Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (60)
E hene, 02.02.2026, 06:57 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
JUSUF BAFTIARI (HOXHË
LIPOVICA), ATDHETARI QË NUK E NJIHTE FRIKËN (1883- 1948)
(60)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Gjatë
procesit të hulumtimit sistematik mbi jatakët dhe bunkerët e rezistencës
ilegale shqiptare në Kosovë, si pjesë përbërëse e punës sime studimore të
përmbledhur në librin “Të
burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945–1990”, emri i Mulla
Hoxhë Lipovicës u shfaq fillimisht në formë fragmentare dhe të ndërmjetësuar
përmes dokumentacionit arkivor. Konkretisht, ai evidentohej në dosjen e
Gjykatës së Qarkut në Gjilan me numër P. Nr. 37/48, nën emrin Jusuf Selim
Baftiu, i regjistruar si bujk, i lindur më 1883, me datë dënimi 23.04.1948,
sipas nenit 3/3 të Ligjit Penal, me dënim kapital – pushkatim (f. 360). Ky
informacion, i marrë nga burime zyrtare arkivore, ofronte një profil formal
juridik, por jo domosdoshmërisht një identifikim të qartë historik të figurës
në fjalë.
Ndërkohë,
në një sërë shkrimesh të tjera, dokumente dytësore dhe burime narrative, i
njëjti person shfaqej me variante të ndryshme emërtimi: herë si Hoxhë Lipovica,
herë si Jusuf Baftiu, e në raste të tjera si Jusuf Baftiari – Mulla Hoxhë Lipovica.
Këto mospërputhje onomastike dhe përdorimi paralel i emrave, mbiemrave dhe
titujve fetarë e shoqërorë krijonin një paqartësi të vazhdueshme në
identifikimin e tij, duke lënë hapësirë për keqinterpretime dhe fragmentarizim
të figurës historike në literaturën ekzistuese.
Vetëm
përmes një analize më të thelluar kritike, e cila përfshiu krahasimin e të
dhënave arkivore, kronologjike dhe biografike, u bë e mundur të qartësohej se
të gjitha këto emërtime i referoheshin një të vetmit individ. Ky proces verifikimi
nxori në pah se bëhej fjalë për të njëjtin personalitet historik, identiteti i
të cilit ishte shpërbërë artificialisht në dokumentacion për shkak të
praktikave administrative, politike dhe represive të kohës. Në këtë mënyrë, u
konsolidua përfundimisht bindja se pas këtyre emërtimeve të ndryshme fshihej
një figurë e vetme: Hoxhë Lipovica, një nga patriotët më të shquar të
Anamoravës dhe një ndër përfaqësuesit më domethënës të rezistencës shqiptare në
periudhën e pasluftës.
Ky
rast ilustron qartë vështirësitë metodologjike me të cilat përballet
historiografia kur trajton figura të ndjekura politikisht, emrat e të cilëve
janë deformuar, fragmentarizuar ose qëllimisht mjegulluar në dokumentacionin
zyrtar. Njëkohësisht, ai dëshmon rëndësinë e qasjes kritike dhe krahasuese në
rindërtimin e kujtesës historike dhe në rikthimin e identitetit të plotë të
atyre që, përmes veprimtarisë së tyre patriotike, u shndërruan në objekt të
dhunës institucionale dhe të harresës së imponuar.
Ky
zbulim erdhi me një ndjenjë të dyfishtë: nga njëra anë, kënaqësia shkencore e
sqarimit të një nyje historiografike të paqartë; nga ana tjetër, një ndjesi
keqardhjeje profesionale dhe njerëzore, për faktin se kjo figurë madhore e
rezistencës shqiptare kishte mbetur jashtë trajtimit në librin tim “Ekzekutimi
i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave në Kosovë 1944–1990”, botuar më
2024. Mungesa e Hoxhë Lipovicës në atë vepër nuk ishte pasojë e nënvlerësimit
të rolit të tij, por rezultat i kufizimeve burimore dhe i fragmentarizimit të
informacionit që disponoja në atë kohë.
Ky
konstatim e përforcoi bindjen se historiografia e rezistencës shqiptare ende
mbart boshllëqe të rëndësishme dhe se figura të tilla, të cilat kanë
sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, kërkojnë një trajtim
më të plotë, më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës në studimet shkencore
bashkëkohore.
Jusuf
Baftjari, i njohur gjerësisht në historiografinë vendore si Hoxhë Lipovica,
lindi më 1883 në fshatin Lipovicë, në një familje me rrënjë të thella patriotike,
nga babai Baftjar dhe nëna Sejdije, e lindur Mahmuti. Formimi i tij njerëzor
dhe atdhetar u zhvillua brenda një mjedisi familjar ku ndjenja e përkatësisë
kombëtare, qëndresa dhe sakrifica për liri përbënin vlera themelore të
trashëguara brez pas brezi.
Në
kohën kur u përball me dënimin e fundit nga pushteti jugosllav, Jusuf Baftjari
ishte vejan dhe baba i tre fëmijëve, çka e bën edhe më të rëndë dimensionin
njerëzor të ndëshkimit të tij. Veprimtaria e tij atdhetare nuk ishte e
rastësishme dhe as e kufizuar në një periudhë të vetme historike. Përkundrazi,
ajo përbënte një angazhim të vazhdueshëm dhe të ndërgjegjshëm në shërbim të
çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në rajonin e Anamoravës. Si pasojë e
këtij angazhimi, ai kishte qenë i dënuar edhe më herët me një dënim të rëndë
prej 20 vitesh burg, të cilin e kishte vuajtur për shkak të aktiviteteve të tij
patriotike.
Kjo
vazhdimësi e përndjekjes dhe ndëshkimit dëshmon se Hoxhë Lipovica nuk ishte
thjesht një figurë e një momenti të caktuar historik, por një akter i
rëndësishëm i rezistencës shqiptare, jeta e të cilit u shënjua nga përballja e
pandërprerë me pushtete represive dhe nga një përkushtim i palëkundur ndaj
idealeve të lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Por
të dhënat që na i ofruara studiuesi Aliriza Selmani mundësojnë një vlerësim më
të plotë dhe më të argumentuar të figurës së Hoxhë Lipovicës, duke na çuar në
përfundimin se jeta dhe veprimtaria e tij përbëjnë një nga shembujt më
përfaqësues të rezistencës shqiptare në trevën e Anamoravës. Në portalin
“Kryelajm” në shkrimin “Në përkujtim të
atdhetarit të devotshëm, Jusuf Baftjari, alias Hoxhë Lipovica 1883-1948”,
Selmani na e paraqet hoxhën si një personalitet që, në përpjekjet e tij të
pandërprera për liri dhe bashkim kombëtar, nuk kurseu asgjë: as pasurinë, as
familjen dhe, në fund, as jetën e vet. Sakrifica e tij, e shtrirë në kohë dhe e
kurorëzuar me flijim, e vendos Hoxhë Lipovicën ndër figurat emblematike të
qëndresës shqiptare dhe e bën atë një referencë të rëndësishme për studimin e historisë
së rezistencës kombëtare në Kosovë.
Dokumentacioni
arkivor për Hoxhë Lipovicën, ofron dëshmi të qarta dhe të qëndrueshme mbi
veprimtarinë patriotike të tij dhe të familjes së gjerë. Këto burime tregojnë
se angazhimi i tyre kombëtar nuk ishte i kufizuar në një periudhë të caktuar
historike, por kishte nisur qysh me okupimin serb të këtyre trojeve në vitin
1912. Që në atë fazë të hershme, familja Selimi nga Lipovica u identifikua si
bartëse e qëndrimit rezistues ndaj pushtetit okupues.
Ky
angazhim i hershëm patriotik pati pasoja të rënda materiale dhe njerëzore. Si
formë ndëshkimi nga autoritetet okupuese, familja e Hoxhë Lipovicës u godit
rëndë, duke u përballur me djegien e të gjitha shtatë shtëpive të lagjes Selimi
në Lipovicë. Ky akt represiv jo vetëm që synonte shkatërrimin ekonomik të
familjes, por përbënte edhe një përpjekje për të thyer rezistencën morale dhe
politike të saj. Megjithatë, sipas burimeve të njëjta, këto masa ndëshkuese nuk
e zbehën përkushtimin e Hoxhë Lipovicës dhe të familjes së tij, por
përkundrazi, e forcuan më tej qëndrimin e tyre në mbrojtje të lirisë dhe të
interesave kombëtare shqiptare.
Ripushtimi
serb dhe vendosja e administratës okupuese në vjeshtën e vitit 1918 u përballën
me një reagim të menjëhershëm dhe të gjerë nga popullata shqiptare, e cila e
manifestoi kundërshtimin e saj përmes rezistencës së armatosur dhe
kryengritjeve të organizuara në shkallë të gjerë. Këto veprime përfaqësonin
shprehjen më të qartë të aspiratave politike dhe kombëtare të shqiptarëve për
liri, vetëvendosje dhe bashkim kombëtar, në një kontekst historik të shënuar
nga riorganizime të dhunshme territoriale pas përfundimit të Luftës së Parë
Botërore.
Përballë
kësaj qëndrese, autoritetet serbe ndërmorën masa të ashpra ushtarake dhe
administrative, duke vendosur pushtet të drejtpërdrejtë ushtarak në Kosovë me
synimin për të shuar rezistencën dhe për të çarmatosur popullsinë shqiptare.
Këto masa u shoqëruan me politika represive sistematike, të karakterizuara nga
dhuna e organizuar, terror shtetëror dhe praktika që, sipas burimeve historike,
mbartnin elemente gjenocidale ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë mënyrë,
ripushtimi i vitit 1918 shënoi një periudhë të rëndë shtypjeje, e cila la
pasoja të thella demografike, sociale dhe politike në shoqërinë shqiptare të
Kosovës.
Një
ndër familjet shqiptare që u godit më rëndë nga politika e terrorit shtetëror
ishte familja e Hoxhë Lipovicës, me prejardhje nga treva e Karadakut. Kundër
kësaj familjeje u ndërmor një operacion ndëshkues policor i mirëorganizuar, i
realizuar në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me elementë serbë vendorë, çka
tregon për përfshirjen e strukturave lokale në mekanizmat represivë të
pushtetit okupuese. Gjatë këtij aksioni, tre anëtarë të familjes u arrestuan e më vonë edhe u ekzekutuan: babait, vëllait
dhe nipi i tij, duke e shndërruar ngjarjen në një tragjedi familjare me pasoja
të rënda dhe të pakthyeshme.
Nga
kjo masakër, rastësisht shpëtoi vetëm Hoxhë Lipovica, i cili mbeti i vetmi i
rritur i familjes. Humbja e dhunshme e më të afërmve dhe përvoja e keqtrajtimit
të bashkëshortes së tij në burgun e Gjilanit patën një ndikim të thellë
psikologjik dhe moral mbi të. Këto ngjarje përbënin jo vetëm një goditje
personale, por edhe një dëshmi të brutalitetit sistematik ndaj shqiptarëve,
duke e shtyrë Hoxhë Lipovicën drejt aktit të hakmarrjes, si reagim ndaj
padrejtësisë ekstreme dhe dhunës së institucionalizuar.
Pas
një periudhe të shkurtër, të shënuar nga tronditja dhe dhimbja e thellë
familjare, Hoxhë Lipovica ndërmori aktin e hakmarrjes ndaj organizatorëve
lokalë të ekspeditës ndëshkuese që kishte goditur familjen e tij. Ky veprim u
pasua nga angazhimi i tij për një kohë të caktuar në njësitë e lëvizjes kaçake
antiokupuese, të cilat vepronin kundër pushtetit serb dhe drejtoheshin nga
Salih Staneci, një nga figurat e njohura të rezistencës së armatosur të asaj
kohe.
Pas
konsolidimit institucional të Mbretërisë Jugosllave, Hoxhë Lipovica u detyrua
të dorëzohej në vitin 1921, në një kontekst politik dhe juridik të
karakterizuar nga represioni ndaj veprimtarëve shqiptarë. Pas një procesi
gjyqësor, ai u dënua me një dënim të rëndë prej 20 vjetësh burg, të cilin e
vuajti kryesisht në burgun famëkeq të Zenicës. Pas më shumë se një dekade të
kaluar në kushte të rënda izolimi dhe vuajtjeje, ai u lirua në vitin 1932.
Pas
okupimit dhe copëtimit territorial të Kosovës në vitin 1941, u vendos një
konfigurim i ri administrativ dhe politik, i imponuar nga fuqitë fashiste. Në
këtë kuadër, pjesa më e madhe e Rrethit të Gjilanit u përfshi në Shqipërinë e
okupuar nga Italia fashiste, ndërsa fshatrat e shtrira përtej lumit Moravë, së
bashku me viset e Karadakut, mbetën nën administrimin bullgar. Në këto
territore u krijuan njësi të reja administrative, të organizuara në formë
komunash dhe të përfshira në kuadër të Rrethit të Kaçanikut, duke reflektuar
ndarjet e reja të imponuara nga pushtuesit.
Këto
ndryshime administrative dhe politike u shoqëruan me reagime të ndryshme nga
popullata vendore. Popullata shqiptare në këto zona nuk e pranoi pushtetin
bullgar dhe e kundërshtoi atë si një formë të re okupimi. Në të kundërt, një
pjesë e konsiderueshme e popullsisë serbe u vetëdeklarua si “Bullgarë të
Moravës”, duke u rreshtuar në anën e administratës okupuese dhe duke
bashkëpunuar aktivisht me të në veprime që shpesh drejtoheshin kundër
interesave dhe sigurisë së popullatës shqiptare. Kjo situatë thelloi ndarjet
etnike dhe politike në rajon dhe kontribuoi në përshkallëzimin e tensioneve
gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Si
rezultat i drejtpërdrejtë i politikave represive të administratës bullgare dhe
i veprimeve të bashkëpunëtorëve të saj serbë, një numër i madh i popullatës
shqiptare u detyrua të braktiste vendbanimet e veta dhe të ndërmerrte
shpërngulje të dhunshme drejt fshatrave të shtrira këndej Moravës. Ky proces i
detyruar migrimi përfshiu mijëra individë dhe familje, të cilët u shkëputën nga
pasuria, shtëpitë dhe mënyra e tyre tradicionale e jetesës.
Në
mesin e këtyre familjeve ishin edhe ato të lagjes së Hoxhë Lipovicës, të cilat,
që nga muaji mars i vitit 1942, u vendosën përkohësisht në fshatrat Capar dhe
Malishevë. Këto familje qëndruan në këto zona deri në kapitullimin e Bullgarisë
fashiste në shtator të vitit 1944, duke jetuar në kushte të vështira dhe të
pasigurta.
Veprimtaria
atdhetare gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gjatë
Luftës së Dytë Botërore, Hoxhë Lipovica, u shqua si një nga figurat kyçe të
rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë. Ai ishte ndër udhëheqësit
kryesorë të njësive guerile të rezistencës dhe një nga bashkëpunëtorët më të
afërt të Mulla Idriz Gjilanit, me të cilin ndante jo vetëm vizionin politik,
por edhe barrën e drejtimit të veprimeve ushtarake në terren. Në këtë kontekst,
Hoxhë Lipovica luajti një rol të rëndësishëm edhe si komandant i njësive
vullnetare të angazhuara në mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore, në një
periudhë të mbushur me rreziqe të shumta dhe kërcënime të vazhdueshme nga forca
të ndryshme okupuese dhe paramilitare.
Veprimtaria
e tij ushtarake nuk ishte një angazhim individual i shkëputur nga rrethi
familjar, por një përpjekje kolektive, ku familja u shndërrua në pjesë
përbërëse të rezistencës. Në radhët e bashkëluftëtarëve të tij bënin pjesë edhe
djemtë e tij, Selimi dhe Qazimi, si dhe vëllai Rifati, çka dëshmon për përmasën
e sakrificës familjare dhe për përkushtimin e plotë të Hoxhë Lipovicës ndaj
kauzës kombëtare. Kjo pjesëmarrje e gjerë familjare në luftë e forcon më tej
profilin e tij si një udhëheqës që nuk predikonte sakrificën vetëm për të
tjerët, por e jetonte atë drejtpërdrejt, duke e vënë familjen dhe veten në
shërbim të qëllimit për liri dhe mbrojtje të tokave shqiptare.
Që
në fazat e hershme të vendosjes së administratës bullgare, Hoxhë Lipovica
ndërmori hapa konkretë për organizimin e një strukture të armatosur rezistence,
e cila kishte për synim mbrojtjen e jetës, pasurisë dhe sigurisë së popullatës
shqiptare, si dhe kundërshtimin e veprimtarisë së bashkëpunëtorëve lokalë të
pushtetit okupuese bullgar. Kjo njësi rezistence vepronte në një kontekst të
organizuar dhe të koordinuar, duke mbajtur lidhje funksionale me Nënprefekturën
e Gjilanit, çka tregon për një nivel të caktuar bashkëveprimi institucional në
përballje me rreziqet e kohës.
