Mendime
Albert Zholi: Flet Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri
E enjte, 18.12.2025, 06:54 PM
Flet Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri
-"Paqe fiskale", nismë që shërben si një lloj shtrati në të
cilin ngjizet keqqeverisja, korrupsioni, kapja e shtetit, etj.
-"Paqja" e premtuar nga qeveria
duket se do të funksionoje vetëm për disa biznese dhe individë klientë të qeverisë apo thjesht sponsorët
elektoralë të saj.
- Me "Paqen fiskale", qeveria po
vepron me arrogancë dhe në kundërshtim me rekomandimet e institucioneve
ndërkombëtare FMN dhe BE
-"Paqe fiskale", një nismë e
qeverisë që merret me fushën e mungesës së transparencës pa një konsultim me
komunitetin e biznesit
- Detyrimet duhet të ishin mbledhur në
buxhetin e shtetit pasi mbi 1 miliard euro, janë spitale të lëna përgjysmë,
rrugë të lëna përgjysmë
- Askush nuk del ti shpjegojë qytetarëve për
këtë nismë, dhe nuk tregojnë se ku
shkojnë përfitimet
- Ka tregues që ekonomia kriminale (ende e pamtashme) është
duke tkurrur ekonominë formale dhe atë
informale
- Do ketë impakt negativ në dekurajimin e
atyre qytetarëve dhe bizneseve që kanë paguar dhe paguajnë rregullisht
detyrimet fiskale sipas ligjit.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Qeveria
i ka vënë vetes një objektiv ambicioz: të "pajtohet" me biznesin. Dhe
këtë pajtim kërkon ta arrijë përmes një nisme të re që e ka quajtur Paqja
Fiskale, në formën e një lloj marrëveshjeje të madhe kombëtare ku, sipas
narrativës zyrtare, bizneset do të çlirohen nga ngarkesat e së kaluarës, duke
nisur një kapitull të ri me shtetin. Në teori, një ide paqtuese. Në praktikë,
një burim i ri tensioni.
Përtej emrit të butë, nisma ka
ndezur një debat të fortë, fillimisht nga institucionet ndërkombëtare, si
FMN-ja, e cila paralajmëroi qartë rreziqet për sistemin fiskal dhe për kulturën
e respektimit të ligjit. Për këtë problem kaq të shumë diskutuar ekskluzivisht
për Telegraf ju drejtuam z. Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri...
Z. Zef! Nisma e qeverisë për të ashtuquajturën
"paqe fiskale", e cila parashikon faljen e rreth 1 miliard eurove në
detyrime të papaguara, po përballet me kritika të ashpra nga ekspertët dhe
opozita. Disa ekspertë janë shprehur se mungesa e theksuar e transparencës,
rrezikon ta kthejë këtë proces në një mekanizëm për pastrimin e parave dhe
favorizimin e bizneseve klienteliste, duke i shkaktuar një dëm afatgjatë
ekonomisë së vendit, e cila tashmë jep shenja alarmante. Disa e cilësojnë
nismën thjesht si një "amnisti fiskale me emër të ndryshuar", ku
mekanizmi mbetet i njëjti: falja e taksave dhe gjobave të vendosura nga
institucionet shtetërore. Problemi kryesor, sipas tyre, qëndron te mungesa
totale e transparencës, ku qeveria ka refuzuar të bëjë publike listën e
individëve dhe kompanive që do të përfitojnë, duke u justifikuar me mbrojtjen e
të dhënave personale. Mendimi juaj?
Siç është bërë e ditur
nisma ligjore e qeverisë e quajtur "Paqja fiskale", është ndërmarrë
në kushtet e mungesës së transparencës si dhe pa një konsultim të mjaftueshëm
me komunitetin e biznesit dhe qytetaret. Për fat të keq, një ligj kaq i
rëndësishëm që lidhet me të ardhurat buxhetore dhe klimën e biznesit në
përgjithësi, Kuvendi i Shqipërisë e shqyrtoi pa vëmendjen dhe debatin e duhur,
përjashto këtu debatin politik, por gjithsesi pa një qëndrim të qartë
p.sh të opozitës nëse ishte plotësisht apo pjesërisht kundër miratimit të këtij
projekt-ligji.
Sipas vlerësimit tim, vendi ynë ndodhet në një
situatë ku janë tre ekonomi që operojnë njëkohësisht.
-Cilat janë ato?
D.m.th ekonomia
formale/zyrtare që vlerësohet në kufijtë e 50-60% të ekonomisë sonë kombëtare
gjatë gjithë 25 viteve të fundit; ekonomia informale dhe kriminale që është mes
30-40 % dhe ndërsa ka tregues që ekonomia kriminale (ende e pamtashme)
është duke tkurrur ekonominë formale dhe atë informale, gjë që ngre
pikëpyetje serioze për qëndrueshmërinë dhe zhvillimet e ardhshme në klimën e
biznesit në vend, duke u shtrirë në aktivitetet më fitimprurëse, sidomos
sektori i ndërtimit, lojërat e fatit por edhe në ato që janë të pamatshme dhe
me elementë të tjerë për të cilat mungon transparenca e vendimmarrjes të
qeverisë.
Përvoja e qeverisjes së mirë të financave publike,
por edhe ajo e tri dekadave të fundit në vendet ish-socialiste tregon
procedurat ligjore për akte të kësaj natyre përfshijnë propozuesit,
impaktin, përfituesit, vlerësimin e aftësive/kapaciteteve të administratës
tatimore për të zbatuar nismën në fjalë, lidhjen ose jo me procesin e
integrimit në BE, etj. Për fat të keq, duket se këto elemente kanë mugnaur dhe
janë mbuluar nga retorika politike e diëes dhe kanotacioni i termit "paqja
fiskale" me "Pax Romana"( latinisht për "Paqe
Romake"). Siç dihet kjo e fundit i referohet një periudhe 200-vjeçare
stabiliteti relativ, prosperiteti ekonomik dhe zgjerimi territorial brenda
Perandorisë Romake, që zgjati nga afërsisht viti 27 p.e.s. deri në vitin 180 të
e.s. E iniciuar nga Perandori August, kjo epokë pa luftëra civile të
reduktuara, tregti të përmirësuar dhe kufij të sigurt. D.m.th me joshje t tilla ndaj biznesit qeveria e z. Rama
angazhohet për "paqe" me biznesin edhe pse denoncimet e organizatave
të biznesit dhe hetimet e SPAK-ut provojnë të kundërtën d.m.th përkeqësimin e konkurrencës për shkak të rritjes
së kontrollit politik dhe ndërhyrjeve të krimit të organizuar në jetën
ekonomike të bizneseve, në prokurimet publike etj.
Përpjekja për të kuptuar se cilët janë propozuesit
e një akti të tillë, natyrshëm mendja të shkon te ato kategori të biznesit që
kanë akumuluar pasuri në kapital neto edhe/ose ne asete fizike të cilat nuk
janë deklaruar rregullisht në kohë reale dmth gjatë dekadës së fundit në
autoritetet tatimore e doganore. Ky fenomen, i njohur ndryshe edhe inforamlitet
që do të thotë taksa të pa mbledhura nga administrata tatimore dhe pagesa të
sigurimeve shoqërore që nuk janë derdhur në agjencinë përkatëse shtetërore.
Natyrisht që kjo ndodh në shumicën e rasteve qëllimisht, por mund të ketë
ndodhur edhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta të tatime-taksave, për të
cilat sipërmarrësit nuk kanë qenë gjithnjë të informuar. Po kështu në kushtet
kur kufijtë midis biznesit, politikës dhe krimit të organizuar janë holluar
shumë, kur penetrimi i parave të pista në ekonominë reale është si një film i
frikshëm që shfaqet ditë mbas dite përpara syve tanë është diçka që vetëm
qeveria dhe organet ligjzbatuese vartëse të saj nuk e shohin, atëherë merret me
mend lehtë se akumulimi i pasurive financiare dhe në formë të trupëzuar në
asetet fizike është i lidhur ngushte me atë pjese të biznesit që ka natyre
mikste: formale dhe informale, si dhe një pjesë e mirë edhe me origjinë
kriminale. E vërteta është se është pikërisht kjo kategori e biznesit, e
toleruar për pastrim parash që në të njëjtën kohë përfshihet edhe në korrupsion
dhe ushqen pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve të lartë politikë apo në
drejtimin e institucioneve të rëndësishme shpenzuese të fondeve publike. Madje,
të dhëna të tërthorta dhe analiza serioze profesionale provojnë prirjet
monopolizuese jo vetëm në prokurimet publike, por edhe në tregjet e ndryshme,
përveç tolerimit të flukseve financiare të paligjshme nga qeveria. Përveç
akumulimit të kapitalit të padeklaruar nga këto burime dhe rritjes së presionit
për shtim të shpejtë të pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lidhur me këto
biznese apo zotërues të tërthortë të tyre nga qarqet politike, të dhënat flasin
për deformime në rritje të konkurrencës në tregje, duke përkeqësuar kështu
klimën e biznesit në vend. Parë në këtë këndvështrim, "paqja fiskale"
e shpallur tingëllon më shumë si një sinjal për shndërrimin e vendit në një
"parajse fiskale" për kontribuuesit vendas të fushatave zgjedhore dhe
mundësi për sjelljen e parave nga "çunat problematike" d.m.th për pastrimin e tyre në vijimësi tashmë edhe
zyrtarisht përmes këtij akti ligjor.
Thënë këtë, personalisht nuk dua të them se jam a priory kundër amnistive fiskale. Por
duhet të kuptojmë momentin, kohën kur kjo masë mund dhe duhet të ndërmerret.
Sepse po të bëhet fjale për pastrimin e llogarive të tatime-taksave e doganave
nga emrat e bizneseve që janë me kushtet e pamundësisë absolute për të shlyer
detyrimet e prapambetura, kjo mund të bëhet edhe vet dhe nuk ka nevojë për një
ligj faljeje si ky që po diskutojmë. Por përvojat e mira të botës evidencojnë
faktin që ashtu si numri individual i çdo qytetari jepet njëherë dhe humbet
rëndësinë kur personi ndërron jete, ashtu edhe detyrimet e biznesit ndaj
tatime-taksave duhet ta shoqërojnë sipërmarrësin. Vetëm kështu merr fund
praktika e regjistrimit të firmave të reja pa shlyer më parë detyrimet e vjetra
dhe ngushtohen mundësitë për evazion.
Së dyti, për suksesin e një reforme të tillë
nevojitet transparencë e madhe dhe një proces i ndërgjegjësimit publik të
lidhur me kosto përfitimet e rastit, gjë që nuk rezulton të jetë bërë nga
qeveria. Kjo sepse bëhet fjalë për disa qindra milionë, ndoshta edhe 1-2
miliardë Euro që nuk do të mblidhen në buxhet, d.m.th më
pak shkolla, spitale më të këqij, rrugë pa mirëmbajtje, etj. Pa folur për
impaktin negativ të kësaj mase në dekurajimin e atyre qytetarëve dhe bizneseve
– shumicës - që kanë paguar dhe paguajnë rregullisht detyrimet fiskale sipas
ligjit.
Përveç konsensusit të munguar me bizneset dhe
qytetarët që paguajnë rregullisht tatime taksat dhe detyrimet e sigurimeve
shoqërore dhe që nuk janë përfshirë në aktivitete kriminale, një amnisti e
këtyre përmasave kërkon detyrimisht edhe konsensusin e institucioneve
financiare ndërkombëtare që mbështesin zhvillimet ekonomike e fiskale në vend
siç është FMN dhe BE. Për fat të keq, rezulton se qeveria po vepron me
arrogancë edhe në këtë rast, d.m.th po vepron në
kundërshtim me rekomandimet e këtyre institucioneve. E vërteta është se kur
ekonomia fillon të zgjerojë frymëmarrjen e saj d.m.th të
përmirësohet klima e biznesit në vend, qeveritë tona shfaqen si sovraniste, gjë
që jo vetëm fshin arritjet, por edhe e çon ekonominë e vendit në drejtim të
krizës, siç edhe ka ndodhur. E mandej qeveria e radhës ju drejtohet
institucioneve ndërkombëtare për ndihmë, edhe pse ndjekja e recetave për
reforma të rekomanduara më herët mund të kishte frenuar apo minimizuar efektet
e krizave edhe atëherë kur ato nuk mund të shmangen. Nuk dua kurrsesi të bëj
Kalandrën, por dyshoj shumë se kriza ekonomike e radhës lidhet me fenomenin
masiv të pastrimit të parave që po ndodh intensivisht këto katër-pesë vitet e
fundit dhe që ka dhënë simptoma të mjaftueshme për politika fiskale dhe
monetare më prudente dhe më pak "sovraniste".
-Si mund të gjykohen pritshmëritë?
Një mënyrë tjetër për të gjykuar mbi pritshmëritë e
nismave të ngjashme të ndërmarra më herët gjatë çerek shekullit të fundit është
edhe domosdoshmëria e konsensusit politik midis mazhorancës dhe opozitës. Siç
dihet, rreth 15 vjet më parë edhe qeveri e z. Berisha pati tentuar për të
ndërmarrë një masë të ngjashme, por që dështoi duke mos arritur objektivat e
veta pikërisht nga mungesa e këtij konsensusi.
Më sipër përmenda nevojën e vlerësimit të
kapaciteteve të administratës tatimore e doganore për të zbatuar një masë të
tillë. Për këtë arsye i kam parë të arsyeshme edhe kundërshtimet e opozitës në
kuptimin që Shqipëria nuk është gati për të marrë një hap të tillë. Në këtë
kuptim pajtohem me vlerësimet se praktikisht qeveria duke marrë një masë të
tillë që ngjan më shumë si një shpërblim të atyre grupeve të biznesit që e kanë
mbështetur rikonfirmimin e zotit Rama në mandatin të katërt dhe kështu shërben
si një lloj shtrati në të cilin ngjizet keqeverisja, korrupsioni, kapja e
shtetit, etj. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që gjatë kësaj periudhe janë
shfaqur sugjerime kontradiktore për kategori të caktuara të bizneseve, ashtu
sikurse edhe janë shprehur shqetësime të arsyeshme që subjekte përfituese
do të ishin edhe kompani të privilegjuara apo për të cilat ka patur përjashtime
të dyshimta nga detyrimet tatimore deri edhe në shkelje të ligjit si p.sh Bankers, Kurum, etj.
Detyrim
elementar i qeverisë
Duke e parë në këtë këndvështrim, mendoj se është
detyrim elementar i qeverisë ndaj taksapaguesve, qytetarëve, votuesve qe
të publikojë listat e kompanive, përfituesve etj.
Ndërkaq, përveç tolerimit të vazhdimit të procesit
të pastrimit të parave kriminale dhe pompimit të tyre lehtësisht në ekonominë e
vendit, nuk shoh ndonjë përfitim tjetër real apo që ka rëndësi për qytetarët e
bizneset normale apo që ndihmon në përmirësimin e klimës së biznesit.
"Paqja" e premtuar nga qeveria duket se do të funksionoje vetëm për
disa biznese dhe individë klientë të qeverisë apo thjesht sponsorët
elektoralë të saj.









