Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Një foto shumë domethënëse
E marte, 23.12.2025, 04:52 PM

Një foto shumë domethënëse
Nga Vilhelme
Vrana Haxhiraj
I nderuar miku im Fatmir!
Foto Fitim Haxhiraj
Të falenderoj për kujtesën që ke sjellë
përmes kësaj fotoje. Një Fjalë e vërtetë apo një Foto është një artefakt që
vjen nga 13 vite më parë. Bashkë me kohën ajo do të udhëtojë ndër vite dhe kur
ne do të jemi në amëshim të përjetshëm.
Pas përurimit të veprës së Terziut ne të tre,
Fatmir Terziu, Unë dhe Visar Zhiti u gjendëm në bregdet. Bashkë me ne disa hapa përpara ishte bashkëshorti
im, Fitim Haxhiraj, me aparat fotografik në dorë. Ecnim ngadalë me përshtypjet
më të mira për takimin letrar,pjesëmarrjen, dashamirësit e letërsisë dhe mbi të
gjitha me bukurine e magjishme dhe mahnitëse të Saransës së pranverës së
përhershme. Folëm për letërsinë në tërësi,
pa mohuar Realizmin Socialist dhe për letërsinë bashkëkohore që kishte filluar
të lëshonte sytha të rinj veç të një trajtimi tjetër. Po lindëte një letërsi
ndryshe, një letërsi bashkëkohore e Realizmit Real, që s’ kishte asgjë të
përbashkët me atë të Realizmit Socialist.
Po ta shikojmë foton me
vërejtje, ajo flet shumë. Në atë çast ne jemi në një diskutim rreth premisave
dhe botimit të një letërsie të re. Unë vetëm po dëgjoja, në atë çast Fatmirin
si përfaqësues i një letërsie të re bashkëkohore pa ndikime të Realizmit
Socialist,i cili dhà mendimin për aprovimin,miratimin e kësaj rryme të
re letrare duke iu drejtuar Visarit për të krijuar një shoqëri letrare në
Vlorë.
Duke hapur krahët me nervozizëm
apo me tendencë, për qëndrimin e të cilit flet fotografia,Visari kundërshtoi
Fatmirin:
-Më thuaj të lutem, me kë
do ta bëj këtë shoqëri?! Nga ata që shkruajnë në Vlorë për burgun,vetëm unë jam
që kam lidhje me këtë qytet bregdetar...
- E ke gabim,-iu
përgjigj Fatmiri.
Letërsi e ndaluar nuk
është vetëm ajo e burgut. Ka qindra autorë,që janë persekutuar deri në palcë
dhe nuk kanë qenë të burgosur,por u janë mohuar të drejtat dhe liria e fjalës
apo e shtypit.
-Fatmir, ke të drejtë. Sepse sa e sa
virtuozë, me talent në disa fusha të shkencës dhe nuk kanë mundur t’i shprehin
mendimet e tyre të lira. Nuk e mohoj,po as e ngre në piedestal letërinë e Burgut. I burgosuri e
dinte fatin e tij, por familja dhe fisi që paguanin për të ishin fajtorët e
pafaj. Kalvarët që kaloi shtresa e fisnikërisë dhe intelektualët e arsimuar në
perëndim, vetëm ai që i ka povuar në shpinë e di se ç’do të thotë Luftë
Klase.I burgosuri e dinte fatin etij, por nuk e provoi përbuzjen, mohimin,
denigrimin me fjalë fyese, kulak i dreqit, Armik i popullit, Ti ke lyer duart
me gjak. Pa turp dhe pa droje të drejtohej një pa shkollë me fjalët: Ti nuk je
si ne, nuk ke të drejta të barabarta me mua. Le të mësojë sa të dojë yt bir apo
jot bijë, nuk ua jep Partia arsimin e lartë.Ky ishte realiteti i pamohueshëm
shqiptar.Nuk ke qenë i vetmi i burgosur, se kishte nga ata që ishin dënuar
me burgim të përjetshëm dhe i shkruanin Gruas apo fëmijëve: -Të shtrenjtët e
mi,Dua diçka që nuk blihet me para. Kjo ishte liria e munguar.
Duke përkrahur Fatmirin
dhe sa thashë më sipër,më erdhi keq që Visari e sfumoi letërsinë e një
qyteti si Vlora. Duke na treguar se ai ishte i përveçëm, i cili ulej në tryezë
me korifejtë dhe niveli yt letrar krijonte diferencë me letrarët vlonjatë. Edhe
një fjalë të thotë apo të shkruajë dikush, ka vlerë...Letërsia ka nevojë për
ajër ,për dritë, për ngrohtësi, për komunikim, për tolerancë e bashkëpunim që të
hyj në shpirtin,zemrën dhe gjakun e çdo shqiptari. Letërsia pa brryla,pa u
mburrur “Jam unë e s’ka në botë!” u përket cinikëve, që u bëjnë
hosana të gjithëve.
Veç kujtesës së
Fatmirit,përshëndes komentin e botuar te Fjala e Lirë të shkrimtarit dhe
analistit të shquar, sidomos në fushën e folklorit,Timo Mërkuri,i cili pa
e ditur brendinë e bisedës sonë në foto,e ka titulluar shkrimin “Zëri me
tre drita” Që të tre personat e
fotos flasin me zërin e ndërgjegjjes, sepse ështe e vetmja që jo vetëm nuk
gabon, por dhe kritikon në heshtje...Në rrëfimin e Fatmirit dhe analizlën e
Timo Mërkuurit rreket nevoja për tema të tilla që t’i bashkojë artistët e çdo
zhanëri e jo t’i veçojë duke e shpërfillur atin e tyre. Kurrë nuk duhet të
flasë goja para mendjes,sepse përballë ndërgjegjjes qëndron
nënndërgjegjja.Vlerat letrare të kombit nuk bëhen as nga një as nga dy
shkrimtarë por nga një plejadë e tërë krijuesish që e bënë të njohur letërsinë
shqipe në botë për të mos e quajtur më letërsi provinciale.
Shkrime të tilla janë të
domosdoshëm për diskutim,se janë përparësi dhe zhvillim.
Ju
uroj shëndet dhe Gëzuar Festat e Fundvitit!
Vihelme









