E diele, 11.01.2026, 05:57 AM (GMT)

Editorial

Ilir Çumani: Kur humbet dija, natyra nuk të fal!

E shtune, 10.01.2026, 03:55 PM


KUR HUMBET DIJA, NATYRA NUK TË FAL!

Nga Ilir Çumani

Tashmë në Shqipëri, emergjencat natyrore nuk janë më vetëm episod i motit të keq, por më së shumti pasqyrë e një boshllëku të madh të krijuar që prej dekadash në dijen dhe ekspertizën profesionale.

Reshjet e ditëve të fundit, përmbytjet që rrezikojnë banesa, rrugë dhe ura, rrëshqitjet e dheut që shkatërrojnë tokën e punuar me dekada, flasin më shumë sesa për një alarm të përkohshëm të motit; ato tregojnë pasojat e mungesës së institucioneve shkencore që dikur parashikonin dhe menaxhonin këto rreziqe.

Në këtë kontekst, duhet thënë se gjatë regjimit komunist Shqipëria nuk përmbytej kështu si po ndodh sot, ngase  funksiononte një sistem i mirëorganizuar dhe i konsoliduar prej mbi 700 hidrovore dhe një rrjeti të gjerë kanalesh kulluese e bonifikuese, të ndërtuara posaçërisht për të menaxhuar ujërat e tepërta dhe për të mbrojtur tokën bujqësore.

Këto struktura nuk ishin thjesht investime infrastrukturore, por pjesë e një mekanizmi teknik të menduar në mënyrë sistemike: çdo zonë kishte hidrovoret e veta, çdo kanal kishte drejtim, kapacitet dhe funksion të caktuar, ndërsa mirëmbajtja ishte e rregullt dhe e detyrueshme.

Funksionimi i tyre kërkonte energji, personel të kualifikuar, plane emergjence dhe një zinxhir të qartë përgjegjësie, nga operatori lokal deri te institucionet qendrore.

Para vitit 1990, Shqipëria mbante një rrjet të gjerë dhe funksional të instituteve teknike – 52 institucione në total. Mes tyre, 12 ishin mirëfilli institute të dedikuara direkt për studime shkencore të tokës, ujit dhe fenomeneve natyrore, fusha jetike për ndërtimin e infrastrukturës dhe për parandalimin e fatkeqësive.

Ndër këto, dy ishin më të rëndësishmet: Instituti i Studimeve dhe Projektimeve për Veprat e Kullimit dhe Ujitjes, dhe Instituti i Studimit të Tokave.

Këto institute të rëndësisë së veçantë kombëtare nuk ishin thjesht laboratorë apo zyra. Mirëfilli, ato ishin asete shkencore me përvojë domethënëse profesionale, të ndërtuara dhe të investuara seriozisht për vite e dekada, ku çdo projekt mbështeste dhe merrte në mbrojtje sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Pikërisht mbi këtë bazë shkencore funksiononte edhe logjika e disiplinuar e bashkëjetesës me natyrën: uji nuk shihej si armik i pakontrollueshëm, por si element që duhej drejtuar, kanalizuar dhe administruar.

Në aspektin teknik, sistemet e bonifikimit ishin projektuar për të përballuar reshje intensive, për të ulur nivelin e ujërave nëntokësore dhe për të shmangur grumbullimin e ujit në fushat e ulëta.

Hidrovorët ishin pjesë e kësaj arkitekture mbrojtëse, ku dija inxhinierike, planifikimi dhe përgjegjësia shtetërore bashkëjetonin në një strukturë funksionale.

Sot, asnjëra prej këtyre institucioneve nuk ekziston. Humbja nuk është vetëm administrative, por edhe kombëtare; një humbje e jashtëzakonshme e ekspertizës dhe aftësive për të parashikuar rrjedhën e lumenjve, për të menaxhuar digat, për të shmangur erozionin apo për të planifikuar veprat e ujitjes që mbrojnë tokën dhe njerëzit nga kapriçot e motit dhe fenomenet e natyrës.

Prishja e këtij sistemi pas viteve ’90, qoftë nga mungesa e investimeve, qoftë nga shpërbërja institucionale apo privatizimi i pakontrolluar i tokave dhe kanaleve, krijoi një boshllëk teknik që sot reflektohet drejtpërdrejt në përmbytje të shpeshta dhe dëme të mëdha ekonomike.

Ata që dikur mund të shihnin përpara, sot mungojnë, dhe vendi aktualisht po paguan kosto të pallogaritshme me çdo situatë që tashmë është e paparashikueshme.

Statistikat janë të qarta: nga 52 institute teknike, vetëm 12 ishin të dedikuara për studime shkencore, dhe vetëm 2 më kryesoret mbështesnin gjithë vendin me ekspertizën më të avancuar për tokën dhe ujin. Sot, ky rrjet i shkencës dhe i dijes është zhdukur.

Por përtej aspektit teknik, kjo çështje ka edhe një dimension më të thellë shoqëror dhe filozofik.

Hidrovorët, institutet dhe sistemet e bonifikimit ishin simbol i një shteti që, pavarësisht karakterit autoritar, kishte kontroll mbi territorin dhe e konsideronte menaxhimin e tij si përgjegjësi të panegociueshme.

Sot, përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e reshjeve intensive apo e ndryshimeve klimatike, por shenjë e një shteti që ka humbur lidhjen organike me hapësirën që administron.

Çfarë lë bosh kjo humbje? Padyshim një vend të pambrojtur, që përballet me emergjenca të përsëritura, ku çdo përmbytje, çdo rrëshqitje e dheut, çdo dëmtim infrastrukturor shndërrohet në krizë të thellë ekonomike dhe sociale.

Kanale të mbushura me inerte, stacione pompimi të amortizuara, lumenj të pushtuar nga ndërtime pa kriter – të gjitha këto dëshmojnë një kulturë neglizhence, ku e përkohshmja ka zëvendësuar planifikimin afatgjatë.

Humbja e institucioneve dhe e ekspertizës nuk është një gabim i së kaluarës që mund të harrohet. Ajo ka pasoja konkrete dhe afatgjata, të drejtpërdrejta mbi sigurinë e qytetarëve, mbi ekonominë dhe mbi aftësinë e vendit për të përballuar natyrën.

Një rrjet i tillë i dijes nuk rikuperohet vetëm me projekte të rastësishme apo me ndihma të jashtme, por kërkon rindërtim serioz të institucioneve, investim në edukimin profesional dhe krijimin e qëndrueshëm të njohurive.

Emergjencat e sotme tregojnë se harresa e përvojës profesionale është një luks që nuk mund ta përballojmë. Çdo stuhi në të ardhmen do të jetë edhe më shkatërruese nëse nuk rindërtojmë kapacitetet që kemi pasur dikur.

Rikthimi i kulturës së dijes shkencore dhe profesionalizmit në menaxhimin e resurseve natyrore nuk është thjesht një domosdoshmëri teknike; është një nevojë imperative morale dhe sociale.

Në një kohë kur ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e fatkeqësive natyrore, Shqipëria duhet të mësojë nga humbja e së kaluarës.

Institucionet që dikur studionin tokën dhe ujin, që krijonin projekte të qëndrueshme dhe mbrojtëse, duhet të rikthehen me doemos, dhe ekspertët të respektohen dhe mbështeten.

Pa këtë, çdo projekt i madh zhvillimor do të mbetet i pambështetur në dijen që dikur e kishte vendi ynë, dhe që tani duhet të rikuperohet me urgjencë.

Humbja e institucioneve studimore dhe e njohurive teknike e shkencore nuk është vetëm një histori që na flet me zë të lartë, por një sfidë e përditshme që Shqipëria ka sot.

Çdo ditë që kalon pa këto institucione dhe ekspertizë, rreziku rritet, dhe çmimi që po paguajmë tani do të jetë në të ardhmen e afërt edhe më i madh se çdo buxhet emergjence apo ndihmë e përkohshme.

Është koha që të reflektojmë, të investojmë dhe të rikthejmë fuqinë e dijes së humbur, sepse vetëm kështu mund të përballemi me natyrën dhe të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve tanë.

Në të kundërt, natyra nuk të fal.

Ajo do të tregohet gjithmonë edhe më e pabesë, e paparashikueshme dhe shumë e pamëshirshme…

Tiranë, e ejnte - 8 janar, 2026



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx