| E shtune, 10.01.2026, 03:55 PM |
KUR HUMBET DIJA, NATYRA NUK TË FAL!
Nga
Ilir Çumani
Tashmë
në Shqipëri, emergjencat natyrore nuk janë më vetëm episod i motit të keq, por
më së shumti pasqyrë e një boshllëku të madh të krijuar që prej dekadash në
dijen dhe ekspertizën profesionale.
Reshjet
e ditëve të fundit, përmbytjet që rrezikojnë banesa, rrugë dhe ura, rrëshqitjet
e dheut që shkatërrojnë tokën e punuar me dekada, flasin më shumë sesa për një
alarm të përkohshëm të motit; ato tregojnë pasojat e mungesës së institucioneve
shkencore që dikur parashikonin dhe menaxhonin këto rreziqe.
Në
këtë kontekst, duhet thënë se gjatë regjimit komunist Shqipëria nuk përmbytej
kështu si po ndodh sot, ngase
funksiononte një sistem i mirëorganizuar dhe i konsoliduar prej mbi 700
hidrovore dhe një rrjeti të gjerë kanalesh kulluese e bonifikuese, të ndërtuara
posaçërisht për të menaxhuar ujërat e tepërta dhe për të mbrojtur tokën
bujqësore.
Këto
struktura nuk ishin thjesht investime infrastrukturore, por pjesë e një
mekanizmi teknik të menduar në mënyrë sistemike: çdo zonë kishte hidrovoret e
veta, çdo kanal kishte drejtim, kapacitet dhe funksion të caktuar, ndërsa
mirëmbajtja ishte e rregullt dhe e detyrueshme.
Funksionimi
i tyre kërkonte energji, personel të kualifikuar, plane emergjence dhe një
zinxhir të qartë përgjegjësie, nga operatori lokal deri te institucionet
qendrore.
Para
vitit 1990, Shqipëria mbante një rrjet të gjerë dhe funksional të instituteve
teknike – 52 institucione në total. Mes tyre, 12 ishin mirëfilli institute të
dedikuara direkt për studime shkencore të tokës, ujit dhe fenomeneve natyrore,
fusha jetike për ndërtimin e infrastrukturës dhe për parandalimin e
fatkeqësive.
Ndër
këto, dy ishin më të rëndësishmet: Instituti i Studimeve dhe Projektimeve për
Veprat e Kullimit dhe Ujitjes, dhe Instituti i Studimit të Tokave.
Këto
institute të rëndësisë së veçantë kombëtare nuk ishin thjesht laboratorë apo
zyra. Mirëfilli, ato ishin asete shkencore me përvojë domethënëse profesionale,
të ndërtuara dhe të investuara seriozisht për vite e dekada, ku çdo projekt
mbështeste dhe merrte në mbrojtje sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të
vendit.
Pikërisht
mbi këtë bazë shkencore funksiononte edhe logjika e disiplinuar e bashkëjetesës
me natyrën: uji nuk shihej si armik i pakontrollueshëm, por si element që duhej
drejtuar, kanalizuar dhe administruar.
Në
aspektin teknik, sistemet e bonifikimit ishin projektuar për të përballuar
reshje intensive, për të ulur nivelin e ujërave nëntokësore dhe për të shmangur
grumbullimin e ujit në fushat e ulëta.
Hidrovorët
ishin pjesë e kësaj arkitekture mbrojtëse, ku dija inxhinierike, planifikimi
dhe përgjegjësia shtetërore bashkëjetonin në një strukturë funksionale.
Sot,
asnjëra prej këtyre institucioneve nuk ekziston. Humbja nuk është vetëm
administrative, por edhe kombëtare; një humbje e jashtëzakonshme e ekspertizës
dhe aftësive për të parashikuar rrjedhën e lumenjve, për të menaxhuar digat,
për të shmangur erozionin apo për të planifikuar veprat e ujitjes që mbrojnë
tokën dhe njerëzit nga kapriçot e motit dhe fenomenet e natyrës.
Prishja
e këtij sistemi pas viteve ’90, qoftë nga mungesa e investimeve, qoftë nga
shpërbërja institucionale apo privatizimi i pakontrolluar i tokave dhe
kanaleve, krijoi një boshllëk teknik që sot reflektohet drejtpërdrejt në
përmbytje të shpeshta dhe dëme të mëdha ekonomike.
Ata
që dikur mund të shihnin përpara, sot mungojnë, dhe vendi aktualisht po paguan
kosto të pallogaritshme me çdo situatë që tashmë është e paparashikueshme.
Statistikat
janë të qarta: nga 52 institute teknike, vetëm 12 ishin të dedikuara për
studime shkencore, dhe vetëm 2 më kryesoret mbështesnin gjithë vendin me
ekspertizën më të avancuar për tokën dhe ujin. Sot, ky rrjet i shkencës dhe i
dijes është zhdukur.
Por
përtej aspektit teknik, kjo çështje ka edhe një dimension më të thellë shoqëror
dhe filozofik.
Hidrovorët,
institutet dhe sistemet e bonifikimit ishin simbol i një shteti që, pavarësisht
karakterit autoritar, kishte kontroll mbi territorin dhe e konsideronte
menaxhimin e tij si përgjegjësi të panegociueshme.
Sot,
përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e reshjeve intensive apo e ndryshimeve
klimatike, por shenjë e një shteti që ka humbur lidhjen organike me hapësirën
që administron.
Çfarë
lë bosh kjo humbje? Padyshim një vend të pambrojtur, që përballet me emergjenca
të përsëritura, ku çdo përmbytje, çdo rrëshqitje e dheut, çdo dëmtim
infrastrukturor shndërrohet në krizë të thellë ekonomike dhe sociale.
Kanale
të mbushura me inerte, stacione pompimi të amortizuara, lumenj të pushtuar nga
ndërtime pa kriter – të gjitha këto dëshmojnë një kulturë neglizhence, ku e përkohshmja
ka zëvendësuar planifikimin afatgjatë.
Humbja
e institucioneve dhe e ekspertizës nuk është një gabim i së kaluarës që mund të
harrohet. Ajo ka pasoja konkrete dhe afatgjata, të drejtpërdrejta mbi sigurinë
e qytetarëve, mbi ekonominë dhe mbi aftësinë e vendit për të përballuar
natyrën.
Një
rrjet i tillë i dijes nuk rikuperohet vetëm me projekte të rastësishme apo me
ndihma të jashtme, por kërkon rindërtim serioz të institucioneve, investim në
edukimin profesional dhe krijimin e qëndrueshëm të njohurive.
Emergjencat
e sotme tregojnë se harresa e përvojës profesionale është një luks që nuk mund
ta përballojmë. Çdo stuhi në të ardhmen do të jetë edhe më shkatërruese nëse
nuk rindërtojmë kapacitetet që kemi pasur dikur.
Rikthimi
i kulturës së dijes shkencore dhe profesionalizmit në menaxhimin e resurseve
natyrore nuk është thjesht një domosdoshmëri teknike; është një nevojë
imperative morale dhe sociale.
Në
një kohë kur ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e fatkeqësive natyrore,
Shqipëria duhet të mësojë nga humbja e së kaluarës.
Institucionet
që dikur studionin tokën dhe ujin, që krijonin projekte të qëndrueshme dhe
mbrojtëse, duhet të rikthehen me doemos, dhe ekspertët të respektohen dhe
mbështeten.
Pa
këtë, çdo projekt i madh zhvillimor do të mbetet i pambështetur në dijen që
dikur e kishte vendi ynë, dhe që tani duhet të rikuperohet me urgjencë.
Humbja
e institucioneve studimore dhe e njohurive teknike e shkencore nuk është vetëm
një histori që na flet me zë të lartë, por një sfidë e përditshme që Shqipëria
ka sot.
Çdo
ditë që kalon pa këto institucione dhe ekspertizë, rreziku rritet, dhe çmimi që
po paguajmë tani do të jetë në të ardhmen e afërt edhe më i madh se çdo buxhet
emergjence apo ndihmë e përkohshme.
Është
koha që të reflektojmë, të investojmë dhe të rikthejmë fuqinë e dijes së
humbur, sepse vetëm kështu mund të përballemi me natyrën dhe të mbrojmë jetën
dhe pronën e qytetarëve tanë.
Në
të kundërt, natyra nuk të fal.
Ajo
do të tregohet gjithmonë edhe më e pabesë, e paparashikueshme dhe shumë e
pamëshirshme…
Tiranë, e ejnte - 8
janar, 2026
