E merkure, 24.12.2025, 07:30 PM (GMT)

Mendime

Ilir Çumani: Legjitimiteti ndërkombëtar nuk mund të zëvendësojë legjitimitetin e vullnetit popullor

E merkure, 24.12.2025, 04:52 PM


LEGJITIMITETI NDËRKOMBËTAR NUK MUND TË ZËVENDËSOJË LEGJITIMITETIN E VULLNETIT POPULLOR

Nga Ilir Çumani

Raporti i kryeministrit Edi Rama me ndërkombëtarët dhe ai me shoqërinë shqiptare nuk janë thjesht dy kanale komunikimi të ndryshme, por dy realitete paralele që rrallëherë takohen.

Tashmë nuk është aspak e vështirë të dallosh de jure se si, në njërën anë, ndërtohet me kujdes përmes propagandës imazhi i stabilitetit dhe, de facto, ai i reformave në një vend si Shqipëria që “ecën përpara”. Nga ana tjetër, shohim se si përjetohet nga shumica përditshmëria e një sistemi që e ka humbur aftësinë për të përfaqësuar vullnetin e lirë të qytetarëve.

Historia jonë politike ka dëshmuar se rrëzimi i simboleve nuk do të thotë domosdoshmërisht rrëzim i mekanizmave që i kanë mbajtur gjallë ato simbole. Shqipëria e fillimviteve ’90 e provoi këtë në mënyrën më brutale, kur regjimi ra formalisht, por strukturat e tij mbijetuan përmes zgjedhjeve të kontrolluara, frikës dhe mungesës së alternativës reale. Demokracia nuk erdhi si produkt i brendshëm i sistemit, por si rezultat i presionit të jashtëm ndërkombëtar dhe i revoltës e këmbënguljes qytetare.

Sot, pas 35 vitesh, ngjashmëritë janë shqetësuese. Pushteti funksionon mbi një rrjet varësish, që lidhen me favore nepotike për ata që janë pranë qeverisë dhe me ndëshkime e hakmarrje për kundërshtarët e saj, duke e kthyer procesin zgjedhor në një formalitet që nuk ka kurrfarë lidhjeje me vullnetin e sovranit. Administrata nuk është neutrale, biznesi nuk është i lirë dhe qytetari nuk është as i qetë, as i mbrojtur. Kur këto tre shtylla deformohen njëkohësisht, rezultati elektoral nuk pasqyron më vullnetin e lirë, por legjitimon peshën e sistemit mbi individin. Korrupsioni qeveritar i niveleve më të larta shtetërore dhe krimi i organizuar kanë marrë përmasa të frikshme dhe të paimagjinueshme.

Në këtë kontekst, mbështetja që qeveria gjen jashtë vendit nuk buron nga një demokraci funksionale dhe organike, por nga perceptimi i rremë i stabilitetit.

Ndërkombëtarët shohin një partner që garanton rendin, kontrollin dhe vijimësinë, ndërsa shoqëria shqiptare përjeton një pushtet që nuk sfidohet dot përmes mjeteve normale demokratike.

Kjo qasje krijon një hendek të rrezikshëm, sepse i jep padrejtësisht epërsi legjitimitetit ndërkombëtar, duke zëvendësuar legjitimitetin popullor.

Problemi nuk është thjesht se kush i fiton zgjedhjet, por si dhe pse i fiton. Kur rotacioni bëhet praktikisht i pamundur, demokracia shndërrohet në ritual që prodhon një ngërç institucional.

Dhe kur një sistem arrin të riprodhojë veten pavarësisht konsumimit moral dhe institucional, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me diktatin e një force politike që i përdor në mënyrë të pandershme të gjitha mjetet represive që i jep pushteti, por edhe me dobësinë e vetë shtetit.

Shqipëria nuk ka nevojë të kthehet pas në kohë për të kuptuar rrezikun; mjafton të shohë se si historia rrezikon të përsëritet nën forma më të sofistikuara.

Dhe shqetësimi më i madh nuk lidhet me jetëgjatësinë e këtij modeli qeverisës, por me çmimin shoqëror dhe koston e rëndë të një demokracie të shtirur, e cila, për sytë e faktorit ndërkombëtar, duket funksionale, ndërsa në thelb mekanizmat demokratikë janë të paralizuar, pa lënë hapësirë për një demokraci reale dhe të shëndetshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kalosh Çeliku: Kurvat politike Gani Qarri: Premtime apo mashtrim për marrjen e votës Albert Zholi: Gëzim Tushi - Qëndrim nihilist ndaj vlerave të trashëguara, politika ndjek pushtetin e paratë, jo vlerat Asllan Dibrani – Luani: Besim Hasani, sfida e 28 Dhjetorit për Kuvendin e Kosovës Ismet Hasani: Mendime etike e morale (3) Bashkim Saliasi: Të njohim faktorët që ulin dhe rritin jetëgjatësinë Albert Zholi: Dr. Enriko Ceko - Paqja Fiskale ngre shumë më shumë pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme Ismet Hasani: Mendime etike e morale (2) Gjergj – Bajram Kabashi: President Trump, “udhëheqësit tanë” nuk e ndalojnë islamizimin e kombit për interesat neoosmane, pa i detyruar që ta ndalojnë…! Kalosh Çeliku: Unë jam Kalosh Çeliku – jo “Dr. Alban Shkodra” Ismet Hasani: Mendime etike e morale (1) Llesh Ndoj: As politike, as juridike, por çështje identitare Ilir Çumani: Avokati i ri i Popullit në optikën makiaveliste Fritz Radovani: At Gjergj Fishta – “Shqypnis” Gjon Keka: Zgjedhjet e 28 dhjetorit sfidat dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës Nue Oroshi: Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Dardani dhe roli i mërgatës shqiptare Albert Zholi: Flet Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri Florim Zeqa: Bipolarizimi pa profilizim i dëmshëm për shtetin! Rexhep Ferizi: Demonstratat e ’68-ës, lëkundën themelet e Jugosllavisë hibride Petrit Dibrani: Nacionalist - nacionalizmi

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx