E marte, 23.12.2025, 10:46 PM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Gëzim Tushi - Qëndrim nihilist ndaj vlerave të trashëguara, politika ndjek pushtetin e paratë, jo vlerat

E marte, 23.12.2025, 04:55 PM


Flet "Mjeshtri i Madh", socialogu  Gëzim Tushi:

Në Shqipëri vihet re një qëndrim nihilist ndaj vlerave tona të trashëguara në shekuj pasi politika rend pas pushtetit dhe parasë jo pas vlerave

- Globalizmi, ka zbehur konceptualisht idenë, zakonet e mira dhe vlerat pozitive të trashëguara

- Praktikisht shoqëria jonë është në kushtet e reja të modernitetit, si shoqëri, por me dimension social të kufizuar

- Në këto tre dekada e gjysëm të jetës demokratike, janë shfaqur densitete të reja fizike, zakonore e sociale që nuk ruajnë traditën

- Shoqëria jonë po përjeton kriza të reja të ndërtimit të zakoneve adekuate, të cilat janë një nga faktorët social që e kanë bërë kohën të vështirë për t'u orientuar.

Nga Albert Z. ZHOLI

Kjo periudhë e zgjatur e tranzicionit në fushën e jetës politike, morale, estetike, në shoqërinë tonë ka qenë dhe vazhdon të jetë me frekuencë të fortë likuide dhe paqartësi të thellë konceptuale e metafizike. Nga një shoqëri e determinuar në të gjitha aspektet dhe me parametra moralë dhe koncepte tradicionale të kalçifikuara nga ideologjia doktrinariste, e bazuar dhe e mbështetur në "ketmanët" e saj, u kalua në një situatë kaotike të paqartë dhe pa piketa të sigurta morale, qytetare, etike dhe estetike. Një gjëndje turbulente dhe turbulluese, që i ka vënë njerëzit individualisht, por edhe shoqërinë tonë në tërësi, në dilema të shumta, paqartësi konceptuale dhe kaotizëm estetik. Si e komenton socialogu Tushi ndryshimin total të nihilizmit ndaj vlerave tona identitare?

-Ky tranzicion si ka ndikuar në traditat tona që i kemi trashëguar në shekuj dhe tashmë duket se i kemi deformuar?

Doemos në periudha tranzicioni, sikurse ndodhet shoqëria jonë ka një tranzicion jo të lehtë të kalimit nga traditat e ngurta dogmatike sociale në periudhën e liberalizmit dhe individualizimit të sjelljes, shijes, gustos dhe formave të shumta të ndryshuara të komportimit social. Ato shfaqen në raportet e ndryshuara midis vlerave të traditës përballë nevojave imperative të modernitetit. Qëndrimet e njëanshme idolatrizuese të normave tradicionale, nga njëra anë dhe të nihilizmit total të këtyre vlerave në emër të modernitetit social, janë të pranishme dhe kanë sjellë shumë njëanshmëri dhe konfuzion social në shoqërinë tonë. Është krejt me natyrë kuptimplote filozofike, sociale e morale ideja se "Zakonet kanë specifikën e tyre të dallueshme në fazën "solide" ashtu dhe në atë "fluide". Ky kalim është plot me konflikte zakonore të pazgjidhura". Zygmunt Bauman, "Moderniteti i lëngët" f. 219

A ka një zgjidhje optimale në këtë ekuacion dikotomik midis traditës dhe modernitetit, vlerave të qëndrueshme dhe nevojës së reflektimeve adekuate në raport me imperativat e kohës postmoderne?

Personalisht mendoj se historia e ndryshimit të nevojshëm e të pashmangshëm suksesiv të disa nga parametrat e traditës, dhe njëherësh nevoja urgjente e rishfaqjes në forma herë autentike e herë të ndryshuara të traditave dhe zakoneve në shoqërinë tonë, nuk është as për modë konservatore, apo ekzibicion arkaik. Një qëndrim i kujdesshëm, mbase dialektik në këtë dikotomi midis vlerave më të mira të traditës kombëtare dhe nevojës së reflektimit mbi parimet dhe paradigmat e jetës moderne, jo vetëm është imperative, por është në thelbin human, kuintesencën dhe natyrën e qëndrimit social e qytetar të dyfishtë: krijuese, rikrijuese dhe imituese të gjërave që koha i ka afirmuar si vlera koherente e të qëndrueshme të jetës historike të shoqërisë shqiptare. Një jetë që nuk ka qënë as bosht nga vlerat as në vakum social. Pra në pikëpamje sociologjike procesi i raporteve të njeriut me sistemet e vlerave, zakoneve, traditave në sjelljen sociale, veshje dhe modë, ka treguar se në këto tre dekada e gjysëm jetuam kohën më të vrullshme të rishikimit të sistemit të vlerave sociale, morale, estetike e formave të sjelljeve komunitare, të cilat u shoqëruan me një proces të refuzimi mbase deri në nihilizëm social, shoqëruar me shpërbërjen e shumë traditave të koracuara, zakoneve të "ndryshkura" si paradigma të vjetra zakonore. Diskutimi për vlerat, traditat, zakonet duhet bërë duke patur parasysh që fenomenet dhe vlerat sociale, nuk janë statike, por dinamike, të paqëndrueshme, sepse shoqëria moderne nuk është e rrafshët, me ecuri të njëtrajtshme, por e vendosur në një "plan të pjerrët", të lëvizshëm, dinamik. Duhet të jemi realist dhe të vërtetë, sepse në këto tre dekada e gjysëm të jetës demokratike, janë shfaqur densitete të reja fizike, zakonore e sociale. Duam apo nuk duam ato po bëhen matrica sunduese e determinuese të sjelljes, komportimit social dhe veprimit njerëzor. Sociologët e postmodernitetit me të drejtë, evidentojnë faktin që sot jetojmë në një shoqëri autonome, shoqëri vërtetë demokratike, e cila vë në pikëpyetje çdo gjë që është e paravendosuar, dhe me këtë, çliron procesin natyral dhe të natyrshëm të krijimit dhe adoptimit me kuptimet e reja sociale, morale, estetike e komunitare. Ne duhet të pranojmë faktin që duke qënë në etapën e zhvillimeve turbulente postmoderne, jetojmë në një shoqëri të tillë, në të cilën me sa duket të gjithë individët janë të lirë të krijojnë, për jetën e tyre kuptimet që duan. Iku koha e shoqërisë me me zakone të standartizuara dhe pritmëri të njohura e të pandryshueshme. Sociologët e modernitetit theksojnë se "traditat, zakonet mënyrat e sjelljes sociale e individuale kanë kuptim dhe mund të kuptohen, brenda një bote historike dhe shoqërore të përcaktuar. Kush nuk e dallon këtë, ai nuk numërohet ndër njerëzit e brezit të tij. Ai mbetet një idiot, një sharlatan ose pedant". Praktikisht shoqëria jonë është në kushtet e reja të modernitetit, si shoqëri, por me dimension social më të kufizuar, në emër të zgjerimit të individualizmit dhe vlerave unike personale. Në këto kushte, disa zakone kanë pësuar struktura degraduese, disa mbingarkesa morale e zakonore janë në proces likujdimi social. Por për të mos qënë nihilist, duhet të kuptojmë se në kohën e shoqërisë likuide, jo të gjithë vlerat ekzistenciale të së kaluarës duhet të zhduken. Përkundrazi sipas mendimit tim, fakti që kohët e fundit ka një rikthim në disa nga vlerat e konfirmuara e solide, me vlerë koherente dhe ndikim në mbrojtjen e koracës sociale të marrëdhënieve njerëzore, dhe mbrojtjen e tyre nga vetmia dhe copëtimi social, mendoj se duhet vlerësuar ky moment si tregues i një procesi social që do ta quaja si "kohë e kurbacionit",e vlerësimit real e dialektik të tyre. Ne duhet t'i njohim dhe t'i pranojmë të vërtetat tona, faktin që traditat dhe zakonet nën presionin e jetës moderne, standarteve humane të shoqërisë liberale e individualiste, do t'i nënështroheshin një debati ndryshues e seleksionues midis relativizmit, të vërtetës dhe subjektiviteti përzgjedhjes. Jeta postmoderne shqiptare e ka përfunduar tranzicionin, dhe tashmë është përtej narrativave të vjetra morale, sepse sikurse ka thënë François Loytard, jetojmë në kohën që shoqëritë i kanë kapërxyer "tregimet e kota" morale si esencializmave zakonore dogmatike.  Padyshim, edhe në shoqërinë tonë, koha ka sjellë efekte fizike dhe metafizike nën peshë rrafshuese të "rulit të globalizmit, të cilat kanë zbehur konceptualisht idenë se zakonet e mira dhe vlerat pozitive të trashëguara, janë të domosdoshme, mjet me rëndësi sociale që plotëson nevojat njerëzore për afërsi, mbështetje dhe komunitet. Në shoqërinë tonë, shoqëria dhe njeriu po formatohen në mënyrë modern. Por nga ana tjetër, krejt në mënyrë objektive qëndron e vërteta universale, që nuk e mohon faktin, që njeriu është produkt i një kulture, epoke, tradite humaniste e kombëtare. Fakti që këto kohët e fundit shoqëria dhe njerëzit tanë kanë një proces rishikimi dhe rikthimi të disa vlerave të traditës sonë, në eventet e tyre private apo komunitare tregon se jemi në një moment me rëndësi historike që ka të bëjë me një ndalje të vrullit nihilist dhe transvlerësim të kujdesshëm të disa vlerave, traditave dhe zakoneve të së kaluarës. Pavarësisht individualitetit të përveçëm, duhet pranuar se e kaluara jonë ka qënë e përbashkët dhe ka lënë gjurmë të ngjajshme në tipologjinë sociale dhe morfologjinë individuale. Ka një raport dialektik midis përvojës personale dhe të kaluarës së përbashkët. Dhe respektimi i këtij raporti është vlerë konsensuale jetike e patriotike...Padyshim, është koha dhe mënyra moderne e jetës që të imponon për të lënë mënjanë disa rite, zakone norma e paradigma sociale e morale pa të nesërme për kohën e sotme dhe shoqërinë që po vjen. Doemos që duhet një demarkacion për të ndarë atë që vlen nga ajo që duhet braktisur nga traditat dhe zakonet e vjetra. Sepse revolucioni i jetës morale në Shqipëri, ka bërë kapërximin e duhur, largimin e nevojshëm koherent nga shumë zakone e tradita të tepërta, të panevojshme e penguese, që kanë mbetur me statusin arkaik të "besnikërive të vjetra morale, zakonore e sociale hipokrite, perverse dhe antihumane", por nga ana tjetër, po shfaqet një nihilizëm metafizik e i pajustifikuar ideologjikisht dhe moralisht duke sjellë "besnikëri morale, sociale e zakonore të përçara" tipike të jetës postmoderne. Një rishikim i matur, prudent i sistemit të vlerave e zakoneve të së kaluarës, është reflektim i faktit që shoqëria jonë po përjeton kriza të reja të ndërtimit të zakoneve adekuate, të cilat janë një nga faktorët social që e kanë bërë kohën të vështirë për t'u orientuar. Padyshim ka një të vërtetë universale që mendoj se është kompatibile edhe me zhvillimet sociale në shoqërinë shqiptare, sipas të cilës edhe tek ne, koha dhe shoqëria ka patur dhe megjithë tronditjet e jetës turbulente postmoderne, një paketë vlerash dhe zakonesh, që i përshtaten asaj. Koha moderne ka sjellë aftësi të ndryshuara të traditës, vlera të reja që ndryshojnë nga ato të së kaluarës, por pa rënë në nihilizmëm dhe mohimin metafizik të çdo gjëje të trashëguar nga e kaluara. Jeta nuk është një shkretëtirë vlerash morale e zakonesh sociale. Përkundrazi është një "rreth ciklik", por i seleksionuar dhe në përputhje me tingullin e kohës, imperativat e përbashkëta të jetës postmoderne. Por me sa duket edhe kjo sferë e jetës së njeriut, në aspektin social e public, individual e të personalizuar ka arsyet e veta, pse pas kalimit të një kohe dhe selsksionimit të vlerave dhe forcës rezistente të zakoneve, modës, mënyrës së sjelljes, duket se shpesh ka një shfaqje të recidivizmit apo të ripërsëritjes së një pjesë të zakoneve më të mira, të cilat kanë dëshmuar se janë të nevojshme për stabilitetin ekzistencial të formave të jetës së përbashkët sociale. Sidomos në tërë sistemin e mënyrës së ndërtimit të raporteve midis njerëzve në lidhjet dhe veprimtaritë sociale publike, apo në format dhe mënyrat e ndërtimit të lidhjeve në institucionin themelor sikurse është familja, një "fabrikë sociale" që ndërton, vlerëson, rivlerëson dhe mban qëndrim kritik ndaj asaj që nuk i shërben kohës, nga ajo që duket konstruktive dhe e nevojshme për funksionimin e tyre human.

A mund të ketë shoqëri pa një sens konservator ruajtës, mbrojtës dhe kultivues të disa zakoneve pozitive, traditave me vlera të konfirmuara, që pavarësisht plotësimit të tyre me një sistem koherent të vlerave të reja, të marra së bashku dhe secila në rolin e vet të shërbejnë si bazë për ndërtimin e "busullës morale" të shoqërisë?

Problemi nuk është i thjeshtë, as nuk zgjidhet me mjete mekanike e ideologjike. Sidomos për një shoqëri si kjo e jona, e cila tashmë është në kapërxyell midis nihilimit dhe afirmimit të vlerave të duhura, një shoqëri që deri tre dekada e gjysëm më parë ishte e "sigurt" në sistemin e saj të vlerave dhe zakoneve të siguruara me "armën e ideologjisë" dhe tani në një shoqëri pa busull morale. Shoqëria shqiptare asnjë herë nuk ka qënë e "bardhë" apo e zhveshur nga sistemet e vlerave të qëndrueshme. Përkundrazi në këtë proces, që shoqërohet më një rivlerësim dhe rishikim të sistemit të vlerave dhe zakoneve të së kaluarës, shpesh të goditura en block, nën ndikimet e jetës postmoderne dhe ndikimeve të shoqërisë liberale e individualiste, nën efektet e një lloj imperializmi të vlerave postmoderne, qytetërimi ynë i lashtë dhe modern ka qënë dhe po tregon se duke mos qënë konservator, në çdo sferë të jetës private e publike, ka ecur në koherencë e sistem dialektik (të ndryshueshëm) të zakoneve dhe traditave me vlerë sociale normative, edhe kur janë mohuar nga ndikimet natyrale apo nën efektet e censurës morale, apo edhe kur janë rikthyer nën ndikimin kritik të jetës moderne. Është e vërtetë që shumë tradita të mira, norma të sjelljes morale, të formave të solidaritetit dhe socialitetit, në jetën personale, familjare e komunitare kanë një tendencë rikthimi, por në asnjë mënyrë kjo nuk ndikon në paradigmën e qëndrimit konservator. Përkundrazi rikthimi i shumë prej tyre në kohën e sotme, është i shoqëruar me një proces koherent në raport me traditën. Sepse jeta postmoderne, duam apo nuk duam, është një realitet social me ndikim thelbësor shumëdimensional, që ka ndikuar në shpërbërjen e shumë paradigmave themelore zakonore.

Pyetja që mund të shtrohet është, nëse këtë proces të rishikimit të vlerave, traditave e zakoneve të mira të së kaluarës është: A është i logjikshëm një proces "restaurimi" i disa traditave dhe zakoneve, që koha në mënyrë metafizike, artificiale e kaotike padrejtësisht i ka mohuar dhe përmbysur?

A mos rishikimi i disa traditave e vlerave morale, sociale e kulturore të së kaluarës, nuk duhet ngatëruar me elementët e konservatorizmit dhe nostalgjisë? Padyshim, duke rrishikuar sistemin e vlerave pozitive që të kaluarës, nga ana tjetër nuk mund dhe nuk duhet të pajtohemi, në emër të ruajtjes së traditës me një enumeracion zakonesh e sjelljesh sociale arkaike, që shfaqen si të papranueshme dhe akohore në jetën e përditëshme? Koha edhe në shoqërinë tonë ka ecur shumë shpejt, me ritëm të akseleruar. Për pasojë ka sjellë një proces të dekompozimit të shumë vlerave, traditave dhe zakoneve të së kaluarës. Ky është fakt. Madje shumë pozitiv.

Por qëndrimi nihilist, mohimi metafizik i disa zakoneve dhe traditave të mira, humane e rezistente ndaj "agresionit nihilist", është shpesh nën një patologji që nuk mund të mos interferonte edhe në sistemin tonë soci-moral nën infuencën e "cipës sipërfaqësore" e qytetërimit modern. Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare në këtë fushë ka qënë shpesh herë në gjëndje kaotike e trurbulente, duke mos patut të sigurt orientimin social, "busullën vlerore" dhe ekulibrin e natyrshëm midis asaj që duhej mohuar, asaj që duhet pohuar dhe afirmuar si vlerë e qytetërimit tonë, në dilemën e qëndrimit të natyrshmë dhe vlerësimit objektiv të dallimit midis atyre që janë zakone të vjetra nga njëra anë por edhe vigjilencës për të dalluar lustrën e zakoneve moderne. Pikërisht është koha moderne që po jetojmë, e cila po imponon shpejtësi në ndryshimin e "marsheve" të makinës sociale tradicionale e zakonore. Por me një kusht, sepse në fund të fundit "... përpara se njerëzit të fillojnë të vrasin individualisht mëndjet për të përpiluar kodin më të mirë të bashkëjetesës të konceptuar nga arsyeja e tyre, ata kanë një histori kolektive dhe zakone që i ndjekin kolektivisht". Zygmunt Bauman, (po aty) f. 234 Kjo do të thotë që duhen dalluar ato tradita e zakone që kanë vetëm vlerë të kufizuar ornamentale dhe arkaike, nga ato vlera që janë në themeltare, të qëndrueshme, të gjithanshme. Për fat të keq shoqëria është nën goditjet masive dhe sulmin agresiv e patologjik, e cila bën presion që të pranohet çdo gjë (vlerë, zakon i paseleksionuar) dhe kjo ka sjellë situatën e pazakontë të shfaqjes së një hemorragjie nënvleftësuese e vlerave të trashëguara, që kanë krijuar një boshllëk ekzistencial, madje deri në nivelin e përhapjes si "leucemi vlerash", përmes shfaqjeve të shumë antivlerave, zakoneve banale, konceptualisht dhe realisht  tipike të konceptimit semplist të jetës moderne. Koha kërkon një qëndrim të kujdesshëm, duke qënë në të njëjtën kohë të papranueshëm me këtë hemorragji e pa seleksionuar e traditës, zakoneve dhe vlerave pozitive të trashëguara, ashtu sikurse po aq e papranueshme është çdo tentativë konservatore apo mbivlerësimi i "magjepsjes retro" ndaj zakoneve e parimeve të jetës së përmbysur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Asllan Dibrani – Luani: Besim Hasani, sfida e 28 Dhjetorit për Kuvendin e Kosovës Ismet Hasani: Mendime etike e morale (3) Bashkim Saliasi: Të njohim faktorët që ulin dhe rritin jetëgjatësinë Albert Zholi: Dr. Enriko Ceko - Paqja Fiskale ngre shumë më shumë pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme Ismet Hasani: Mendime etike e morale (2) Gjergj – Bajram Kabashi: President Trump, “udhëheqësit tanë” nuk e ndalojnë islamizimin e kombit për interesat neoosmane, pa i detyruar që ta ndalojnë…! Kalosh Çeliku: Unë jam Kalosh Çeliku – jo “Dr. Alban Shkodra” Ismet Hasani: Mendime etike e morale (1) Llesh Ndoj: As politike, as juridike, por çështje identitare Ilir Çumani: Avokati i ri i Popullit në optikën makiaveliste Fritz Radovani: At Gjergj Fishta – “Shqypnis” Gjon Keka: Zgjedhjet e 28 dhjetorit sfidat dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës Nue Oroshi: Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Dardani dhe roli i mërgatës shqiptare Albert Zholi: Flet Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri Florim Zeqa: Bipolarizimi pa profilizim i dëmshëm për shtetin! Rexhep Ferizi: Demonstratat e ’68-ës, lëkundën themelet e Jugosllavisë hibride Petrit Dibrani: Nacionalist - nacionalizmi Bajram Kabashi: Agron Muçaku kërkon sërish që të anulohet çmimi “Guximi intelektual 2024’’ Kalosh Çeliku: Politikanë që ua dimë babën, por jo edhe nënën Vladimir Shyti: Festat e fundëvitit, shkëlqim i rremë

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx