E diele, 22.02.2026, 11:32 PM (GMT)

Editorial

Ndue Dedaj: Lufta e fituar, i vetmi “gjyq” i UÇK-së

E diele, 22.02.2026, 06:59 PM


LUFTA E FITUAR, I VETMI “GJYQ” I UÇK-së

NGA NDUE DEDAJ

Asnjë gjykatë, sado speciale, sado ndërkombëtare, sado euro-atlantike, nuk mund të gjykojë një luftë për liri e pavarësi të një populli - të fituar me gjak. Para saj heshtin të gjithë “topat”, ndasitë e armiqësitë tipike ballkanike, gjeopolitikat e mëdha globale dhe politikat e vogla, të brendshme për pushtet, akuzat për krime lufte për palën fituese, me gjasë të formuluara mbi bazë alibish, përfoljesh etj.

Fitimtarët kanë luftuar në tokën e tyre, Kosovë dhe asnjë centimetër jashtë saj, me praninë e NATO-s, diplomatëve të huaj, mediave nga i gjithë rruzulli dhe jo si çetnikë, banditë vrasës apo bashibozukë larg syve të botës. Ata ishin bij të popullit të vet, që as i përkisnin “Shtëpisë së Verdhë” të paqenë, e as mburreshin se ishin si kreshnikët e “Lugjeve të Verdha”. Luftëtarët e UÇK-së nuk ishin mbinjerëz, nuk ishin aventurierë politikë dhe mbi të gjitha nuk ishin kriminelë. Ata nuk e uzurpuan fronin e pushtetit, por populli i ngjiti atje si fitimtarë, duke i deleguar si nënshkrues të Pavarësisë së tij. Firmat e tyre janë në të gjitha aktet diplomatike të njohjes së Kosovës si shtet! Si do t’iu shpjegohet historia nesër pasardhësve të të dënuarve të sotëm me disa dekada heqje lirie? Se ata e fituan Luftën e madhe, Luftën e drejtë, Luftën historike, por erdhi një gjykatë si një rrëbesh në mot të kthjelltë dhe i fundosi, ua zhbëu meritat dhe karrierat, duke i dënuar realisht me burg të përjetshëm. Atëherë, ata, pasardhësit do të vënë një pikëpyetje: sa e drejtë është Drejtësia, qoftë ajo dhe speciale, ndërkombëtare?

Është kthyer në proverbiale shprehja: “Liria ka emër” dhe përmendën të rënët, dëshmorët, të martirizuarit, masakrat e Reçakut, Mejës në Gjakovë, Prekazit etj. etj., si provë e saj! Po e kundërta, nëse ka ngjarë - krimet në luftë – a duhet të kenë emër? Nuk duhet me pasë ndonjë formim juridik me shtrue disa pyetje bazë: Çfarë krimesh kundër kundërshtarëve politikë të komandantëve të UÇK-së kanë ndodhur konkretisht gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë? Në cilin fshat apo qytet? Në cilën datë e orë? Cilët persona, me emra e mbiemra, janë keqtrajtuar, torturuar apo dhe vrarë? Cila ka qenë lidhja e provuar e të akuzuarve me secilin rast? Cilat janë provat faktike që e vërtetojnë secilin krim? Mbi pesë vite hetime në Hagë dhe nuk është bërë publik asnjë rast krimi i kryer nga katër të akuzuarit! Pastaj, si është e mundur që ata i kanë përpjesëtuar “krimet” e kryera prej tyre në mënyrë të barabartë, sa të ndëshkohen të gjithë me nga 45 vite burg? Si mund të shpjegohet një dënim në “grup”, pa qenë grup, le të themi, i strukturuar kriminal? Si është e mundur që njëri nuk ishte i përfshirë më pak apo më shumë se tjetri? Apo kjo është aritmetika rrumbullakosëse e gjykatës së specializuar, që jep drejtësi për të gjithë “barabar”?!

Është shndërruar gati në aksiomë shprehja: “Po foli Drejtësia, nuk ka fjalë përtej saj” etj., dakort, por le të arsyetojmë, të gjitha institucionet flasin në emër të sovranit dhe jo të vetes, dhe populli i Kosovës katër të akuzuarit e Hagës i brohoret si heronj në protesta, tubime, manifestime, deri para selisë së Gjykatës në zemër të Europës! Ky është vendimi i tij. Ai nuk i ndanë ata nga luftëtarët e tjerë, përfshi dhe ata që dhanë jetën, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani etj. Për popullin e Kosovës nuk ka gjyq përtej gjakut!... Ndërkohë që ka dhe një vendim gjyqi special kundër tyre! Atëherë, cili është vendimi që koha do ta zhvlerësojë? Se njërin do ta zhbëjë patjetër! Në kohë moderne nuk mund të jeshë njëherësh, edhe hero, edhe kriminel! UÇK-ja nuk u vetëkrijua si një “njësit gueril” për të kryer atentate kundër civilëve, qofshin ata shqiptarë apo të kombësisë serbe etj., por e krijoi shpirti liridashës kosovar dhe nuk luftuan vetëm njerëzit me uniformë, për iu bashkuan luftës të gjithë shqiptarët, përfshi dhe nga Shqipëria. Nuk mund ta kuptosh, që të venë në Hagë e të dëshmojnë gjeneralët dhe kryesuesit e bombardimeve mbi ish - Jugosllavi, si Uesli Klark, në favor të komandantëve të UÇK-së dhe nga ana tjetër gjykata e posaçme të vazhdojë “të bëjë punën e saj”, sikur të mos jetë deklaruar asgjë nga funksionarët e lartë amerikanë? Kosova, luftën e bëri bashkë me aleatët perëndimorë dhe nën monitorimin e tyre dhe kjo normalisht i vë kapak kësaj çështje. Ata do të ishin pjesëmarrës në luftë, pasi liria asnjëherë nuk mund të jetë dhuratë.

Doemos që fuqi të tjera të botës, që nuk janë në aleanca politike e ushtarake me Perëndimin, nuk mund të jenë pro luftërave të udhëhequra prej tij, përfshi dhe atë të Kosovës, por kjo nuk mund të përmbysë drejtësinë e asaj lufte. Nuk mitizojmë as ushtrinë çlirimtare të Kosovës, as Amerikën, askënd, nëse do të ishte fjalë për një luftë të padrejtë, por gjithësekush e di se cila ka qenë shtypja e Kosovës për një shekull nën regjimin serb, shpërnguljet masive, dëbimet me dhunë nga trojet e tyre autoktone, vrasjet makabre, krimet ndëretnike ndaj shqiptarëve, gjenocidi, veçanërisht nën sundimin e Millosheviçit, gjer vrasjet e viteve të fundit të policëve shqiptarë mbi Urën e Ibrit etj.

Është tjetër analizë, pse u krijua gjykata speciale enkas për Kosovën, për ekuilibra politikë e gjeostrategjikë të rajonit etj., por sidoqoftë, është historia që do ta gjykojë edhe atë gjykatë, kur të mos jetë më, ndërkohë që nuk mund të përligjet mosreagimi institucional i Kosovës, përtej protestave popullore në Prishtinë!  Ky nuk është presion mbi organet e drejtësisë, por dëshmim i pafajësisë së komandantëve. Se fundja ka dhe një logjikë të thjeshtë, kërkuat ta miratonim gjykatën speciale, ja e miratuam, cilat janë rezultatet e saj në kaq vite? Cilat krime patën emër?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Xhelal Zejneli: “...Edhe ne dëshmojmë” – Libër mbi krimet serbe në Kosovë Xhelal Zejneli: Shqiptarët në studimet gjermane Gjon Keka: Dita e pavarësisë së Dardanisë (Kosovës), datë e shënuar në kalendarin tonë të historisë Lekë Mrijaj: Republika e Kosovës, nga sot, del nga adoleshenca dhe hyn në epokën e pjekurisë shtetërore Asllan Dibrani – Luani: Tapeti i Kuq për Vuçiqin në Ankara – Fabrika për Beogradin, Minare për Kosovën Blerim Latifi: Budallës as në teposhtë mos i zbrit nga shpina! Xhelal Zejneli: Albanologët e huaj dhe Norbert Jokli Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Blerim Latifi: Kur drejtësia harron logjikën - UÇK-ja dhe padrejtësia e Hagës Xhelal Zejneli: Kryekriminelët serbomëdhenj të përgjigjen për masakrën e Reçakut Blerim Latifi: Po vihet në bankën e të akuzuarve vetë lufta çlirimtare e UÇK-së! Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Ilir Çumani: Gjykata Kushtetuese midis vendimit dhe nënshtrimit Ndue Ukaj: Dashuria për individin dhe pazotësia për ta njohur fajin Blerim Latifi: Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Blerim Latifi: Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit Xhelal Zejneli: Holokausti Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx