Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Robert Ndrenika, aktori që shndërroi çdo rol në monument të artit tonë skenik
E shtune, 10.01.2026, 03:55 PM
SOT NE 84-VJETORIN E LINDJES
Robert Ndrenika, aktori
që shndërroi çdo rol në monument të artit tonë skenik
Nga
Albert Vataj
Robert
Ndrenika sot ka ditëlindjen.
Lavdi
Zotit ne sot e urojmë për shëndet dhe të lutemi që ta kemi sa më gjatë mes
nesh, sepse ai është dëshmi e frytshme e një gjenerate, e një brezi, e shpirtit
dhe përkushtimit të atyre që e lartësuan në tempull artin skenik shqiptar.
Sot
nuk feston vetëm një artist, një emër dhe një vlerë. Sot feston vetë arti
shqiptar, arti i madh që e bëri më të madh kontributi dhe përkushtimi i tij.
Në
ditëlindjen e 84-t të Robert Ndrenikës, fjala “festë” merr një kuptim më të
gjerë dhe më të thellë, duke u shndërruar në një akt mirënjohjeje kombëtare, në
një përulje të përkorë përpara një jete që nuk iu përkushtua vetëm skenës, por
vetë njeriut. Sepse Robert Ndrenika nuk ka qenë kurrë thjesht interpretues
rolesh, ai ka qenë përkthyes i shpirtit njerëzor në gjuhën e artit.
Duke
u rrekur për të kapur shkëlqimin e nderimit dhe mirënjohjes së një njeriu që i
dedikoi gjithë jetën artit skenik shqiptarë, kësaj tradite të shkëlqyer, në
panteonin e të cilit shkreptijnë dhjetëra e qindra yje që përcaktojnë galaksinë
e atij shpirti që ishte diell për përkatësinë tonë në art, kujtojmë se në vitin
1979 i është akorduar titulli "Artist i Merituar" dhe ne vitin 1988
titulli "Artist i Popullit". Është nderuar gjithashtu me Kupën për
Aktorin më të Mire në Festivalin Kombëtar te Teatrit, më 1994, për rolin e Di
Spetes në shfaqjen "Magjia e Madhe", te De Filipos dhe ne Festivalin
e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin "Koncert në vitin
1936". Është nderuar me titullin lartë "Nderi i Kombit", një
meritë dhe vlerësim.
Këto
nderime dhe kjo mirënjohje e shënjuar në tituj, janë të mjaftueshme për vendin
që ai rrëmbeu nga përkushtimi me mish e me shpirt. Këto tituj i takojnë
institucioneve që ai i ka tejkaluar. Ai është, mbi të gjitha, mjeshtër i
përjetimit, aktor që nuk luan, por jeton; që nuk reciton, por rrëfen; që nuk
shfaqet, por mishërohet. Çdo rol i tij është një copëz jete e vërtetë, një
pasqyrë ku breza të tërë shqiptarësh janë njohur, kanë qeshur, janë
mallëngjyer, janë lënduar dhe janë menduar.
Me
portretin e tij të dashur, me një zë që di të hyjë nën lëkurën e personazhit
dhe të qëndrojë aty, Robert Ndrenika ka ndërtuar një galeri figurash që nuk i
përkasin vetëm teatrit apo kinemasë, por kujtesës kolektive. Ai e ka pasuruar
artin shqiptar me një finesë interpretative ku humori nuk rrëshqet kurrë në
banalitet, drama nuk bëhet patetike dhe tragjikja nuk e humb dinjitetin
njerëzor. Në çdo karakter të tij, qoftë komik apo dramatik, pulson gjithmonë
njeriu.
Rrugëtimi
i tij është shembullor edhe si histori përkushtimi. I lindur në Tiranë më 10
janar 1942, talenti i tij u shfaq herët, në mjediset e Shtëpisë së Pionierit,
ku pasioni për teatrin nisi të marrë formë. Pas gjimnazit “Qemal Stafa”, ai u
formua profesionalisht në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu” (1960–1964),
duke hedhur themelet e një karriere që do të bëhej shtyllë e artit skenik
shqiptar. Vitet në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, më pas në Teatrin e
Institutit të Lartë të Arteve dhe në fund në Teatrin Kombëtar, nuk janë thjesht
etapa pune, por kapituj të një misioni artistik të pandërprerë.
Ka
qënë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe
kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar:
"Besa" e Sami Frashërit, "Ura" e Minush Jeros,
"Prefekti" i Besim Levonjës, "Familja e peshkatarit" e
Sulejman Pitarkës, "Bashkë me agimin" e Kolë Jakovës, "Midis dy
njerëzve" e Kiço Blushit, "Skënderbeu" i Lec Shllakut,
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të
Ismail Kadaresë, "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxës, "Fytyra e
dytë" dhe "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" të Dritëro
Agollit, "Shkallët" dhe "Shtëpia me dy porta" të Ruzhdi
Pulahës.
Do
të ishte i paplotë ky personazh pa rolet e mëdha të të mëdhenjve, vlera e
vlerave të tij të lartësuara në role ikonike. Nga dramaturgjia e huaj mund te
përmendim "Shumë zhurme për asgjë", "Nata e dymbëdhjetë"
dhe "Zbutja e kryeneçes" te Shekspirit, "I sëmuri për mend"
dhe “Kopraci” të Molierit, "Udha e largët" e Arbuzovit, "Luiza
Miler" e Shilerit, "Prometeu" dhe "Njeriu që pa vdekjen me
sy" të Viktor Eftimiut, "Dashuri e tillë” e Kohoutit,
"Banja" e Majakovskit, "Arturo Ui" e Brehtit, "Vdekja
e një komisioneri" e Millerit, "Vizita e damës plake" e
Dyrrenmatit, "Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, "Darka e
të marrëve" e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e
Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.
Kinematografia
shqiptare mban vulën e tij të pashlyeshme. Mbi 30 role në filma si “I teti në
bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin
1936”, “Mësonjëtorja” e shumë të tjerë, dëshmojnë një aftësi të rrallë për t’i
dhënë jetë karaktereve të larmishme, duke i bërë jo vetëm rolet, por edhe vetë
filmat, të pavdekshëm. Në interpretimin e Ndrenikës, personazhi nuk mbaron me
skenarin; ai vazhdon të jetojë në kujtesën e publikut.
Panoramën
e kontributit të tij filmografik ë përbëjnë rolet; më 1966, Gjergji në filmin “Oshëtimë në bregdet”;
1968, Azemi në “Horizonte të hapura”, 1970, Xhemali në filmin “I teti në
bronx”; 1972 “Kapedani”; 1972, “Odiseja e tifozëve; 1972, “Kryengritje në
pallat”; 1974, “Shtigje të luftës”; 1974, “Rrugë të bardha”; 1974, “Duke
kërkuar 5-orëshin”; 1977, “Shembja e idhujve”; 1978, “Koncert në vitin 1936”;
1979, “Në shtëpinë tonë”. Për të vijuar në rolin brilant të Kostës më 1979 në filmin “Mësonjtorja”.
Dhe
vijon kolona e filmave dhe roleve të Robert Ndrenikës me; më 1980 ”Një shoqe
nga fshati”; 1982” Vëllezër dhe shokë”; 1982 “Prefekti”; 1982 :Nëntori i dytë”; 1982 “Besa e kuqe”;
1983 “Kohë e largët”; 1984, “Nxënësit e klasës sime”; 1984, “Shirat e
vjeshtës”; 1984, “Shi në plazh”; 1985, “Tre njerëz me guna”; 1985, “Gurët e
shtëpisë sime”; 1986 “Dhe vjen një ditë”; 1987, “Përrallë nga e kaluara”; 1987
“Botë e padukshme”; 1997, “Bolero”; 2001, “Parullat”; 2002, “Njerëz dhe fate” ;
më 2004 “Tifozët”; 2009, “Kronikë provinciale”; 2023, “Bolero në vilën e
pleqve”, etj.
Këto
nuk ishin thjeshtë filmat që Ndrenika luajti, solli role dhe skaliti karaktere,
deshifroi botë dhe depërtoi thellë në misterin e qenies. Këto ishin shumë më
shumë, këto u ngjitën në monumente të artit të madh, artit që zuri vend në
adhurim dhe kujtesë, artit që u shndërrua në një galeri të artë të
kinematografisë shqiptarë, kësaj tradite ku fate dhe njerëz, botë dhe ndijime,
pasione dhe përkushtime, si Robert Ndrenika ju flijuan këtij tempulli të lërtë
të përkatësisë sonë identitare.
Veprimtaria
e tij kalon me patjetër përmes asaj vlere që reflekton te roli i tij edhe si
bashkëpunëtor i veçantë. Ka punuar me regjisore teatri si Kujtim Spahivogli,
Mihallaq Luarasi, Lec Shllaku, Pirro Mani, Esat Oktrova, Drita Agolli, Gëzim
Kame, Fatos Haxhiraj, Kiço Londo, Kastriot Çipi, Hervin Çuli, dhe kineastë si
Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Muharrem Fejzo, Piro Milkani, Saimir Kumbaro,
Vladimir Prifti, etj.
Robert
Ndrenika është një pasuri morale dhe kulturore e Shqipërisë. Një artist që ka
ditur të mbetet i thjeshtë në madhështi dhe i madh në thjeshtësi; një figurë që
i ka dhënë artit shqiptar jo vetëm mjeshtëri, por edhe etikë, jo vetëm talent,
por edhe shpirt.
Për
disa vite ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike,
në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.
Sot,
në ditëlindjen e tij, nuk numërojmë vitet. Numërojmë gjurmët. Dhe ato janë të
thella, të ndritshme dhe të pashlyeshme. Sepse Robert Ndrenika na mësoi se arti
i vërtetë nuk është shfaqje, por jetesë; nuk është rol, por dëshmi; nuk është
moment, por trashëgimi. Dhe për këtë, sot, feston jo vetëm ai, feston vetë arti
shqiptar.










