Mendime
Ilir Çumani: Avokati i ri i Popullit në optikën makiaveliste
E shtune, 20.12.2025, 06:56 PM

AVOKATI I RI I POPULLIT
NË OPTIKËN MAKIAVELISTE
Nga
Ilir Çumani
Në
politikë, më e rrezikshme se forca e pushtetit është aftësia e tij për t’u
maskuar si “kundërshtar i së keqes”.
Makiaveli
do ta quante këtë lloj tipologjie të bërit politikë si formën më të rafinuar të
sundimit: kur kundërshtari i shpallur shndërrohet në instrument të sistemit, jo
përmes dhunës, por përmes ofertës. Në këtë rast, morali nuk rrëzohet me zhurmë;
ai shpërbëhet në heshtje, nëpër korridore, larg vëmendjes dhe syrit publik.
Zgjedhja
e Endri Shabanit si Avokat i Popullit është një shembull domethënës i kësaj
loje të heshtur pushteti.
Një
personazh që për vite të tëra ka ndërtuar profilin e tij publik mbi mospajtimin
me establishmentin e vjetër politik, mbi refuzimin e kompromisit dhe mbi
retorikën e ndarjes nga “politika e vjetër”, përfundon duke u ngjitur në një
nga postet më simbolike të sistemit, pikërisht përmes mekanizmave të atij
sistemi. Kjo nuk është një kthesë e papritur; është përmbushje e një strategjie
të fshehur pas fjalëve të mëdha.
Në
emër të kësaj ngjitjeje personale, u pranua logjika makiaveliste se kauzat nuk
janë parime për t’u mbrojtur, por mjete për t’u përdorur.
Zgjedhja
e Avokatit të Ri të Popullit nuk ishte produkt i transparencës dhe as i një
konsensusi të ndershëm publik, por rezultat i marrëveshjeve okulte, ku besimi i
qytetarëve dhe idealet e shpallura u kthyen në monedhë shkëmbimi.
Këtu
ndodh tradhtia thelbësore e aspiratave dhe idealeve: jo ndaj një partie apo
grupi politik, por ndaj atyre që e besuan mospajtimin si bindje dhe jo si
strategji.
Makiaveli
na mëson se pushteti nuk ka nevojë të shkatërrojë kundërshtarin; mjafton ta
blejë. Dhe kur blerja ndodh, ajo rrallëherë është monetare — zakonisht
institucionale.
Një
post, një titull, një rol i lartë shtetëror mjaftojnë për ta shndërruar
kundërshtarin në pjesë të rendit që deklaronte se e luftonte. Në këtë moment,
kauza humbet kuptimin e saj fillestar dhe shndërrohet në dekor për një karrierë
personale.
Edhe
më shqetësuese është mënyra se si kjo manovër u bë e mundur nga aktorë që duhej
të përfaqësonin një standard moral tjetër.
Opozita,
në vend që të shërbente si filtër etik ndaj kapjes së institucioneve, u bë
pjesë e procesit që e legjitimoi atë. Ky nuk ishte një gabim naiv, por një
zgjedhje politike me pasoja morale. Në logjikën makiaveliste, bashkëpunimi në
heshtje është gjithmonë më i rëndë se imponimi me forcë.
Nga
ana tjetër, pushteti qeverisës përfitoi maksimumin strategjik: arriti të
instalojë një figurë të pranueshme publikisht, të paketuar si “e pavarur” dhe
“kundër establishmentit”, ndërsa në realitet ishte e integruar plotësisht në
arkitekturën e tij. Kjo ishte një lëvizje elegante, pa kosto, që e shndërroi
kundërshtimin në alibi dhe kompromisin në normalitet.
Pasojat
e kësaj loje janë më të thella sesa fati i një individi. Kur qytetarët shohin
se edhe ata që flasin në emër të mospajtimit përfundojnë duke bërë pazare të
fshehta për poste, forcohet bindja se politika është një qark i mbyllur ku
idealet shërbejnë vetëm për hyrje. Kjo bindje prodhon cinizëm, cinizmi prodhon
largim, dhe largimi prodhon një shoqëri që nuk beson më as në ndryshim, as në
përfaqësim.
Në
planin kushtetues, ky zhvillim është edhe më problematik. Avokati i Popullit
nuk është thjesht një funksionar publik; ai është një institucion kushtetues,
menduar si mburojë e qytetarit përballë arbitraritetit të pushtetit.
Legjitimiteti
i tij nuk buron vetëm nga procedura formale e zgjedhjes, por edhe nga
perceptimi publik i pavarësisë reale dhe morale. Kur ky institucion lind nga
pazare politike, edhe nëse ato juridikisht janë të lejuara, ai hyn në detyrë me
një deficit të thellë morali dhe besimi.
Kushtetuta
nuk kërkon vetëm respektim të shkronjës, por edhe të frymës. Fryma e Avokatit
të Popullit është mbrojtja e individit nga shteti, jo integrimi harmonik në
ekuilibrat e pushtetit. Kur një figurë ngjitet në këtë post duke u bërë produkt
i balancave partiake dhe i negociatave të fshehta, institucioni rrezikon të
shndërrohet nga garant i të drejtave në amortizator politik, i paaftë për të
prodhuar debat dhe konflikt real me qeverinë.
Këtu
qëndron paradoksi kushtetues: sa më korrekt të jetë procedura formale, aq më i
madh mund të jetë deformimi substancial. Një zgjedhje e ligjshme nuk është
domosdoshmërisht një zgjedhje legjitime. Pa legjitimitet, çdo institucion
kushtetues humbet forcën e tij reale, duke mbetur një strukturë e zbrazët,
funksionale vetëm në letër.
Në
këtë kuptim, rasti konkret nuk është përjashtim, por një simptomë e një
sëmundjeje kronike e patrajtueshme, që tregon se si institucionet e pavarura po
kthehen gradualisht në stacione tranziti për karriera politike, ku pavarësia
shërben si narrativë dhe jo si praktikë.
Kjo
cenon drejtpërdrejt parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke e bërë
kontrollin kushtetues një formalitet dhe jo një mekanizëm real mbrojtës.
Makiaveli
do ta admironte efikasitetin e kësaj manovre, por historia do ta gjykonte
koston e saj, sepse pushteti i fituar duke tradhtuar kauzat që sollën besimin
publik nuk ndërton institucione të forta, por i konsumon ato nga brenda.
Dhe
kur edhe postet që duhet të mbrojnë qytetarin shndërrohen në shpërblime për
pazare politike, problemi nuk është më vetëm një individ i veshur me kostumin e
ri politik, por një sistem që e ka bërë mashtrimin metodë, hipokrizinë normë
dhe Kushtetutën një skenografi formale, duke shkatërruar gradualisht kuptimin e
legjitimitetit kushtetues dhe moral.
Tiranë, e premte - 19
dhjetor, 2025









