Mendime
Presidentja Vjosa Osmani: Lufta e UÇK-së, e drejtë dhe e pastër
E hene, 09.02.2026, 06:55 PM

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka
reaguar në Facebook duke riafirmuar të vërtetën historike mbi pavarësinë e
Kosovës dhe luftën çlirimtare të popullit të saj. Ajo theksoi se liria e
Kosovës është rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe i një sakrifice
shekullore, duke dënuar ashpër përpjekjet për të relativizuar krimet e kryera
nga Serbia dhe për të barazuar luftën e drejtë të UÇK-së me agresionin
gjenocidal.
Vjosa Osmani:
Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës.
Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të
pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria
Çlirimtare e Kosovës.
Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë
krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim
shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes
dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve
të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të
mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik,
zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.
Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të
UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e
dëmton rëndë paqen afatgjatë.
Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së
ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta
rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të
Kosovës për liri.
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP









