Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes
E diele, 01.02.2026, 06:55 PM
Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes
Nga
Albert Vataj
Libri,
biblioteka, leximi, shkrimtaria, ndijimi, përfshirja, lumturimi... nuk janë
vetëm fjalë që u përpoqa t'i rëndisja ashtu nën yshtjen e një shkujdesjeje gati
të nënvetëdijshme, si i magjepsur.
Po,
ato janë shkallë, nëpër të cilat ngjitem e zbres çdo çast që frymimi më
shpërblen me të drejtën e të jetuarit, në këtë botë sfidash ngjethëse dhe
ëndërrtare.
Jeta
natyrisht që nuk është kaq e thjeshtë. Ajo fatmirësisht është shumë më shumë se
sa një rënditje fjalësh sipas një hierarkie të personalizuar dhe të
atypëratyshme. Gjithsesi më mbetet t'i përmbahem këtij parimi, si një rishtar
rregullave dhe normave të rrepta të besimit.
Të
jetosh me libra nuk do të thotë se bën jetën e letrës që edhe kur digjet ajo
ndrin e ngroh duke u shndërruar në hi, në atë çfarë ishim dhe do të jemi në
matshmërinë e gjithsisë dhe kohës.
Libri
i ka shërbyer qëllimeve të mia ashtu si çdo skllav, i cili nuk ka patur kohë të
ankohet për peshën e vargonjve që e mbajnë të robëruar ngase ka qenë i rrëmbyer
nga epja me përulësi dhe përkushtim të asaj që edhe pse nuk i solli dot liri,
nuk u treguar kaq shpirtligë sa të mos i jepte fryte.
Ëndrrat
janë realitete që më kanë mëkuar shpirtin e botës nëpërmjet librit, mjeshtërisë
së rrëfimit dhe bujarisë që pena dhe parmenda ka pluguar dhe mbjellë diej dhe
zemra. Kam jetuar dhe jetoj në dimensione të ndryshme kohore, si në një nevojë
për të bashkëndarë atë komunikim që mban të lidhur shtresë pas shtrese katet e
ngjitjes së njeriut kah qielli.
Edhe
pse libri është pushtet në shtëpinë time, kjo nuk më ka imunizuar nga fraza
budallaçe "Këtë (shtëpinë), ç'farë e ke, shtëpi apo bibliotekë?". Për
të mos injoruar pyetjen e pafajshme dhe fëminore, "Çfarë të duhen gjithë
këto libra?". Apo dilemën cingëritëse të disave, "Gjithë këto libra i
ke lexuar?". Edhe njerëz që dinë të flasin kaq pa lidhje bëjnë pjesë në
jetën time, dhe kjo jo për fajin tim. Megjithatë unë kam qenë gjithnjë i duruar
ose t'i dredhoj bisedës, ose të përpiqem të mos prishi "shenjtërinë"
e kësaj bote të vogël të këtyre fatkeqëve, duke ua treguar më maturi dhe durim,
se sa i thellë është hendeku që na ndan në këtë bashkësi detyruese të jetuari.
Mburrja
nuk më ka pëlqyer ta përdor as si dominim, por as ta pranoj si nënshtrim, për
një fakt shumë të thjeshtë, se në lëndën e saj përbërëse më shumë se megalomani
ajo mbart ca pika të helmëta vetëkënaqësie. Në këtë marrëdhëni rrekem të
trajtoj edhe bibiotekën personale. Pavarësisht se ajo është ndër të paktat
gjëra që më mbetet të mburrem, sërish nuk më pëlqen ta përdor këtë kredenical,
si të drejtë për tu krenuar. Biblioteka është një mjet në shërbim të punës dhe
përfshirjes sime në realizimin e marrëdhënieve me ëndrrën dhe realitetin
shpirtëror. Edhe pse ajo u bë pjesë e imja organike, një zgjatim i atyre
sirtarëve dhe një peshë që kërkon barazvlerë në tokësoren dhe eternen e gjërave
dhe gjëndjeve ku pjesëmarr, sërish ajo hyn dhe del nga unë për t'u krekosur në
madhështinë e vet.
“Biblioteka
duhet të përmbajë sa më shumë tituj nga gjërat që ju nuk e dini. Ju do të
merrni më shumë dije përmes këtyre librave derisa rriteni. Në të vërtetë, sa më
shumë dini, aq më të shumtë do të jenë librat e palexuar”, shkruan në “The
Black Swan" Nassim Nicholas Taleb. “Një raft me plot libra që s’i keni
lexuar është një kujtesë e fuqishme e kufizimeve tuaja – gjërave të shumta që
nuk dini, dijeve gjysmake, ose gjërave që mendoni se i keni mësuar, por e
kuptoni se jeni gabim. Duke jetuar me këtë kujtesë çdo ditë, mund të shtyni
vetën drejt llojit të përulësisë intelektuale që përmirëson vendimmarrjen dhe
nxit mësimin”.
Vjen një ditë dhe titujt e librave në bibliotekën time janë shtuar dhe raftët gjithashtu. Unë nuk kam mundur ta konstatoj kur ajo rritej, i bindur se edhe ajo nuk e ka vënë re, se si unë z'vogëlohesha gjithnjë e më shumë nën peshën e saj. E kështu jetët tona mbeten të lidhura ashtu si reciprociteti anatomik i organeve, të cilat funksionojnë në shërbim të njëra-tjetrës për të garantuar jetën.









