Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: Avokati i ri i Popullit në optikën makiaveliste

| E shtune, 20.12.2025, 06:56 PM |


AVOKATI I RI I POPULLIT NË OPTIKËN MAKIAVELISTE

Nga Ilir Çumani

Në politikë, më e rrezikshme se forca e pushtetit është aftësia e tij për t’u maskuar si “kundërshtar i së keqes”.

Makiaveli do ta quante këtë lloj tipologjie të bërit politikë si formën më të rafinuar të sundimit: kur kundërshtari i shpallur shndërrohet në instrument të sistemit, jo përmes dhunës, por përmes ofertës. Në këtë rast, morali nuk rrëzohet me zhurmë; ai shpërbëhet në heshtje, nëpër korridore, larg vëmendjes dhe syrit publik.

Zgjedhja e Endri Shabanit si Avokat i Popullit është një shembull domethënës i kësaj loje të heshtur pushteti.

Një personazh që për vite të tëra ka ndërtuar profilin e tij publik mbi mospajtimin me establishmentin e vjetër politik, mbi refuzimin e kompromisit dhe mbi retorikën e ndarjes nga “politika e vjetër”, përfundon duke u ngjitur në një nga postet më simbolike të sistemit, pikërisht përmes mekanizmave të atij sistemi. Kjo nuk është një kthesë e papritur; është përmbushje e një strategjie të fshehur pas fjalëve të mëdha.

Në emër të kësaj ngjitjeje personale, u pranua logjika makiaveliste se kauzat nuk janë parime për t’u mbrojtur, por mjete për t’u përdorur.

Zgjedhja e Avokatit të Ri të Popullit nuk ishte produkt i transparencës dhe as i një konsensusi të ndershëm publik, por rezultat i marrëveshjeve okulte, ku besimi i qytetarëve dhe idealet e shpallura u kthyen në monedhë shkëmbimi.

Këtu ndodh tradhtia thelbësore e aspiratave dhe idealeve: jo ndaj një partie apo grupi politik, por ndaj atyre që e besuan mospajtimin si bindje dhe jo si strategji.

Makiaveli na mëson se pushteti nuk ka nevojë të shkatërrojë kundërshtarin; mjafton ta blejë. Dhe kur blerja ndodh, ajo rrallëherë është monetare — zakonisht institucionale.

Një post, një titull, një rol i lartë shtetëror mjaftojnë për ta shndërruar kundërshtarin në pjesë të rendit që deklaronte se e luftonte. Në këtë moment, kauza humbet kuptimin e saj fillestar dhe shndërrohet në dekor për një karrierë personale.

Edhe më shqetësuese është mënyra se si kjo manovër u bë e mundur nga aktorë që duhej të përfaqësonin një standard moral tjetër.

Opozita, në vend që të shërbente si filtër etik ndaj kapjes së institucioneve, u bë pjesë e procesit që e legjitimoi atë. Ky nuk ishte një gabim naiv, por një zgjedhje politike me pasoja morale. Në logjikën makiaveliste, bashkëpunimi në heshtje është gjithmonë më i rëndë se imponimi me forcë.

Nga ana tjetër, pushteti qeverisës përfitoi maksimumin strategjik: arriti të instalojë një figurë të pranueshme publikisht, të paketuar si “e pavarur” dhe “kundër establishmentit”, ndërsa në realitet ishte e integruar plotësisht në arkitekturën e tij. Kjo ishte një lëvizje elegante, pa kosto, që e shndërroi kundërshtimin në alibi dhe kompromisin në normalitet.

Pasojat e kësaj loje janë më të thella sesa fati i një individi. Kur qytetarët shohin se edhe ata që flasin në emër të mospajtimit përfundojnë duke bërë pazare të fshehta për poste, forcohet bindja se politika është një qark i mbyllur ku idealet shërbejnë vetëm për hyrje. Kjo bindje prodhon cinizëm, cinizmi prodhon largim, dhe largimi prodhon një shoqëri që nuk beson më as në ndryshim, as në përfaqësim.

Në planin kushtetues, ky zhvillim është edhe më problematik. Avokati i Popullit nuk është thjesht një funksionar publik; ai është një institucion kushtetues, menduar si mburojë e qytetarit përballë arbitraritetit të pushtetit.

Legjitimiteti i tij nuk buron vetëm nga procedura formale e zgjedhjes, por edhe nga perceptimi publik i pavarësisë reale dhe morale. Kur ky institucion lind nga pazare politike, edhe nëse ato juridikisht janë të lejuara, ai hyn në detyrë me një deficit të thellë morali dhe besimi.

Kushtetuta nuk kërkon vetëm respektim të shkronjës, por edhe të frymës. Fryma e Avokatit të Popullit është mbrojtja e individit nga shteti, jo integrimi harmonik në ekuilibrat e pushtetit. Kur një figurë ngjitet në këtë post duke u bërë produkt i balancave partiake dhe i negociatave të fshehta, institucioni rrezikon të shndërrohet nga garant i të drejtave në amortizator politik, i paaftë për të prodhuar debat dhe konflikt real me qeverinë.

Këtu qëndron paradoksi kushtetues: sa më korrekt të jetë procedura formale, aq më i madh mund të jetë deformimi substancial. Një zgjedhje e ligjshme nuk është domosdoshmërisht një zgjedhje legjitime. Pa legjitimitet, çdo institucion kushtetues humbet forcën e tij reale, duke mbetur një strukturë e zbrazët, funksionale vetëm në letër.

Në këtë kuptim, rasti konkret nuk është përjashtim, por një simptomë e një sëmundjeje kronike e patrajtueshme, që tregon se si institucionet e pavarura po kthehen gradualisht në stacione tranziti për karriera politike, ku pavarësia shërben si narrativë dhe jo si praktikë.

Kjo cenon drejtpërdrejt parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke e bërë kontrollin kushtetues një formalitet dhe jo një mekanizëm real mbrojtës.

Makiaveli do ta admironte efikasitetin e kësaj manovre, por historia do ta gjykonte koston e saj, sepse pushteti i fituar duke tradhtuar kauzat që sollën besimin publik nuk ndërton institucione të forta, por i konsumon ato nga brenda.

Dhe kur edhe postet që duhet të mbrojnë qytetarin shndërrohen në shpërblime për pazare politike, problemi nuk është më vetëm një individ i veshur me kostumin e ri politik, por një sistem që e ka bërë mashtrimin metodë, hipokrizinë normë dhe Kushtetutën një skenografi formale, duke shkatërruar gradualisht kuptimin e legjitimitetit kushtetues dhe moral.

Tiranë, e premte - 19 dhjetor, 2025