| E diele, 08.03.2026, 06:57 PM |

EPOPEJA E PREKAZIT NË RRËFIMIN MONUMENTAL DOKUMENTAR TË BEDRI TAHIRIT
(Dekalog
leximi: Libri “ADEM JASHARI, LEGJENDË E LEGJENDAVE” i BEDRI TAHIRI, botim i dhjetë
i plotësuar, Gazeta RILINDJA, Prishtinë, 2017)
Nga
Prend BUZHALA
Figura
e Adem Jashari dhe epopeja e familjes Jashari në Prekaz kanë zënë një vend të
veçantë në kujtesën historike dhe nacionale-kulturore të shqiptarëve. Për këtë
figurë janë shkruar shumë libra: vepra historike, publicistike, dokumentare,
madje edhe studime e kumtesa shkencore nga institute dhe studiues të ndryshëm.
Krahas tyre, nuk kanë munguar as krijimet letrare, si poema, drama dhe poezi,
të cilat kanë synuar ta shndërrojnë heroizmin e kësaj figure në një simbol
artistik të qëndresës dhe sakrificës kombëtare. Kjo shumësi shkrimesh na
dëshmon se figura e Adem Jasharit nuk është vetëm objekt i historisë, por edhe
burim frymëzimi për letërsinë, publicistikën dhe mendimin kulturor shqiptar.
1. Vepra si themel i kujtesës për Adem Jasharin
Megjithatë,
ndër gjithë këto vepra, njëra ka fituar një njohje të veçantë dhe është bërë
pothuajse sinonim i rrëfimit për këtë figurë historike. Fjala është për librin
dokumentar “Adem Jashari , legjendë e legjendave” të Bedri Tahiri. Kjo vepër u
botua në një kohë kur kujtesa për ngjarjet e Prekazit ishte ende e freskët dhe
kur shoqëria shqiptare kishte nevojë për një rrëfim të dokumentuar, por edhe
emocionalisht të fuqishëm, që ta artikulonte përmasën historike dhe morale të
sakrificës së Jasharajve. Pikërisht kjo kohë e duhur dhe përkushtimi i autorit
e bënë librin të përhapet gjerësisht dhe të ribotohet disa herë.... deri tek
botimet tjera që e kapërcejnë edhe të dhjetin.
Studiues
dhe kritikë të ndryshëm e kanë vlerësuar këtë vepër si një dëshmi të
rëndësishme të kohës. Sipas vlerësimit të Zymer Neziri, libri i Bedri Tahirit
është shkruar për njeriun që i dha një kuptim të ri jetës dhe krenarisë së
popullit të vet. Në këtë këndvështrim, Adem Jashari paraqitet si një luftëtar
dhe si figurë që rikthen dinjitetin e
shkelur të një populli. Autori, sipas këtij vlerësimi, pati guximin që i pari
të përballej me një figurë kaq të madhe dhe të ndritshme të historisë së re
shqiptare. Edhe studiuesi Zenun Gjocaj e vlerëson veprën si dëshminë e parë të
madhe publicistiko-letrare për këtë ngjarje. Nga ana tjetër, publicisti Xhemail
Ali Peci e quan këtë libër një “libër-monument”, të ngritur me flatrat e fjalës
shqipe.
Kësisoj,
vepra “Adem Jashari – legjendë e legjendave” shfaqet si tekst që ndërlidh
dokumentin historik me përjetimin letrar, dëshminë faktografike me reflektimin
intelektual. Kjo vepër, përpos që i kashtohet një figure historike, është
përpjekje për ta kthyer një ngjarje tragjike dhe heroike në kujtesë kolektive dhe në simbol identitar. Kësisoj,
kjo vepër mbetet një nga tekstet më të rëndësishme që kanë kontribuar në
formësimin e mitit modern të Adem Jasharit dhe të epopeve të rezistencës
shqiptare në fundin e shekullit XX. Autori përdor gërshetime të rrëfimit
dokumentar-historik, esesë reflektuese, prozës poetike dhe diskursit epik, të
thurin një tekst që është njëkohësisht dëshmi historike dhe interpretim letrar
i luftës së Kosovës dhe figurës së Adem Jasharit.
Me
një rast, shkrimtarin dhe studiuesin Bedri Tahiri e kam quajtur kronikan të
Drenicës. Ky përcaktim nuk është vetëm një figurë stilistike, por një vlerësim
që mbështetet në një korpus të gjerë veprash që ai ia ka kushtuar historisë,
figurave dhe kujtesës së kësaj treve. Nëpërmjet librave të tij ai ka ndërtuar
një kronikë të gjerë dokumentare dhe publicistike për Drenicën, për luftërat,
për figurat e saj historike dhe për traditën e qëndresës shqiptare. Ky numër i
madh librash dëshmon se veprimtaria e Bedri Tahirit është e lidhur ngushtë me
historinë dhe kujtesën e Drenicës.
Një
vend të veçantë në krijimtarinë e tij zë libri dokumentar për komandantin
legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, “Adem Jashari,
legjendë e legjendave” (1999), vepër që është ribotuar shumë herë dhe ka
arritur deri në botimin e dhjetë (2018). Ky fakt dëshmon jo vetëm rëndësinë e
figurës historike që trajton libri, por edhe ndikimin që ka pasur kjo vepër në
formësimin e kujtesës kolektive për luftën dhe sakrificën e familjes Jashari.
2. Libri si qenie shpirtërore
Libri
dokumentar-historik “Adem Jashari, legjendë e legjendave” i autorit Bedri
Tahiri është një vepër e rëndësishme në
historiografinë dhe publicistikën shqiptare, pasi trajton jetën, figurën dhe
veprimtarinë e njërit prej simboleve më të mëdha të luftës çlirimtare shqiptare
për liri. Trajton gjithashtu historinë e familjes Jashari, duke i përshkruar rrënjët e saj patriotike dhe
ndikimin që kjo familje pati në lëvizjen për liri. Në këtë kontekst, autori
përshkruan rëndësinë e edukimit patriotik dhe të traditave familjare në
formimin e karakterit të Adem Jasharit. Autori e vendos këtë histori në një
kontekst më të gjerë historik, duke filluar nga traditat e Drenicës dhe
kulturën e rezistencës që karakterizonte këtë trevë. Në vepër theksohet se
Drenica ka qenë gjithmonë një vatër e qëndresës shqiptare: “Në qendër të Dardanisë ilire, përkatësisht të Kosovës së sotme, zë
vend Drenica heroike. Kjo fole trimash… me armë në dorë çau shtigjeve të
lirisë.”
Gjuha
e përdorur nga autori është e përshkuar me veçori simbolike dhe patriotike,
duke krijuar një atmosferë të fortë emocionale që e afron lexuesin me
realitetin e kohës së luftës. Për më tepër, libri përmban edhe reflektime
personale të autorit mbi procesin e krijimit të veprës, duke theksuar se
dorëshkrimi i saj lindi në rrethana të vështira të luftës:
“Edhe libri 'Adem
Jashari, legjendë e legjendave' ka një histori, sa të dhimbshme, aq edhe
krenare. U lind në kohë të pa kohë, në rrethana lufte.”
Kjo
përmasë personale dhe emocionale i jep veprës vlerë të veçantë historike, dhe,
gjithsesi, edhe letrare. Kështu, edhes stili del një nga veçoritë kryesore, i
ndërthurur mes dokumentit historik dhe rrëfimit letrar. Që në fillim të librit
theksohet rëndësia simbolike e kësaj figure për lirinë e Kosovës:
“Po të kishte çmim Nobel
për lirinë, ai çmim do t’i takonte Adem Jasharit!”
Një
tjetër tipar i rëndësishëm i stilit të shkrimit është përdorimi i rrëfimeve
personale dhe kujtimeve historike. Për shembull, autori e përshkruan historinë
e dorëshkrimit të librit që u krijua gjatë luftës, duke theksuar vuajtjet dhe
rrethanat dramatike të kohës:
“Edhe libri Adem Jashari
– legjendë e legjendave ka një histori, sa të dhimbshme, aq edhe krenare. U
lind në kohë të pa kohë, në rrethana lufte.”
Ky
aspekt e bën librin jo vetëm një dokument historik, por edhe një dëshmi
shpirtërore dhe personale të një periudhe të rëndësishme të historisë
shqiptare. Libri ka gjithashtu vlera të rëndësishme dokumentare, sepse përmban
informacione dhe rrëfime mbi ngjarjet historike, mbi traditat familjare dhe mbi
aktivitetin e lëvizjes çlirimtare. Autori përfshin dëshmi dhe intervista të
njerëzve që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjet e kohës, si dhe
referenca për stërvitjen dhe organizimin e luftëtarëve të UÇK-së.
Këto
dëshmi e bëjnë librin një burim të rëndësishëm për studiuesit dhe lexuesit që
duan ta kuptojnë më mirë historinë e luftës së Kosovës dhe figurën e
komandantit legjendar.
Prologu
i veprës hapet me një krahasim të thellë dhe simbolik: lindja e librit
krahasohet me lindjen e njeriut. Autori sugjeron se çdo libër, ashtu si secila
jetë njerëzore, bart në vete një histori të veçantë, një fat të caktuar dhe një
rrugëtim që lind nga vuajtja. Që në fillim krijohet një atmosferë reflektuese,
ku libri nuk shihet vetëm si tekst i shkruar, por si një qenie shpirtërore që
kalon sprova dhe përjeton dramën e kohës në të cilën lind. Autori thekson se
shumë vepra të mëdha të letërsisë lindin pikërisht nga dhimbja dhe vështirësitë
e jetës. Historia e dorëshkrimit të
librit për Adem Jasharin paraqitet si rrugëtim dramatik. Ai nuk lind në kohë
paqeje, por në flakën e luftës. Kjo përmasë e bën librin dëshmi të gjallë të
kohës, sepse në të përzihen emocione të forta: dhimbja, krenaria dhe etja e
pashuar për liri.
Një
nga paraqitjet më të fuqishme të prologut është momenti kur dorëshkrimi bie në
duart e pushtuesve. Ky episod ka një simbolikë të thellë: libri shndërrohet në
një figurë të gjallë që rrezikon të zhduket bashkë me bibliotekën e autorit.
Djegia e mijëra librave dëshmon
përpjekjen serbomadhe për shkatërrimin e kulturës dhe kujtesës së një
populli. Megjithatë, fakti që dorëshkrimi mbijeton, edhe pse i shtypur dhe i
dëmtuar, simbolizon qëndresën e fjalës së shkruar dhe të së vërtetës historike.
Takimi i autorit me dorëshkrimin pas dy muajsh është çast po ashtu emocional.
Ai e përshkruan këtë moment me një ndjenjë të thellë mallëngjimi, duke e
krahasuar dorëshkrimin me një të vdekur që ringjallet. Ky krahasim e thekson
lidhjen personale dhe shpirtërore që autori ka me veprën e tij. Libri bëhet një
kujtim i gjallë i vuajtjeve dhe i përvojave të kohës së luftës. Në fund të
prologut autori i drejtohet lexuesit me një ton të sinqertë dhe reflektues. Ai
kërkon mirëkuptim për emocionin dhe nostalgjinë që përshkon rrëfimin, duke
kujtuar se edhe vetë lexuesit kanë përjetuar dramën e luftës. Ky dialog i
drejtpërdrejtë me lexuesin krijon një ndjenjë afërsie dhe e bën prologun më
personal dhe më njerëzor.
3.
Trajtat e shkrimit
Libri
i Bedri Tahiri paraqet një strukturë komplekse, ku bashkëjetojnë disa trajta të
shkrimit dokumentar dhe letrar. Kjo ndërthurje e formave e bën librin
njëkohësisht dokument historik dhe krijim që përafron me letërsinë, duke na
dhënë një pamje të plotë të ngjarjeve të luftës për Kosovën, si dhe të përjetimeve
dhe reflektimeve mbi to. Një nga trajtat kryesore është rrëfimi dokumentar, ku
autori sjell ngjarje konkrete historike, të shoqëruara me data, emra dhe vende
të saktë. Kjo trajtë shihet në kapituj si “Dëshmorët e Qyqavicës”, “Krimi që
tundi botën” dhe “Kodra e dëshmorëve”. Për shembull, në kapitullin “Kodra e
dëshmorëve”, përshkruhet ceremonia e varrimit të 33 luftëtarëve:
“Përpara 33 varre
gojëhapura… fare pranë 33 ushtarë në arkivole, shndërruar në flamuj lirie e të rreshtuar
për front.”
Ky
rrëfim i bazuar në fakte e pozicionon tekstin si një dëshmi historike
autentike. Libri përdor gjithashtu elemente të rrëfimit epik dhe heroik, ku
figurat historike ngrihen në përmasat e heronjve legjendarë. Kjo thurje e tillë
shihet në kapituj si “Legjenda e legjendave”, “Trimat jetojnë pas vdekjes” dhe
“Me fat përjetësia Adem Jashari!”. Për shembull, për komandantin legjendar
thuhet: “Pasi mblodhi fuqinë, mençurinë, trimërinë, bukurinë dhe bujarinë,
brumosi mirë e mirë edhe një Adam të ri, Adem Jasharin.”
Kjo
trajtë stilistike i jep figurës një përmasë simbolike dhe e bën atë një ikonë
kombëtare. Në disa kapituj, autori
ndërpret rrëfimin për të reflektuar mbi historinë dhe fatin e popullit
shqiptar. Kjo trajtë shihet në Prolog, Epilog dhe në kapitullin “Orë historie”.
Në epilog ai shkruan: “Populli u këndell, erdhi në vete dhe mori zemër. U zgjua
nga gjumi letargjik e hipnotizues.” Ky diskurs eseistik i interpreton ngjarjet,
jep gjykime historike dhe shpreh mendimin e autorit për rëndësinë e ngjarjeve.
Disa
pjesë të librit janë rrëfime personale të autori si dëshmitar i kohës, ku
shprehet përjetimi i tij i drejtpërdrejtë: “Ngjarjet
e këtij viti, të ligat e të mirat, më goditën rëndë… më sulën si shigjeta
helmuese.” Forma e tillë e rrëfimit e bën tekstin të jetë një kujtesë
personale për luftën dhe për përjetimet. Pavarësisht karakterit dokumentar,
autori përdor gjuhë poetike dhe figurative për ta intensifikuar emocionin.
Shembuj tipikë janë këto tekste:
“Lulëkuqet bulëruan
fuqishëm edhe mbi dëborën e acartë.”
“Tridhjetë e tre yje
fluturuan drejt qiellit për të mos u shuar kurrë.”
Këto
figura autoriale i japin tekstit përmasë emocionale dhe artistike. Ndërkaq, këtu
kemi edhe diskursin folklorik dhe citime nga tradita. Libri përfshin edhe
elemente të traditës popullore, si këngë, vargje dhe thënie: “Kush bie n’luftë për atdhe, nuk ka vdekur,
por ka le.”
Këngët
folklorike për trimat dhe thëniet popullore i japin librit po ashtu përmasë të
gjallë kulturore dhe shpirtërore, duke i shndërruar ngjarjet historike në
rrëfime që lidhen me kujtesën kolektive dhe heroizmin e brezave. Kjo trajtë e
vë në gërshet rrëfimin historik me
traditën epike dhe folklorike shqiptare, duke e bërë tekstin një urë mes
dokumentit dhe kulturës popullore.
Do
theksuar se që nga tekstet e para e deri në fund, libri përmban edhe shtresën e
intertekstualitetit. Libri përdor intertekstualitet, duke lidhur rrëfimin e
ngjarjeve të luftës me pjesë të njohura të trashëgimisë folklorike shqiptare.
Për shembull, citimet dhe referencat nga “Lahuta e Malësisë” dhe këngët
kreshnike shërbejnë për ta theksuar vazhdimësinë e heroizmit shqiptar dhe për
ta vendosur sakrificën e luftëtarëve në një traditë historike dhe kulturore më
të gjerë. Përdorimi i intertekstit në këtë libër krijon lidhje mes dokumentit
të kohës së re dhe epikës popullore, i jep rrëfimit përmasë simbolike dhe të
traditës, e forcon imazhin heroik të figurave si Adem Jashari, duke i futur në
një vijë historike të trashëgimisë kombëtare. Kështu, një nga momentet më të
fuqishme është leximi i vargjeve nga “Lahuta e Malcisë” e At Gjergj Fishtës.
Përmes këtyre vargjeve, autori sjell në skenë figurën epike të Oso Kukës, një
hero që simbolizon qëndresën shqiptare. Vargjet tingëllojnë si një këngë epike
që zgjon krenarinë dhe emocionin e dëgjuesit:
Oso Kuka ‘i burrë
shkodran,
shoq në Shkodër, thonë
s’ka lanë,
për kah besa e ka
trimnia
qi zanat e ka Shqipnia.
Reagimi
i plakut ndaj këtyre vargjeve është i kapluar me emocion. Ai nuk arrin t’i
fshehë lotët, sepse përmes këtyre fjalëve zgjohet kujtesa e një kohe të kaluar
dhe e një brezi që kishte luftuar për liri. Ky moment tregon se letërsia nuk
është vetëm art, por edhe një mënyrë për të ruajtur shpirtin e një kombi.
Së
këndejmi, një rrëfim me frymë epike që shpalos historinë, karakterin dhe
shpirtin e një treve që ka qenë gjithmonë sinonim i qëndresës shqiptare
është ai që prin me titulliun “Prekazi
kurrë s’e vrau këngën e vet”. Që në rreshtat e parë, Drenica paraqitet si hapësirë
e shenjtë e rezistencës dhe e lirisë, një tokë që nuk ka pranuar kurrë
nënshtrim. Autori e vendos këtë trevë në përmasat historike dhe simbolike, duke
e përshkruar atë si vend ku trimëria është pjesë e identitetit. Ai shkruan:
“Në qendër të Dardanisë
ilire, përkatësisht të Kosovës së sotme, zë vend Drenica heroike. Kjo fole
trimash… me armë në dorë çau shtigjeve të lirisë.”
Në
këtë hapësirë historike shfaqet edhe figura e Prekë Kuçit, paraardhës i
Jasharëve, një patriark që mishëron vlerat tradicionale të shoqërisë shqiptare:
mençurinë, drejtësinë dhe ndershmërinë. Ai paraqitet si udhëheqës moral i
familjes dhe i mjedisit të vet, një
figurë që e ndërton autoritetin e tij mbi shembullin personal dhe mbi
drejtësinë. Përmendet filozofia e tij jetësore, e cila përmbledh thelbin e
moralit tradicional shqiptar: “Çdo gjë
gjykohet drejt kur e qet dorën në zemër… Zemra nuk të mashtron kurrë.”
Kjo
thënie shpreh besimin e thellë në drejtësinë morale dhe në ndershmërinë e
njeriut. Përmes saj autori na kumton se udhëheqja në familjen dhe në shoqërinë
tradicionale nuk bazohej në forcë, por në integritet dhe në besimin e asaj bashkësie
familjare e më gjerë. Ky plak, Prekë Kuçit, paraqitet edhe si simbol i urtësisë
dhe i përkushtimit ndaj shoqërisë. Ai nuk ishte vetëm drejtues i familjes, por
edhe pajtues i gjaqeve dhe njeri që kërkonte paqen mes njerëzve. Fjala e tij
kishte peshë dhe autoritet në kuvendet e burrave: “Fjala e burrit, pesha e gurit.” Ky proverb popullor sintetizon
filozofinë e jetës së malësorit shqiptar:
fjala duhet të jetë e drejtë, e fortë dhe e përgjegjshme. Ajo nuk duhet
të jetë e zbrazët apo e paqartë, sepse fjala e burrit është themel i besës dhe
i rendit shoqëror. Një nga momentet më
domethënëse është përshkrimi i frymës së përhershme të luftës për liri: “Pushka e lahuta bashkëjetonin në kullat
prej guri. Nuk bënin dot njëra pa tjetrën.”
Është
ajo filozofia e traditës së kësaj treve: pushka simbolizon luftën për liri,
ndërsa lahuta kujtesën dhe këngën epike që ruan historinë.
Edhe
pjesët tjera, si "Një natë pa gjumë", "Nga mësonjëtorja në
qeli", "Kulla e përbetimit: liri a vdekje!" vazhdojnë në këtë
frymë ndërthurjesh. te e para hasim një nga pjesët më poetike dhe shënjuese të
rrëfimit, ku autori ndërton një atmosferë të thellë epike dhe shpirtërore
përmes një skene të thjeshtë familjare. Në pamje të parë kemi vetëm një natë
dimri, një shtëpi të vogël dhe dy njerëz pranë oxhakut. Mirëpo, në thelb, kjo
natë bëhet simbol i një epoke të tërë, ku libri, kujtesa dhe identiteti
kombëtar përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira: “Po errej një natë e ftohtë janari… Veç bishave barkthata, që ulërinin
lemeritshëm maleve përreth, s’pipëtinte gjë e gjallë. Qetësi varri.” Në
këtë heshtje të madhe shfaqet një shtëpi e vogël, ku një plak dhe një djalosh
qëndrojnë pranë oxhakut. Kjo skenë e thjeshtë është në fakt një metaforë e
fortë për transmetimin e dijes dhe të kujtesës nga një brez te tjetri. Djali
lexon me etje një libër, ndërsa plaku dëgjon me mall dhe krenari. Autori e
përshkruan këtë moment me një ndjenjë të thellë respekti për fuqinë e fjalës së
shkruar: “Gjithçka, babë, gjithçka. Libër më të bukur s’kam lexuar kurrë. E tërë
historia jonë qenka mbledhur këtu.” Kësisoj, libri shndërrohet në simbol të
historisë dhe të identitetit kombëtar. Djali mëson për trimërinë dhe për
figurat historike të kombit. “Kulla e
përbetimit: Liri a vdekje!” është një nga kulmet më të fuqishme të këtij
libri, sepse këtu kulla e paraqitur si banesë, është edhe vatër e gjallë e
historisë, e kujtesës dhe e betimit. Në këtë pjesë, familja Jashari shfaqet si
trung që nuk u shkëput kurrë, por që u rrit në heshtje, në dhimbje dhe në
përgatitje të gjatë për ditën kur liria do të kërkonte jo vetëm fjalë, por edhe
gjak. Fjala e Adem Jasharit në këtë kuvend është bërthama ideore e librit. Ajo
vjen e matur, burrërore, pa teprim, por me peshë të jashtëzakonshme morale. Vendin
kryesor e zë ndjenja e dinjitetit të humbur dhe domosdoshmëria e ringritjes së
tij përmes rezistencës: “Liria është më e shtrenjtë se jeta… Për
lirinë e Kosovës nuk do të kursejmë asgjë, as gjakun tonë.” Kjo fjali
përmbledh gjithë filozofinë e këtij kapitulli. Liria nuk paraqitet si ideal
abstrakt, por si vlerë që e tejkalon jetën biologjike. Pikërisht prej kësaj
vjen edhe betimi final: “Të lidhemi me
besa-besë e të betohemi: Liri a vdekje!”
Shkrimi “Armët e lirisë jehuan larg e më larg” shënon
kalimin nga përgatitja shpirtërore dhe betimi moral te përballja e hapur me
armikun. Në këtë pjesë, oda familjare, e mbushur me ngrohtësi, me bisedë dhe me
urtësi, përmbyset papritur nga zhurma e rrethimit, nga kërcënimi dhe nga krisma
e pushkëve. Rrethimi i Prekazit të Poshtëm përshkruhet me gjuhë të rëndë, gati
apokaliptike: tanke, autoblinda, gryka topash të rëndë. Kjo fuqi e stërmadhe
shtetërore përballet jo me një ushtri të rregullt, por me një familje, me një
kullë dhe me disa burra që e kanë kthyer pragun e shtëpisë në vijë fronti. Këtu
ndodh një nga përmbysjet më domethënëse të tekstit ë Bedriut: shteti i
armatosur deri në dhëmbë del i frikësuar përballë një vatre që ka vendosur të
mos dorëzohet.
Në
këtë sfond, shëmbëlltyra e Adem Jasharit del si figurë e zgjuarsisë, gatishmërisë
dhe qetësisë luftarake; ai jeton në gjendje vigjilence historike. Kështu, kur
nis sulmi, përgjigjja nuk është panik, por organizim, dalje në oborr dhe
thyerje rrethimi. Vjen momenti kur pushteti ulërin me autoparlant: “Dorëzohu, o Adem Jashari!”, por përballë
kësaj thirrjeje s’ka heshtje të frikës, por jehona e pushkës: “E pushka e lirisë jehonte larg e më larg si
kundërpërgjigje sfiduese.” Kjo është fjalia-bosht e krejt këtij kapitulli.
Pushka këtu është përgjigje morale, është refuzim i nënshtrimit. Ajo “jehon larg e më larg”, sepse nuk mbetet
më ngjarje i një familjeje. Bëhet kushtrim. Bëhet lajm. Bëhet sinjal që kalon
prej një shtëpie në një krahinë, prej një krahine në krejt Kosovën.
Në
të njëjtën kohë, autori nuk e harron dimensionin tragjik të këtij ballafaqimi.
Poshtë, në lagje, barbaria bie mbi të pafajshmit: gra, fëmijë, kalimtarë, pleq.
Dhuna ushtarake është edhe dhunë morale. Ajo synon që ta poshtërojë, ta
frikësojë dhe ta shkatërrojë ndjenjën e sigurisë njerëzore. Megjithatë, as kjo
nuk e thyen qëndresën. Përkundrazi, prej asaj dite “burrat… tash dolën fare hapur me armët hedhur krahëve për lirinë e
vendit”. Kjo ide del edhe në kujtimin e Hamzës: “Kryesorja, puna po ecën mbarë, armët e lirisë po dëgjohen kudo. E unë
mendoj se rrugë tjetër nuk ka për të arritur te liria.” Qëndresa nuk mbetet
vetëm te brezi i burrave. Edhe djali i madh i Ademit, Lulëzimi, del me
gjakftohtësi dhe mendjemprehtësi, duke ua hedhur policëve. Kjo anë e paraqitjes,
tregon se fryma e qëndresës ka hyrë tashmë në gjak, në familje, në brez. Autori
e ngre pushkën në shkallë simboli kombëtar: ajo është shenjë e mosdorëzimit. Ky
këndvështrim lidhet me gjithë frymën e
librit, ku liria është gjithmonë më e madhe se frika dhe më e fortë se
rrethimi.
4.
Nga mësimi te sakrifica: portreti i mësuesit-atdhetar
“Nga
mësonjëtorja në qeli” është një nga pjesët më domethënëse të veprës, sepse
shpalos dramën e mësuesit shqiptar në rrethana pushtimi: njeriun që hyn në
klasë me abetare, histori e poezi, por që përfundon në qeli pikërisht pse ua
mëson fëmijëve emrin e tyre, gjuhën e tyre dhe kujtesën e tyre. Kjo pjesë është
rrëfim për persekutimin e një mësuesi; por është edhe dëshmi se pushteti i huaj
e ka parë gjithmonë arsimin shqip si kërcënim, për shkak se shkolla nuk formon
vetëm nxënës, por zgjon vetëdijen për liri e dije: “Që kur erdhi mësuesi i ri shkolla juaj mori tatëpjetën… edhe
nxënësit m’u duken krejt ndryshe.” Kështu ankohen armiqtë. Këtu qëndron
ironia e madhe: ajo që pushteti e quan “tatëpjetë”, në të vërtetë është ngritje
shpirtërore. Shkolla “prishet” jo pse ka humbur rendin, por sepse ka fituar
shpirtin. Fëmijët nuk janë më të heshtur e të nënshtruar; ata tani recitojnë me
zë të lartë vargje që i lidhin me atdheun:
“Ti, Shqipëri, më ep nder, me ep emrin Shqipëtar, / Zemrën ti ma gatove plot
dëshirë dhe me zjarr...” Figura e Shaban Murat Jasharit del këtu si figura
e mësuesit-atdhetar, që nuk e ndan arsimin nga kombi. Fjala e tij tingëllon si
betim moral: “O do vihem në shërbim të
kombit, o nuk do të punoj fare!” Në këtë pohim përmblidhet krejt etika e
personazhit: mësuesia është një formë shërbimit kombëtar. Pikërisht për këtë
arsye ai nuk trembet nga kërcënimet; përkundrazi, ato “ia shtonin edhe më tepër atdhedashurinë”. Autori e ndërton këtë
figurë jo vetëm si mësues të dijes, por si mësues të kujtesës. Shaban Jashari u
flet nxënësve për Skënderbeun, Ahmet Delinë, Azem e Shotë Galicën, Shaban
Polluzhën; pra, ai i çon fëmijët drejt një historie që pushteti do ta mbante të
heshtur. Kjo ide arrin kulm në tregimin për kullën e Azem Galicës, gurët e së
cilës u përdorën për ndërtimin e shkollës: “Gurët
e saj me punë angarie i bartën dhe e ndërtuan shkollën tuaj. Menduan për keq,
por jo. Ai e deshi shumë shkollën dhe shpirti i tij i ndritur do të prehet i
qetë atje… prej aty shpërndahen rreze diturie.” Kulla e rrënuar e
kryetrimit nuk humb as shkatërrohet; ajo rilind si shkollë. Pra, pushtuesi
mendon se po e zhduk kujtesën, por në të vërtetë po i jep asaj një formë të re.
Nga guri i kullës del banka e nxënësit; nga qëndresa me pushkë lind qëndresa me
dije. Kështu historia nuk ndërpritet, por shndërrohet.
Megjithatë,
autori nuk e lë këtë shkrim vetëm në dritën e idealit. Mbi të rëndon hija e
përndjekjes. Vëzhgimi, spiunimi, “dosja e zezë” që “mbushej e mbushej” krijojnë
ndjesinë e një bote ku edhe fjala më e pafajshme ndiqet si krim. Kjo e bën edhe
më tragjik kalimin nga klasa në burg. Skena e arrestimit është e shkurtër, por
e rëndë: “Pas pak mësuesi Shaban
duarlidhur, por ballëlart e krenar, ecte midis tyre. Nxënësit ngelën të
nemitur.” Ai është i lidhur në duar, por jo i nënshtruar në shpirt.
Pikërisht ky kontrast e bën skenën të fuqishme: burgu prek trupin, por jo
idealin. Akuzat ndaj tij janë domethënëse: ai është “mësuesi i papërshtatshëm”,
sepse mban libra të ndaluar si “Lahuta e Malcis”, sepse “nxënësit i helmoste me
idenë e shqiptarizmit”. Këtu autori zbulon logjikën e pushtetit: për të, historia
e kultura kombëtares shqiptare janë helm, ndërsa harresa e saj është rend.
Autori
e ngre figurën e Shaban Jasharit në përmasë simbolike me një fjali shumë të
goditur: “Lisat e mëdhenj i rrahin erërat më shumë, por rrënjët i lëshojnë më
thellë.” Burgosja, prandaj, nuk e shuan dot mësuesin; ajo vetëm e kalit.
Dashurinë për kombin dhe për gjuhën amtare ai e përcjell më tej te të afërmit
dhe sidomos te bijtë e vet, “Rifati, Hamza dhe Ademi”, që ecin “në rrugën e
madhe të lirisë”.
Le
ta lexojmë këtë pjesë libri si tribut për mësuesin shqiptar si mbrojtës i
kujtesës dhe si mbjellës i lirisë.
5. “Legjenda e
legjendave”: Prekazi si kikë e heroizmit dhe e mitit
Dhe
vjen “Përballja e parë”, një tekst ku
historia hyn me vrull në mit dhe miti kthehet në histori. Këtu vërtet kemi
vetëm përplasje të armatosur mes forcave serbe dhe luftëtarëve shqiptarë, por e
kemi edhe çastin kur qëndresa del nga hija, fiton pamje publike dhe i jep
Kosovës një horizont të ri. Është kthesa e mëdha shpirtërore: nga oguri i natyrës
te gjaku i mësuesit, nga rënia te shfaqja e UÇK-së, nga morti te lindja.
Autori
e hap rrëfimin me një agim të zymtë, sikur vetë natyra ta ndiente peshën e asaj
që po afrohej. “Agu i së mërkurës u gdhi
fare i zymtë. Natyra hijerëndë sikur parandiente diç të pazakontë.” Kjo
hyrje e vendos ngjarjen në një atmosferë paralajmëruese, ku qielli, retë dhe
mungesa e diellit nuk janë vetëm elemente peizazhi, por pjesë e ankthit
historik. Kolona serbe paraqitet si “kolona e zezë mortore”, ndërsa pushtuesit
si “bishat e shfrenuara nga Karpatet”, çka i jep rrëfimit ton epik e dramatik
dhe e vendos përballjen në kufirin mes njerëzores dhe barbarisë.
Në
sfondin kryesor qëndron ideja e ringjalljes së amanetit të brezave. Kur autori
shkruan se “thellë, nga gjiri i tokës mëmë fuqishëm shpërtheu amaneti i
brezave”, ai, aq sa e përshkruan një pritë luftarake, po aq me përkushtim e
shënjon edhe ngritjen shpirtërore të një tradite të tërë qëndrese. Për këtë
arsye, figurat e së kaluarës, Millosh Kopiliqi, Ahmet Delia, Shota e Azem
Galica, Shaban Polluzha, Tahir Meha, paraqiten si të ringjallura në çastin e
ndeshjes. Kjo është figurë e fuqishme
letrare: lufta e tanishme nuk dalka nga hiçi, por nga vazhdimësia e një
historie të pambyllur. Një nga pikat më prekëse është goditja e shkollës dhe
rënia e mësuesit Halit Geci. Skena është tejet domethënëse: mësuesi po u flet
nxënësve për 28 Nëntorin dhe për Shqipërinë e cunguar, kur shkolla mbulohet nga
predhat. Në çastin e plagosjes së tij, ai nxjerr një porosi që përmbledh të
gjithë etikën e këtij libri: “Mësoni dhe punoni për lirinë e Kosovës!” Kjo
fjali e bën mësuesin figurë martire të dijes dhe të lirisë. Ai nuk bie vetëm si
viktimë e dhunës, por si dëshmitar se arma më e madhe e kombit nuk është vetëm
pushka, por edhe fjala, shkolla dhe vetëdija. Prandaj varrimi nuk qenka fundi i
i tij, por shndërrim historik: momenti vendimtar është shfaqja publike e tre
luftëtarëve me uniformë. Kjo skenë është e ndërtuar me mjeshtëri: turma mban
frymën, sytë nuk u besojnë vetes dhe pyetja që përshkon njerëzit është gati e
pabesueshme: “Ishim ëndërr apo na bënë sytë?” Kjo pyetje përmbledh gjendjen e
një populli që prej kohësh kishte pritur një shenjë të hapur, një dëshmi
publike se rezistenca e organizuar ekzistonte vërtet. Dhe përgjigjja vjen e prerë:
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është realitet dhe sot e tutje do të veprojë
haptas.” Për këtë arsye autori përfundon me pohimin simbolik se “Kosova po i
hapte rrugë lirisë e 28 Nëntorit iu shtua edhe një festë e re: DITËLINDJA E
UÇK-së.” Kjo lidhje me 28 Nëntorin është tejet domethënëse. Nuk është rastësi
që dalja publike e UÇK-së vendoset në të njëjtën datë me Ditën e Flamurit.
Autori sugjeron se lufta çlirimtare e Kosovës është vazhdim i drejtpërdrejtë i
projektit historik të lirisë shqiptare.
Edhe
figura e plakut në qoshe, i cili pëshpërit “Ju dhe vetëm ju do t’ia sillni
Kosovës dritën… Kur jeni të bashkuar, si një grusht i vetëm, s’ka çka ju bën
askush”, e forcon këtë ide. Në këtë zë plak flet përvoja historike, por edhe
besimi se brezi i ri, ndryshe nga shumë herë më parë, do ta çojë deri në fund
amanetin e lirisë.
Tek
dy kapitujt tjerë “Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet” dhe “Dëshmorët e
Qyqavicës”, ka zbërthime të reja: i pari shpalos etikën e qëndresës, ndërsa i
dyti çmimin e saj tragjik. Në njërin kemi pragun e shtëpisë si vijë nderi, në
tjetrin varrin si vulë të flijimit. Bashkë, ato ndërtojnë një nga pjesët më të
dhimbshme dhe më madhështore të rrëfimit: çastin kur mbrojtja e pragut nuk
mbetet më vetëm detyrë morale, por kthehet në histori gjaku, në kujtesë
kolektive dhe në themel të lirisë. Sulmi i 22 janarit 1998 paraqitet kështu jo
thjesht si aksion policor, por si një përpjekje për ta shuar një vatër qëndrese
që pushteti e kishte prej kohësh në shënjestër. Edhe vetë rrëfimi e nënvizon se
familja Jashari shihej si familje kryengritëse, të cilën duhej ta zhduknin me
gjithë rrënjët. Kjo përgjigje mishërohet te fjala e Shaban Jasharit, që e ngre
mbrojtjen e shtëpisë në rang amaneti. Ai nuk flet si njeri që mbron vetëm muret
e veta, por si njeri që mbron një vijë të trashëguar nderi: “Ta mbrosh vatrën stërgjyshore është detyrë
morale e kombëtare. Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet.”
Në
këtë kuptim, pragu bëhet vendi ku takohen familja, kujtesa, nderi dhe kombi.
“Dëshmorët e Qyqavicës” është rrëfim i ngritur nga një shtëpi e veçantë në një
hapësirë më të gjerë martirizimi, ku Likoshani dhe Qirezi shndërrohen në skenë
të flijimit kolektiv. Autori e nis këtë pjesë me figurën e Lisit Gjashtënjakë,
të cilin e kthen në orakull historie dhe në shenjë të nisjes së “epokës së re,
epokës lavdiplote të UÇK-së. Lufta te Lisi Gjashtënjakë paraqitet si çast
kthese: aty “Niva” serbe bëhet shoshë nga plumbat, aty gjaku skuq tokën, aty
armët çlirimtare japin sinjalin se durimi ka marrë fund. Por menjëherë pas
kësaj vjen hakmarrja e verbër serbe ndaj civilëve. Kjo është tragjedia e
Likoshanit dhe Qirezit: kur nuk mund ta përballojë trimin në fushë, barbaria
bie mbi gruan shtatzënë, mbi të moshuarin, mbi fëmijën, mbi familjen e mbyllur
në shtëpi. Rrëfimet e Sefer Nebihut, të Ganimete Gjelit dhe të Dinore Ahmetit e
japin me forcë të madhe këtë dimension: dhuna nuk është më vetëm vrasje, por
shfryrje shtazarake mbi të pambrojturit. Edhe pamja e 24 jetimëve që sillen në
oborr e bën tragjedinë thuajse të papërballueshme. Mirëpo, autori nuk ndalet te
tmerri. Ai e ngre këtë tragjedi në shkallën e një qëndrese të madhe morale. Kjo
duket sidomos te qëndrimi i familjarëve gjatë varrimit.
Te
kapitulli “Legjenda e legjendave” është kulmi shpirtëror, tragjik dhe mitik i
gjithë rrëfimi dhe librit Këtu historia
nuk ecën më vetëm si ngjarje, por shpërthen si epope. 5 marsi 1998 nga një datë e thjeshtë e një sulmi ushtarak, është
çasti kur Prekazi kalon nga vend i qëndresës në vend të pavdekësisë. Kulla e
Jasharajve del si qendër e një rrethimi apokaliptik. Përreth saj mblidhet i
gjithë arsenali i shtetit serb, “forcat e
njësive më speciale”, “komandosë e xhelatë profesionalë”, të cilët vijnë për
ta shuar jo vetëm një familje, por një simbol që tashmë “ishte bërë tmerr për
Beogradin”. Pikërisht këtu ndodh përmbysja e madhe morale e rrëfimit: sa më e
madhe bëhet forca e armikut, aq më e lartë ngrihet madhështia e qëndresës.
Një
nga figurat më të fuqishme është ajo e Shaban Jasharit, që edhe në çastin më të
egër të sulmit mbetet simbol i qëndresës së moçme shqiptare. Ai “e rroku flamurin kombëtar, atë që i pat
vënë Ademit në djep” dhe del përballë me brohorimën: “Rroftë Kosova! / Rroftë Shqipëria!”. Ky detaj është i
jashtëzakonshëm, sepse mbyll një rreth simbolik: flamuri që dikur u vu mbi
foshnjën si amanet, tani ngrihet mbi pragun e kullës si vulë e përmbushjes së
atij amaneti. Kështu, historia familjare dhe historia kombëtare bashkohen në
një çast të vetëm flijimi.
Kryesorja
mbetet figura e Adem Jasharit. Autori e ndërton atë si njeri të zakonshëm në
mes të luftës dhe e ngre si figurë të epikës moderne shqiptare. Edhe në flakën
e sulmit ai mbetet “i qetë e gjakftohtë”,
dredh mustakun dhe del furishëm drejt dyerve të oborrit; tanku ndalet, mizorët
bien dhe zëri i tij bëhet tmerr për komandantët. Kjo formë përshkrimi e nxjerr
Ademin nga kufijtë e biografisë dhe e çon në kufijtë e legjendës. Ai
përshkruhet si luftëtar, dhe, mbi të gjitha, edhe si forcë morale që tund
dheun, si zë kushtrimtar që “kishte tundur dheun” dhe pas të cilit shkonin
“edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë”. Kjo është gjuhë e qartë mitizuese,
por jo e zbrazët: ajo lind nga madhështia e flijimit.
Autori
kujdeset ta tregojë se heroizmi i Prekazit nuk ishte akt individual. Në kullat
e Jasharajve rezistohet “për jetë a
vdekje”, “secili me çka kishte e
mbronte nderin e pacenuar të vatrave stërgjyshore”. Ky këndvështrim është
shumë domethënës: heroizmi nuk i takon vetëm një emri, por një bashkësie të
tërë, ku edhe gratë e fëmijët përfshihen në të njëjtin univers sakrifice. Së këndejmi,
autori përdor formulimin: “Heroizëm i
pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore e mahnitëse...” Këtu Prekazi
shndërrohet në një altar ku çdo moshë dhe çdo jetë merr pjesë në të njëjtin
betim të heshtur.
Një
nga pjesët më të prekshme është kërkimi i të mbijetuarve dhe kalimi i Besartës
ndërmjet kufomave. Kjo skenë është e përshkuar me dhimbje të mprehtë, të
zhveshur nga britma, sepse tmerri është bërë aq i madh sa fjalët nuk mjaftojnë
më. Ajo gjen gjyshin e gjyshen, prindërit, të afërmit, të vrarë mes rrënojash
dhe trupash të përzier. Por pyetja e saj më e madhe është: ku është baca Adem?
Kjo pyetje është më shumë se familjare. Është pyetja e një populli që kërkon
trupin e heroit dhe gjen në vend të tij jehonën. Dhe përgjigjja që jep autori
është një nga më të bukurat në gjithë librin: Ademi nuk gjendet më andejpari,
sepse “po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të
Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Oslos, të Nju-Jorkut...” Këtu heroi shkëputet
nga kufiri i vdekjes fizike dhe hyn në hapësirën e kujtesës kolektive. Ai nuk
është më vetëm trup i rënë; është prani që lëviz në ndërgjegjen shqiptare.
Ky
kalim nga historia në këngë është kryesori i këtij kapitulli. Autori e thotë
hapur:
“O zot, sa shpejt e
paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë. Ashtu e ka ajo,
vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet.”
Kjo
është fjalia që e shpjegon gjithë titullin. Adem Jashari bëhet legjenda e
legjendave jo vetëm pse luftoi dhe ra, por sepse u pranua nga kënga, domethënë
nga memoria më e thellë e popullit. Në traditën shqiptare, kënga është gjykim i
historisë. Dhe kur kënga e merr dikë “me vete”, ai ka kaluar nga jeta e zakonshme
në pavdekësi.
Kjo
pavdekësi vuloset në vargjet popullore që autori sjell më pas:
Amanet o djali-djalit,
Mi këndue Adem Jasharit,
Që i tregoi mirë
barbarisë,
Si qëndrojnë shqipet e
lirisë...
Këtu
Adem Jashari paraqitet si model i përhershëm i qëndresës shqiptare. Amaneti u
lihet brezave të tashëm dhe atyre
djali-djalit, pra brezit pas brezi. Kjo është trajta më e lartë e kanonizimit
popullor.
Një
tjetër ide shumë e fortë është se vdekja e tyre nuk e shuajti flakadanin, por e
zgjeroi atë. Në një pasazh tjetër libri thotë se “Flakadani i lirisë, jo që nuk
u shua, por mori flakë edhe më shumë” dhe se “Amaneti i tij nuk shuhej dot. Ai
buronte nga dheu, nga pragu, nga gjaku...” Kjo e bën të qartë se epopeja e
Prekazit nuk ishte fund, por fillim. Flijimi i Jasharajve nuk mbylli një
kapitull; e hapi një epokë të re të luftës çlirimtare.
6. Varret e lavdisë: nga
masakra te shenjtërimi i flijimit
Ndërkaq
kapitujt “Varret e lavdisë”, “Nga varrimi i Salë Jasharit” dhe “Sy më sy me
vdekjen” e vazhdojnë këtë frymë heroizmi të paraqitjes. “Varret e lavdisë”
është një nga pjesët më tronditëse të veprës, sepse këtu lufta nuk paraqitet më
në çastin e përplasjes, por në heshtjen e saj më të rëndë: në çastin kur
njerëzit depërtojnë në rrënoja, kërkojnë trupat, njohin të afërmit e masakruar
dhe përpiqen t’u japin një varr të denjë.
Një
nga imazhet më të fuqishme të kësaj pjese është ai i hyrjes së njerëzve në
rrënojat e Jasharajve. Ata shkojnë për të nderuar të vrarët, por ajo që shohin
është përtej përshkrimit: shkrumb, hi, oxhaqe të blozënxira, ushqime të
shtypura me tanke, kafshë të vrara, tym që ende del prej gërmadhave. Këtu
shtëpia është trup i përdhosur i një
bote që sapo është therur. Autori e thotë troç se këto janë “pamje tmerruese, që lapsi nuk i përshkruan
dot”. Kjo është shumë domethënëse: vetë fjala shpallet e pamjaftueshme
përballë asaj që ka ndodhur.
Në
mes të kësaj bote të shkatërruar lind nevoja më njerëzore dhe më e lashtë:
varrimi i të vdekurve. Pikërisht këtu ky kapitull merr një kuptim shumë të
thellë kulturor dhe shpirtëror. Varrimi nuk është vetëm veprim praktik; është
rikthim i dinjitetit atje ku barbaria ka dashur ta zhdukë krejtësisht. Prandaj
vendimi që të vrarët të varrosen në Livadhin e Pajtimit është jashtëzakonisht
simbolik. Vajza e Shabanit thotë: “Këta
nuk janë vetëm të mitë, janë të të gjithëve, janë të Kosovës, janë të
Shqipërisë.” Kjo fjali e ngre flijimin e Jasharajve përtej kufirit familjar
dhe e kthen në pasuri të dhembshme të gjithë kombit. Varri, pra, nuk do të jetë
privat; do të jetë shenjë e kombit.
Me
skena të një tragjedie antike jepet skena e çeljes së mbi gjashtëdhjetë varreve në vendin që do të
quhet “Livadhi i Varreve të Lavdisë”. Vetë ky emër është i dyfishtë: i
dhembshëm dhe madhështor njëherësh. Ai bashkon humbjen me nderimin, vdekjen me
pavdekësinë. Autori e jep këtë moment me një qetësi të rëndë: “Mbi gjashtëdhjetë varre ngelën të hapura në
vendin, që tash e lutje do të quhet Livadhi i Varreve të Lavdisë.”
Shumë
prekëse është edhe skena me gazetaren e RAI-t, Elizabet, e cila alivanoset nga
ajo që sheh në Prekaz. Autori e përdor këtë moment jo thjesht për ndjeshmëri,
por për të treguar se tragjedia e Prekazit është përtej imagjinatës së
zakonshme njerëzore. Shënimi i saj, se skena të tilla i ka parë ndoshta vetëm
në filma horror, e vendos masakrën në një shkallë universale tmerri. Kështu,
Prekazi nuk mbetet më vetëm plagë shqiptare; bëhet dëshmi për botën.
Varret
e Prekazit ; janë altare të ndërgjegjes kombëtare. Ato janë vendi ku flijimi
merr emër dhe ku kombi, përballë rrënimit, betohet të mos harrojë. Dhe
pikërisht për këtë arsye titulli “Varret e lavdisë” është aq i saktë: sepse
këto varre nuk përmbajnë vetëm trupa të vrarë, por lavdinë e atyre që u vranë
pa u nënshtruar dhe të atyre që, edhe mes shkrumbit, nuk lejuan që krimi të
mbulohej me dhe.
Në
dy kapuitujt tjerë “Orë historie” dhe “Jasharajt, megjithatë, rrojnë...” Bedri
Tahiri e zhvendos rrëfimin nga fusha e betejës në një hapësirë tjetër po aq të
shenjtë: në shkollën dhe mbijetesën e kujtesës. Në njërin kemi bankat bosh,
lulëkuqet dhe mungesën e fëmijëve të vrarë; në tjetrin kemi familjen e
mbijetuar, qëndresën stoike dhe bindjen se, pavarësisht masakrës, jeta dhe
amaneti i Jasharajve vazhdojnë. Kështu, pas flijimit dhe varrit, autori na jep
një të vërtetë më të thellë: se liria nuk jeton vetëm te të rënët, por edhe te
ata që mbeten për ta mbajtur gjallë emrin, kujtesën dhe rrugën e nisur.
Te
“Orë historie” nis me një kohë të përmbysur moralisht. Jeta vazhdon, por jo si
më parë; dita kalon, por nën peshën e ankthit, frikës dhe një dhune që ka hyrë
deri te fëmijët dhe abetarja. Kjo ndjehet fort në fjalinë ku autori thotë se
demonët “vunë thikën edhe në fytin e engjëjve të padjallëzuar”, duke treguar se
barbaria nuk ndalet as para djepit, as para shkollës. Por pikërisht këtu hyn
ideja qendrore: edhe në luftë duhet mbajtur mësimi. Vjen si thirrje për rikthim
në shkollë; më shumë vjen si pohim se arsimi është formë qëndrese, se lapsi dhe
kujtesa janë pjesë e së njëjtës betejë për liri.
Pesha
emocionale e këtij kapitulli shtohet edhe më shumë kur autori i emërton një nga
një nxënësit e vrarë. Emrat e Liries, Blerimit, Fatimes, Valdetes, Igballes,
Igballit, Kushtrimit e Bujarit paraqiten si nxënës që “po mungonin me arsye”
dhe që tash mund të gjenden “në libra historikë, në vargje të poetëve, në telat
e çiftelisë e në pikturat e moshatarëve të tyre.” Kjo është një figurë
jashtëzakonisht e fortë: fëmija del nga regjistri i ditarit dhe hyn në
regjistrin e historisë. Në këtë kuptim, mungesa e tij në klasë është prani më e
madhe në ndërgjegjen kombëtare.
Simboli
qendror i kësaj pjese mbeten lulëkuqet mbi banka. Ato janë shenjë zie, por
njëherësh edhe shenjë ripërtëritjeje. Lulëkuqja nuk vendoset mbi varr, por mbi
bankë, pra mbi vendin ku duhej të vazhdonte jeta, mësimi, ëndrra. Kjo e bën
figurën edhe më tronditëse.
Te
shkrimi "Jasharajt, megjithatë, rrojnë...”, toni ndryshon: nga zija e
klasës kalojmë te stoicizmi i familjes së mbijetuar. Qysh në fillim autori
përdor një shprehje të fuqishme metaforike
“Lisat e mëdhenj mund të rrëzohen, por nuk
përkulen dot. Edhe në rast të rrëzimit u ngelin rrënjët e forta, që sërish
bulërojnë në pranverë.”
Jasharajt
paraqiten si lis i prerë në trung, por jo në rrënjë. Dhe pikërisht rrënjët janë
vazhdimësia, gjaku, kujtesa, amaneti. Autori e përforcon këtë ide me një
formulim tepër domethënës: “Shkuan
njëzet, por mbetën edhe dhjetë. Damarëve të tyre rrjedh po ai gjak që u
shndërrua në lulëkuqe lirie.” Pra, Jasharajt rrojnë jo vetëm biologjikisht,
por si vazhdimësi morale e së njëjtës gjakësi të lirisë. Figura e Rifat
Jasharit jepet me një qetësi gati monumentale. Ai refuzon lotin nga bindja se
të rënët “nuk kanë vdekur, por kanë rënë
në logun e mejdanit, për lirinë e Kosovës”. Kjo është filozofia e
stoicizmit shqiptar që përshkon gjithë veprën: vdekja në luftë për liri nuk
shihet si shuarje, por si ngritje në një kuptim më të madh. Kësisoj, edhe
ngushëllimet në Munih nuk janë skenë thyerjeje, por skenë dinjiteti. Mandej
vjen edhe figura e Besartës, “e gjalla
mes të vdekurve”. Autori e paraqet atë si një dëshmi të rrallë njerëzore:
një vajzë që kaloi “nëpër nëntë rrathët e ferrit dantesk” dhe mbeti “e kthjellët si loti”. Kjo figurë ka
ngarkesë të madhe simbolike, sepse Besarta është ura mes dy botëve: ajo e pa
ferrin, por doli prej tij me kujtesë të gjallë. Në të mbijeton jo vetëm një
jetë e shpëtuar, por edhe rrëfimi i tragjedisë.
Në
anën tjetër, figura e Marigonës së vogël dhe poezia që ajo reciton për Drenicën
i japin librit një dritë të veçantë. Fëmija që këndon për lirinë, për Ahmet
Delinë, Azem Galicën, Shabanin, Hamzën e Ademin, bëhet provë se amaneti nuk ka
mbetur vetëm në të shkuarën, por ka hyrë në zërin e brezit të ri. Kjo është
arsyeja pse autori e sheh atë si “margaritar të pastër që me zë kanarine josh
lirinë”. Këtu poezia e fëmijës nuk është stoli, por shenjë se edhe pas
masakrës, kënga dhe kujtesa vazhdojnë.
Shumë
domethënës është edhe fundi i fragmentit, kur autori pyet për dasmat dhe
përgjigjet se “shqiptari nuk mban zi. Lufta është dasmë. Dasma në luftë.” Kjo
mund të tingëllojë paradoksale, por në të vërtetë shpreh filozofinë e
ringritjes: tragjeditë nuk fitohen vetëm me lot, por edhe me vazhdim jete, me
martesë, me ripërtëritje, me lindje të reja. Kjo përmbyllet bukur me brohorinë:
“Bekimi i Hamzë Jasharit u martua!... Jasharajt, megjithatë, rrojnë.” Këtu titulli
merr kuptimin e plotë: ata rrojnë në gjak, në emër, në këngë, në kujtesë, në
dasmë, në vazhdimësi.
Kapitulli
“Ato presin babanë t’ua sjellë lirinë” është një ndër pjesët më të dhimbshme
dhe më të ndritura të këtij libri, sepse këtu dhimbja nuk rrëfehet vetëm si
humbje, por si pritje, si besim dhe si vazhdimësi e idealit. Titulli vetë është
tronditës: dy vajza të vogla, me lule në dorë, presin një baba që nuk do të
kthehet më fizikisht, por që në ndërgjegjen e autorit dhe të popullit kthehet
pikërisht si ai që ua solli lirinë. Kështu, shkrimi ngrihet mbi një paradoks të
madh poetik: mungesa e babait shndërrohet në prani historike. Autori e zgjeron
këtë ide kur thotë se pas rënies së tij “Një emër që tundi globin” dhe se “U mbushën malet plot Adema!” Kjo shprehje
do të thotë se Adem u bë model, frymëzim, shumëzim i vetvetes në ndërgjegjen
kolektive. Përforcohet edhe me pamjen e qyteteve që dridhen nga thirrjet: “Prishtina, Shkupi, Tirana, Vjena, Boni,
Nju-Jorku e Oslo-ja dridheshin nga thirrjet e fuqishme: ‘Adem Jashari! Adem
Jashari!’ dhe ‘UÇK, UÇK!’” Këtu emri i tij bëhet jehonë e një populli të
tërë, por edhe një thirrje që kapërcen kufijtë e Kosovës.
Mandej
autori e zbret rrëfimin nga figura e madhe historike te figura e një luftëtari
të ri, Adem Ramadan Ademit nga Galica, i cili bie në kufi dhe me vdekjen e tij
lidh idealin e lirisë me dhimbjen e dy vajzave të vogla.
Autori
e ngre edhe më lart kuptimin e kësaj vdekjeje kur shkruan se ai “mbeti atje
përjetë, që murin ndarës ta kthejnë në palcë të fortë kurrizore të bashkimit
kombëtar” dhe se “Gjaku i tij edhe gurët
e kufirit do t’i shndërrojë në lulëkuqe.” Kjo është një figurë me ngarkesë
të jashtëzakonshme poetike. Kufiri, që zakonisht ndan, këtu kthehet në shpinë
të bashkimit; guri i ftohtë i kufirit kthehet në lulëkuqe. Pra, gjaku i
dëshmorit nuk ushqen vetëm kujtimin, por edhe shpresën.
7. Nga pafajësia e fëmijës dhe madhështia tragjike e
flijimit
e
deri te kthimi shpirtëror i luftëtarit në atdhe
Dhe
pikërisht këtu vjen titulli në gjithë peshën e vet: “E vajzat e tij miturake,
Hyria dhe Elfatja, me lule në dorë presin babanë t’ua sjellë lirinë andej diku
nga malet me dëborë.” Kjo është një nga fjalitë më të dhimbshme të këtij libri.
Në të përplasen dy botë: pafajësia e fëmijës dhe madhështia tragjike e
flijimit. Vajzat nuk e kuptojnë ende plotësisht vdekjen, prandaj presin. Por
autori e kthen këtë pritje në simbol kombëtar: ato nuk presin më vetëm babanë e
tyre, por babanë-luftëtar, babanë-dëshmor, babanë që me rënien e vet po ua
sjell lirinë jo vetëm atyre, por një populli të tërë.
Në
planin më të thellë, autori ligjëron për mënyrën se si flijimi heroik përçohet
në gjuhën e fëmijëve. Fëmija nuk flet me teori politike, as me histori të
mëdha; ai flet me lule dhe me pritje. Dhe pikërisht kjo e bën këtë pjesë kaq të
fortë: liria, që në shumë fragmente të tjera vjen si betim, pushkë, kushtrim
apo këngë, këtu vjen si premtim i heshtur i një babai për bijat e veta.
Bedri
Tahiri bashkon urtinë popullore, filozofinë e pavdekësisë, mitin e Adem
Jasharit dhe dhimbjen konkrete të një familjeje shqiptare. Këtu vdekja nuk
mohohet, por kapërcehet. Heroi bie, por nuk mbyllet në dhe. Ai kthehet në emër
që tund botën, në këngë që zgjon malet, në shembull për brezat dhe, mbi të
gjitha, në shpresë për fëmijët që ende e presin. Dhe ndoshta pikërisht aty
qëndron madhështia më e madhe e këtij libri: te fakti që liria, para se të
bëhet realitet historik, shihet fillimisht në sytë e dy vajzave të vogla që
presin babanë me lule në dorë.
I
tillë është edhe kapitulli “Po shkoj te komandanti im” është një nga pjesët më
të bukura të këtij libri, sepse këtu historia e luftës, kujtesa e brezave dhe
dashuria bashkëshoqërore e bashkëshortore shkrihen në një rrëfim të vetëm. Në
këtë pjesë, Bedri Tahiri na jep një episod biografik për Fehmi e Xhevë
Lladrovcin; ai ndërton një urë të gjallë midis Azem e Shotë Galicës dhe Fehmi e
Xhevë Lladrovcit, duke treguar se lufta për liri në Kosovë nuk është ngjarje e
shkëputur, por amanet që kalon nga një brez në tjetrin. Kjo vazhdimësi shprehet
fuqishëm që në hyrje, kur kujtesa e Azemit dhe Shotës shndërrohet në dialog
simbolik me fatin e Xhevës dhe Fehmiut.
Në
pjesën kryesore qëndron vetë fjalia që i jep titullin këtij kapitulli: “Unë po shkoj te komandanti im, Adem Jashari.”
Kjo fjali ka peshë shumë më të madhe se një njoftim i thjeshtë. Ajo është
deklaratë zgjedhjeje, betim dhe rreshtim moral. Fehmiu nuk thotë se po shkon
thjesht në luftë; ai thotë se po shkon te komandanti i tij, pra te vatra e idealit,
te figura që mishëron luftën e drejtë për liri. Në këtë mënyrë, figura e Adem
Jasharit e gërsheton udhëheqjen ushtarake me fuqinë morale që bashkon
luftëtarët më të vendosur.
Shumë
i fuqishëm është edhe çasti i kthimit të Fehmiut dhe Xhevës në Kosovë. Aty kemi
një lëvizje që është njëkohësisht kthim fizik dhe kthim shpirtëror. Ata kthehen në atdheun që i thërret me zërin
e luftës. Kjo ndjehet edhe në atë atmosferë të brendshme të kullës, ku zërat e
Zahides dhe Ademit tingëllojnë si jehonë e një epoke heroike. Aty nëna nuk del
si figurë e frikës, por si bekim i luftës dhe i trimërisë. Kjo prani e nënës,
që e ushqen birin me idealin e lirisë, është një nga elementet më të bukura të
traditës sonë epike.
Një
tjetër moment i rëndësishëm është bashkimi i dashurisë me luftën. Fehmiu dhe
Xheva nuk paraqiten si çift i zakonshëm; ata janë shokë jete dhe shokë lufte.
Kjo e bën marrëdhënien e tyre shumë më të thellë se lidhja private. Dashuria e
tyre jeton brenda historisë. Ata luftojnë bashkë nëpër fronte, kthehen bashkë
në Kosovë, bien bashkë në altarin e lirisë. Kështu, autori ndërton një figurë
të dyfishtë heroike, ku burri dhe gruaja janë të barabartë në përkushtim dhe në
flijim.
Kulmi
tragjik dhe madhështor vjen te rënia e Fehmiut dhe Xhevës. Fehmiu, i plagosur
rëndë, urdhëron të tjerët të tërhiqen dhe qëndron i fundit, sipas etikës së
kapedanit që “e braktis i fundit anijen”.
Në atë çast, ai nuk mendon për veten, por për popullin dhe për ushtarët. Edhe
Xheva, përballë vdekjes së tij, nuk e humb qëndrueshmërinë, por vazhdon luftën.
Fjala e saj “tash unë urdhëroj këtu”
e ngre figurën e saj në kulm të komandës morale dhe luftarake. Dhe fjalët e
fundit të saj, “Rroftë Kosova e lirë!”, e vulosin këtë figurë si një Shote të
re të kohës sonë.
Shumë
domethënës është edhe reagimi poetik pas rënies së tyre. Vargjet e Agim Vincës:
Lamtumirë Fehmi!
Lamtumirë Adem!
Lamtumirë kapedanë!
Me ju Kosova u bind se
kishte bij
Me ju ndjen se ishte
Nanë!
e
vendosin Fehmiun në të njëjtin horizont simbolik me Adem Jasharin. Kjo elegji
na vjen edhe si akt njohjeje historike. Kosova, përmes këtyre figurave, e
kupton veten si tokë që lind bij të denjë për liri.
8. Gjaku, varri dhe
pavdekësia: poetika e kujtesës së martirizimit
Kapitujt
“Gjakun nuk e lau shiu”, “Trimat jetojnë pas vdekjes” dhe “Hëna sypërlotur dhe
varret binjake” lidhen si një triptik i vetëm: i pari e ngre gjakun në dëshmi
të pashlyeshme, i dyti e kthen vdekjen në vazhdimësi të jetës shpirtërore,
ndërsa i treti e vendos dhimbjen në peizazhin e mërguar të popullit, ku morti,
ikja dhe kujtesa ecin bashkë. Bedri Tahiri na thotë se liria nuk lind vetëm nga
beteja, por edhe nga mënyra si një popull e ruan gjakun, varrin dhe emrin e
atyre që ranë.
Nga
kjo ide kalojmë natyrshëm te shkrimi
“Trimat jetojnë pas vdekjes”, ku vdekja nuk shihet si fund, por si hyrje
në pavdekësi. Autori e nis me një reflektim mbi raportin mes armës dhe muzës,
mes luftës dhe krijimit, për ta sjellë pastaj figurën e Mustafë Shytit, poetit
dhe mësuesit që, në çastin e luftës, e lë penën për të rrokur armën. Kjo figurë
është shumë domethënëse: te Mustafa bashkohen kultura dhe rezistenca, lahuta
dhe pushka, fjala dhe flijimi.
Ndërsa
punimi “Hëna sypërlotur dhe varret binjake”, e zgjeron këtë univers dhimbjeje e
qëndrese. Këtu nuk jemi më vetëm te figura e heroit të rënë, por te turma e
zhvendosur, e përndjekur, e ndjekur nga granatat, te njerëzit që ecin mes
ferrit me shpresë të thyer. Skena është e tmerrshme: karvane refugjatësh,
granata mbi koka, ndarje burrash nga gratë e fëmijët, ekzekutime, djegie,
përdhosje e bustit të Azem Galicës. Në këtë ferr bie edhe profesori Enver
Haliti, figurë e dijes dhe e qëndresës. Vrasja e tij ka peshë të veçantë, sepse
ai nuk ekzekutohet vetëm si njeri, por si intelektual që kishte sfiduar burgun,
torturat dhe harresën. Zëri i Fitim Jasharit “Mos, profesorin tim të mirë, mos,
gjakatarë!”, e bën këtë skenë edhe më të rëndë, sepse aty përplasen dijetari
dhe hanxhari, mësuesi dhe barbari.
Edhe
këtu autori i jep rrëfimit një thellësi të madhe historike përmes figurës së
plakut Shaban Bajrami, që ecën drejt varreve dhe flet për katërmbëdhjetë
meshkuj të rënë nga familja e tij. Ai e sheh këtë si amanet brezash: “Meshkujt tanë kurrë nuk i zuri vdekja me
krye në jastëk, por në fushën e nderit, në frontet e luftës.” Kjo është një
fjali që përmbledh gjithë etikën e këtij fragmenti. Vdekja në shtrat është
rastësi biologjike; vdekja në front, për këtë botë morale, është përmbushje
dinjiteti.
Nëse
te “Gjakun nuk e lau shiu”, historia shkruhet me gjak, te “Trimat jetojnë pas
vdekjes”, vdekja kthehet në pavdekësi, ashtu sikundër te “Hëna sypërlotur dhe
varret binjake”, kujtesa bëhet peizazh, mort dhe amanet. Dhe pikërisht këtu
qëndron forca e Bedri Tahirit: ai sado që rrëfen tragjedi, e bën një hap më
tutje: me mënyrën si tragjedia shndërrohet në kujtesë kombëtare, si gjaku bëhet
tekst, si varri bëhet altar dhe si emri i të rënëve vazhdon të jetojë përtej
vdekjes.
Le
të vijmë te tekstet tjera, siç janë "Ankthe netësh gjatë plojës në
Qyqavicë” dhe “Krimi që tundi botën”, që, po ashtu, janë janë ndër më të rëndat
e krejt veprës, sepse këtu lufta nuk paraqitet më si betejë mes forcash, por si
plojë mbi njerëzit e pambrojtur, si një makinë shfarosjeje që synon jo vetëm
trupin, por edhe shpirtin, kujtesën dhe vetë ndjenjën e njerëzores. Në të parin
kemi ankthin kolektiv të popullatës së ndjekur nëpër male, netët e gjata nën
granata, urinë, frikën dhe tmerrin e pritjes; në tjetrin kemi kulmin e
barbarisë, aty ku viktimë bëhen foshnjat, gratë, pleqtë dhe e pafajshmja
familjare. Bashkë, këto pjesë formojnë një tablo ku Qyqavica si vend i
dhembjes, është edhe pasqyrë e një krimi që tejkalon kufijtë e çdo lufte të
zakonshme.
Pjesa
më tronditëse është padyshim masakra mbi familjen Deliu. Autori nuk e zbut
pamjen: flet për therje, sëpata, thika, trupa të copëtuar, dhe veçanërisht për
Valmirin e vogël, të masakruar me thithësen ende në gojë. Kjo është një nga ato
skena që tejkalojnë edhe vetë mundësinë e përshkrimit. Dhe kjo ndjehet në
reagimin e gazetares angleze, që nuk mund të shohë deri në fund kompletimin e
gjymtyrëve të trupave të familjes. Lista e 21 viktimave të familjes Deliu e
kthen këtë masakër në dokument të pamohueshëm të krimit. Mirëpo, edhe në mes të
kësaj errësire, autori fut një figurë që e trondit thellë kuptimin e vdekjes:
foshnjën Dituri, dy muajshe, të gjetur e gjallë nën fustanin e së ëmës Lumni.
Kjo skenë ka peshë simbolike të jashtëzakonshme. Foshnja është e mbuluar me
gjak, por e gjallë. Dhe kur gazetari i moshuar thotë: “Kur foshnja mund
vdekjen, liria është në prag”, kemi një nga fjalitë më të fuqishme të gjithë
këtij kapitulli. Këtu FDituria, foshnjë e shpëtuar; bëhet metaforë e vetë
lirisë që mbijeton mes therorisë.
Valmiri
i masakruar, në anën tjetër, “pushtoi
ekranet televizive botërore”, duke u bërë “një trokitje në ndërgjegje”. Kjo është shumë domethënëse. Autori
tregon se krimi i kryer në Abrí nuk mbeti vetëm dhembje lokale; ai u kthye në
figurë universale të barbarisë dhe në thirrje të fortë ndaj botës së heshtur.
Pra, fëmija i vrarë dhe foshnja e shpëtuar bëhen dy simbole që tronditin
mekanizmat ndërkombëtarë: njëri si dëshmi e së keqes absolute, tjetri si shenjë
e së ardhmes që nuk u shua dot.
9.
Ndërkaq,
dy kapitujt tjerë, "Në tokën e djegur sërish tymojnë oxhaqet” dhe “Të
vaftë pushka mbarë, ore bir!” ndërlidhen thellë me njëri-tjetrin, sepse i pari
flet për rikthimin e jetës mbi rrënoja, ndërsa i dyti për vullnetin e popullit
që e ushqen atë jetë me luftë, besë dhe sakrificë. Te i pari kemi tokën e
djegur, varret, oxhaqet dhe kthimin e të mbijetuarve; te i dyti kemi nënën që e
dërgon të birin në luftë, komandantin që e pret dhe popullin që nuk thyhet.
Bashkë, këto dy pjesë japin një nga mesazhet më të fuqishme të librit:
pushtuesi mund të djegë shtëpitë, por nuk mund të shuajë trungun; mund të
rrënojë kullat, por nuk mund të ndalë tymin e oxhakut shqiptar.
Njerëzit
kthehen nëpër katundet e shkrumbuara dhe nuk e njohin më as vendin e vet.
Prandaj pyetja e plakës: “O zot, cila ka qenë shtëpia jonë?” është shumë më
tepër se hutim praktik; ajo shpreh tronditjen e njeriut që gjen të përmbysur jo
vetëm shtëpinë, por vetë hartën shpirtërore të jetës së tij. Në këtë botë të
bërë hi, gjithçka duket e përzier, e humbur, e paemër. Pikërisht në këtë ferr
të ftohtë del simboli qendror i kësaj pjese të librit: oxhaku. Njëri prej
burrave thotë: “I shihni oxhaqet si qëndrojnë në këmbë? Ato janë simbole
jete... Ato nesër sërish do të vjellin tym.”
