Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Shkodra, 14 Janari 1990, historia që nisi si shpresë dhe përfundoi si faj
E merkure, 14.01.2026, 07:00 PM

Shkodra, 14 Janari 1990, historia që nisi si shpresë dhe përfundoi si faj
Nga Albert Vataj
Me datën 13 dhe,
veçanërisht, më 14 janar 1990, Shkodra u bë skena e një akti të rrallë guximi
qytetar, kur qindra banorë të saj iu përgjigjën thirrjes së grupeve
antikomuniste dhe dolën në një demonstratë të fuqishme për të paralajmëruar
agoninë e diktaturës. Synimi i kësaj ngritje krye nuk ishte thjeshtë rrëzimi
bustit të Josif Stalinit nga qendra e Shkodrës, por një ndeshje me frikën, me
mitologjinë e terrorit dhe me trashëgiminë e një regjimi që kishte ngritur
dhunën dhe nënshtrimi, persekutimin dhe vrasjen, mohimin e besimit dhe shtypjen
e çdo shpirti hiri, në doktrinë shtetërore në filozofi linçimi.
Regjimi diktatorial
iu përgjigj kësaj sfide me egërsinë që i ishte bërë natyrë. Demonstrata e 14
janarit u shtyp me të gjitha mjetet e dhunës, ndërsa organizatorët dhe
pjesëmarrësit kryesorë u arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me akuza të rënda
për veprimtari të ashtuquajtur “antishtetërore terroriste”. Mes tyre ishin Ded
Kasneci, Rin Monajka, Flamur Elbasnani, Gjergj Livadhi, Ndoc Liqejza,
vëllezërit Haxh, Gjovalin Ralba, Viktor Martini, Nikolin Thana, Tonin Dema,
Nikolin Margjini, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi,
vëllezërit Alibali, Hana Kraja, dhe shumë të tjerë, emra që sot përfaqësojnë jo
vetëm individë të ndëshkuar, por një ndërgjegje kolektive që refuzoi
nënshtrimin.
Megjithatë, dhuna nuk
e shoi jehonën e asaj proteste. Përkundrazi, demonstrata antikomuniste e
Shkodrës u përhap si një thirrje për zgjim. Kjo ngjarje historike hapi siparin
e një serie zhvillimesh të mëdha gjatë vitit 1990, të cilat do të
kurorëzoheshin me vendosjen e pluralizmit politik përmes lëvizjes studentore të
dhjetorit. Shkodra nuk u shpall e para me zë, por ajo mbeti përgjithmonë
fillimi i numërimit mbrapsht të një diktature që kishte hyrë në orët e saj të
fundit.
Historia nuk është
thjesht kalendar i datave dhe ngjarjeve; ajo është ndërgjegje që kthehet për të
na pyetur nëse kemi qenë të denjë dhe a bëmë çfarë duhej për t’i dhënë frymë
këtij shpirti lirie. Karl Jaspers e përkufizon fajin historik si përgjegjësi
morale që brezat mbajnë jo vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për atë që kanë
lejuar të ndodhë. Në këtë kuptim, 14 janari 1990 nuk është një datë për t’u
përkujtuar, por një akt për t’u gjykuar vazhdimisht në dritën e asaj që pasoi.
Por flakadani i
ndezjes së shpirtit të lirisë nuk përfundon me rrëzimin e busteve dhe dëbimin e
tiranisë. Alexis de Tocqueville paralajmëronte se rreziku më i madh i
revolucioneve nuk është dështimi i tyre, por sukseset e pjesshme që krijojnë
iluzionin e përmbushjes. Pikërisht këtu nis tragjedia jonë kolektive, dalja nga
terri nuk çoi në dritën e premtuar, por në një muzg të gjatë zhgënjimi, ku
idealet u konsumuan dhe shpresa u administrua si mall politik. Paradoksalisht
përdorimit të shpirtit demokrat të Shkodrës nuk u kursye as vetë PD, e cila sa
herë që donte të fuste zhvillimet politiker në një dinamikë të re, ndiste urët
në Shkodër, për të lejuar që ky qytet të ishte thjeshtë një bastion i saj, por
jo një shpresë dhe mundësi për qytetin që meritonte shumë më shumë se sa ata i
dhanë. Sepse ata ishin mësuar që nga Shkodra vetëm të merrnin, pa dhënë asgjë
në këmbim, duke e lënë këtë qytet me shpirt të bukur dhe zemër të zjarrtë
guximi, të përpëlitej më lëngueshëm se çdo qytet tjetër në kalvarin e cfilitës
të tranzicionit, pa të të sotme dhe pa tërdhme, pa shpresë dhe pa perspektivë.
Shkodra ishte dhe duhej të mbetej një llogari elektorale, numër votash dhe
mandatesh dhe kurrë jo një shans që do ti kishte ? asaj për çfarë ishte dhe çfarë meritonte.
Por, të gjithë pa
përjashtim, e trajtuan si provincë dhe e flakën në periferi këtë kryeqendër të
historisë dhe kulturës, këtë kulmim të zhvillimeve që shënjuan aktet e lartë të
historisë së mendimit dhe dijes, të bukurës dhe përfaqësueses shqiptare. Dhe...
askush nuk u pendua dhe të kërkonte falje askujt, atyre që ranë theror dhe
atyre që u martirizuan, atyre që blatuan shpirtin e tyre të madh në themelet e
shqiptarisë dhe gjithë atyre që gjithçka bënë për Shkodrën e bënë për
Shqipërinë.
Lëvizja antikomuniste
e Shkodrës ishte, në thelb, një akt ekzistencial. Jean-Paul Sartre do ta quante
atë një zgjedhje radikale për të qenë i lirë, edhe kur liria nuk garanton
shpërblim. Ata që dolën atëherë nuk kërkonin pushtet, as privilegje; ata
kërkonin dinjitet. Dhe dinjiteti, siç shkruan Emanuel Kant, nuk është diçka që
jepet nga pushteti, por diçka që lind nga vetëdija morale e individit.
Por ajo që pasoi
ishte një përmbysje e rëndë etike. Antonio Gramsci flet për momentet kur “e
vjetra po vdes dhe e reja nuk ka lindur ende”, dhe në këtë ndërkohë shfaqen
përbindësha. Shqipëria pas vitit 1990 mbeti për dekada në këtë zonë gri, ku
komunizmi u rrëzua si sistem, por jo si mendësi; ku elitat u ndërruan në emër,
por jo në strukturë morale. Premtimi i lirisë u zëvendësua nga praktika e
interesit, dhe ideali i drejtësisë nga një rend antivlerash që e legjitimoi
padrejtësinë si normë.
Kjo është arsyeja pse
revolta e Shkodrës nuk u shndërrua në themel të një republike morale. Max Weber
do ta shpjegonte këtë dështim me mungesën e “etikës së përgjegjësisë”, ku
pasioni i drejtë i revoltës nuk u shoqërua me ndërtimin e institucioneve që e
mbronin atë pasion nga korrupsioni i pushtetit. Kështu, ata që guxuan gjithçka
për të mos fituar asgjë, u lanë të vetmuar përballë një realiteti që ua
përvetësoi sakrificën, por ua mohoi frytin.
Sot, 35 vite më pas,
jemi përballë një paradoksi tragjik, askush nuk mbeti pa fituar në mënyrë
individuale, dhe megjithatë të gjithë dolëm të humbur si shoqëri. Fridrih Niçe
do ta quante këtë triumf të “moralit të skllavit”, ku mediokriteti ngrihet në
sistem dhe virtyti trajtohet si naivitet. Ata që ndërtuan këtë rend, me kultin
e poshtërsisë dhe perversitetit, nuk e tradhtuan vetëm të shkuarën, por e
zhveshën të ardhmen nga çdo mundësi shprese.
Zhgënjimi që ndjejmë
sot nuk është vetëm politik; ai është metafizik. Është humbja e besimit se
sakrifica ka kuptim. Dhe kur një shoqëri humb këtë besim, ajo hyn në atë që
Albert Kamy e përshkruan si absurditet kolektiv: jeton, por nuk beson; vepron,
por nuk shpreson. Megjithatë, Kamy na kujton se revolta e vërtetë nuk është
mohimi i jetës, por këmbëngulja për kuptim edhe kur ai duket i pamundur.
Prandaj, faji ynë sot
nuk është se nuk fituam; faji ynë është se pranuam të jetonim pa e kërkuar më
të përmbushnim ëndrrën. Dhe pikërisht këtu, guximi i qytetarëve të Shkodrës
mbetet një akuzë e hapur ndaj nesh, që ndoshta lejuam të mjaftoheshim me aq.
Ata nuk u ngritën që pushtetin ta rimerrnin bijtë e etërve, ata u ngritën që
liria të mos ishte pronë e askujt. Nëse sot jemi sërish të thirrur të ngrihemi,
kjo ndodh sepse historia na ka kthyer aty ku nisëm, përballë detyrës për të
zgjedhur mes nënshtrimit dhe dinjitetit.










