Editorial
Ilir Çumani: Kur pushteti gjyqësor ruan balancat përballë presionit politik!
E marte, 09.12.2025, 06:59 PM

KUR PUSHTETI GJYQËSOR RUAN BALANCAT PËRBALLË PRESIONIT POLITIK!
Nga
Ilir Çumani
Deklaratat
frekuente të kryeministrit Edi Rama kundër sistemit të drejtësisë nuk janë më
thjesht shkarje retorike. Ato janë sinjalet e një filozofie të rrezikshme të
pushtetit, që e sheh drejtësinë si pengesë, si barrë, si institucion që duhet
poshtëruar me çdo kusht kur nuk i shërben interesit të tij politik.
Gjuha
përbuzëse, sarkastike, përçmuese që përdor kryeministri Rama, nuk është gjuhë e
një shtetari, por jehona e një mentaliteti që kërkon të vërë në rresht një
pushtet të pavarur.
Kur
kryeministri i një vendi i etiketon gjyqtarët “krimb të brendshëm”, ai nuk
godet individët, por një institucion kushtetues, një nga shtyllat kryesore që
mban në këmbë republikën. Dhe një kryeministër që i lejon vetes të flasë kështu
kundër gjyqësorit nuk mbron demokracinë, por e minon atë gur pas çdo guri.
Në
çdo demokraci, përplasja mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë është
një tension klasik i jetës publike. Por ajo që po ndodh sot në Shqipëri shkon
edhe përtej kësaj, është një alarm që prek themelet e shtetit modern, kufijtë
mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, atë mur mbrojtës që ndan dhe garanton pushtetin
nga arbitrariteti.
Reagimi
unanim i trupës gjyqësore, artikuluar hapur nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve,
nuk është thjesht një polemikë e radhës; është një kambanë alarmi për një provë
të thellë morale dhe institucionale.
Edhe
më e rëndë është përpjekja e kryeministrit kur tenton në mënyrë të pandershme
dhe cinike që të relativizojë vendimet e drejtësisë, duke i cilësuar si
“vendime të një prokurori dhe të një gjyqtari”.
Kjo
është retorikë mjaftueshmërisht poshtëruese dhe e rrezikshme, ngase synon të
asgjësojë parimin më themelor që dallon demokracinë nga autokracia: çdo vendim
gjyqësor është “vendim në emër të Republikës së Shqipërisë”. Nuk është vendim i
një njeriu të vetëm. Është akt i sovranitetit shtetëror. Është vula me të cilën
Republika flet.
Duke
e zhveshur këtë vendim nga autoriteti i tij kushtetues dhe duke e reduktuar në
nivel individësh, kryeministri po tenton të japë idenë se drejtësia është e
dobët, e fragmentuar, e manipulueshme, si një lojë e njohur e pushteteve që
duan të sundojnë pa kontroll.
Mbase
kryeministri Rama e ngatërron Republikën me “Diellën” dixhitale që shpiku vetë
pak kohë më parë si një fantazmë propagandistike për t’i shpëtuar
përgjegjësive. Por drejtësia nuk është personazh imagjinar. Nuk është figurë
virtuale që e komandon me tastierë.
Drejtësia
është pushtet i pavarur, i shkruar me gjak në historinë tonë, në historinë e të
gjitha kombeve të zhvilluara e të përparuara. Dhe kush guxon ta krahasojë me
krijesa artificiale, kryen një akt të hapur përçmimi ndaj Kushtetutës.
Kryeministri
thotë se nuk do “ta mbyllë gojën”, edhe kur është palë në gjyq. Por ky nuk
është akt guximi. Është akt presioni. Në çdo demokraci të vërtetë, një kryetar
i ekzekutivit që është subjekt i procesit gjyqësor do të ruante heshtjen institucionale,
do të shmangte çdo fjalë që mund të tingëllonte si ndikim dhe do të kishte
respektin e domosdoshëm për pavarësinë e gjykatës.
Në
Shqipëri, fatkeqësisht, kemi të kundërtën: një kryeministër që del publikisht e
flet me të njëjtën lehtësi me të cilën komenton ngjarjet e ditës. Kjo nuk është
liri e fjalës, por një demonstrim force ndaj drejtësisë.
Retorika
e tij me shifra bombastike, me insinuata mbi pagat e gjyqtarëve, me akuza se
kërkojnë të rrëmbejnë kompetenca, nuk është analizë logjike, por një diversion
dhe shantazh i pastër, i paprecedent.
Është
përpjekja për të shmangur thelbin: që gjyqësori ka të drejtën, detyrimin dhe
përgjegjësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese kur beson se ekzekutivi po
cënon pavarësinë e tij. Ky është funksioni i tij. Ky është misioni i tij.
Asnjë
mandat me “një milion vota” nuk e kthen një kryeministër në “pronar” të
drejtësisë. Votat nuk i japin askujt të drejtë të poshtërojë askënd, jo më
gjykatat dhe një sistem të tërë drejtësie. Votat nuk e shfuqizojnë Kushtetutën,
as nuk e zëvendësojnë ndarjen e pushteteve.
Kryeministri
mund të udhëheqë qeverinë, por nuk ka të drejtë t’i diktojë drejtësisë se si të
flasë. Pavarësia e gjyqësorit nuk është luks; është oksigjeni që merr frymë
Republika.
Republika
është ajo që mbron qytetarin nga padrejtësitë, shtypja represive e pushtetit,
ajo që e mbron të dobëtin nga i forti, ajo që ruan ekuilibrin pa të cilin
shteti kthehet në teatër personal të atyre që e drejtojnë.
Kjo
krizë e dukshme është në fakt shenjë e një problemi më të madh, që na dëshmon
se çfarë ndodh kur politika kërkon të jetë mbi ligjin dhe kur pushteti
ekzekutiv ndërton narrativën e vet mbi institucionet e kontrollit.
Historia
e shteteve moderne e njeh këtë skemë të rrëshqitjes drejt autoritarizmit të
butë: së pari delegjitimohet gjyqësori, pastaj vihen në dyshim vendimet e tij,
më pas goditen individët brenda sistemit, dhe në fund vetë sistemi shihet si
pengesë, jo si garanci.
Deklarata
e gjyqtarëve shqiptarë nuk ishte gjest sindikal, por një thirrje alarmi për të
gjithë. Asnjë kryeministër, në asnjë demokraci të shëndoshë, nuk mund të
ushqejë dyshime mbi drejtësinë pa cënuar stabilitetin e shtetit.
Kur
gjyqtarët reaguan publikisht, ata nuk mbrojtën thjesht imazhin e vet, por
ngritën zërin për atë që në doktrinën juridike quhet “pavarësi funksionale dhe
psikologjike” e trupës gjyqësore.
Kjo
do të thotë se një gjyqtar nuk duhet të ndikohet nga frika, as nga shantazhet
politike, as nga presioni i opinionit publik të nxitur nga një figurë e
fuqishme ekzekutive. Çdo shkelje e këtij parimi e bën drejtësinë selektive, të
verbër, dobëson themelet e shtetit të së drejtës.
Në
demokracitë e konsoliduara si në SHBA, Gjermani, Belgjikë, Francë, ky parim
është i shenjtë: një lider ekzekutiv nuk guxon të komentojë asnjë proces
gjyqësor aktiv.
Rasti
i presidentit amerikan Donald Trump e dëshmoi këtë. Komentet e tij mbi çështje
në shqyrtim u cilësuan menjëherë nga gjyqtarët federalë si përpjekje për të
ndikuar vendimmarrjen dhe si thyerje flagrante e vijës së kuqe kushtetuese.
Edhe
në Gjermani, kancelari me autoritet politik të jashtëzakonshëm nuk ndërhyn kurrë
në procese individuale. Ky është parimi i pathyeshëm i demokracisë: politika
mund të komentohet, por drejtësia nuk guxon të preket. Tek ne ndodh e kundërta:
problemi nuk është vetëm retorik, por kushtetues.
Shpesh,
në retorikën politike shqiptare, drejtësia ngatërrohet me interesat e qeverisë.
Por drejtësia nuk ekziston për të ndihmuar qeverinë; ajo ekziston për ta
kontrolluar atë. Ky distancim është thelbësor.
Kur
çështjet prekin figura të larta politike, pavarësia duhet të ruhet edhe më
rigorozisht. Një vendim gjyqësor, i pëlqyer apo jo nga qeveria, nuk është
problem i drejtësisë. Drejtësia funksionon me fakte dhe me prova, jo me
hamendësime dhe preferenca.
Historia
amerikane e skandalit “Watergate” e tregon këtë: kur presidenti Nixon tentoi të
ndikonte në çështjet gjyqësore, institucionet reaguan me një rreptësi të
jashtëzakonshme, duke ruajtur integritetin e sistemit dhe duke rrëzuar vetë
presidentin. Kjo është fuqia e ndarjes së pushteteve.
Nëse
një republikë nuk ka këtë mekanizëm vetëmbrojtës, ajo nuk është republikë, por
administratë e përkohshme, e varur nga interesat, shijet dhe humori i liderit
të ditës.
Ngjarjet
në Shqipëri sot janë prova më e qartë nëse jemi apo jo të gatshëm të mbrojmë
pavarësinë e pushteteve.
A
jemi të gatshëm të ruajmë distancën që garanton drejtësi të paanshme, apo do
t’i hapim derën “normalizimit” të presionit politik mbi gjykatat?
Historia
e botës e njeh mirë këtë rrugë të rrezikshme: nga Polonia e Kaczynskit, te
Hungaria e Orbán, te Sllovenia — çdo tentativë për të influencuar drejtësinë
fillon me retorikë dhe përfundon me ndërhyrje konkrete.
Shqipëria
që aspiron anëtarësimin me të drejta të plota në BE nuk mund të tolerojë këtë
rrugë, ngase Bashkimi Evropian bashkëpunon vetëm me institucione të forta, jo
me qeveri që përpiqen të manipulojnë drejtësinë.
Ekzekutivi
nuk humbet nga heshtja; përkundrazi, heshtja ruan integritetin, respekton
procedurat, mbron pamjen dhe gjithë arkitekturën funksionale të shtetit dhe i
jep legjitimitet vendimit final.
Në
demokraci, distanca mes pushteteve nuk është boshllëk, por garanci që mbron
gjyqtarin nga politika dhe politikën nga abuzimi i gjyqtarit. Kur qeveria cënon
këtë distancë, rrezikon themelet e një shteti që ende nuk ka shëruar plagët e
së kaluarës.
Debati
i ditëve të fundit nuk është thjesht politik, por një fotografi e një momenti
kritik: një moment kur Shqipëria duhet të zgjedhë drejtimin nëse do të ndërtojë
drejtësi të pavarur, apo do të rrëshqasë drejt një modeli autokrat ku politika
udhëzon edhe vendimet gjyqësore.
Në
demokraci, pyetjeve më të mëdha u përgjigjen institucionet, jo politikanët.
Sot,
gjyqësori, Kushtetuta dhe standardet europiane kanë dhënë përgjigjen se
drejtësia është e paprekshme nga askush.
Pushteti
që tenton ta prekë drejtësinë prek vetë themelet e demokracisë, dhe kjo në
radhë të parë është një apel për qeverinë dhe kryeministrin, një thirrje për
republikën: rrojmë në një shtet ku drejtësia duhet të jetë më e fortë se fjala
e çdo politikani.
E
nëse kjo bie, gjithçka bie.
Tiranë, e martë - 9
dhjetor, 2025









