Faleminderit
Albert Habazaj: Miro Tërbaçja, shqiponjë e historisë
E shtune, 21.02.2026, 06:59 PM
MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
Ribotim
i plotësuar
Nga
MSc. Albert HABAZAJ
Nderim heroinës popullore
Gratë tërbaçiote në rrjedhat e kohës, vërtetësia jetësore,
fakti historik dhe e vërteta historike i ka regjistruar në krahë të burrave. Edhe
ato, sikurse gratë shqiptare kanë qenë shumë të domosdoshme dhe të rëndësishme
në punët e shtëpisë, për lindjen, rritjen dhe edukimin e fëmijëve, mirëmbajtjen
dhe mikpritjen, kulturën e jetesës dhe punët e brendshme të familjes, apo në
kohë lufte - me prapavijën për sigurimin logjistik të luftimit, po aq dhe
luftëtare në front deri në vijën e parë të sulmit, kur e ka dashur nevoja.
Kur e ka kërkuar nderi i familjes, i fshatit dhe i Atdheut,
e kanë treguar veten të barabarta me ta dhe shpesh herë kanë sfiduar historinë
me heroikën burrërore. Një nga ato të fillimit është edhe Trimëresha e
Tërbaçit, Legjenda Miro Tërbaçi.
Ç’dimë nga historia për Miron? Si ka ardhur historia e
saj në kujtesën sociale? Po kënga ç’gjurmë folklorike ka lënë brezave, që na
vjen me tingëllimë kaq të bukur, të pranueshme dhe të pëlqyeshme dhe sot e
kësaj dite? Gjykojmë se, sikurse popujt e tjerë, krahas burrave, kanë patur
edhe gra (vajza e nëna) me emër në histori, si për shembëll, Franca Zhan
D’Arkën, Shqipëria, në rrjedhat e historisë, ka patur (krahas të tjerave) edhe
një Miro Tërbaçe.
Në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi
shoqërore, krahas trimave kordhëtarë të kryengritjeve popullore, bij të shpatës
shqipëtare, kanë luftuar edhe gratë, trashëgimi kjo e përcjellë nga gruaja
ilire, që, siç thotë historiografia shqiptare, ajo “shkonte me burrin jo vetëm
në punë e gosti, por edhe në luftë, ku tregonte heroizma, madje të pashembullt”.
10 Amazonat e Njerëzimit - luftëtaret më të famshme në botë
Historia e njerëzimit klasifikon 10 gratë luftëtare më të
famshme në histori, ndër shumë e shumë të tjera. Jo vetëm për të mos u tejhapur
nga objekti i këtij shkrimi, por patjetër dhe ngaqë bëmat, guximi dhe trimëritë e tyre të pashembullta njihen botërisht, nuk
do të merremi me jetëshkrimin e tyre luftarak për ideale, troje e liri, por vetëm
sa të sjellim në kujtesën e sotme emrat e tyre, që ishin femra reale, të cilat
vepra e tyre i shndërroi në heroina legjendare, të njohura nga gjithë njerëzimi.
Ato janë:
- Artemisia (shek.VI-V
p.e.s), Mbretëreshë e Halikarnasit, Azia e Vogël, mikesha e persëve, e cila
vjen tek ne sipas Herodotit, Babait të historisë;
- Tomiri/ Tomyris/ Tomiride
(shek.VI p.e.s), mbretëresha luftëtare e fisit Massageti (stepat midis Detit
Kaspik dhe Liqenit/ Detit Aral, Azia Qendrore), e
njohur si hakmarrëse, e cila u bë e famshme
për fitoren dhe vrasjen e perandorit pers Kiri i Madh (530 p.e.s), kur ai
sulmoi vendin e saj për ta pushtuar. Ja si ka ardhur gojëdhëna deri më sot.
Citoj: “Shpirti i saj i copëtuar u bë legjendar për t’u hakmarrë për vdekjen e të birit, i
cili u vra nga Kiri i Madh në dyluftim, pasi e vrau perandorin pers, ia zhyti
kokën në një lëkurë dhie të mbushur me gjak dhe më pas ia këputi. Sipas disa
gojëdhënave e mbajti kafkën e perandorit gjithë jetën e saj, duke e përdorur si
kupë për të pirë verë”;
- Budika (30-61 e.r) mbretëresha
rebele e tribusë së Ikenëve, (Anglia Lindore), udhëheqëse e rezistencës angleze
kundër legjioneve romake, më e hekurta antiromake, “syhekurta, zëvrazhdë”,
arketip i një force të madhe lirie;
- Ksenia/ Ksenobia [Zenobia]
(shek.III e.r), Mbretëresha e Palmirës (Siria e sotme);
- Zhan D’Ark (1412-30.05.1431),
Shenjtore mbrojtëse e Francës, çupëlina e Orléans, heroinë kombëtare e Francës;
- Caterina Sforza, Itali
(1463-28.05.1509), Kontesha e Forlit dhe Zonja e Imolas, e mbiquajtur Tigreshë;
- Nakano Takeko, Japoni (prill
1847-16.10.1868), luftëtare samurai;
- Nadežda Andreevna
Durova (17.09.1783-21.03.1866), luftëtare dhe shkrimtare ruse;
- Asia Ramazan (1997-30.08.2016),
luftëtare kurde kundër ISIS dhe shkrimtare;
- Batalioni femëror rus,
1917 është formacioni i parë ushtarak i përbërë vetëm nga femra, i formuar në
Rusi gjatë Luftës I Botërore, i cili quhej repart i vdekjes dhe përbëhej nga
gra që vetofroheshin e sakrifikoheshin për të luftuar në vijën e parë të
frontit. Në Europë, formacionet e para ushtarake të përbëra vetëm nga femra janë
mobilizuar dhe organizuar rreth viteve 1900.
Në përfundim të kësaj
paranteze të shkurtër, kujtojmë se studimet me këtë objekt thonë atë që, në qoftë
se historia e femrave - amazona është një mit i ushqyer me shumë mundësi nga
disa luftëtare Shiite, të cilat luftonin mbi kuaj, janë më tepër se legjendare
historitë e grave dhe mbretëreshave, të cilat kanë rrokur armët në emër të një ideali
ose për të mbrojtur kufijtë e territorit të tyre.
Po shtrydh substancën e artikullit tim: Jemi në kohën
para kryengritjeve të Tanzimatit, kur Perandoria Osmane kërkonte detyrime e
taksa shfrytësuese, që në gjuhën popullore quheshin haraçe, me synim
nënshtrimin ndaj banorëve të thjeshtë, popullit tonë në troje e prona të tij.
Historia e Miro Tërbaçes
Në analet e rrjedhat e historisë, midis
fshatrave të tjera të Labërisë e Shqipërisë, përmendet edhe Tërbaçi për
pjesëmarrjen në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore.
Në këto luftëra është udhëhequr nga trima kordhëtarë, si Lab Ali Leka, Lulo
Abaz Mehmeti, Dule Koka, Beqir Selim Merkoselimaj, Zenel Qendro, Sinan Abazi, Malo
Mico, Murat Miftari, Halim Xhelo, Selman Hysen Gjondedaj, Hysni Kapo etj.
Përkrah këtyre prijësave kanë luftuar edhe
gratë tërbaçiote, trashëgimi kjo e përcjellë nga gruaja ilire dhe përgjatë
historisë në rrjedhat e kohës. Shembulli legjendar i gruas tërbaçiote është akti i vajzës
Miro Kostë Strati më 1764, kur ajo u vesh si djalë dhe shkoi e vrau
administratorin xhelat, te shkallët e sarajeve të tij, i cili, për shkak të
kundërshtimit të taksës, i kishte marrë jetën vëllait të saj, Skëndos. Akti i
saj u kthye në legjendë, dhe, si pasojë, u mbiquajt “MiroTërbaçja”, e njohur në
krahinë e më gjerë. Banorët e Tërbaçit, sikurse dhe banorët e tjerë të
kraninës së Lumit të Vlorës, nuk pranonin të paguanin taksa për ahengje e në
funksion të interesave të ulta të osmanlinjve. Tërbaçiotët u shfaqën dhe u
evidentuan më rebelët dhe, sipas sanxhaktarit të Vlorës, duheshin ndërmarrë
ekspedita ndëshkimore ndaj këtij shpirti kryengritës në buzë të lumit e në
gjoks të malit. Mytesarifi i Vlorës nisi një dërgatë me taborë të armatosur e
kasnecë të Osmanllisë. Kur ekspedita arriti në fushën e Tërbaçit, aty takuan të
parin Skëndo Stratin dhe, për të parë pulsin e gjendjes, përdorën një nga
nëpunësit e mytesarifit, që siç thonë, me logjikën e legjendës, “i kërkuan ujë
për të pirë dhe ky si zot vendi e me respekt, plotësoi kërkesën, u solli një bucelë
me ujë për të shuar etjen”. Në këtë moment, administratori osman doli tek
qëllimi, e pyeti Skëndon: “Pse nuk paguajnë tërbeçët taksat, por tregohen
kokëfortë e të pabindur ndaj ligjeve të perandorisë?”. Skëndua, me gjakftohtësi
e çiltërsi, por me një burrëri të prerë ia kthen: “A a a, për këtë paskeni
ardhur?! Ju, bej mundoheni kot nga këto anë. Ne jemi fukarenj, ushqehemi me
lakra dhe nuk mund të paguajmë haraçet që kërkoni. Ne kurdoherë presim miq dhe
jo njerëzit që na rrjepin lëkurën!”. Funksionari u revoltua nga ky qëndrim
burrëror i këtij djali tërbaçiot, sepse as nuk e mendonte dhe as e imagjinonte
që t’i jepej kjo përgjigje e paparashikuar. I inatosur, jashtë çdo kodi etik, u
largua pa e përshëndetur sipas zakonit dhe përdori një formë tinzare: iu
hakërrua barbarisht, u bëri shenjë që ta vrisnin njerëzve të tij të armatosur,
të cilët qenë fshehur mbrapa shkurreve, bezgave rrotull. Ata e qëlluan
tinëzisht dhe u larguan si hafije e me hafijet, ashtu siç ishin. Skëndua nuk
vdiq në moment, por plaga qe e rëndë. Nuk pati dot shërim për jetën. Urrejtja
për sunduesit arriti kulmin, nuk durohej më. Ngjarjet e mëtejshme i transmenton
në mënyrë lakonike shumë saktë kënga. Mexhit Kokalari shkruan: “Thuhet për
Miron se shquhej në mbarë krahinën si një këngëtare e këngëve të bukura labe.
Miros i pëlqenin shumë këngët e hershme popullore, që bukurinë e stolinë e
vajzës shqiptare nuk e krahasonin me lulen, por me pallën me gajtanë dhe me
pisqollën e larë. Ajo, Miro kënga u bë Miro zeza… Miro Zeza, sepse i qenë shuar
krejt meshkujt e familjes. Nderi i shtëpisë, i gjakut, i fshatit mikpritës por
jo gjunjëulur, i kërkoi të shndërrohej në Miro Legjenda. Legjenda Miro Tërbaçja
është heroinë popullore, që doli nga gjiri i Labërisë, u vesh si djalë, u
ngjesh me jatagan si burrat, i hipi kalit të bardhë, dhe vrau mytesarifin e
Vlorës, atje ku qe strukur te Pashai në Berat, sepse, mbeti e vetme në familje,
pa nënë, pa baba, pa vëlla. Babai i saj Kostë Strati u vra nizam në hapësirat e
shkreta të Perandorisë Osmane, ndërsa vëllain, Skëndon ia vranë në Bramyshnjë
të Tërbaçit administratorët shërbëtorë të Perandorisë së Murme Osmane. Vajza u
betua se do të mirrte hak, të çonte nderin e familjes në vend. Kjo bijë nga
Tërbaçi i Vlorës fluturon si këngë epike në krahët e legjendës për bëmat e saj
trimërore.
Vajza e thjeshtë e guximtare labe i vuri vulën e nderit
dinjitetit familjes, Tërbaçit, Labërisë dhe mbarë popullit shqiptar, përderi sa
emri i saj përmendet dhe shkruhet në histori, në botime të nivelit akademik dhe
është burim frymëzimi për poetë e këngëtarë edhe tej viseve të Shqipërisë së
Jugut (vendlindjen e ka në Tërbaç të Lumit të Vlorës, sot Bashkia Himarë,
prefektura e Vlorës; për vitlindjen ka disa mendime. Përderisa sa ngjarja vihet
në vitin 1764, ajo mund të ketë lindur në vitet 1740-1750. Është dhe një hamendësim
tjetër që i shënon si vitlindje vitin 1803 dhe si vitvdekje 1859-ën. Po ashtu, nga
një burim tjetër kemi informacionin se se vitlindja e Miros është në vitin 1808
dhe vitvdekja më 1869.
Dëshiroj të kujtoj se dy ndër 7 pikat e historianit
objektiv janë dhe këto: historiani duhet të vlerësojë vërtetësinë e të gjitha
tregimeve, jo vetëm të atyre që bien ndesh me pikëpamjen e tij të favorizuar,
si dhe duhet të marrë parasysh motivet e aktorëve historikë.
Kam fatin të kem në arkivin e bibliotekës vetiake shkrime
mësuesit atdhetar dhe kronikanit të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 Gani Ilias
Habazaj (1896- 1969) si dhe kujtimet e tij mbi jetën e Kapedanit të Parë të
Tërbaçit Lulo Abaz Mehmetit. Ai shkruan: “Lulo Abaz Mehmeti nga katundi Tërbaç
i Vlorës ka lindur në vitin 1805, më i vogli i tre djemve të Abazit, që shquhej
për inteligjencë e shkathtësi...”. Në rrafshin kronologjik, qoftë nga historia,
qoftë nga epika historike, logjika na thotë se Miro Tërbaçja është më përpara
në kohë se Lulo Abazi i Parë.
Mësuesi i gjoegrafisë dhe historisë Vendim Lushaj, autor
librash, shkruan: “Tërbaçi ka luftuar kundër pushtuesve turq për çdo kohë e në
çdo vend. Kjo bëhej për arsye që tërbaçiotët të mos i nënshtroheshin Turqisë,
kështu ata kanë luftuar me armë në dorë pa iu trembur fare luftës. Kjo gjë
tregohet tek këngët që populli ka thurur. Ishin kohë shumë të vështira, me
ndjenjën e patriotizmit një vajzë nga Tërbaçi, nga mëhalla e Strate, u vesh si
djalë dhe shkoi për të marrë hakën e të vëllait në Berat, ku vrau pashanë
(vëllanë ia vranë turqit në luftë). Kështu populli i këndoi me këto fjalë qysh
në vitet 1725: “E zeza Miro Tërbaçe,/ Moj
e rritura bonjake,/ Nëpër dyer të Tërbaçe/ Me lakëra burdullake/ Tek berberi u
ngrite, vajte:/ “O berber, hasha vëllanë,/ Premë çepenë si djalë,/ Se do vë
dyfek e pallë/ Do marr hak për vëllanë”. Në vijim, autori shkruan: “Sipas ngjarjeve
dhe gjenezës së fshatit del se Mirua është bijë e mëhallës së madhe të Strate
dhe i takon viteve 1706 dhe këtej, e cila në bazë të etnogjenezës së brezave,
botuar në historikun e fshatit dhe demonstruar në muzeun e tij, i cili sot
është shkatërruar përfundimisht. Tjetër
gjë që vërteton se Mirua është lindur në vitet 1704 këtej, vërtetohet
edhe nga armët me të cilat vrau pashanë; ato ishin dogrà [pushkë e vjetër me lloz e një fishek, (shën.
im, A. H)], me një mbushje, prandaj kishte dy të tilla me vete, kurse pistoletat
moderne kanë dalë pas viteve 1870”.
Mendoj se autori ka përdorur një argument mbushmendës, ndërkohë mund të shprehem se, përderisa
nuk kemi një dokument origjinal, ku të jetë shkruar datëlindja dhe datëvdekja,
mjafton afërsia në kohë (+ -), se nuk ia vlen të bëjmë rrokopujë. Ngjarja
historike e ndodhur dhe hapësira, ku u zhvillua ky akt sublim, duke marrë rrezikun
në sy, pra gati vetësakrifikues janë parësore, patjetër koha e ndodhisë ka
vlerën e saj, prandaj le të trajtojmë historinë ashtu siç e shkruan historia
dhe siç përjetëson kënga, epika historike, sepse ajo është autobiografia e
popullit në vargje, siç ka shkruar dhe Ismail Kadare.
Të gjithë studiuesit dhe kujtesa sociale, e ardhur në
breza njëmendjesohen me faktin që koshadhet osmane nuk e kapën dot Shqiponjën e
Tërbaçit, sepse ajo gjeti strehë tek dajallarët e saj, në Dhemblan, Tepelenë).
Nga person u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e
këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të
atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak. Preu flokët si djalë, hodhi
pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të
vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi
të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s’e gjeti. U hodh në Mallakastër,
kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballëpërballë me pallatin
e Pashait në Berat, ky qe strukur sanxhaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu
funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojeve të sigurisë një takim me
sundimtarin e Vlorës, mbasi do t’i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha
nuk priste. Ata e hëngrën (e besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë
i nisi Mirua dhe ai ra në vend i vdekur. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat
e kobures me fjalët: “Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi
vonuar!”. Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Në
Dhemblan ndodhet varri i kësaj atdhetarje. Në Tërbaç, Flamur Lushaj, si një nga
pinjollët e sotëm të mëhallës së Strate, ka mundësuar ngritjen e një shtatorje
të Miros në sheshin qendror, në ballkon të fshatit, si dhe ka bërë një varr
simbolik me dhè, marrë atje ku mendohet se prehet Mirua, në varret e fisit
Meçaj, te dajorit e saj, në Dhëmblan [Njësia administrative Lopës, Bashkia Tepelenë], ku dhe pleqëroi, deri në moshën 66 vjeçe apo patjetër më shumë, sipas
bisedave me më moshatarët e fisit Meçaj të Dhëmblanit.
Emri i saj përmendet në botimet e nivelit akademik, si
“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave, viti 1985, nga
ku po citoj: “Tërbaçi është fshat me tradita patriotike. Banorët kanë marrë
pjesë gjallërisht në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shqua Lulo Abazi dhe
Miro Tërbaçi”. Ky fakt” historik përmendet edhe në botimin më të ri të nivelit
më të lartë shkencor “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” i vitit 2009. Emri i Miros
është i nderuar në Historikun e vendlindjes “Tërbaçi në rrjedhat e kohës”,
Tiranë, Toena, 1997, në monografitë e shkrimet e Mexhit Kokalarit, Llazar
Siliqit, Bardhosh Gaçes, Halo Abazit, Selim Beqirit, Tofik Dedës, Vendim
Lushajt, Zenepe Lukës, në poemat e Odhise Kristo Grillos, në poezitë e Zhaneta
Lazrit, të Lefter e Kristo Çipës, të Eqerem Canajt e Ruzhdi Bajramit, të Flora
Gjondedajt e Odise Çaçit, të Albert Habazajt e Liziana Kiçaj, në baladën e
mrekullueshme të Bashkim Canodemajt apo në esetë e Idajet Jahajt, etj. Si
gjithë të tjerët, edhe fshatarët e Tërbaçit u ngritën në revolta kundër taksave
(haraçeve) të tagrambledhësve, i kundërshtuan dhe u përleshën me ta. Kjo
ndodhte, sepse, nëpërmjet dhjetarëve, osmanët kërkonin taksa e detyrime arbitrare
kundrejt fshatarësisë. Përballë shtypjes së egër të osmanëve, u ngritën e
luftuan fshatarët e Tërbaçit. “Në përleshje me nëpunësit turq, - shkruan prof.
Gaçe, - u vra Skëndo Kosta Strati, vëllai i luftëtares Miro Tërbaçi. Kjo ka
ndodhur ... kur pashai i Beratit Mehmet Pashë Qytabiu lëshoi urdhër që krahina
e Lumit të Vlorës të paguante taksa të larta. Pasi u dha ujë për të pirë,
Skëndo Strati nuk pranoi t’u paguante taksa osmanëve. Ata pabesisht e vranë”.
Akretipi i këngëve për Miron i shfaq gjurmët, aty nga fundi i gjysmës së parë
të shek. XIX, kur bashkëkohësit e bashkëfshatarët e saj, si Sinan Abazi, Mico
Skëndo, Hyso Salati etj., që u bëri përshtypje të lartë akti i saj historik, i
kënduan këngë bëmave të trimëreshës tërbaçiote Miro.
Hapësirat folklorike
për shqiponjën e historisë
Ishin
Sinan Habazaj, Mico Skëndaj e Hyso Salataj me shokë, këngëtarë luftëtarë të kohës
së jehonës së bëmave të Miros, që shënojnë dhe fillesën krijuese individuale të
këtij krijimi folklorik, që është përfshirë në qarkullim folklorik të
bashkësisë së caktuar (Tërbaç, Vranisht, Dukat, Mesaplik, Dhemblan). Kënga bëhet bartëse e historisë, si një histori e kënduar, sepse operon me
ndërgjegjen poetike historike. Një variant i këngës është: “O Miro, qajmë, mirë,/ qaj për mua derëzinë,/
që të ngrërë si fëmijë,/ u dhashë ujë për të pirë,/ më dhanë plumbin në brinjë”.
Nga kjo këngë kaq prekëse marrim informacionin se si ndodhi ngjarja, momentet
se si u shfaq pabesia, por njëkohësisht edhe faktin se tërbaçioti, labi,
shqiptari, kur jep jetën për një çështje me interesa të shquara, nuk shpreh
dhimbje apo pakënaqësi se vdiq, por jep mesazhe të mos cenohet rruga e nderit.
Mexhit Kokalari ka regjistruar këtë variant: “E shkreta Miro Tërbaçi,/ Qaj Miro qaje mirë,/ Vlla e babë derëzinë,/
Moj e rritura bonjake,/ me lakëra burdullake”. Kënga e ka përjetësuar
veprën e saj në shërbim të Atdheut: “Do
të vë dyyfek e kamë,/ do marr hakë për vëllanë,/ për vëllan’ e për babanë,/ do
shtie mbi pashallarë,/ do t’i vras se m’i kan’ vrarë” . Një tjetër variant
i këngës së Tërbaçit këndohet: “E zeza
Miro Tërbaçe,/ moj Miro, qajmë mirë!/ Moj e rritura bonjake,/ me lakëra
burdullake, /nëpër dyer të Tërbaçe;/ ike, te berberi vajte:/ “O berber, o sha
vëllamë,/ premi çepetë si djalë,/ se do vë dyfek e kamë, / do marr hakë për
babanë,/ për baban’ e për vëllanë! / dhe për kushurin’ e parë,/ për të gjithë
shqipëtarë./ Qëllove mbi pashallarë,/ Tërbaçit se ç’i le namë”. Këtë
variant, i cili është botuar edhe në vëllimin “Këngë popullore historike”, të
vitit 1956, (botim i nivelit akademik, klasifikuar te cikli “Këngë kundër
shfrytëzimit”, në të cilin mungojnë tre vargjet e fundit që cituam), e gjejmë
të regjistruar në Tërbaç, nga punonjësit e Institutit të Shkencave të Tiranës.
Edhe në botimin e Akademisë së Shkencave “Epika Historike”, vëll. 2, gjendet e
klasifikuar tek kapitulli II me “Këngë kundër shfrytëzimit ekonomik shoqëror”,
pikërisht kjo këngë e Miro Tërbaçes, pa asnjë ndryshim, si duket, sepse është
regjistrim i vitit 1952 (sipas shënimit poshtë tekstit). Aty është edhe ky
sqarim për këtë vajzë nga Tërbaçi: “Sipas kujtimeve që ruhen në popull,
bejlerët e Vlorës i kishin vrarë të jatin dhe të vëllanë”. Kënga e Miro
Tërbaçit është e llojit të epikës historike, dhe ky grup këngësh i epikës
historike, sipas Prof. Xhagollit, klasifikohet në “Këngë të pushtimit Osman” ,
të cilat, për “nga struktura e tyre, mjetet shprehëse, figuracioni, ndërtimi
artistik etj., janë në shtratin e mirëfilltë folklorik dhe nuk lejojnë hapësirë
diskutimesh rreth autenticitetit të tyre folklorik në përgjithësi”.
Kujtesa sociale na sjell të dhëna se vrasja e djalit të
pafajshëm e mirëpritës tërbaçiot, zemëroi popullin e gjithë krahinës. Sipas
vargjeve të këngës dhe shumë gojëdhënave popullore, Miro Tërbaçja e shprehu
urrejtjen e saj duke vrarë mytesafirin e Beratit (kështu quhej Kryetar i
administratës së një sanxhaku në kohën e perandorisë osmane). Kështu,
Trimëresha e Tërbaçit, si labëreshë vetëtimë, u fut në histori, fluturon në
krahët e legjendës, duke u bërë një simbol i femrës shqiptare në këngët e
epikës historike.
Kohë pas kohe, kënga e ka përjetësuar dhe e përcjell gojë
më gojë e brez pas brezi aktin e saj heroik. Ajo këndohet edhe sot në Tërbaç,
në Labëri, edhe në muzikën e kultivuar shqiptare, nga Maja. Ja teksti origjinal
i këngës së thurur nga i madhi Kujtim Mici, që është kënduar, së pari nga grupi
polifonik i Tërbaçit, në vitet ’70 të shek. XX dhe që është regjistruar më vitin
1978. Kjo këngë pëlqehet, këndohet dhe ka përhapje edhe sot në fise, mëhallë e
lagje e fshat dhe matanë hapësirave gjeofolklorike të trevës. Është një këngë
që këndohet në vendlindjen time, në Tërbaç sipas këtij varianti, me tekst të
Kujtim Micit, marrës Syrja Hodo, kthyes Nebi Xhaka, hedhës Spiro Çino (kënduar
në vitin 1995):
“O trimja Miro
Tërbaçe,/ O Miro, trimja Mirë! [ref.]/ Moj e rritura bonjake,/ Nëpër dyer të
Tërbaçe;/ Edhe një vëlla që pate/ Ta vrau pashai për haraçe/ Shkove, te berberi
vajte:/ “Berber, të kam sivëllamë,/ Prema çepenë si djalë,/ do marr hak për
vëllanë!/ Mirua vrau pashanë”.
Ndërsa kënga “Miro, të vranë vëllanë” me marrës Sinan
Brahim Hoxhaj, kthyes Nebi Xhaka, hedhës Bilbil Xhaka dhe tekst të Kujtim
Micit, 1978:
Miro, të vranë vëllanë
turqit pashallarë
se tërbeçt’ haraçet
hasmit nuk ia dhanë.
Për Berat hipur mbi kalë
Mirua nis revan - ë,
e stolisur djalë,
ngjeshur - ë dogranë.
Mirua ormisi Pashanë
dy dogra në ballë,
tronditi dynjanë
tërbaçjotja vajzë.
O trimja Mirë, moj trimja Miro Tërbaçe,
moj e rritura bonjake
o Miro, Trimja Mirë,
vjen si një dukuri novatore e cilësuar e kohës, qysh në
vitet 1975-’80. Poeti dhe studiuesi Llazar Siliqi ka shkruar: “Heronjtë
parakalojnë përpara syve tanë të gjallë, konkretë. Ne marrin vesh për trupin e
tyre e për veshjen e tyre, dëgjojmë fjalët e tyre kur hidhen në sulm e kur janë
përpara vdekjes, i pyesim e kuvendojmë me ta: “Për Berat hipur mbi kalë/ Mirua nis revanë/ e stolisur djalë,/ ngjeshur
dogranë”.
Në fshatrat e Labërisë, sidomos në krahinën e Mesaplikut
nënat bënin një komunikim të këngëzuar me fëmijët e djepit edhe me ninulla për
Donika Kastriotin apo Miro Tërbaçin, si psh; “Nina, moj Labikë, nina/ Mjalt i mjaltit nga Kanina/ të na bëhesh si
Donika,/ Si Donika të na bëhesh/ trime në kala të gjendesh” apo “Suferinë në
majë të kalit/ T’i ngjash Miros së Tërbaçit”, të cilat portretizojnë këto
figura të shquara historike dhe nënat edukojnë me ringjalljen e imazheve
trimërore të tyre nëpërmjet këngës për edukimin atdhetar të brezave në
vijimësi.
Miro Tërbaçja ka qenë një person real, bëmat e shndërruan
në personazh historik dhe figurë të dashur të folkorit shqiptar, tej kornizave
të epikës historike. Vetëm në vendlindjen e saj, në Tërbaç këndohen sipas
stilit muzikor të Tërbaçit disa variante këngësh për heroinën popullore Miro Tërbaçen,
këndohen burrërisht nga grupi i madh e djalërisht nga grupi i djemve të Tërbaçit.
Legjenda e Miro Tërbaçes
është një nga më të bukurat e trevës, e cila gëzon disa variante, por të gjitha
të dhënat, toponimet dhe vendlindja e saktë e kësaj legjende është në Tërbaç
dhe vendngjarja në Berat. Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e
Tërbaçit” e ka kënduar qysh në fillimet e riformatimit të tij (2017) në stilin
muzikor të Tërbaçit, sipas variantit grarisht këngën labe për heroinën e njohur
popullore Miro Tërbaçi, e cila i ka kaluar me kohë hapësirat folklorike të
vendlindjes, krahinës e më tej Labërisë dhe përcillet në variante të ndryshme
nga grupe burrash, miks apo grash. U ka hije kënga e Miro Tërbaçit këtyre “10
Miro Tërbaçeve” të këngës labe dhe valles së kënduar labërisht, sipas melodisë
së tyre! Është fjala për tekstin e mbarënjohur popullor me marrëse: Evgjeni Habili
Seferaj, kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse: Vito Shiroku Veraj, iso: Shpresa
Kapo Çelaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Madelona Mëzyri Skëndaj, Liljana Rrapi
Kapo, Baftie Dauti Xhelilaj, Lavdie Goxho Xhaka, Hava Çelaj Muçaj. Edhe sot e
kësaj dite, grupi ynë e ka ndër më të preferuarat dhe e këndon për çdo gëzim,
edhe në festën e fshatit për takimin e brezave çdo vit. Madje e kënduan edhe në
skenën e madhe të televizionit kombëtar Top Channel gjatë suprizës së veçantë
që i bënë Aurela Gaçes më 10 Dhjetor 2025, në një emision të shkëlqyer ku u
takuan dhe u çmalluan motrat me njëra - tjetrën: Shqiponjat e Tërbaçit me
Shqiponjën e këngës shqiptare. Ato e morën në gjirin e tyre Aurelën, i thanë: “Prina vallen!” dhe ajo u bë prijëse e valles, marrëse: Evgjeni Habili Seferaj dhe Aurela Agim Gaçe,
kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse: Hava Çelaj Muçaj, shoqëruan vallen me iso:
Lavdie Goxho Xhaka, Shpresa Kapo Çelaj, Bejushe Gaçe Veraj, Liljana Rrapi Kapo,
Fatmira Hodo Skëndaj, Meme Ribaj Habazaj, Flutura Nanaj, Antoneta Goxho
Mehmetaj.
Këngë për Miro Tërbaçen këndon aq bukur, gjirokastriçe,
me ritëm e patos edhe Juli Çenko me grupin “Ergjëria”, po ashtu grupi polifonik “Lot Kurbeti” në Athinë me tekst të
Zaho Balilit, e këndon aq lirshëm me zërin e mrekullueshëm në variant të
stilizuar këngëtarja e njohur Maja (Maya Aliçkaj) etj. e gjetkë.
Miro Tërbaçja është simbolika epike e gruas tërbaçiote e
labe, e gruas vlonjate e beratase, asaj nga Mitrovica e nga Myzeqeja, nga
Gjakova e nga Gjirokastra, nga Kukësi e nga Korça, nga Hoti e Gruda, nga
Kelmendi e Prizreni, nga Tetova e Skrapari, nga Shkupi e Janina, nga Tuzi e
Librazhdi, nga Elbasani e Mirdita, nga Dukagjini e Himara, nga Ulqini e
Përmeti, nga Drenica e Mallakatra, nga Shkodra e Kolonja, nga Presheva e
Diaspora, nga Kosova e Çamëria. Miro Tërbaçja është motër e Gjakut Kombëtar, e
Shpirtit të Lirë dhe Përparimtar me Teutën e Donikën, me Rugjinën e Shën
Angjelinën, me Norën e Kelmendit e Laskarina Bubulinën, me Maro (Mete) Kondin e
Norën e Hotit, me Tringë Smajlin e Grudës e Shote Galicën, me Dora d’Istrian
(Helena Gjikën) e Marigonë, me Sado Koshenën e Zonja Çurren, me Gego Boben e
Zekije Krastën, me Bulen e Persefonin, me Margarita Tutulanin e Qibrije Ciun,
me Motrat Qirjazi e Katër Heroinat e Mirditës, me Musine Kokalarin e Ramize
Gjebrenë, me Justina Shkupin e Lilo Laben (Ervehe Bazo Gorishtin), me Ganimet
Tërbeshin e Fato Berberin, me Nënë Duzen e Hava Gjoliken, me Mine Pezën e Bije
Vokshin, me Qeriba Derrin e Antigona Fazliun, me Aishe Kalemen dhe Teferrinë e
Vranishtit, me Lejla Malon e Nimete Progonatin, me Tazen e Anifenë. Miro
Tërbaçja, si shqiponjë e historisë së popullit shqiptar fluturon në hapësirat
folklorike, ngarkuar me këngë dhe legjenda.
Nuk e quaj të gjykueshme, ta cilësoj Miro Tërbaçen Zhan
d’Arkë Shqiptare apo Amazonë e Trimërisë. Kur kemi thënë Miro Tërbaçe, kuptojmë
që Ajo është Sinonimi Trimëror i Femrës Shqiptare nëpër shekuj, si Mbrojtëse e
Pragut, e Zjarrit të Ndezur, e Vatrës, e Tymit, e në se na lejohet të përdorim
shprehjen jo thjeshtë metaforike të antropologut Nebi Bardhoshi, të “Gurit të
Kufinit”, të Ujit Shqiptar të Pashkelur. Miro Tërbaçi është imazhi i Luftëtares
për Lirinë e Atdheut.
BIBLIOGRAFIA:
1) TËRBAÇI në rrjedhat
e historisë; Tiranë: Toena, 1998, f. 45.
2) AKADEMIA e
Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Folklor
Shqiptar, Ser. 3, Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar, Epika
historike, 2, përgat.: Qemal Haxhihasani, Miranda Dule, Tiranë, 1981, f.
465, njësia folk. nr. 343.
3) INSTITUTI i
Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Këngë popullore
historike, përgat.: Zihni Sako, Qemal Haxhihasani, Tiranë, 1956, f.
253, njësia folk. nr. 221.
4) HABAZAJ, Albert: Miro
Tërbaçi me histori në këngë dhe legjenda, gaz. Dielli, SHBA, 2.12.2014; https://gazetadielli.com/miro-terbaci-me-histori-ne-kenge-dhe-legjenda/
4/1) HABAZAJ, Albert: Miro Tërbaçja si shqiponjë e historisë
së popullit shqiptar; gaz. “Telegraf”, e përditshme e pavarur, e mërkurë, 03
shkurt 2021, viti XV i bot. Nr. 25 (4717) f. 1, 20-21.
4/2) https://www.voal.ch/miro-terbacja-si-shqiponje-e-historise-se-popullit-shqiptar-nga-msc-albert-habazaj/multimedia/people/, March, 23, 2021
4/3) https://www.zemrashqiptare.net/news/56651/albert-habazaj-miro-terbacja-si-shqiponje-e-historise-se-popullit.html, E
merkure, 17.03.2021, 08:59 PM
4/4) https://pashtriku.org/msc-albert-habazaj-miro-terbaaja-si-shqiponje-e-historise-se-popullit-shqiptar/, 17 Mars 2021
5) HYSENAJ,
Bardho, Histori e Labërisë, Tiranë, Redona, 2011, f. 195.
6) FJALORI
Enciklopedik Shqiptar (FESH), vëll. 3: Akademia e Shkencave Shqipërisë;
Tiranë, 2009, f. 2695.
7) GRILLO, Odhise
Kristo: Trimëresha e Tërbaçit, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1974. Ky libër është
nderuar me çmim të parë në konkursin kombëtar, 1974, [Bot. 4, Tiranë,
Mësonjëtorja e Parë, 2002, 50 f.]
8) GAÇE, Bardhosh: Kënga
popullore e Lumit të Vlorës, Tiranë, Toena, 2009, f. 44-45.
8/1) GAÇE, Bardhosh: Vlora - fjalor enciklopedik, Tiranë,
Maluka, 2023, f. 637.
9) KOKALARI,
Mexhit: Trima të kryengritjeve popullore, 2; Tiranë, “8 nëntori”,
1983, f. 15.
10) CANAJ, Eqerem: Labja; Gërshet shqiponjash për liri, poema, Vlorë, Triptik, 2025, f. 62-64
11) LAZRI, Zhaneta: Miro Tërbaçit; Për dashurinë, vjersha dhe poema, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1980, f. 20-24.
12) LUSHAJ, Vendim: Tërbaçi - histori dhe identitet, Vlorë,
2025, f. 15, 33.
13) XHAGOLLI,
Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar; Vlorë, Triptik, 2007, f.
242.

Busti i Miro Tërbaçit, Tërbaç









