Mendime
Florim Zeqa: Ndëshkoni me votë mashtruesit dhe bllokuesit e shtetit!
E premte, 26.12.2025, 04:57 PM
Ndëshkoni me votë mashtruesit dhe bllokuesit e shtetit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Zbrazja
enorme e vendit nga popullata shqiptare ka ndikuar në zvogëlimin e elektoratit
të partive politike në Kosovë. Duke e vërejtur këtë dukuri të shkaktuar nga
politikanët e papërgjegjshëm, të gjitha partitë politike ju kanë kthyer mërgatës
për të përfituar sa më shumë elektorat në Diasporë.
Kthimi i partive politike kah
mërgata, dëshmi e zbrazjes së Kosovës
Me kthimin e partive politike kah
mërgata nuk bëhet fjalë për dashuri dhe respekt ndaj bashkatdhetarëve që
jetojnë në shtetet evro-perëndimore, por ky është sinjal dhe alarm se Kosova po
shkon drejt boshatisjes totale nga popullata e saj!
Shtrohet
pyetja, pse ju kanë kthyer të gjitha partitë politike mërgatës, të cilën e
kishin harruar prej vitesh dhe dekadash?!
Arsyeja
është e thjeshtë!
Meqënëse,
Kosova është zbrazur dhe po vazhdon të zbrazet në vijimësi, të gjitha partitë
janë varfëruar me elektorat. Për këtë arsye, partitë politike në përgjithësi
dhe pa dallim pushtet dhe opozitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë në
konsolidimin e degëve të tyre në Diasporë dhe hapjen degëve të reja me qëllim
të përfitimit sa më të madh të votës së mërgimtarëve.
Rënja
e fuqisë elektorale në Kosovë, i ka detyruar partitë politike të kthehen kah
mërgata, kah pjesa më vitale dhe më ekzistenciale e shtetit të Kosovës.
Çfarë kanë bërë partitë politike për
mërgatën?
Partitë në këto ditët e fundit para
zgjedhjeve u munduan të mbledhin sa më shumë vota dhe simpatizantët që i kanë
në diasporë, prandaj janë kthyer kaha "hambari" i madh i votave për
fuqizimin dhe rritjen e anëtarësisë së tyre partiake.
E
gjithë kjo nuk shkon në të mirën e mërgimtarëve dhe as të qytetarëve të
Kosovës, por vetëm në dobi të partive politike dhe grupeve të interesit brenda
tyre.
Sikur
të ishin parti të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe të respektueshme ndaj
mërgimtarëve, paraprakisht do të merreshin me rregullimin e mirëqenjes së
qytetarëve dhe trajtimin dinjitoz të mërgimtarëve, me përfshirjen e tyre në
vendimarrje, përkatësisht me sigurimin e vendeve të rezervuara në Parlament,
për faktin se të hyrat (remitencat) e mërgimtarëve në Kosovë janë më të mëdha
sesa krejt buxheti i shtetit të Kosovës!
Mërgimtarët u shfrytëzuan "mish
për topa" nga të gjitha
pushtetet e deritanishme
Deri më sot asnjë subjekti politik
nuk i ra ndërmend që t'i lirojë mërgimtarët nga tatimi në pronë për shtëpitë e
pabanuara, të cilave u hapen dyert një apo dye herë në vit dhe atë në
kohëzgjatje jo më shumë se një muaj brenda një viti kalendarik.
Madje
për këtë çështje u kam shkruar disa herë letër publike në vijimësi të gjithë
ministrave të Jashtëm dhe të Diasporës, por zakonisht kam mbetur pa përgjigje
dhe pa asnjë lëvizje sa i përket kësaj kërkese të arsyeshme qytetare!
Jam
i bindur se këto letra publike i kanë lexuar liderët e partive dhe shumica e
deputetëve, por asnjëri prej tyre nuk e ngriti këtë si çështje në Parlament!
Këtu
shihet qartë se këto parti politike dhe politikanët në përgjithësi nuk i kanë
prioritet mërgimtarët dhe as nuk e kanë në plan përfshirjen e diasporës në
vendimarrje, as shpërblimin simbolik për kontributin madhor te saj në çlirimiin
e Kosovës, por grabitjen e votave dhe zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve deri
në centin e fundit në vendlindje!
Mërgimtarët duhet të meditojnë dhe të
reflektojnë thellë para se të votojnë
Një klasë politike që nuk i dëgjon
dhe as nuk i respekton kërkesat e qytetarëve (mërgimtarëve), ajo nuk i duhet
shtetit dhe as popullit të Kosovës, e më së paku mërgimtarëve!
Ne
mërgimtarët nëse duam ta ndihmojmë vendin tonë duhet të mobilizohemi si një
trupë e vetme për t'i bojkotuar këta kusarë politikë që na sollën shtetin në
pragë të kolapsit ekonomik!
Politikanëve
që na kërkojnë votën duhet t'iu themi troç; "Nuk keni vota nga ne që na
larguat nga vendi, kthehuni dhe kërkojuni votën atyre që ua bëtë jetën ferr në
Kosovë"!
Vetëm
kështu mërgata e jonë do të bënte aktin heroik për shtetin e Kosovës. Për shkak
se vetëm largimi i tërësishëm i këtyre kusarëve nga skena politike do të hapte
rrugën për ndryshime të mirëfillëta dhe përmbajtësore për vendin tonë.
Kosova
ndodhet para një momenti kyq dhe vendimtar!
Dalja
nga ngërçi institucional i ka dy rrugë të vetme: bojkot total të zgjedhjeve ose
dalje masive në zgjedhje!
Pra,
zgjidhja është në duart tona.
Bojkoti
i zgjedhjeve do ta prodhonte në 'Qeveri të Shpëtimit Kombëtar', kurse
pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe vota e lirë do ta prodhonte
një 'Qeveri' stabile për ta tejkaluar bllokadën dhe ngërçin institucional.
Meqë
kushtet për bojkot të zgjedhjeve janë të paaritshme, ju ftojë që më 28 dhjetor
të dilni masivisht në zgjedhje dhe të votoni me maturi dhe pjekuri politike, me
përgjegjësi qytetare dhe dashuri për shtetin e Kosovës!
Pas këtyre zgjedhjeve bashkohuni në
Alternativën Demokratike për Ndryshim (ADN), e cila do të jetë besa dhe
shpresa, shpirti dhe forca e ndryshimit real dhe substancial në Kosovë, e cila
interesin e shtetit dhe qytetarëve (mërgimtarëve) do ta vëjë para çdo interesi
personal dhe partiak.
Florim Zeqa, 25.12.2025