Megjithatë,
në proceset e mëvonshme hetimore dhe gjyqësore, përgjegjësia për këtë
veprimtari atdhetare iu atribuan Hoxhë Lipovicës dhe bashkëpunëtorëve të tij,
pa u marrë në konsideratë rrethanat konkrete në të cilat kishin ndodhur
përplasjet, as roli i akterëve të tjerë të përfshirë drejtpërdrejt në to. Ky
trajtim selektiv i përgjegjësisë dëshmon për një qasje të njëanshme në
vlerësimin e ngjarjeve, duke anashkaluar autorët e vërtetë dhe kontekstin
kompleks politik e ushtarak të kohës.
Pas
kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, u krijuan rrethana të reja politike
dhe ushtarake në hapësirat shqiptare, duke hapur një fazë të re të përpjekjeve
për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe për bashkimin e Shqipërisë etnike. Në
këtë kontekst, më 16 shtator 1943, në Prizren u themelua Lidhja e Dytë e
Prizrenit, si organizatë politiko-ushtarake që synonte koordinimin e
veprimtarisë shqiptare kundër rikthimit të pushtetit jugosllav.
Në
kuadër të saj, për nënprefekturën e Gjilanit u formua Shtabi i Mbrojtjes së
forcave vullnetare, nën komandën e Mulla Idrizit dhe në varësi të kolonel Fuad
Dibrës. Një nga komandantët lokalë ishte Hoxhë Lipovica, i angazhuar në
mbrojtjen e kufirit lindor të Kosovës nga sulmet partizano-çetnike. Pas
kapitullimit të Bullgarisë më 9 shtator 1944, u intensifikua organizimi i
forcave shqiptare përgjatë vijës Kumanovë–Preshevë–Bujanoc, e cila u mbajt deri
në gjysmën e nëntorit 1944.
Gjatë
kësaj periudhe, forcat vullnetare shqiptare shkaktuan humbje të ndjeshme
njësive partizane dhe çetnike që synonin depërtimin në Kosovë. Një nga
përballjet më të rëndësishme ndodhi më 19 shtator 1944 në Preshevë, ku pas mbi
dymbëdhjetë orë luftimesh, forcat partizane u detyruan të tërhiqeshin.
Megjithatë, pas përkeqësimit të situatës ushtarake, vetëm një numër i kufizuar
vullnetarësh, ndër ta edhe Hoxhë Lipovica, vazhdoi rezistencën e armatosur deri
në fund të vitit 1944.
Më
30 nëntor 1944, në vijën e frontit Myqybabë–gryka e Llapushnicës, u zhvilluan
luftime të ashpra ndërmjet forcave vullnetare shqiptare dhe njësive partizano-çetnike,
të njohura në historiografinë lokale si Lufta e Myqybabës. Rezistenca u
organizua dhe u drejtua nga Ymer Saqa i Myqybabës dhe Hoxhë Lipovica, në një
situatë të pafavorshme ushtarake dhe pa mbështetje të mjaftueshme nga viset
përreth. Pas refuzimit të kalimit drejt Preshevës, një brigadë partizane serbe,
e shoqëruar nga formacione paramilitare lokale, ndërmori sulmin në orët e para
të agimit nga tri drejtime njëkohësisht.
Pasi
u sigurua evakuimi i grave dhe fëmijëve, forcat vullnetare shqiptare organizuan
një qëndresë disaorëshe. Megjithatë, përballë epërsisë numerike të armikut dhe
mungesës së përforcimeve, rezistenca u detyrua të tërhiqej, duke vazhduar
luftimet në Grykën e Llapushnicës dhe në disa fshatra të tjera të Karadakut.
Kjo
përplasje pati pasoja të rënda njerëzore. Ndër të rënët ishin Ymer Saqa,
Rifati—vëllai i Hoxhë Lipovicës—dhe kushëriri Kadriu, ndërsa Selimi, i biri i
Hoxhës, u plagos. Rifati ndërroi jetë pas dy javësh dhe u varros në shpatet e
Llocës. Si hakmarrje për humbjet e pësuara, formacionet serbe dogjën dhjetëra
shtëpi në Myqybabë dhe në fshatra të tjerë të Karadakut, përfshirë edhe
shtëpitë e lagjes së Hoxhë Lipovicës. Pas kësaj lufte, Karadaku u përfshi nga
një ofensivë e gjerë partizano-çetnike, e shoqëruar me djegie, plaçkitje dhe
vrasje të civilëve shqiptarë, duke detyruar popullatën të shpërndahej dhe të
kërkonte strehë në male e skuta.
(Vijon)









