Kerko: a
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (55)
E diele, 18.01.2026, 06:58 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
STREHIMORJA ( SARKOFAGU)
E MULLA IDRIZ GJILANIT (55)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Pikërisht
për shkak të luftës së pandërprerë që zhvilloi me mendje, zemër dhe veprim
kundër padrejtësisë, pushtimit dhe mohimit të identitetit kombëtar, Mulla Idriz
Velekinca u detyrua të jetonte për pesë vite në një izolim të plotë – në një
hapësirë të ngushtë e të errët, në përmasat e një sarkofagu 80x397x220 cm – një
strehë e heshtjes, por edhe e rezistencës, ku nuk u takua me askënd, ku as
familja nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij, dhe ku çdo ditë përfaqësonte
një betejë të re të mbijetesës fizike dhe morale.
Strehimorja
e Mulla Idriz Gjilanit, një hapësirë që në rrethanat e jashtëzakonshme
historike mori funksionin e një vendbanimi të përhershëm, përbën një ndër
dëshmitë më të prekshme të përkushtimit, durimit dhe heroizmit të tij. E
vendosur në katin e dytë të një shtëpie, me hyrje-dalje të fshehtë që lidhte
hapësirën banesore me ahurin, kjo strehimore kishte përmasa modeste – vetëm 80
centimetra e gjerë, afërsisht 397 centimetra e gjatë dhe 220 centimetra e
lartë. Përmasat e saj, të ngushta dhe kufizuese, dëshmojnë për një ekzistencë
të imponuar në kufijtë ekstremë të mundësisë fizike, por që për Mulla Idrizin u
shndërrua në një hapësirë të lirisë së brendshme, të mendimit të pavarur dhe të
qëndresës shpirtërore.
Për
më shumë se katër vjet – saktësisht katër vjet, tetë muaj e gjashtë ditë – që
nga nata e 15/16 marsit 1945 deri në mëngjesin tragjik të 22 nëntorit 1949, kjo
strehimore u bë vendi i vetëm ku ai jetoi, mendoi, lexoi, luti dhe planifikoi.
E përditshmja e tij nuk kishte dritare, por kishte dritë; nuk kishte qasje në
botën jashtë, por ishte e mbushur me botën e idealeve dhe të shpresës.

Ky
vend i mbyllur, që për të tjerët do të përfaqësonte një burg, për Mulla Idrizin
u bë simbol i lirisë së padukshme, i lirisë që nuk e përcakton lëvizja fizike,
por vetëdija dhe qëllimi. Ai nuk ishte thjesht i fshehur për t’iu shmangur
ndëshkimit, por i përkushtuar për të mbrojtur kauzën që përfaqësonte, për të
mos e dorëzuar veten tek pushtuesi, për të mos pranuar tjetërsimin e misionit
të tij. Ai kishte zgjedhur vetë izolimin, jo si shenjë dorëzimi, por si formë e
lartë e rezistencës morale dhe kombëtare.
Në
një perspektivë më të gjerë, strehimorja e tij – ky “sarkofag” i gjallë – mund
të lexohet si një metaforë e fatit të popullit shqiptar në Kosovë në atë
periudhë: të shtypur, të izoluar, të ndjekur, por asnjëherë të dorëzuar. Jeta
në atë hapësirë të ngushtë, të errët dhe të ftohtë, ishte një qëndresë e
vazhdueshme ndaj sistemit represiv jugosllav, një sfidë ndaj përpjekjeve për
asimilim, dhe një shenjë e qartë e qëndrimit të patundur të një njeriu që
besonte se liria fitohet jo vetëm me armë, por edhe me moral, me besim dhe me
qëndresë të palëkundur.
Ky
fakt i dokumentuar me saktësi kohore – nga nata e 15/16 marsit 1945 deri më 22
nëntor 1949 – përbën një nga dëshmitë më të fuqishme të sakrificës së Mulla
Idrizit. Ai nuk u fsheh për të jetuar, por jetoi për të mos u dorëzuar. Dhe
kjo, në thelb, është ajo që e bën figurën e tij të pavdekshme në ndërgjegjen
historike dhe kombëtare shqiptare.
Në
një vështrim më të thelluar dhe analitik të kontekstit historik, data 29
dhjetor 1944 përbën një pikë kthese jo vetëm për fatin individual të Mulla
Idriz Gjilanit, por edhe për mënyrën se si figura e tij do të perceptohej më
tej, si nga pushteti represiv jugosllav, ashtu edhe nga vetë populli shqiptar.
Në këtë datë, gjurmët e tij sikur u shuan nga sipërfaqja e dukshme e
realitetit. Ai nuk u vra, as nuk u dorëzua — por u zhduk në një mënyrë që thelloi
edhe më shumë hijen e misterit që do ta përshkonte figurën e tij për dekada.
Qenia e tij, nga një prani konkrete, u kthye në enigmë. Heshtja rreth
vendndodhjes së tij nuk ishte mungesë informacioni, por një formë aktive e
mbrojtjes së një ideali të gjallë që vazhdonte të frymonte përmes jetës në
ilegalitet.
Kjo zhdukje nga horizonti publik, megjithatë, nuk do të thoshte asnjëherë zhdukje nga memoria popullore. Përkundrazi, ajo e ktheu Mulla Idrizin në një figurë të mitizuar të rezistencës kombëtare, një simbol të asaj që nuk dorëzohet as para dhunës, as para harresës. Në heshtje dhe në fshehtësi, ai mbeti gjallë përmes njerëzve që e strehonin, përmes fjalës që përçonte vepra e tij dhe përmes atyre që në errësirën e diktaturës, mbajtën të ndezur një pishtar të shpirtit shqiptar – jatakët.
Jatakët e Mulla Idrizit
Një
kujtesë e fuqishme për këtë rol jetik të jatakëve është edhe këshilla që e
kishte marr Muhamet Pirraku nga Sali Sefer Pirraku, kaçak, në vitin 1973, që e citon: “Biri im! Nëse do të shkruani për
Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare Antijugosllave, shkruani për jatakët, se ata
janë më të mëdhenj se kaçakët…!” – ishte porosia e tij prekëse dhe domethënëse.
Kjo thënie nuk ishte thjesht një vlerësim personal, por një dëshmi morale dhe
politike për rolin e pazëvendësueshëm që kishte struktura e mbështetjes nga
baza shoqërore – njerëzit e thjeshtë, të panjohur, të heshtur – që e bënë të
mundur qëndresën e figurave si Mulla Idrizi.
Në
këtë kuptim, jatakët nuk ishin thjesht strehues të të përndjekurve. Ata ishin
bashkëluftëtarë të heshtur, pjesëmarrës të barabartë në misionin e madh të
ruajtjes së kombit, të shpirtit të tij dhe të lirisë. Ata mbartnin mbi supe një
peshë morale dhe jetësore që shpesh ishte më e rëndë se arma e kaçakut. Ata
rrezikonin familjet, jetën, nderin dhe pasurinë, jo për lavdi apo shpërblim,
por për ideal. Pa ta, shumë figura emblematike të rezistencës kombëtare nuk do
të kishin mundur të mbijetonin, e rrjedhimisht, as historia jonë nuk do të
kishte të njëjtat kapituj të lavdishëm të qëndresës.
Prandaj,
ky episod është një thirrje e fuqishme për historiografinë shqiptare që të
kthejë vëmendjen nga aktet spektakolare të rezistencës drejt përkushtimit të
heshtur dhe shpesh të padukshëm të jatakëve, që përbëjnë një shtyllë të
palëkundur të lëvizjeve tona çlirimtare dhe të vetë mbijetesës sonë kombëtare.
Nëse Mulla Idrizi ishte trimi, ideologu dhe shpirti i qëndresës, jatakët ishin
fryma e popullit që nuk lejoi kurrë shuarjen e këtij zjarri.