Kjo
është një nga figurat më të forta të gjithë tekstit. Oksigjeni i jetës nuk
lidhet më me murin, çatinë apo pasurinë, por me oxhakun. Për sa kohë rri në
këmbë oxhaku, jeta nuk ka vdekur. Oxhaku është kujtesë, vazhdimësi, pagëzim i
dheut me frymë familjare. Në këtë kuptim, kthimi në tokën e djegur nuk është
fund zie, por fillim ringritjeje.
Edhe
para varreve qëndrimi i të kthyerve është i veçantë: pa rënie, pa dëshpërim të
shthurur, por me homazh force e përjetësie. Kjo lidhet me gjithë etikën e
veprës, ku vdekja për liri nuk e rrëzon njeriun, por e ngre në nderim.
Tek
kapitulli “Të vaftë pushka mbarë, ore bir!”, pas rikthimit mbi rrënoja vjen
hapi tjetër: hyrja e brezit të ri në luftë. Kjo pjesë është ndërtuar mbi mallin
e atdheut, thirrjen e tokës dhe bekimin e nënës. Figura e Liridonit, i kthyer
nga Australia e largët, përfaqëson shqiptarin që mund të ketë gjithçka në botë,
por jo qetësi pa vendlindjen. Ai nuk e duron dot largësinë, sepse “malli i
atdheut për çdo ditë e pickonte ashpër”, ndërsa ëndrra me të ëmën e veshur në
të bardha bëhet një lloj thirrjeje nga nëna dhe nga dheu njëherësh. Kthesa
vendimtare vjen kur ai merr vesh për gjëmën në Drenicë. Atëherë çdo dilemë
hiqet dhe nis rruga drejt frontit. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtu lufta
shihet si përgjigje e detyrueshme ndaj thirrjes morale. Kësisoj, edhe skena në
komandë fiton një bukuri të veçantë. Nëna hyn pa drojë dhe i thotë komandantit:
“ma gjej një pushkë edhe për djalin tim”,
ndërsa në fund, pasi e sheh të veshur me uniformë, e puth në ballë dhe i thotë:
“Të vaftë pushka mbarë, ore bir!” Kjo
është një nga skenat më të forta të krejt veprës, sepse përmbledh në një fjali
të vetme etikën e nënës shqiptare: ajo nuk e ndal të birin; e bekon.
Ky
bekim është shumë më tepër se fjalë nënë. Ai është miratim kombëtar, trashëgimi
e pathënë e grave që nuk e kanë parë luftën si turp, por si nevojë historike.
Kjo lidhet edhe me figurën e plakës Ajshe, që thotë se djepat tanë nuk mbesin
thatë dhe se jeta ripërtërihet edhe pas masakrës. Pra, nënat tona nuk japin
vetëm lot; japin edhe vazhdimësi.
Libri
e forcon këtë ide edhe me përshkrimin e dezertimeve serbe. Autori e tregon
qartë se armikut i mungon morali luftarak, ndërsa UÇK-së i shtohen vullnetarët
“nga të gjitha anët”. Kjo përballje është shumë e rëndësishme në planin
eseistik: njëra anë lufton me urdhër, tjetra me bindje; njëra me frikë, tjetra
me ideal. Kështu, edhe shthurja e ushtrisë serbe paraqitet si shenjë e një
gremisjeje morale.
Autori e zgjeron edhe më shumë horizontin me skenën
e plakut që sjell nipin e tij si zëvendësim për Agronin e vrarë, me dëshirën që
ai të bëhet ushtar i Prekazit legjendar.
Kjo skenë
fuqizon mesazhin se lufta e Kosovës ushqehet nga kujtesa shekullore e një vendi
që “aty
ku iu dha pushka e parë Serbisë” vazhdon të japë luftëtarë.
Autori,
tek kapitujt “Kodra e Dëshmorëve” dhe “Me fat përjetësia Adem Jashari!” bën një
lidhje të thellë shpirtërore dhe simbolike: ai na çon te varri i përbashkët i
flijimit, aty ku dhembja bëhet nderim dhe ku emrat e rënë shndërrohen në yje të
pavdekësisë. Mandej na çon te
përjetësimi i figurës së Adem Jasharit, aty ku historia, miti, flamuri dhe
UÇK-ja bashkohen në një kremte të shenjtë kombëtare. Pra, te “Kodra e
Dëshmorëve” kemi heshtjen mortore të kombit, ndërsa te “Me fat përjetësia Adem
Jashari!” kemi shpërthimin e kujtesës në pavdekësi.
Figura
qendrore është vetë Kodra e Dëshmorëve. Ajo është një hapësirë e shenjtë
kombëtare. Kur autori thotë se “Polaci i Hasan Prishtinës hapi zemrën e ngrohtë
valë për t’u bërë vend të merituar martirëve të kombit”, ai e personifikon
tokën si nënë që pret bijtë e saj të rënë. Kjo skenë e bën aktin e varrimit një
akt kthimi në gjirin e dheut mëmë.
Një
nga pjesët më prekëse është çasti kur arrijnë arkivolet dhe para turmës
heshtake shfaqen “33 ushtarë në arkivole, shndërruar në flamuj lirie”. Kjo
është skenë shumë e fuqishme: dëshmorët nuk shihen më si trupa të pajetë, por
si vetë flamuri i gjallë i lirisë. Ata janë rreshtuar “për front”, pra edhe në
vdekje nuk dalin si të mundur, por si luftëtarë që vazhdojnë të qëndrojnë në
vijë të parë të historisë.
Këtu
autori i jep vend të veçantë edhe nënës shqiptare. Fjala e saj: “Dhembjen ta
kthejmë në forcë” dhe “Të gjithë ata që po i dalin zot këtyre trojeve janë
bijtë e mi” është thelbi moral i këtij kapitulli. Dhimbja personale e nënës
merr përmasa kombëtare. Ky është një motiv që përshkon gjithë librin: Lotët e
nënës shqiptare shprehin kuptimin e flijimit.
Po
aq prekës është edhe momenti kur plaku i moshuar i flet nipit të vrarë: “në
jetë duhet dëgjuar vetëm një zë, zërin e atdheut”. Kjo fjali është një nga
gurët moralë të librit. Kjo shërben si testament brezash, përtej një këshille
familjare. Dhe fakti që nipi e ka mbajtur mend deri në flijim e bën vdekjen e
tij të paraqitet si realizim i një amaneti. Kodra e Dëshmorëve” bëhet toponim i
ri, por edhe emër i ri i kujtesës shqiptare.
Në
kapitullin pasues, “Me fat përjetësia Adem Jashari!”, autori shkon edhe më
larg: nga varri i dëshmorëve kalon te përjetësia e komandantit. Këtu gjuha
bëhet më e lartë, më mitike, më himnike. Autori e nis me një ton gati biblik,
duke folur për krijimin e botës dhe pastaj për krijimin e “një Adami të ri”,
Adem Jasharit. Kjo mënyrë ndërtimi e ngre figurën e tij në shkallë themeluese:
ai del si njeri i zgjedhur për një mision të madh historik.
Shumë
e fuqishme është fjalia: “Pasi mblodhi
fuqinë, mençurinë, trimërinë, bukurinë dhe bujarinë, brumosi mirë e mirë edhe
një Adam të ri, Adem Jasharin.” Kjo është një mënyrë e qartë e mitizimit:
Adem Jashari del si përmbledhje e virtyteve më të larta të kombit. Ai nuk
paraqitet vetëm si luftëtar, por si krijesë simbolike e së mirës kombëtare.
Kjo
pjesë e librit arrin majën e kikës së vet te shprehja e urimit: “Me fat përjetësia, o Adem Jashari!” Kjo
është një formulë e rrallë dhe tepër e bukur. Nuk i urohet më jeta, sepse ai
tashmë e ka tejkaluar jetën biologjike; i urohet përjetësia. Kjo e bën figurën
e tij të dalë përfundimisht nga koha e zakonshme dhe të hyjë në kohën e
pavdekshme të kombit.
Edhe
Flamuri merr përmasë të veçantë. Dhe kur autori thotë se në Prekaz ai valëvitej
“por jo e tëra... ca flatra ia kishte pllakosur gjaku”, ai krijon një figurë të
jashtëzakonshme: flamuri është ende i gjallë, por i rënduar nga sakrifica. Kjo
shpalosje e bën edhe më të ndritshëm kuptimin e lirisë që ende pritet të
plotësohet.
10. Epilogu si mesazh i
fundit i lirisë dhe i pavdekësisë
Vjen
“Epilogu” i veprës. “ ‘Epilogu’ i Bedri Tahirit sintetizon shpirtërisht tërë
veprën, duke bashkuar dhimbjen, historinë, kujtesën dhe shpresën në një zë të
vetëm. Autori e nis me figurën e Sizifit, jo rastësisht. Sizifi simbolizon
mundimin e pafund dhe këmbënguljen shqiptare: popullin që e ngre gurin e lirisë
përpjetë, edhe kur historia e rrëzon vazhdimisht poshtë. Në këtë mënyrë,
epilogu e shndërron vuajtjen në provë morali dhe qëndrese.
Një
nga idetë kryesore të këtij epilogu është se viti i luftës ishte njëkohësisht
vit i shkatërrimit dhe i zgjimit kombëtar. Autori e sheh UÇK-në si forcën që e
shpëtoi dinjitetin moral e kombëtar të shqiptarizmit, duke e nxjerrë popullin
nga dëshpërimi total dhe nga një gjendje nënshtrimi të heshtur. Në këtë epilog
libri, Adem Jashari del si pikë simbolike referimi e gjithë kësaj drame
kombëtare. Epilogu i jep përmasa mitike figurës së tij si komandant lufte dhe
simbol të një fundshekulli.
Autori
e mbyll librin me bindjen se e ardhmja i takon atyre që e duan lirinë dhe që e
vadisin atë me gjakun e tyre. Kjo bindje forcohet nga renditja e gjatë e
dëshmorëve dhe e masakrave, që autori i paraqet si kujtesë dhimbjeje dhe si
dëshmi e fundit e një regjimi në rrugë drejt rënies. Së këndejmi, në kuptimin
më të thellë, ky epilog nuk e mbyll librin. Ai e hap atë drejt historisë, drejt
këngës dhe drejt kujtesës së ardhshme. Dhe pikërisht për këtë arsye tingëllon
si një testament: Adem Jashari dhe ata që ranë me të nuk mbeten vetëm personazhe
të një rrëfimi, por bëhen matës moral i lirisë shqiptare.