Kulturë
Ndue Dedaj: Fundjavë në Kosovë mes miqsh
E merkure, 25.02.2026, 06:56 PM

FUNDJAVË NË KOSOVË MES MIQSH
(Prishtinë
– Pejë – Gjakovë, 20 dhe 21 shkurt 2026)
NGA
NDUE DEDAJ
Asht
ba e zakonshme me u gjend në Kosovë herë pas here, por çdo shkuarje atje, edhe
pse shpesh në të njëjtat vende e me të njëjtët njerëz (si dhe të tjerë me të
cilët njihemi kohë pas kohe) ka bukurinë e vet. Flasim për çdo gjë e gjithçka,
siç ndodh rëndom në bisedat pa protokoll, për shiun që nuk po na ndahet këtë
shkurt, politikën që shkel nëpër rrugët e lëna përgjysmë, gjyqin që po zhvillohet
në Hagë, ikjen e të rinjve në Perëndim, duke e lënë shkret vendin e vet etj.,
por ka në mes nesh një kult që i falemi më së shumti e ky është Libri. Për
shumëkënd kjo mund të duket disi e çuditshme, si mund të ketë njerëz në kohën e
sotme që nuk mendojnë për “ekonominë e tregut”, por ende “marrosën” mbas
magjisë së letrës së bardhë, e cila “nxihet” nga shkronjat që nga hershmëria e
njerëzimit! Por kështu ndodh e besojmë se do të ndodhë edhe atëherë kur
inteligjenca artificiale të ketë pushtuar botën ku rrojmë. Janë rralluar jo pak
libraritë dhe bibliotekat, por janë shtuar bagazhet e makinave me libra, për
t’ua dhuruar miqve. Ani, vlen çdo mënyrë e mjet për me çue librin te lexuesi.
Jemi
bashkë me Gjon Krasniqin, një emër i mirënjohur humanisti bashkëkohor, që ka
bërë gati për botim dy libra, një roman të vetin dhe letrat e Senekës, që vijnë
për herë të parë të plota në shqip. Në Prishtinë takohemi me Profesor Anton
Nikë Berishën dhe të birin, profesor Labinotin, dekan i Letërsisë në
Universitetin e Gjakovës, që na ftojnë për drekë. Shihemi herë pas here në
Prishtinë, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Mirditë etj. Profesor Antoni nuk është
asnjëherë duarbosh, por plot me libra të zgjedhur. Kësaj here na dhuron një
vepër mjaft autentike e rëndësishme hartuar prej tij, siç është “Antologji e
poezisë së përshpirtshme shqipe” (1555 -2019), botim i “Faik Konica” Prishtinë,
554 faqe; librin studimor “Kulme poetike të prozës së Anton Pashkut”, botim i
“Beqir Musliu”, librin me poezi të zgjedhura “Pshëretima djegagurë” të Din
Mehmetit, gjithashtu botim i shtëpisë botuese Beqir Musliu” - Gjilan, që
drejtohet nga poeti Sabit Rrustemi, etj.

Profesor
Anton Nikë Berisha është me plot gojën një “minierë” letrare, shkrimtar,
studiues letërsie i dorës së parë, erudit i pashoq i botës së letrave, që
Arbëreshët i ka dobësi, pasi ka shërbyer më shumë se dy dhjetëvjeçarë si
profesor Letërsie në Universitetin e Kozencës. Këtë vit do t’i kremtohet
80-vjetori i lindjes Profesorit, moshë që nuk mund ta lexosh nga pamja e tij,
përpos se nga letër-njoftimi. Por një herë tjetër do të ndalemi më gjatë rreth
figurës së tij krijuese shumëdimensionale, edhe pse për ktijimtarinë e tij janë
shkruar disa libra.
Mbrëmja
na zuri në Pejë, në restorant – hotel “Dukagjini”, me miq të tjerë, si rapsodin
Kol Krasniqi, 75 vjeçar, prej Nepolës së Lugut të Beranit, që nuk e ndali
këngën edhe mes predhave, kur ishte komandant i Luftës në vendlindjen e tij.
Kol këngëtari nuk ka shkruar libra, por si rapsodët e motit i ka mbjellë këngët
në shpirtin e popullit, në dasma e festa, në Radio-Prishtina, ku i ka pasë
regjistruar e deri në disaporë, në Amerikë në vitet ’80. Në darkën e organizuar
nga Gjoni ka ardhë bashkë me Kristën, kryetarin e fshatit të Nepolës,
ish-ushtarak i rendit, tash në pension. Na është bashkuar gjithashtu dhe
inxhinier Bashkimi, që ka punuar në një nga uzinat e makinërive në këtë rajon.
Kol Krasniqi, përherë i qeshur e me humor është një “burrë zakoni” në dukje, që
ta sjell traditën e të parëve përmes rrëfimesh origjinale, por dhe një person që
di të analizojë ngjarjet e bashkëkohësisë pa paragjykim. Ai nuk është rapsod
tipik, pasi ka kaluar nëpër dyer shkollash, ka dhënë dhe vetë mësimin e
muzikës, por në thelb ka mbetur ai bardi autentik i Kosovës, nga i cili ke
vazhdimisht se ç’të dëgjosh.
Të
nesërmen një kafe në kalim me disa nga miqtë tanë krijues në Klinë, Mikel
Gojanin, Pal Canajn dhe Lekë Mrijën, ku ky i fundit na sajdisi me disa nga
botimet e tij më të fundit, kushtuar dy meshtarëve të përmendur të kohëve të
vona, Dom Fran Sopi dhe Dom Frrok Zefi. Fotografinë që bëra me Anton Çetën në
bronz, nuk po e vë, pasi sfondi mbrapa bustit nuk m’u duk aq i përshtatshëm për
një monument, ashtu si dhe në vende të tjera, ku e ke të vështirë t’i
fotografosh monumentet nga mospërshtatja urbane përreth.
Ndeja
në Gjakovë, në mesditë, në një nga restorantet e traditës, me Afrim Batallin,
Martin Lleshin, Ndue Muqën, Fatos Axhemin dhe natyrisht Gjonin, përbashkuesin
tonë, është gjithmonë e këndshme, me biseda të larmishme, që ta pasurojnë
njohjen për këtë vend e këta njerëz, nga i ke dhe ti rrënjët, e “përpajnuara”
nëpër trojet shqiptare.