Thellësia
e amanetit të lënë nga njëri prej kaçakëve më të njohur të kohës, Salih Sefer
Pirraku, nuk do të zbulohej në gjithë përmasën e saj deri në çastin kur
studiuesi niset në një rrugëtim të gjatë kërkimor për të ndriçuar jetën dhe
veprimtarinë politike të Mulla Idriz Gjilanit gjatë periudhës ndërmjet 29
dhjetorit 1944 dhe 22 nëntorit 1949. Vetëm përmes kësaj përpjekjeje të
thelluar, zbulohet me një qartësi tronditëse se ajo që e ka bërë të pavdekshëm
figurën e Mulla Idrisit në memorien kolektive të kombit shqiptar nuk ishte
vetëm guximi i tij prej luftëtari apo urtësia e tij prej dijetari, por mbi të
gjitha ishte përkushtimi i pashoq i një familjeje të zakonshme shqiptare që
mori mbi supe barrën e jashtëzakonshme të ruajtjes së një ideali.
Kjo
familje është ajo e vëllezërve Sadiku – Sylë, Salih, Rrahim, Ramiz dhe Avdi –
nga fshati Gjyrishec, së bashku me gratë e tyre të dinjitetshme, me në krye
figurën monumentale të Nënëmadhes Zarife. Nëse Mulla Idrizi simbolizon frymën e
qëndresës politike dhe shpirtërore të kombit shqiptar, atëherë familja Sadiku
mishëron themelet e pathyeshme të solidaritetit njerëzor dhe atdhetar, mbi të
cilat është ngritur kjo qëndresë. Ata nuk ishin vetëm jatakë në kuptimin
logjistik të fjalës – njerëz që strehojnë të përndjekurit – por ishin
bashkëluftëtarë të heshtur në një betejë që zhvillohej jo në fushëbetejë, por
në rrënjët më të thella të ndërgjegjes kombëtare.
Sakrifica
e kësaj familjeje nuk mund të përmblidhet me fjalë, sepse ajo sfidon çdo
krahasim me modelet e njohura të mbështetjes njerëzore që njihen në
historiografinë botërore. Për më shumë se katër vite e gjysmë, ata jo vetëm që
e strehuan Mulla Idrizin në një hapësirë të vogël, të ngushtë dhe të errët, por
e shndërruan shtëpinë e tyre në një vatër të gjallë rezistence dhe dashurie për
kombin. Duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, duke mos kursyer
asgjë nga e përditshmja e tyre modeste, ata mbajtën të gjallë jo vetëm një
njeri, por një ideal.
Ky
përkushtim i jashtëzakonshëm na detyron të rishikojmë jo vetëm mënyrën se si i
lexojmë figurat e mëdha të historisë, por edhe mënyrën se si kuptojmë rolin e
mbështetjes së padukshme, të heshtur, por thelbësore. Vlerat e Mulla Idrisit,
për të cilat sot shkruhet e studiohet, nuk do të mund të ruheshin, të
zhvilloheshin apo të kishin pasur ndikim të tillë të gjerë në historinë e
shqiptarëve, po të mos ishte “jataku” – kjo strukturë morale e ndërtuar mbi sakrificë,
besë dhe dashuri për kombin.
Në
këtë kontekst, amaneti i Salih Sefer Pirrakut shndërrohet në një udhërrëfyes
etik dhe metodologjik për historianët: për të kuptuar thellësisht Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare, nuk mjafton të studiohen vetëm prijësit dhe figurat
qendrore, por duhet të ndriçohen me përkushtim edhe figurat e atyre që qëndruan
në prapaskenë, që i dhanë mbështetje pa kushte kauzës kombëtare, që u bënë
shtyllat e heshtura të një qëndrese që nuk u përkul kurrë. Dhe në këtë histori
të përbashkët lavdie, emri i familjes Sadiku zë një vend të pashlyeshëm.
Në kujtesën kolektive dhe në dokumentacionin historik mbi veprën dhe rënien e Mulla Idriz Gjilanit ekzistojnë shumë versione, të cilat ndërthuren mes kujtimesh, dëshmish të drejtpërdrejta dhe interpretimesh të mëvonshme. Megjithatë, nga një këndvështrim shkencor dhe me një qasje analitike të bazuar në dokumente dhe dëshmi relevante, mund të arrihet në një konstatim të matur dhe të përgjegjshëm: zbulimi i vendndodhjes së Mulla Idrisit nuk ishte një akt i papritur dhe as krejtësisht i imponuar nga forca e armikut, por pasojë e një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar, ku ndikuan disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Zbulimi i Mulla Idrizit
Një
ndër faktorët që ndihmoi, në mënyrë të pavetëdijshme, në dekonspirimin e
vendqëndrimit të tij ishte vetë natyra e veprimtarisë së Mulla Idrisit –
angazhimi i tij i pandërprerë në mbajtjen e kontakteve me strukturat e Lëvizjes
së Rezistencës Kombëtare, përmes rrjetit të gjerë të jatakëve, e sidomos përmes
lidhjeve të tij me figura kyçe si Halim Orana, udhëheqës i Organizatës Nacional
Demokratike Shqiptare, dhe Ymer Berisha, prijës i organizatës “Besa Kombëtare”.
Këto organizata, edhe pse kishin një profil të qartë atdhetar dhe
antijugosllav, përjetuan ndërhyrje të sofistikuara nga shërbimet sekrete
jugosllave (UDB), të cilat, me kalimin e kohës, arritën të depërtonin në to
përmes elementëve të infiltruar.
Mulla
Idrizi nuk u tërhoq asnjëherë nga angazhimi politik dhe shpirtëror, duke
qëndruar në kontakt të përhershëm me organizatat që përfaqësonin vazhdimësinë e
aspiratave kombëtare. Por kjo lidhje konstante me botën e jashtme, edhe pse e
domosdoshme për ruajtjen e frymës së rezistencës dhe bashkërendimin e
veprimeve, krijoi një rrjet të gjerë komunikimi që, me kalimin e kohës, u bë
edhe pikë e dobët e sistemit të fshehjes dhe mbrojtjes. Në këtë mënyrë,
struktura e jatakut, e ndërtuar me përkushtim e sakrificë, filloi të ekspozohej
gradualisht ndaj rrezikut të infiltrimit.
Zbulimi
fatal i datës 22 nëntor 1949, i cili përfundoi me rënien e Mulla Idrisit, erdhi
një ditë pas vdekjes heroike të Salih Sadikut – njëri nga anëtarët më të
devotshëm të familjes që e kishte strehuar. Rënia e tij ishte preludi i një
tragjedie më të madhe, ku strukturat shtetërore jugosllave u hodhën me
intensitet mbi të gjithë rrjetin që kishte ndihmuar Mulla Idrizin të qëndronte
i fshehur për afro pesë vjet. Përndjekja nuk ishte më e përqendruar vetëm mbi
individin, por mbi të gjithë jatakun kolektiv, që përbëhej nga individë dhe
familje të tëra, të cilët e kishin shndërruar shtëpinë dhe jetën e tyre në një
fortesë të heshtur të lirisë dhe të dinjitetit.
Ky
moment shënon kulmin e një përplasjeje dramatike midis një ideali dhe një
aparati shtetëror represiv, ku fati tragjik i Mulla Idrisit dhe i jatakëve të
tij nuk mund të kuptohet jashtë kësaj ndërlidhjeje të dhimbshme. Prandaj,
historia e rënies së tij duhet të lexohet jo vetëm si një akt i dhunshëm i
zbulimit dhe ndëshkimit, por edhe si një përballje morale e një njeriu dhe e
një komuniteti të tërë me sistemin më brutal të kohës, ku qëndresa dhe
tradhtia, sakrifica dhe infiltrimi, heroizmi dhe poshtërsia, ndërlidheshin në
mënyrën më dramatike që njeh historia moderne shqiptare.
Fjalët
e Rrahim S. Sadikut, të thëna me një thellësi kuptimore dhe emocion të
theksuar, bartin në vete jo vetëm një ndjeshmëri personale, por edhe një vlerë
të rrallë dokumentare për qëndrueshmërinë morale dhe besimin e palëkundur që
Mulla Idriz Gjilani ruajti deri në fund të jetës së tij. Deklarata e tij
lakonike, por e ngarkuar me domethënie – “Nuk u angllatis se nuk u angllatis,
Mulla Idrisi…!” – është një përmendore gojore që dëshmon se as torturat më
çnjerëzore, as rrethimi psikologjik dhe as vdekja e afërt nuk arritën ta
përkulnin shpirtin e këtij njeriu të madh, i cili zgjodhi të përjetësohej në
qëndresë sesa të rrënohej në kompromis.
Përballë
kësaj dëshmie burrërore, është vetë Mulla Idrizi ai që në mënyrë profetike, por
edhe me një përgjegjësi të jashtëzakonshme, i drejtohet vëllait të idealit dhe
të sakrificës, Rrahim Sadikut: “Tashti është punë e jemja, o Rrahim trimi, o
vëlla...!” – një frazë që flet për një shkallë të lartë të ndërgjegjes
individuale dhe përkushtimit të sinqertë ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Ai
nuk kërkon të shpëtojë veten duke i përfshirë të tjerët në rrjetën e hakmarrjes
së armikut. Përkundrazi, ai mbron të gjithë bashkëveprimtarët e tij duke marrë
mbi vete përgjegjësinë e plotë, edhe atëherë kur kjo mund ta kushtonte me jetë.
Fjalët
e tij janë më shumë se një ngushëllim; ato janë një premtim i shenjtë, një
testament shpirtëror: “Nuk i marrë në qafë robët, dhe mos u frikëso, se Zoti
është i Madh, e një ditë ka për të dalë në dritë burrëria, besa dhe sakrifica,
e jote dhe e vëllezërve të tu deri në vetëmartirizim...” Në këto fjalë gjejmë të
përqendruar filozofinë e rezistencës shqiptare, ku besimi te drejtësia hyjnore,
shpresa për triumfin e së vërtetës dhe besa e pashkelur janë themele të një
morali të lartë kombëtar dhe njerëzor.
Përmes këtij komunikimi të ngushtë mes dy bashkëluftëtarësh, krijohet një urë shpirtërore që e ngre historinë mbi nivelin e një ngjarjeje të izoluar dhe e kthen atë në një narrativë epike të qëndresës dhe sakrificës shqiptare. Kjo skenë është një mikroskopi e shpirtit të kohës dhe një pasqyrë e vlerave që ndërtuan heroizmin e heshtur, por të paharrueshëm, të shumë burrave e grave që kontribuuan në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në kohët më të errëta të historisë.
Nënëmadhja Zarife Sadiku, jatakëja e devotshme e Mulla Idriz Gjilanit
Në
horizontin e përjetësisë së kujtesës sonë historike, ndodhin momente të rralla
ku fjala e njeriut tejkalon veten dhe bëhet përmendore shpirtërore për të
gjithë një komb. Në një prej këtyre çasteve të jashtëzakonshme, dëgjohet zëri i
një burri që, përkundër përmasave të mëdha të veprës dhe sakrificës së tij,
gjunjëzohet me nderim përpara një figure tjetër – nënës. Nuk është çfarëdo
nënë, por është ajo Malësore që lindi e rriti bij dhe që, mbi të gjithë, e
pranoi edhe atë si bir, si trashëgimtar të besës, si mbrojtës të lirisë.
Dhe
në këtë moment të rrallë, ai flet me përulësi të thellë e me përkushtim të
pashoq: “Një ditë, Nëna që u lindi dhe u rriti Juve, Malësorja që më pranoi për
djalë mbi të gjithë djemtë, e mbi të gjithë robët, ka për t’u ngritur mbi retë,
në historinë e kombit tonë…!” Në këtë fjali përmblidhet një ndjeshmëri
njerëzore e rrallë dhe një vlerësim i pamasë për figurën e gruas shqiptare – jo
vetëm si nënë biologjike, por si strehë, mbrojtëse dhe mbartëse e një misioni
të madh kombëtar.
Ai
i cilëson veprat e tij si të pavlera përballë qëndresës, përkujdesjes dhe
ndihmës që kjo grua, dhe të ngjashmet me të, dhanë në prapaskenë, duke e bërë
të mundur qëndresën e burrave në vijën e parë. “Bëmat e mia janë një zero në
krahasim me punën Tuaj,” – fjalë që reflektojnë jo vetëm përulësi, por edhe një
kuptim të thellë të rolit që gratë dhe familjet kanë pasur në mbajtjen gjallë
të kauzës kombëtare.
Në
një situatë të rëndë dhe rrethim të plotë, me vetëdije të lartë për fundin e
afërt, ai merr mbi supe të gjithë barrën e vendimit. “Tashti më lejo unë të
vendosi…!” – thotë me vendosmëri, duke e marrë përgjegjësinë e plotë historike
dhe morale. Ai kërkon që jataku të bëjë një sakrificë të fundit: të dalë, të
shtyjë kohën, të blejë disa orë, sepse ai vetë e ka bërë hesapin e fundit –
jetën e vet për të shpëtuar dokumentet, për të mos rënë në duart e pushtuesit,
për të ruajtur sekretet e lëvizjes.
“Dil
dhe shtyje afatin, disi, deri sa t’i kryej edhe do punë…” – është një lutje dhe
një urdhër njëkohësisht, një kërkesë për të vazhduar betejën edhe pak, vetëm
edhe pak, sa të mbyllen rrathët e besimit dhe amanetit. Ai është i vetëdijshëm
për çmimin e lartë që do të paguajë, por nuk është më koha për të menduar për
jetën personale – është koha e mbrojtjes së një ideali.
Dhe,
me një skenar që është më shumë se dramatik – është tragjik dhe heroik
njëkohësisht – ai i jep jatakut porosinë e fundit: “Dil, dil…! Thuaju se tashti
po dorëzohet…!” Fjalë që i ngjasojnë një akti të fundit në një dramë të madhe
kombëtare. Por, nën këtë dorëzim të dukshëm, fshihet një qëllim i lartë – për
të mbrojtur idealin, për të ruajtur dokumentet, për të mos e nxjerrë askënd
tjetër në rrezik.
Ky
fragment përbën një dëshmi të çmuar për psikologjinë e njeriut që lufton me
vdekjen, jo për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar një ideal. Një dokument
etik, një testament moral, një dëshmi e një lufte që s’është vetëm fizike, por
është metafizike, ku përballen e mira dhe e keqja, drita dhe errësira, liria
dhe robëria. Dhe, mbi të gjitha, është një homazh për atë qëndresë të heshtur
që historia shpesh e harron – por që është themeli i çdo fitoreje të vërtetë.
Kapja
dhe sjellja e Mulla Idriz Gjilanit në Burgun e Gjilanit, natën dramatike të
22-të në 23 nëntorit 1949, përbën një nga episodet më tragjike dhe më
njëkohësisht më të ndritshme të historisë së qëndresës shqiptare pas Luftës së
Dytë Botërore. Në atë natë të mbushur me terr simbolik e dhimbje kombëtare,
bashkë me të u burgosën edhe dy nga bashkëpunëtorët më të afërt e më besnikë të
tij – Rrahim dhe Avdi Sadiku – anëtarë të një familjeje që e kishte pranuar
Mulla Idrizin jo thjesht si mysafir, por si bir, si pjesëtar të fisit, të
shpirtit dhe të idealit.
Ironia
e hidhur e kësaj nate qëndron në faktin se dy vëllezërve Sadiku, të cilët
kishin mbajtur mbi supe barrën e strehimit të njërit prej figurave më të
ndritura të kombit, nuk iu lejua as e drejta më elementare njerëzore: të
varrosnin vëllanë e tyre të idealit, të dashurisë dhe të sakrificës. Ata u
privuan nga ajo që për shqiptarët ka qenë gjithmonë detyrim moral dhe nder i shenjtë
– varrimi i një të afërmi apo miku të ngushtë. Ky privim, më shumë se një akt
administrativ i pushtetit, ishte një përpjekje për të zhveshur luftën dhe
figurën e Mulla Idrizit nga çdo nderim njerëzor, për ta bërë atë një shembull
frikësimi dhe nënshtrimi.
Por,
në vend të nënshtrohej historia, ajo u ngrit edhe më shumë. Për UDB-në e
Kosovës dhe Metohisë (të njohur si "Kosmeti"), kapja e Mulla Idrizit
u paraqit dhe u perceptua si kulmi i arritjeve të saj, si një fitore simbolike
dhe operative që shënonte sipas tyre triumfin përfundimtar mbi strukturat
ilegale të rezistencës shqiptare. Në dokumentet e tyre, kjo ngjarje
regjistrohet si “fitore mbi të gjitha fitoret”, duke treguar se sa i madh ishte
ndikimi i kësaj figure dhe sa shumë përbënte ai një rrezik për pushtetin
jugosllav.
E
megjithatë, fitorja e UDB-së ishte vetëm sipërfaqësore dhe momentale. Historia
nuk e regjistroi atë si triumf të regjimit, por si dëshmi të brutalitetit dhe
padrejtësisë. Në anën tjetër, figura e Mulla Idriz Gjilanit, e njollosur dhe e
dhunuar nga pushteti, u ngrit në ndërgjegjen kombëtare shqiptare si simbol i
qëndresës, si emblemë e besimit, si figurë e patjetërsueshme në altarin e
kujtesës historike. Kapja dhe martirizimi i tij, në vend që të shuanin frymën e
rezistencës, i dhanë asaj kuptimin më të thellë dhe e ngjizën me përjetësi.
Prandaj,
ajo natë e ftohtë e nëntorit nuk është vetëm një datë në kalendarin e vuajtjeve
shqiptare – ajo është një kapitull i shkruar me gjak e nder në historinë tonë
kolektive. Dhe çdo herë që kujtohet, na rikujton se në kohët më të errëta,
shfaqen njerëzit më të ndritur, që me qëndresën e tyre shkruajnë historinë jo
me fjalë, por me jetë.
Në
hetimet ndaj Mulla Idriz Gjilanit, aparati shtetëror jugosllav, i mishëruar
përmes UDB-së famëkeqe, zbatoi format më çnjerëzore dhe më çnjerëzisht të
përçudnimit, të trashëguara nga historia e egër e dhunës serbe mbi shqiptarët.
Këto metoda nuk ishin thjesht forma të torturës fizike, por ishin të
përqendruara në shkatërrimin total të njeriut – në trup, në mendje dhe në
shpirt. Dhuna e ushtruar mbi Mulla Idrizin e kalonte kufirin e çdo logjike
njerëzore: ai u var përmbys, me kokë tatëpjetë, ndërsa poshtë kokës i ndiznin
zjarrin – një formë simbolike e torturës që s’mund të kuptohet ndryshe përveçse
si një akt djallëzor, me qëllimin e vetëm për të thyer rezistencën dhe integritetin
moral të një njeriu që përfaqësonte idealin kombëtar e fetar të shqiptarëve.
As
historia dhe as dëshmitë e asaj kohe nuk arrijnë të dokumentojnë me saktësi
momentin final të jetës së Mulla Idrizit – mënyrën konkrete sesi ai u mbyt –
sepse gjithçka ndodhi në fshehtësi të thellë, larg syve të publikut, siç vepron
zakonisht çdo regjim që e ka të qartë se krimi i tij është i pashlyeshëm. Por
nga burimet që janë mbledhur me kujdes, guxim dhe përkushtim, mund të ndërtohet
një pamje e besueshme e fundtragjedisë së këtij kolosi të kombit. Ato të dhëna
– të rrjedhura nga dëshmitarë, dokumente të pakta e të shpëtuara me mund, dhe
gojëdhëna të përcjella ndër breza – tregojnë se pas mesnatës së datës 25/26
nëntor 1949, autoritetet e nxorën trupin e tij të gjymtuar nga Burgu i
Gjilanit.
Më
pas, në një akt që tejkalon çdo kufi të poshtërimit dhe barbarisë, e dërguan në
periferi të qytetit, në një vend të njohur me emrin “Gllamë”. Aty, në errësirën
e natës dhe në heshtjen e një Kosove që vuante në heshtje, trupin e Mulla
Idrizit e spërkatën me benzinë – një përpjekje e dëshpëruar e pushtetit për të
zhdukur edhe gjurmët fizike të një njeriu që, në vetë qenien e tij, ishte
kthyer në simbol të përjetshëm të rezistencës.
Ky
akt i fundit nuk ishte thjesht një krim ndaj një individi. Ishte një tentativë
për të shuar një frymë, një ideal, një vizion për lirinë dhe bashkimin
kombëtar. Por ajo që nuk arritën ta kuptonin persekutorët, ishte se Mulla
Idrizi nuk kishte qenë thjesht një trup që mund të digjej dhe të zhdukej – ai
ishte një shpirt që kishte rrënjosur veten në ndërgjegjen historike të popullit
shqiptar. Dhe, si çdo shpirt i tillë, ai nuk mund të asgjësohej as me zjarr, as
me torturë, as me benzinë.
Ai
mbeti aty – në historinë tonë, në frymëzimin tonë, në kërkimin tonë të
pandërprerë për dinjitet e liri. Dhe vendi “Gllamë” nuk është më thjesht një
pikë në hartën e Gjilanit – është një dëshmi e përjetshme e dhunës shtetërore
dhe e sakrificës sublime.
Mulla
Idriz Gjilani e përmbylli kapitullin e jetës së tij me një akt që përmban
brenda vetes thelbin e gjithë qëndresës së tij: ai zgjodhi të vdiste ashtu siç
kishte jetuar – me dinjitet, me guxim, dhe me përballje të drejtpërdrejtë ndaj
armikut. Vdekja për të nuk ishte fundi, por një vazhdimësi e natyrshme e
misionit që e kishte ndjekur gjithë jetën: mbrojtjen e kauzës kombëtare dhe të
vlerave të lirisë, pa e përkulur kurrë kokën përballë shtypjes, tradhtisë apo
nënshtrimit.
Ai
nuk e pranoi kurrë rrugën e dorëzimit të turpshëm, as nuk e kontaminoi veten me
llogari të përkohshme për mbijetesë, sepse besonte se vdekja, nëse është për
një ideal të lartë, nuk është humbje, por kurorëzim i një jete të qëllimtë.
Ishte më mirë për të të shuhej përballë armikut, me fytyrë të kthyer kah
drejtësia dhe me besimin e palëkundur në kauzën për të cilën jetoi dhe u
sakrifikua, sesa të bëhej pjesë e një kompromisi që do ta vinte në dyshim
moralin dhe qëndrimin e tij jetësor.
Kjo
mënyrë përmbylljeje nuk ishte thjesht një fund tragjik i një martiri, por një
testament i gjallë për brezat që vijnë – një mesazh i pashkruar se vlerat e
qëndresës, besës, dhe përkushtimit ndaj kombit janë më të mëdha se vetë jeta.
Mulla Idrizi, në ballafaqimin e tij të fundit, nuk ishte viktimë, por
protagonist i një epilogu heroik, që e ktheu figurën e tij në simbol të
rezistencës dhe të pavdekësisë shpirtërore. Ai ra pa u përulur, pa u thyer, dhe
pa e mohuar kurrë as veten, as të vërtetën për të cilën kishte jetuar.
Vijon









