Mendime
Florim Zeqa: Edhe Bokshiq është brenda hartës gjeografike të Klinës!
E premte, 12.12.2025, 06:57 PM
Letër e mbyllur dhe e hapur publike për:
-Kryetarin e Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj
-Asamblenë Komunale-Klinë
-Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)
Edhe Bokshiq është
brenda hartës gjeografike të Klinës!
Shkruan:
Florim Zeqa
Fillimisht po i drejtohem të
sapozgjedhurit për mandatin e tretë në postin e kryetarit të Komunës, zotit
Zenun Elezaj, me urimet më të sinqerta!
Po
ashtu, i urojë edhe asambleistët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit
2025, të cilëve ju dëshiroj punë të mbarë dhe përkushtim në mbrojtjen e
interesave të të gjithë qytetarëve të Klinës, pa dallim pikëpamjesh ideologjike
dhe shtrirjes gjeografike!
Kërkesë Publike
Si pasojë e mungesës së investimeve
dhe harresës së institucioneve komunale, dita-ditës fshati Bokshiq është duke u
braktisur nga banorët tradicional, të cilët ndër shekuj i kanë qendruar besnik
tokës në të cilën janë lindur e rritur me mund dhe sakrifica të mëdha!
Si
pasojë e zvogëlimit enorm të banorëve në këtë fshat, ka rënë edhe fuqia
elektorale e subjekteve politike, të cilat viteve të fundit e kanë lënë në
harresë të plotë Bokshiqin e legjendave të kohrave të vjetra dhe të heroizmit
të kohës më të re!
Si
pasojë e kësaj, Bokshiqi është anashkaluar nga të gjitha subjektet politike pa
dallim, përfshirë edhe partinë aktuale e cila ka qeverisë me Klinën për dy
mandate.
Bokshiqi
është ndër fshatrat e rralla, mbase edhe i vetmi vendbanim që ka mbetur pa
ujësjellës dhe pa kanalizim, me një rrugë të asfaltuar para dy dekadave, e cila
riparohet shkel e shko gjatë fushatave zgjedhore.
Kur
jemi tek kanalizimi, vetëm pjesërisht është i zgjidhur, pasi pjesa tjetër e
fshatit ende e ka të pa zgjidhur çështjen e ujërave të zeza!
Po
i kthehem rrugës së fshatit, e asfaltuar deri në hyrje të fshatit në vitin
2004, e vazhduar në vitin 2013 me një 'petë asfalt' në fushatë zgjedhore!
Sot
më të mira janë rrugicat e lagjeve sesa e gjithë traseja e rrugës nga Grabanica
deri në dalje të fshatit!
Mirëpo,
këto nuk janë problemet e vetme me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit
Bokshiq!
Është
rrjeti elektrik i fundviteve të '60-ta, me 90 % të shtyllave të dëmtuara dhe
lartëpërçuesve të konsumuar ndër vite dhe dekada!
Si
pasojë e rrjetit elektrik të vjetëruar, pas çdo stuhie apo të reshjeve të borës
gjatë periudhës së dimrit, fshati mbetet në terr, pa ujë dhe pa kushte
higjenike!
E
permenda ujin dhe higjienën, për faktin se banorët me ujë furnizohen nga puset
e thella (25-30 metra), ku uji nxirret vetëm përmes pompave elektrike!
E
për këtë shkak, pas çdo ndërpreje të rrymës, banorët e fshatit Bokshiq mbeten
nga 3-4 ditë e më shumë pa ujë të pijes dhe pa kushte higjenike të nevojshme
dhe të domosdoshme ditore!
Kërkesat e banorëve hasen në veshë të
shurdhër të zyrtarëve komunal
E di që deri më tani këto shqetësime
janë ngritur disa herë nga banorët e fshatit, por, gjithnjë janë refuzuar
përmes procedurave burokratike, për të cilat nuk do të ndalem kësaj radhe, pasi
jam i bindur që kryetari Elezaj, Asambleistët dhe KEK-u do të ndërmarrin hapa
të shpejtë në zgjidhjen e këtyre problemeve jetike, si parakusht për
parandalimin e shpërnguljes edhe të atyre pak banorëve të mbetur në fshatin
Bokshiq.
Renovimi
i 'Shtëpisë së Kuvendeve të Rezistencës' së viteve të '90-ta, në të cilën janë
mbajtur shumë kuvende zgjedhore, tribuna dhe promovime të vlerave kombëtare,
për më tepër se obligim, do të ishte akt moral i qeverisjes komunale në nderim
të sakrificës dhe qëndresës heroike përballë pushtuesve serbë gjatë viteve të
okupimit klasik të Serbisë.
Të
gjitha shqetësimet e sipërngritura janë jetike për banorët e fshatit, por
rrjeti elektrik është primar dhe ekzistencial për banorët e këtij lokaliteti!
Duke
e marrë për bazë vjetërsinë e rrjetit elektrik dhe përshkrimin e gjatë në një
relievë të thyer malor nga fshati Dugajevë, mundësitë e intervenimit në raste
emergjente janë të limituara!
Andaj,
kërkesë e banorëve të fshatit Bokshiq është që rrjeti i ri elektrik të merret
nga Trafoja Elektrike e fshatit Grabanicë për të vazhduar përgjatë aksit
rrugor, i cili do ta ketë një kosto shumë më të ulët financiare në krahasim nga
rrjeti aktual që vjen nga Dugajeva dhe me mundësi të lehta të mirëmbajtjes dhe
interevenimit në kohën e duhur nga punonjësit e KEK-ut.
I nderuari kryetar, Zenun Elezaj,
asambleist të respektuar nga të gjitha subjektet politike në Asamble Komunale,
të gjitha kërkesat e banorëve të fshatit Bokshiq janë në përputhje të plotë me
premtimet e juaja elektorale dhe në përputhje me linjat buxhetore të Komunës së
Klinës, por edhe me detyrimet e Korporates Energjetike të Kosovës (KEK) për
furnizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik në çdo cep të Kosovës.
Në emër të banorëve të fshatit Bokshiq: Florim Zeqa,
12.12.2025









