me uniformë. Kjo skenë është e ndërtuar me mjeshtëri: turma mban frymën, sytë nuk u besojnë vetes dhe pyetja që përshkon njerëzit është gati e pabesueshme: “Ishim ëndërr apo na bënë sytë?” Kjo pyetje përmbledh gjendjen e një populli që prej kohësh kishte pritur një shenjë të hapur, një dëshmi publike se rezistenca e organizuar ekzistonte vërtet. Dhe përgjigjja vjen e prerë: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është realitet dhe sot e tutje do të veprojë haptas.” Për këtë arsye autori përfundon me pohimin simbolik se “Kosova po i hapte rrugë lirisë e 28 Nëntorit iu shtua edhe një festë e re: DITËLINDJA E UÇK-së.” Kjo lidhje me 28 Nëntorin është tejet domethënëse. Nuk është rastësi që dalja publike e UÇK-së vendoset në të njëjtën datë me Ditën e Flamurit. Autori sugjeron se lufta çlirimtare e Kosovës është vazhdim i drejtpërdrejtë i projektit historik të lirisë shqiptare.

Edhe figura e plakut në qoshe, i cili pëshpërit “Ju dhe vetëm ju do t’ia sillni Kosovës dritën… Kur jeni të bashkuar, si një grusht i vetëm, s’ka çka ju bën askush”, e forcon këtë ide. Në këtë zë plak flet përvoja historike, por edhe besimi se brezi i ri, ndryshe nga shumë herë më parë, do ta çojë deri në fund amanetin e lirisë.

Tek dy kapitujt tjerë “Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet” dhe “Dëshmorët e Qyqavicës”, ka zbërthime të reja: i pari shpalos etikën e qëndresës, ndërsa i dyti çmimin e saj tragjik. Në njërin kemi pragun e shtëpisë si vijë nderi, në tjetrin varrin si vulë të flijimit. Bashkë, ato ndërtojnë një nga pjesët më të dhimbshme dhe më madhështore të rrëfimit: çastin kur mbrojtja e pragut nuk mbetet më vetëm detyrë morale, por kthehet në histori gjaku, në kujtesë kolektive dhe në themel të lirisë. Sulmi i 22 janarit 1998 paraqitet kështu jo thjesht si aksion policor, por si një përpjekje për ta shuar një vatër qëndrese që pushteti e kishte prej kohësh në shënjestër. Edhe vetë rrëfimi e nënvizon se familja Jashari shihej si familje kryengritëse, të cilën duhej ta zhduknin me gjithë rrënjët. Kjo përgjigje mishërohet te fjala e Shaban Jasharit, që e ngre mbrojtjen e shtëpisë në rang amaneti. Ai nuk flet si njeri që mbron vetëm muret e veta, por si njeri që mbron një vijë të trashëguar nderi: “Ta mbrosh vatrën stërgjyshore është detyrë morale e kombëtare. Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet.”

Në këtë kuptim, pragu bëhet vendi ku takohen familja, kujtesa, nderi dhe kombi. “Dëshmorët e Qyqavicës” është rrëfim i ngritur nga një shtëpi e veçantë në një hapësirë më të gjerë martirizimi, ku Likoshani dhe Qirezi shndërrohen në skenë të flijimit kolektiv. Autori e nis këtë pjesë me figurën e Lisit Gjashtënjakë, të cilin e kthen në orakull historie dhe në shenjë të nisjes së “epokës së re, epokës lavdiplote të UÇK-së. Lufta te Lisi Gjashtënjakë paraqitet si çast kthese: aty “Niva” serbe bëhet shoshë nga plumbat, aty gjaku skuq tokën, aty armët çlirimtare japin sinjalin se durimi ka marrë fund. Por menjëherë pas kësaj vjen hakmarrja e verbër serbe ndaj civilëve. Kjo është tragjedia e Likoshanit dhe Qirezit: kur nuk mund ta përballojë trimin në fushë, barbaria bie mbi gruan shtatzënë, mbi të moshuarin, mbi fëmijën, mbi familjen e mbyllur në shtëpi. Rrëfimet e Sefer Nebihut, të Ganimete Gjelit dhe të Dinore Ahmetit e japin me forcë të madhe këtë dimension: dhuna nuk është më vetëm vrasje, por shfryrje shtazarake mbi të pambrojturit. Edhe pamja e 24 jetimëve që sillen në oborr e bën tragjedinë thuajse të papërballueshme. Mirëpo, autori nuk ndalet te tmerri. Ai e ngre këtë tragjedi në shkallën e një qëndrese të madhe morale. Kjo duket sidomos te qëndrimi i familjarëve gjatë varrimit.

Te kapitulli “Legjenda e legjendave” është kulmi shpirtëror, tragjik dhe mitik i gjithë rrëfimi dhe librit  Këtu historia nuk ecën më vetëm si ngjarje, por shpërthen si epope. 5 marsi 1998 nga një  datë e thjeshtë e një sulmi ushtarak, është çasti kur Prekazi kalon nga vend i qëndresës në vend të pavdekësisë. Kulla e Jasharajve del si qendër e një rrethimi apokaliptik. Përreth saj mblidhet i gjithë arsenali i shtetit serb, “forcat e njësive më speciale”, “komandosë e xhelatë profesionalë”, të cilët vijnë për ta shuar jo vetëm një familje, por një simbol që tashmë “ishte bërë tmerr për Beogradin”. Pikërisht këtu ndodh përmbysja e madhe morale e rrëfimit: sa më e madhe bëhet forca e armikut, aq më e lartë ngrihet madhështia e qëndresës.

Një nga figurat më të fuqishme është ajo e Shaban Jasharit, që edhe në çastin më të egër të sulmit mbetet simbol i qëndresës së moçme shqiptare. Ai “e rroku flamurin kombëtar, atë që i pat vënë Ademit në djep” dhe del përballë me brohorimën: “Rroftë Kosova! / Rroftë Shqipëria!”. Ky detaj është i jashtëzakonshëm, sepse mbyll një rreth simbolik: flamuri që dikur u vu mbi foshnjën si amanet, tani ngrihet mbi pragun e kullës si vulë e përmbushjes së atij amaneti. Kështu, historia familjare dhe historia kombëtare bashkohen në një çast të vetëm flijimi.

Kryesorja mbetet figura e Adem Jasharit. Autori e ndërton atë si njeri të zakonshëm në mes të luftës dhe e ngre si figurë të epikës moderne shqiptare. Edhe në flakën e sulmit ai mbetet “i qetë e gjakftohtë”, dredh mustakun dhe del furishëm drejt dyerve të oborrit; tanku ndalet, mizorët bien dhe zëri i tij bëhet tmerr për komandantët. Kjo formë përshkrimi e nxjerr Ademin nga kufijtë e biografisë dhe e çon në kufijtë e legjendës. Ai përshkruhet si luftëtar, dhe, mbi të gjitha, edhe si forcë morale që tund dheun, si zë kushtrimtar që “kishte tundur dheun” dhe pas të cilit shkonin “edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë”. Kjo është gjuhë e qartë mitizuese, por jo e zbrazët: ajo lind nga madhështia e flijimit.

Autori kujdeset ta tregojë se heroizmi i Prekazit nuk ishte akt individual. Në kullat e Jasharajve rezistohet “për jetë a vdekje”, “secili me çka kishte e mbronte nderin e pacenuar të vatrave stërgjyshore”. Ky këndvështrim është shumë domethënës: heroizmi nuk i takon vetëm një emri, por një bashkësie të tërë, ku edhe gratë e fëmijët përfshihen në të njëjtin univers sakrifice. Së këndejmi, autori përdor formulimin: “Heroizëm i pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore e mahnitëse...” Këtu Prekazi shndërrohet në një altar ku çdo moshë dhe çdo jetë merr pjesë në të njëjtin betim të heshtur.

Një nga pjesët më të prekshme është kërkimi i të mbijetuarve dhe kalimi i Besartës ndërmjet kufomave. Kjo skenë është e përshkuar me dhimbje të mprehtë, të zhveshur nga britma, sepse tmerri është bërë aq i madh sa fjalët nuk mjaftojnë më. Ajo gjen gjyshin e gjyshen, prindërit, të afërmit, të vrarë mes rrënojash dhe trupash të përzier. Por pyetja e saj më e madhe është: ku është baca Adem? Kjo pyetje është më shumë se familjare. Është pyetja e një populli që kërkon trupin e heroit dhe gjen në vend të tij jehonën. Dhe përgjigjja që jep autori është një nga më të bukurat në gjithë librin: Ademi nuk gjendet më andejpari, sepse “po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Oslos, të Nju-Jorkut...” Këtu heroi shkëputet nga kufiri i vdekjes fizike dhe hyn në hapësirën e kujtesës kolektive. Ai nuk është më vetëm trup i rënë; është prani që lëviz në ndërgjegjen shqiptare.

Ky kalim nga historia në këngë është kryesori i këtij kapitulli. Autori e thotë hapur:

“O zot, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë. Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet.”

Kjo është fjalia që e shpjegon gjithë titullin. Adem Jashari bëhet legjenda e legjendave jo vetëm pse luftoi dhe ra, por sepse u pranua nga kënga, domethënë nga memoria më e thellë e popullit. Në traditën shqiptare, kënga është gjykim i historisë. Dhe kur kënga e merr dikë “me vete”, ai ka kaluar nga jeta e zakonshme në pavdekësi.

Kjo pavdekësi vuloset në vargjet popullore që autori sjell më pas:

Amanet o djali-djalit,

Mi këndue Adem Jasharit,

Që i tregoi mirë barbarisë,

Si qëndrojnë shqipet e lirisë...

Këtu Adem Jashari paraqitet si model i përhershëm i qëndresës shqiptare. Amaneti u lihet  brezave të tashëm dhe atyre djali-djalit, pra brezit pas brezi. Kjo është trajta më e lartë e kanonizimit popullor.

Një tjetër ide shumë e fortë është se vdekja e tyre nuk e shuajti flakadanin, por e zgjeroi atë. Në një pasazh tjetër libri thotë se “Flakadani i lirisë, jo që nuk u shua, por mori flakë edhe më shumë” dhe se “Amaneti i tij nuk shuhej dot. Ai buronte nga dheu, nga pragu, nga gjaku...” Kjo e bën të qartë se epopeja e Prekazit nuk ishte fund, por fillim. Flijimi i Jasharajve nuk mbylli një kapitull; e hapi një epokë të re të luftës çlirimtare.

6. Varret e lavdisë: nga masakra te shenjtërimi i flijimit

Ndërkaq kapitujt “Varret e lavdisë”, “Nga varrimi i Salë Jasharit” dhe “Sy më sy me vdekjen” e vazhdojnë këtë frymë heroizmi të paraqitjes. “Varret e lavdisë” është një nga pjesët më tronditëse të veprës, sepse këtu lufta nuk paraqitet më në çastin e përplasjes, por në heshtjen e saj më të rëndë: në çastin kur njerëzit depërtojnë në rrënoja, kërkojnë trupat, njohin të afërmit e masakruar dhe përpiqen t’u japin një varr të denjë.

Një nga imazhet më të fuqishme të kësaj pjese është ai i hyrjes së njerëzve në rrënojat e Jasharajve. Ata shkojnë për të nderuar të vrarët, por ajo që shohin është përtej përshkrimit: shkrumb, hi, oxhaqe të blozënxira, ushqime të shtypura me tanke, kafshë të vrara, tym që ende del prej gërmadhave. Këtu shtëpia  është trup i përdhosur i një bote që sapo është therur. Autori e thotë troç se këto janë “pamje tmerruese, që lapsi nuk i përshkruan dot”. Kjo është shumë domethënëse: vetë fjala shpallet e pamjaftueshme përballë asaj që ka ndodhur.

Në mes të kësaj bote të shkatërruar lind nevoja më njerëzore dhe më e lashtë: varrimi i të vdekurve. Pikërisht këtu ky kapitull merr një kuptim shumë të thellë kulturor dhe shpirtëror. Varrimi nuk është vetëm veprim praktik; është rikthim i dinjitetit atje ku barbaria ka dashur ta zhdukë krejtësisht. Prandaj vendimi që të vrarët të varrosen në Livadhin e Pajtimit është jashtëzakonisht simbolik. Vajza e Shabanit thotë: “Këta nuk janë vetëm të mitë, janë të të gjithëve, janë të Kosovës, janë të Shqipërisë.” Kjo fjali e ngre flijimin e Jasharajve përtej kufirit familjar dhe e kthen në pasuri të dhembshme të gjithë kombit. Varri, pra, nuk do të jetë privat; do të jetë shenjë e kombit.

Me skena të një tragjedie antike jepet skena e çeljes së  mbi gjashtëdhjetë varreve në vendin që do të quhet “Livadhi i Varreve të Lavdisë”. Vetë ky emër është i dyfishtë: i dhembshëm dhe madhështor njëherësh. Ai bashkon humbjen me nderimin, vdekjen me pavdekësinë. Autori e jep këtë moment me një qetësi të rëndë: “Mbi gjashtëdhjetë varre ngelën të hapura në vendin, që tash e lutje do të quhet Livadhi i Varreve të Lavdisë.”

Shumë prekëse është edhe skena me gazetaren e RAI-t, Elizabet, e cila alivanoset nga ajo që sheh në Prekaz. Autori e përdor këtë moment jo thjesht për ndjeshmëri, por për të treguar se tragjedia e Prekazit është përtej imagjinatës së zakonshme njerëzore. Shënimi i saj, se skena të tilla i ka parë ndoshta vetëm në filma horror, e vendos masakrën në një shkallë universale tmerri. Kështu, Prekazi nuk mbetet më vetëm plagë shqiptare; bëhet dëshmi për botën.

Varret e Prekazit ; janë altare të ndërgjegjes kombëtare. Ato janë vendi ku flijimi merr emër dhe ku kombi, përballë rrënimit, betohet të mos harrojë. Dhe pikërisht për këtë arsye titulli “Varret e lavdisë” është aq i saktë: sepse këto varre nuk përmbajnë vetëm trupa të vrarë, por lavdinë e atyre që u vranë pa u nënshtruar dhe të atyre që, edhe mes shkrumbit, nuk lejuan që krimi të mbulohej me dhe.

Në dy kapuitujt tjerë “Orë historie” dhe “Jasharajt, megjithatë, rrojnë...” Bedri Tahiri e zhvendos rrëfimin nga fusha e betejës në një hapësirë tjetër po aq të shenjtë: në shkollën dhe mbijetesën e kujtesës. Në njërin kemi bankat bosh, lulëkuqet dhe mungesën e fëmijëve të vrarë; në tjetrin kemi familjen e mbijetuar, qëndresën stoike dhe bindjen se, pavarësisht masakrës, jeta dhe amaneti i Jasharajve vazhdojnë. Kështu, pas flijimit dhe varrit, autori na jep një të vërtetë më të thellë: se liria nuk jeton vetëm te të rënët, por edhe te ata që mbeten për ta mbajtur gjallë emrin, kujtesën dhe rrugën e nisur.

Te “Orë historie” nis me një kohë të përmbysur moralisht. Jeta vazhdon, por jo si më parë; dita kalon, por nën peshën e ankthit, frikës dhe një dhune që ka hyrë deri te fëmijët dhe abetarja. Kjo ndjehet fort në fjalinë ku autori thotë se demonët “vunë thikën edhe në fytin e engjëjve të padjallëzuar”, duke treguar se barbaria nuk ndalet as para djepit, as para shkollës. Por pikërisht këtu hyn ideja qendrore: edhe në luftë duhet mbajtur mësimi. Vjen si thirrje për rikthim në shkollë; më shumë vjen si pohim se arsimi është formë qëndrese, se lapsi dhe kujtesa janë pjesë e së njëjtës betejë për liri.

Pesha emocionale e këtij kapitulli shtohet edhe më shumë kur autori i emërton një nga një nxënësit e vrarë. Emrat e Liries, Blerimit, Fatimes, Valdetes, Igballes, Igballit, Kushtrimit e Bujarit paraqiten si nxënës që “po mungonin me arsye” dhe që tash mund të gjenden “në libra historikë, në vargje të poetëve, në telat e çiftelisë e në pikturat e moshatarëve të tyre.” Kjo është një figurë jashtëzakonisht e fortë: fëmija del nga regjistri i ditarit dhe hyn në regjistrin e historisë. Në këtë kuptim, mungesa e tij në klasë është prani më e madhe në ndërgjegjen kombëtare.

Simboli qendror i kësaj pjese mbeten lulëkuqet mbi banka. Ato janë shenjë zie, por njëherësh edhe shenjë ripërtëritjeje. Lulëkuqja nuk vendoset mbi varr, por mbi bankë, pra mbi vendin ku duhej të vazhdonte jeta, mësimi, ëndrra. Kjo e bën figurën edhe më tronditëse.

Te shkrimi "Jasharajt, megjithatë, rrojnë...”, toni ndryshon: nga zija e klasës kalojmë te stoicizmi i familjes së mbijetuar. Qysh në fillim autori përdor një shprehje të fuqishme metaforike

Lisat e mëdhenj mund të rrëzohen, por nuk përkulen dot. Edhe në rast të rrëzimit u ngelin rrënjët e forta, që sërish bulërojnë në pranverë.”

Jasharajt paraqiten si lis i prerë në trung, por jo në rrënjë. Dhe pikërisht rrënjët janë vazhdimësia, gjaku, kujtesa, amaneti. Autori e përforcon këtë ide me një formulim tepër domethënës: “Shkuan njëzet, por mbetën edhe dhjetë. Damarëve të tyre rrjedh po ai gjak që u shndërrua në lulëkuqe lirie.” Pra, Jasharajt rrojnë jo vetëm biologjikisht, por si vazhdimësi morale e së njëjtës gjakësi të lirisë. Figura e Rifat Jasharit jepet me një qetësi gati monumentale. Ai refuzon lotin nga bindja se të rënët “nuk kanë vdekur, por kanë rënë në logun e mejdanit, për lirinë e Kosovës”. Kjo është filozofia e stoicizmit shqiptar që përshkon gjithë veprën: vdekja në luftë për liri nuk shihet si shuarje, por si ngritje në një kuptim më të madh. Kësisoj, edhe ngushëllimet në Munih nuk janë skenë thyerjeje, por skenë dinjiteti. Mandej vjen edhe figura e Besartës, “e gjalla mes të vdekurve”. Autori e paraqet atë si një dëshmi të rrallë njerëzore: një vajzë që kaloi “nëpër nëntë rrathët e ferrit dantesk” dhe mbeti “e kthjellët si loti”. Kjo figurë ka ngarkesë të madhe simbolike, sepse Besarta është ura mes dy botëve: ajo e pa ferrin, por doli prej tij me kujtesë të gjallë. Në të mbijeton jo vetëm një jetë e shpëtuar, por edhe rrëfimi i tragjedisë.

Në anën tjetër, figura e Marigonës së vogël dhe poezia që ajo reciton për Drenicën i japin librit një dritë të veçantë. Fëmija që këndon për lirinë, për Ahmet Delinë, Azem Galicën, Shabanin, Hamzën e Ademin, bëhet provë se amaneti nuk ka mbetur vetëm në të shkuarën, por ka hyrë në zërin e brezit të ri. Kjo është arsyeja pse autori e sheh atë si “margaritar të pastër që me zë kanarine josh lirinë”. Këtu poezia e fëmijës nuk është stoli, por shenjë se edhe pas masakrës, kënga dhe kujtesa vazhdojnë.

Shumë domethënës është edhe fundi i fragmentit, kur autori pyet për dasmat dhe përgjigjet se “shqiptari nuk mban zi. Lufta është dasmë. Dasma në luftë.” Kjo mund të tingëllojë paradoksale, por në të vërtetë shpreh filozofinë e ringritjes: tragjeditë nuk fitohen vetëm me lot, por edhe me vazhdim jete, me martesë, me ripërtëritje, me lindje të reja. Kjo përmbyllet bukur me brohorinë: “Bekimi i Hamzë Jasharit u martua!... Jasharajt, megjithatë, rrojnë.” Këtu titulli merr kuptimin e plotë: ata rrojnë në gjak, në emër, në këngë, në kujtesë, në dasmë, në vazhdimësi.

Kapitulli “Ato presin babanë t’ua sjellë lirinë” është një ndër pjesët më të dhimbshme dhe më të ndritura të këtij libri, sepse këtu dhimbja nuk rrëfehet vetëm si humbje, por si pritje, si besim dhe si vazhdimësi e idealit. Titulli vetë është tronditës: dy vajza të vogla, me lule në dorë, presin një baba që nuk do të kthehet më fizikisht, por që në ndërgjegjen e autorit dhe të popullit kthehet pikërisht si ai që ua solli lirinë. Kështu, shkrimi ngrihet mbi një paradoks të madh poetik: mungesa e babait shndërrohet në prani historike. Autori e zgjeron këtë ide kur thotë se pas rënies së tij “Një emër që tundi globin” dhe se “U mbushën malet plot Adema!” Kjo shprehje do të thotë se Adem u bë model, frymëzim, shumëzim i vetvetes në ndërgjegjen kolektive. Përforcohet edhe me pamjen e qyteteve që dridhen nga thirrjet: “Prishtina, Shkupi, Tirana, Vjena, Boni, Nju-Jorku e Oslo-ja dridheshin nga thirrjet e fuqishme: ‘Adem Jashari! Adem Jashari!’ dhe ‘UÇK, UÇK!’” Këtu emri i tij bëhet jehonë e një populli të tërë, por edhe një thirrje që kapërcen kufijtë e Kosovës.

Mandej autori e zbret rrëfimin nga figura e madhe historike te figura e një luftëtari të ri, Adem Ramadan Ademit nga Galica, i cili bie në kufi dhe me vdekjen e tij lidh idealin e lirisë me dhimbjen e dy vajzave të vogla.

Autori e ngre edhe më lart kuptimin e kësaj vdekjeje kur shkruan se ai “mbeti atje përjetë, që murin ndarës ta kthejnë në palcë të fortë kurrizore të bashkimit kombëtar” dhe se “Gjaku i tij edhe gurët e kufirit do t’i shndërrojë në lulëkuqe.” Kjo është një figurë me ngarkesë të jashtëzakonshme poetike. Kufiri, që zakonisht ndan, këtu kthehet në shpinë të bashkimit; guri i ftohtë i kufirit kthehet në lulëkuqe. Pra, gjaku i dëshmorit nuk ushqen vetëm kujtimin, por edhe shpresën.

7. Nga pafajësia e fëmijës dhe madhështia tragjike e flijimit

e deri te kthimi shpirtëror i luftëtarit në atdhe

Dhe pikërisht këtu vjen titulli në gjithë peshën e vet: “E vajzat e tij miturake, Hyria dhe Elfatja, me lule në dorë presin babanë t’ua sjellë lirinë andej diku nga malet me dëborë.” Kjo është një nga fjalitë më të dhimbshme të këtij libri. Në të përplasen dy botë: pafajësia e fëmijës dhe madhështia tragjike e flijimit. Vajzat nuk e kuptojnë ende plotësisht vdekjen, prandaj presin. Por autori e kthen këtë pritje në simbol kombëtar: ato nuk presin më vetëm babanë e tyre, por babanë-luftëtar, babanë-dëshmor, babanë që me rënien e vet po ua sjell lirinë jo vetëm atyre, por një populli të tërë.

Në planin më të thellë, autori ligjëron për mënyrën se si flijimi heroik përçohet në gjuhën e fëmijëve. Fëmija nuk flet me teori politike, as me histori të mëdha; ai flet me lule dhe me pritje. Dhe pikërisht kjo e bën këtë pjesë kaq të fortë: liria, që në shumë fragmente të tjera vjen si betim, pushkë, kushtrim apo këngë, këtu vjen si premtim i heshtur i një babai për bijat e veta.

Bedri Tahiri bashkon urtinë popullore, filozofinë e pavdekësisë, mitin e Adem Jasharit dhe dhimbjen konkrete të një familjeje shqiptare. Këtu vdekja nuk mohohet, por kapërcehet. Heroi bie, por nuk mbyllet në dhe. Ai kthehet në emër që tund botën, në këngë që zgjon malet, në shembull për brezat dhe, mbi të gjitha, në shpresë për fëmijët që ende e presin. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia më e madhe e këtij libri: te fakti që liria, para se të bëhet realitet historik, shihet fillimisht në sytë e dy vajzave të vogla që presin babanë me lule në dorë.

I tillë është edhe kapitulli “Po shkoj te komandanti im” është një nga pjesët më të bukura të këtij libri, sepse këtu historia e luftës, kujtesa e brezave dhe dashuria bashkëshoqërore e bashkëshortore shkrihen në një rrëfim të vetëm. Në këtë pjesë, Bedri Tahiri na jep një episod biografik për Fehmi e Xhevë Lladrovcin; ai ndërton një urë të gjallë midis Azem e Shotë Galicës dhe Fehmi e Xhevë Lladrovcit, duke treguar se lufta për liri në Kosovë nuk është ngjarje e shkëputur, por amanet që kalon nga një brez në tjetrin. Kjo vazhdimësi shprehet fuqishëm që në hyrje, kur kujtesa e Azemit dhe Shotës shndërrohet në dialog simbolik me fatin e Xhevës dhe Fehmiut.

Në pjesën kryesore qëndron vetë fjalia që i jep titullin këtij kapitulli: “Unë po shkoj te komandanti im, Adem Jashari.” Kjo fjali ka peshë shumë më të madhe se një njoftim i thjeshtë. Ajo është deklaratë zgjedhjeje, betim dhe rreshtim moral. Fehmiu nuk thotë se po shkon thjesht në luftë; ai thotë se po shkon te komandanti i tij, pra te vatra e idealit, te figura që mishëron luftën e drejtë për liri. Në këtë mënyrë, figura e Adem Jasharit e gërsheton udhëheqjen ushtarake me fuqinë morale që bashkon luftëtarët më të vendosur.

Shumë i fuqishëm është edhe çasti i kthimit të Fehmiut dhe Xhevës në Kosovë. Aty kemi një lëvizje që është njëkohësisht kthim fizik dhe kthim shpirtëror. Ata kthehen në atdheun që i thërret me zërin e luftës. Kjo ndjehet edhe në atë atmosferë të brendshme të kullës, ku zërat e Zahides dhe Ademit tingëllojnë si jehonë e një epoke heroike. Aty nëna nuk del si figurë e frikës, por si bekim i luftës dhe i trimërisë. Kjo prani e nënës, që e ushqen birin me idealin e lirisë, është një nga elementet më të bukura të traditës sonë epike.

Një tjetër moment i rëndësishëm është bashkimi i dashurisë me luftën. Fehmiu dhe Xheva nuk paraqiten si çift i zakonshëm; ata janë shokë jete dhe shokë lufte. Kjo e bën marrëdhënien e tyre shumë më të thellë se lidhja private. Dashuria e tyre jeton brenda historisë. Ata luftojnë bashkë nëpër fronte, kthehen bashkë në Kosovë, bien bashkë në altarin e lirisë. Kështu, autori ndërton një figurë të dyfishtë heroike, ku burri dhe gruaja janë të barabartë në përkushtim dhe në flijim.

Kulmi tragjik dhe madhështor vjen te rënia e Fehmiut dhe Xhevës. Fehmiu, i plagosur rëndë, urdhëron të tjerët të tërhiqen dhe qëndron i fundit, sipas etikës së kapedanit që “e braktis i fundit anijen”. Në atë çast, ai nuk mendon për veten, por për popullin dhe për ushtarët. Edhe Xheva, përballë vdekjes së tij, nuk e humb qëndrueshmërinë, por vazhdon luftën. Fjala e saj “tash unë urdhëroj këtu” e ngre figurën e saj në kulm të komandës morale dhe luftarake. Dhe fjalët e fundit të saj, “Rroftë Kosova e lirë!”, e vulosin këtë figurë si një Shote të re të kohës sonë.

Shumë domethënës është edhe reagimi poetik pas rënies së tyre. Vargjet e Agim Vincës:

Lamtumirë Fehmi!

Lamtumirë Adem!

Lamtumirë kapedanë!

Me ju Kosova u bind se kishte bij

Me ju ndjen se ishte Nanë!

e vendosin Fehmiun në të njëjtin horizont simbolik me Adem Jasharin. Kjo elegji na vjen edhe si akt njohjeje historike. Kosova, përmes këtyre figurave, e kupton veten si tokë që lind bij të denjë për liri.

8. Gjaku, varri dhe pavdekësia: poetika e kujtesës së martirizimit

Kapitujt “Gjakun nuk e lau shiu”, “Trimat jetojnë pas vdekjes” dhe “Hëna sypërlotur dhe varret binjake” lidhen si një triptik i vetëm: i pari e ngre gjakun në dëshmi të pashlyeshme, i dyti e kthen vdekjen në vazhdimësi të jetës shpirtërore, ndërsa i treti e vendos dhimbjen në peizazhin e mërguar të popullit, ku morti, ikja dhe kujtesa ecin bashkë. Bedri Tahiri na thotë se liria nuk lind vetëm nga beteja, por edhe nga mënyra si një popull e ruan gjakun, varrin dhe emrin e atyre që ranë.

Nga kjo ide kalojmë natyrshëm te shkrimi  “Trimat jetojnë pas vdekjes”, ku vdekja nuk shihet si fund, por si hyrje në pavdekësi. Autori e nis me një reflektim mbi raportin mes armës dhe muzës, mes luftës dhe krijimit, për ta sjellë pastaj figurën e Mustafë Shytit, poetit dhe mësuesit që, në çastin e luftës, e lë penën për të rrokur armën. Kjo figurë është shumë domethënëse: te Mustafa bashkohen kultura dhe rezistenca, lahuta dhe pushka, fjala dhe flijimi.

Ndërsa punimi “Hëna sypërlotur dhe varret binjake”, e zgjeron këtë univers dhimbjeje e qëndrese. Këtu nuk jemi më vetëm te figura e heroit të rënë, por te turma e zhvendosur, e përndjekur, e ndjekur nga granatat, te njerëzit që ecin mes ferrit me shpresë të thyer. Skena është e tmerrshme: karvane refugjatësh, granata mbi koka, ndarje burrash nga gratë e fëmijët, ekzekutime, djegie, përdhosje e bustit të Azem Galicës. Në këtë ferr bie edhe profesori Enver Haliti, figurë e dijes dhe e qëndresës. Vrasja e tij ka peshë të veçantë, sepse ai nuk ekzekutohet vetëm si njeri, por si intelektual që kishte sfiduar burgun, torturat dhe harresën. Zëri i Fitim Jasharit “Mos, profesorin tim të mirë, mos, gjakatarë!”, e bën këtë skenë edhe më të rëndë, sepse aty përplasen dijetari dhe hanxhari, mësuesi dhe barbari.

Edhe këtu autori i jep rrëfimit një thellësi të madhe historike përmes figurës së plakut Shaban Bajrami, që ecën drejt varreve dhe flet për katërmbëdhjetë meshkuj të rënë nga familja e tij. Ai e sheh këtë si amanet brezash: “Meshkujt tanë kurrë nuk i zuri vdekja me krye në jastëk, por në fushën e nderit, në frontet e luftës.” Kjo është një fjali që përmbledh gjithë etikën e këtij fragmenti. Vdekja në shtrat është rastësi biologjike; vdekja në front, për këtë botë morale, është përmbushje dinjiteti.

Nëse te “Gjakun nuk e lau shiu”, historia shkruhet me gjak, te “Trimat jetojnë pas vdekjes”, vdekja kthehet në pavdekësi, ashtu sikundër te “Hëna sypërlotur dhe varret binjake”, kujtesa bëhet peizazh, mort dhe amanet. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e Bedri Tahirit: ai sado që rrëfen tragjedi, e bën një hap më tutje: me mënyrën si tragjedia shndërrohet në kujtesë kombëtare, si gjaku bëhet tekst, si varri bëhet altar dhe si emri i të rënëve vazhdon të jetojë përtej vdekjes.

Le të vijmë te tekstet tjera, siç janë "Ankthe netësh gjatë plojës në Qyqavicë” dhe “Krimi që tundi botën”, që, po ashtu, janë janë ndër më të rëndat e krejt veprës, sepse këtu lufta nuk paraqitet më si betejë mes forcash, por si plojë mbi njerëzit e pambrojtur, si një makinë shfarosjeje që synon jo vetëm trupin, por edhe shpirtin, kujtesën dhe vetë ndjenjën e njerëzores. Në të parin kemi ankthin kolektiv të popullatës së ndjekur nëpër male, netët e gjata nën granata, urinë, frikën dhe tmerrin e pritjes; në tjetrin kemi kulmin e barbarisë, aty ku viktimë bëhen foshnjat, gratë, pleqtë dhe e pafajshmja familjare. Bashkë, këto pjesë formojnë një tablo ku Qyqavica si vend i dhembjes, është edhe pasqyrë e një krimi që tejkalon kufijtë e çdo lufte të zakonshme.

Pjesa më tronditëse është padyshim masakra mbi familjen Deliu. Autori nuk e zbut pamjen: flet për therje, sëpata, thika, trupa të copëtuar, dhe veçanërisht për Valmirin e vogël, të masakruar me thithësen ende në gojë. Kjo është një nga ato skena që tejkalojnë edhe vetë mundësinë e përshkrimit. Dhe kjo ndjehet në reagimin e gazetares angleze, që nuk mund të shohë deri në fund kompletimin e gjymtyrëve të trupave të familjes. Lista e 21 viktimave të familjes Deliu e kthen këtë masakër në dokument të pamohueshëm të krimit. Mirëpo, edhe në mes të kësaj errësire, autori fut një figurë që e trondit thellë kuptimin e vdekjes: foshnjën Dituri, dy muajshe, të gjetur e gjallë nën fustanin e së ëmës Lumni. Kjo skenë ka peshë simbolike të jashtëzakonshme. Foshnja është e mbuluar me gjak, por e gjallë. Dhe kur gazetari i moshuar thotë: “Kur foshnja mund vdekjen, liria është në prag”, kemi një nga fjalitë më të fuqishme të gjithë këtij kapitulli. Këtu FDituria, foshnjë e shpëtuar; bëhet metaforë e vetë lirisë që mbijeton mes therorisë.

Valmiri i masakruar, në anën tjetër, “pushtoi ekranet televizive botërore”, duke u bërë “një trokitje në ndërgjegje”. Kjo është shumë domethënëse. Autori tregon se krimi i kryer në Abrí nuk mbeti vetëm dhembje lokale; ai u kthye në figurë universale të barbarisë dhe në thirrje të fortë ndaj botës së heshtur. Pra, fëmija i vrarë dhe foshnja e shpëtuar bëhen dy simbole që tronditin mekanizmat ndërkombëtarë: njëri si dëshmi e së keqes absolute, tjetri si shenjë e së ardhmes që nuk u shua dot.

9.

Ndërkaq, dy kapitujt tjerë, "Në tokën e djegur sërish tymojnë oxhaqet” dhe “Të vaftë pushka mbarë, ore bir!” ndërlidhen thellë me njëri-tjetrin, sepse i pari flet për rikthimin e jetës mbi rrënoja, ndërsa i dyti për vullnetin e popullit që e ushqen atë jetë me luftë, besë dhe sakrificë. Te i pari kemi tokën e djegur, varret, oxhaqet dhe kthimin e të mbijetuarve; te i dyti kemi nënën që e dërgon të birin në luftë, komandantin që e pret dhe popullin që nuk thyhet. Bashkë, këto dy pjesë japin një nga mesazhet më të fuqishme të librit: pushtuesi mund të djegë shtëpitë, por nuk mund të shuajë trungun; mund të rrënojë kullat, por nuk mund të ndalë tymin e oxhakut shqiptar.

Njerëzit kthehen nëpër katundet e shkrumbuara dhe nuk e njohin më as vendin e vet. Prandaj pyetja e plakës: “O zot, cila ka qenë shtëpia jonë?” është shumë më tepër se hutim praktik; ajo shpreh tronditjen e njeriut që gjen të përmbysur jo vetëm shtëpinë, por vetë hartën shpirtërore të jetës së tij. Në këtë botë të bërë hi, gjithçka duket e përzier, e humbur, e paemër. Pikërisht në këtë ferr të ftohtë del simboli qendror i kësaj pjese të librit: oxhaku. Njëri prej burrave thotë: “I shihni oxhaqet si qëndrojnë në këmbë? Ato janë simbole jete... Ato nesër sërish do të vjellin tym.”

Kjo është një nga figurat më të forta të gjithë tekstit. Oksigjeni i jetës nuk lidhet më me murin, çatinë apo pasurinë, por me oxhakun. Për sa kohë rri në këmbë oxhaku, jeta nuk ka vdekur. Oxhaku është kujtesë, vazhdimësi, pagëzim i dheut me frymë familjare. Në këtë kuptim, kthimi në tokën e djegur nuk është fund zie, por fillim ringritjeje.

Edhe para varreve qëndrimi i të kthyerve është i veçantë: pa rënie, pa dëshpërim të shthurur, por me homazh force e përjetësie. Kjo lidhet me gjithë etikën e veprës, ku vdekja për liri nuk e rrëzon njeriun, por e ngre në nderim.

Tek kapitulli “Të vaftë pushka mbarë, ore bir!”, pas rikthimit mbi rrënoja vjen hapi tjetër: hyrja e brezit të ri në luftë. Kjo pjesë është ndërtuar mbi mallin e atdheut, thirrjen e tokës dhe bekimin e nënës. Figura e Liridonit, i kthyer nga Australia e largët, përfaqëson shqiptarin që mund të ketë gjithçka në botë, por jo qetësi pa vendlindjen. Ai nuk e duron dot largësinë, sepse “malli i atdheut për çdo ditë e pickonte ashpër”, ndërsa ëndrra me të ëmën e veshur në të bardha bëhet një lloj thirrjeje nga nëna dhe nga dheu njëherësh. Kthesa vendimtare vjen kur ai merr vesh për gjëmën në Drenicë. Atëherë çdo dilemë hiqet dhe nis rruga drejt frontit. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtu lufta shihet si përgjigje e detyrueshme ndaj thirrjes morale. Kësisoj, edhe skena në komandë fiton një bukuri të veçantë. Nëna hyn pa drojë dhe i thotë komandantit: “ma gjej një pushkë edhe për djalin tim”, ndërsa në fund, pasi e sheh të veshur me uniformë, e puth në ballë dhe i thotë: “Të vaftë pushka mbarë, ore bir!” Kjo është një nga skenat më të forta të krejt veprës, sepse përmbledh në një fjali të vetme etikën e nënës shqiptare: ajo nuk e ndal të birin; e bekon.

Ky bekim është shumë më tepër se fjalë nënë. Ai është miratim kombëtar, trashëgimi e pathënë e grave që nuk e kanë parë luftën si turp, por si nevojë historike. Kjo lidhet edhe me figurën e plakës Ajshe, që thotë se djepat tanë nuk mbesin thatë dhe se jeta ripërtërihet edhe pas masakrës. Pra, nënat tona nuk japin vetëm lot; japin edhe vazhdimësi.

Libri e forcon këtë ide edhe me përshkrimin e dezertimeve serbe. Autori e tregon qartë se armikut i mungon morali luftarak, ndërsa UÇK-së i shtohen vullnetarët “nga të gjitha anët”. Kjo përballje është shumë e rëndësishme në planin eseistik: njëra anë lufton me urdhër, tjetra me bindje; njëra me frikë, tjetra me ideal. Kështu, edhe shthurja e ushtrisë serbe paraqitet si shenjë e një gremisjeje morale.

Autori e zgjeron edhe më shumë horizontin me skenën e plakut që sjell nipin e tij si zëvendësim për Agronin e vrarë, me dëshirën që ai të bëhet ushtar i Prekazit legjendar. Kjo skenë fuqizon mesazhin se lufta e Kosovës ushqehet nga kujtesa shekullore e një vendi që “aty ku iu dha pushka e parë Serbisë” vazhdon të japë luftëtarë.

Autori, tek kapitujt “Kodra e Dëshmorëve” dhe “Me fat përjetësia Adem Jashari!” bën një lidhje të thellë shpirtërore dhe simbolike: ai na çon te varri i përbashkët i flijimit, aty ku dhembja bëhet nderim dhe ku emrat e rënë shndërrohen në yje të pavdekësisë. Mandej  na çon te përjetësimi i figurës së Adem Jasharit, aty ku historia, miti, flamuri dhe UÇK-ja bashkohen në një kremte të shenjtë kombëtare. Pra, te “Kodra e Dëshmorëve” kemi heshtjen mortore të kombit, ndërsa te “Me fat përjetësia Adem Jashari!” kemi shpërthimin e kujtesës në pavdekësi.

Figura qendrore është vetë Kodra e Dëshmorëve. Ajo është një hapësirë e shenjtë kombëtare. Kur autori thotë se “Polaci i Hasan Prishtinës hapi zemrën e ngrohtë valë për t’u bërë vend të merituar martirëve të kombit”, ai e personifikon tokën si nënë që pret bijtë e saj të rënë. Kjo skenë e bën aktin e varrimit një akt kthimi në gjirin e dheut mëmë.

Një nga pjesët më prekëse është çasti kur arrijnë arkivolet dhe para turmës heshtake shfaqen “33 ushtarë në arkivole, shndërruar në flamuj lirie”. Kjo është skenë shumë e fuqishme: dëshmorët nuk shihen më si trupa të pajetë, por si vetë flamuri i gjallë i lirisë. Ata janë rreshtuar “për front”, pra edhe në vdekje nuk dalin si të mundur, por si luftëtarë që vazhdojnë të qëndrojnë në vijë të parë të historisë.

Këtu autori i jep vend të veçantë edhe nënës shqiptare. Fjala e saj: “Dhembjen ta kthejmë në forcë” dhe “Të gjithë ata që po i dalin zot këtyre trojeve janë bijtë e mi” është thelbi moral i këtij kapitulli. Dhimbja personale e nënës merr përmasa kombëtare. Ky është një motiv që përshkon gjithë librin: Lotët e nënës shqiptare shprehin kuptimin e flijimit.

Po aq prekës është edhe momenti kur plaku i moshuar i flet nipit të vrarë: “në jetë duhet dëgjuar vetëm një zë, zërin e atdheut”. Kjo fjali është një nga gurët moralë të librit. Kjo shërben si testament brezash, përtej një këshille familjare. Dhe fakti që nipi e ka mbajtur mend deri në flijim e bën vdekjen e tij të paraqitet si realizim i një amaneti. Kodra e Dëshmorëve” bëhet toponim i ri, por edhe emër i ri i kujtesës shqiptare.

Në kapitullin pasues, “Me fat përjetësia Adem Jashari!”, autori shkon edhe më larg: nga varri i dëshmorëve kalon te përjetësia e komandantit. Këtu gjuha bëhet më e lartë, më mitike, më himnike. Autori e nis me një ton gati biblik, duke folur për krijimin e botës dhe pastaj për krijimin e “një Adami të ri”, Adem Jasharit. Kjo mënyrë ndërtimi e ngre figurën e tij në shkallë themeluese: ai del si njeri i zgjedhur për një mision të madh historik.

Shumë e fuqishme është fjalia: “Pasi mblodhi fuqinë, mençurinë, trimërinë, bukurinë dhe bujarinë, brumosi mirë e mirë edhe një Adam të ri, Adem Jasharin.” Kjo është një mënyrë e qartë e mitizimit: Adem Jashari del si përmbledhje e virtyteve më të larta të kombit. Ai nuk paraqitet vetëm si luftëtar, por si krijesë simbolike e së mirës kombëtare.

Kjo pjesë e librit arrin majën e kikës së vet te shprehja e urimit: “Me fat përjetësia, o Adem Jashari!” Kjo është një formulë e rrallë dhe tepër e bukur. Nuk i urohet më jeta, sepse ai tashmë e ka tejkaluar jetën biologjike; i urohet përjetësia. Kjo e bën figurën e tij të dalë përfundimisht nga koha e zakonshme dhe të hyjë në kohën e pavdekshme të kombit.

Edhe Flamuri merr përmasë të veçantë. Dhe kur autori thotë se në Prekaz ai valëvitej “por jo e tëra... ca flatra ia kishte pllakosur gjaku”, ai krijon një figurë të jashtëzakonshme: flamuri është ende i gjallë, por i rënduar nga sakrifica. Kjo shpalosje e bën edhe më të ndritshëm kuptimin e lirisë që ende pritet të plotësohet.

10. Epilogu si mesazh i fundit i lirisë dhe i pavdekësisë

Vjen “Epilogu” i veprës. “ ‘Epilogu’ i Bedri Tahirit sintetizon shpirtërisht tërë veprën, duke bashkuar dhimbjen, historinë, kujtesën dhe shpresën në një zë të vetëm. Autori e nis me figurën e Sizifit, jo rastësisht. Sizifi simbolizon mundimin e pafund dhe këmbënguljen shqiptare: popullin që e ngre gurin e lirisë përpjetë, edhe kur historia e rrëzon vazhdimisht poshtë. Në këtë mënyrë, epilogu e shndërron vuajtjen në provë morali dhe qëndrese.

Një nga idetë kryesore të këtij epilogu është se viti i luftës ishte njëkohësisht vit i shkatërrimit dhe i zgjimit kombëtar. Autori e sheh UÇK-në si forcën që e shpëtoi dinjitetin moral e kombëtar të shqiptarizmit, duke e nxjerrë popullin nga dëshpërimi total dhe nga një gjendje nënshtrimi të heshtur. Në këtë epilog libri, Adem Jashari del si pikë simbolike referimi e gjithë kësaj drame kombëtare. Epilogu i jep përmasa mitike figurës së tij si komandant lufte dhe simbol të një fundshekulli.

Autori e mbyll librin me bindjen se e ardhmja i takon atyre që e duan lirinë dhe që e vadisin atë me gjakun e tyre. Kjo bindje forcohet nga renditja e gjatë e dëshmorëve dhe e masakrave, që autori i paraqet si kujtesë dhimbjeje dhe si dëshmi e fundit e një regjimi në rrugë drejt rënies. Së këndejmi, në kuptimin më të thellë, ky epilog nuk e mbyll librin. Ai e hap atë drejt historisë, drejt këngës dhe drejt kujtesës së ardhshme. Dhe pikërisht për këtë arsye tingëllon si një testament: Adem Jashari dhe ata që ranë me të nuk mbeten vetëm personazhe të një rrëfimi, por bëhen matës moral i lirisë shqiptare.

2010, mars 2026



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx