E shtune, 13.12.2025, 09:40 PM (GMT)

Mendime

Don Fran Sopi: Krishti që jeton në ne dhe qëndresa heroike e popullit tonë shqiptar

E shtune, 13.12.2025, 06:56 PM


Krishti që jeton në ne dhe qëndresa heroike e popullit tonë shqiptar

“Jetoj, por jo më unë; në mua jeton Krishti. Dhe këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe flijoi veten për mua.” (Gal 2,20)

Shkruan: Don Fran Sopi

Fjala e shenjtë e Shën Palit ka qenë dhe do të mbetet përherë një dritë që s’shuhet kurrë. Ajo na fton të hyjmë në thellësi të fesë sonë të krishterë dhe të kuptojmë jetën e re që fillon kur njeriu heq dorë nga mëkati dhe ia hap zemrën Krishtit Zot. Prej atij hapi nis udha e vërtetë e besimit. Dhe kur bashkohemi me Krishtin, kuptojmë se, edhe në stuhitë më të forta të jetës, si besimtarë dhe si popull, nuk kemi qenë të braktisur, sepse Krishti që banon në ne bëhet themeli i shpresës dhe i dinjitetit tonë.

Kur Krishti jeton në ne, mësojmë të shohim me “sytë e së vërtetës”. Kjo urti s’vjen prej kësaj bote, por prej vetë Zotit. Ajo urti hyjnore ka qenë për shekuj mburoja e popullit tonë. Një dritë e brendshme që nuk u shua as në kohët më të vështira. Kjo dritë u ka dhënë forcë shqiptarëve të durojnë padrejtësitë, të mos thyhen dhe të mos e kthejnë zemrën drejt të keqes. Dhuratat e Shpirtit Shenjt e mbajtën gjallë fenë, moralin dhe karakterin tonë kombëtar, edhe kur mbi supet e shqiptarëve ranë plagë e padrejtësi të rënda.

Historia jonë nuk mund të kuptohet pa periudhën e gjatë të sundimit osman, sundim që tronditi themelet tona shoqërore, kulturore e fetare. U zhdukën familje fisnike, ranë kështjella, u varfëruan fshatrat, u mbyllën shkollat dhe arsimi u shua pothuajse krejt. U godit kultura, u plagos gjuha dhe u tentua të shuhej shpirti shqiptar. Por kjo plagë s’ishte vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Shqiptarit i kërkohej të harronte gjuhën, zakonet e veta, madje edhe vetveten. U përndoqën priftërinjtë, mësuesit, dijetarët. U burgosën, u helmuan, shumë prej tyre u bënë martirë për Fe dhe Atdhe – pra, për Krishtin Mbret dhe për Shqipërinë. Megjithatë, edhe në atë errësirë të thellë, drita që populli mbante në zemër nuk u shua. Perandoritë vijnë e shkojnë, por Hyji mbetet. Edhe kur ranë kështjellat e kur u mbyllën shkollat, edhe kur ndaluan fjalën e Zotit dhe fjalën shqip, zemra e shqiptarit vazhdoi të rrahë në ritmin e lirisë e të dinjitetit.

Në ato shekuj të errët, drita e Ungjillit shkëlqeu:

– Aty ku kishte frikë, Zoti solli shpresë;

– Aty ku dobësohej identiteti, Shpirti Shenjt e ngriti popullin;

– Aty ku kërkohej nënshtrim, shqiptari e gjeti dinjitetin te Krishti Zot.

Historia jonë e lavdishme e tregon qartë se asnjë pushtet tokësor nuk mund ta mposhtë zemrën ku banon Krishti.

Perandoritë shuhen, kufijtë ndryshojnë, por drita e Krishtit mbetet “deri në të sosur të botës” (Mt 28,20).

Kjo dritë hyjnore e ruajti fenë, gjuhën, familjen dhe karakterin tonë kombëtar. Prandaj, fjala e Shën Palit (Gal 2,20) sot na thërret:

-Të mos e ndërtojmë jetën mbi egoizmin, por mbi Krishtin Zot që na njeh dhe na do.

-Të mos udhëhiqemi nga frika, por nga shpresa që vjen prej Hyjit.

-Të mos mbetemi peng i plagëve të së kaluarës, por të ndërtojmë të ardhmen me falje e dashuri.

Si besimtarë të Tij dhe si shqiptarë, le ta ftojmë Krishtin të banojë në zemrat tona, ashtu siç bani në zemrat e të parëve tanë që ruajtën fenë, gjuhën dhe kombin. Le të na udhëheqë Shpirti Shenjt drejt unitetit, qëndrimit dhe përulësisë. Sepse Krishti që jeton në ne është dritë që nuk shuhet, forcë që nuk mposhtet dhe shpresë që nuk vdes.

Le ta ruajmë të vërtetën që populli ynë e mbajti ndër shekuj: kur Krishti jeton në zemrën e njeriut, asnjë errësirë nuk e mposht dot. Zemra s’errësohet, shpirti s’dobësohet, shpresa s’shuhet. Me Krishtin në mesin tonë, ne mbetemi popull i dritës, popull i shpresës dhe popull i qëndresës.

Historia jonë, me plagët e sakrificat e saj, nuk do të mbijetonte pa dritën e fesë dhe pa forcën shpirtërore që Hyji mbolli në popullin tonë martir. Shpirti shqiptar është ndërtuar mbi themele të forta: fenë, nderin, besën, familjen dhe dashurinë për lirinë. As pesë shekuj pushtim, as varfëria, as trazirat s’i zhdukën këto vlera.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, jemi të thirrur t’ia hapim zemrën Krishtit Zot; të ecim me dinjitet, me kulturë, me shpirt të pastër dhe me karakter të krishterë. Të nderojmë të kaluarën dhe të ndërtojmë me dashuri të ardhmen. Sepse me Krishtin në zemër, ne jemi e mbetemi popull i dritës, popull i shpresës dhe popull i qëndresës.

Pejë, më 12 dhjetor 2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Edhe Bokshiq është brenda hartës gjeografike të Klinës! Asllan Dibrani – Luani: Terrori i Ibër-Lepencit dhe Rrëzimi i Maskës Serbe Idriz Zeqiraj: Nëndega e LDK-së në Bavarinë e Epërme kërkon shtesë të vend-votimeve Kalosh Çeliku: Gëzuar Vitin e Ri 2026 Florim Zeqa: Sërish jashtë listës për deputet! Asllan Dibrani – Luani: Dezinformimi si instrument destabilizimi Gjon Keka: Zëri i Lëvizjes kombëtare të Deçanit ka filluar të dëgjohet edhe në Europë dhe ShBA Vladimir Shyti: Banditi, që u bë kapitalist UGSH: Denoncojmë stigmatizimet dhe gjuhën agresive të disa mediave online ndaj kolegëve nga Kosova dhe Shqipëria Asllan Dibrani – Luani: Masakrimi i varrit të vëllezërve Dehari dhe dëmtimi i Flamurit Kombëtar! Adil Fetahu: Pse në Kosovë nuk bëhet “vettingu” i diplomave të dyshimta? Nue Oroshi: Presidentja Vjosa Osmani duhet të presë e qetë përfundimin e karrierës së saj politike Idriz Zeqiraj: Presidentja Vjosa Osmani, me vendim korrekt kushtetues, shpalli datën zgjedhore Diadema Still: Rrethi sindromik i përjashtimit Fritz Radovani: Himni i Flamurit prej At Gjergj Fishtës Kalosh Çeliku: Parti politike shqiptare me brekët nëpër këmbë Klajd Kapinova: Vëllazëria Myslimane synon shkatërrimin e qytetërimit perëndimor dhe dominimin global të islamit Nexhmije Mehmetaj: Pro iniciativës zvicerane për ndalimin e shamisë në shkolla Florim Zeqa: Mos i braktisni Babë e Nanë! Idriz Zeqiraj: Serbia me argatët e shantazhuar, përgjaku shqiptarët në LDB dhe të Kosovës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx