| E marte, 23.12.2025, 04:55 PM |
Flet "Mjeshtri i Madh", socialogu Gëzim Tushi:
Në Shqipëri vihet re një qëndrim nihilist ndaj vlerave tona të
trashëguara në shekuj pasi politika rend pas pushtetit dhe parasë jo pas
vlerave
- Globalizmi, ka zbehur konceptualisht idenë,
zakonet e mira dhe vlerat pozitive të trashëguara
- Praktikisht shoqëria jonë është në kushtet
e reja të modernitetit, si shoqëri, por me dimension social të kufizuar
- Në këto tre dekada e gjysëm të jetës
demokratike, janë shfaqur densitete të reja fizike, zakonore e sociale që nuk
ruajnë traditën
- Shoqëria jonë po përjeton kriza të reja të
ndërtimit të zakoneve adekuate, të cilat janë një nga faktorët social që e kanë
bërë kohën të vështirë për t'u orientuar.
Nga Albert
Z. ZHOLI
Kjo periudhë e zgjatur e tranzicionit në
fushën e jetës politike, morale, estetike, në shoqërinë tonë ka qenë dhe vazhdon
të jetë me frekuencë të fortë likuide dhe paqartësi të thellë konceptuale e
metafizike. Nga një shoqëri e determinuar në të gjitha aspektet dhe me
parametra moralë dhe koncepte tradicionale të kalçifikuara nga ideologjia
doktrinariste, e bazuar dhe e mbështetur në "ketmanët" e saj, u kalua
në një situatë kaotike të paqartë dhe pa piketa të sigurta morale, qytetare,
etike dhe estetike. Një gjëndje turbulente dhe turbulluese, që i ka vënë
njerëzit individualisht, por edhe shoqërinë tonë në tërësi, në dilema të
shumta, paqartësi konceptuale dhe kaotizëm estetik. Si e komenton socialogu
Tushi ndryshimin total të nihilizmit ndaj vlerave tona identitare?
-Ky tranzicion si ka ndikuar në traditat tona që i kemi trashëguar në
shekuj dhe tashmë duket se i kemi deformuar?
Doemos
në periudha tranzicioni, sikurse ndodhet shoqëria jonë ka një tranzicion jo të
lehtë të kalimit nga traditat e ngurta dogmatike sociale në periudhën e
liberalizmit dhe individualizimit të sjelljes, shijes, gustos dhe formave të
shumta të ndryshuara të komportimit social. Ato shfaqen në raportet e
ndryshuara midis vlerave të traditës përballë nevojave imperative të
modernitetit. Qëndrimet e njëanshme idolatrizuese të normave tradicionale, nga
njëra anë dhe të nihilizmit total të këtyre vlerave në emër të modernitetit
social, janë të pranishme dhe kanë sjellë shumë njëanshmëri dhe konfuzion
social në shoqërinë tonë. Është krejt me natyrë kuptimplote filozofike, sociale
e morale ideja se "Zakonet kanë specifikën e tyre të dallueshme në fazën "solide"
ashtu dhe në atë "fluide". Ky kalim është plot me konflikte zakonore
të pazgjidhura". Zygmunt Bauman,
"Moderniteti i lëngët" f. 219
A ka një zgjidhje optimale në këtë ekuacion dikotomik midis traditës dhe
modernitetit, vlerave të qëndrueshme dhe nevojës së reflektimeve adekuate në
raport me imperativat e kohës postmoderne?
Personalisht
mendoj se historia e ndryshimit të nevojshëm e të pashmangshëm suksesiv të disa
nga parametrat e traditës, dhe njëherësh nevoja urgjente e rishfaqjes në forma
herë autentike e herë të ndryshuara të traditave dhe zakoneve në shoqërinë
tonë, nuk është as për modë konservatore, apo ekzibicion arkaik. Një qëndrim i
kujdesshëm, mbase dialektik në këtë dikotomi midis vlerave më të mira të
traditës kombëtare dhe nevojës së reflektimit mbi parimet dhe paradigmat e
jetës moderne, jo vetëm është imperative, por është në thelbin human,
kuintesencën dhe natyrën e qëndrimit social e qytetar të dyfishtë: krijuese,
rikrijuese dhe imituese të gjërave që koha i ka afirmuar si vlera koherente e të
qëndrueshme të jetës historike të shoqërisë shqiptare. Një jetë që nuk ka qënë
as bosht nga vlerat as në vakum social. Pra në pikëpamje sociologjike procesi i
raporteve të njeriut me sistemet e vlerave, zakoneve, traditave në sjelljen
sociale, veshje dhe modë, ka treguar se në këto tre dekada e gjysëm jetuam
kohën më të vrullshme të rishikimit të sistemit të vlerave sociale, morale,
estetike e formave të sjelljeve komunitare, të cilat u shoqëruan me një proces
të refuzimi mbase deri në nihilizëm social, shoqëruar me shpërbërjen e shumë
traditave të koracuara, zakoneve të "ndryshkura" si paradigma të
vjetra zakonore. Diskutimi për vlerat, traditat, zakonet duhet bërë duke patur
parasysh që fenomenet dhe vlerat sociale, nuk janë statike, por dinamike, të
paqëndrueshme, sepse shoqëria moderne nuk është e rrafshët, me ecuri të
njëtrajtshme, por e vendosur në një "plan të pjerrët", të lëvizshëm,
dinamik. Duhet të jemi realist dhe të vërtetë, sepse në këto tre dekada e
gjysëm të jetës demokratike, janë shfaqur densitete të reja fizike, zakonore e
sociale. Duam apo nuk duam ato po bëhen matrica sunduese e determinuese të
sjelljes, komportimit social dhe veprimit njerëzor. Sociologët e
postmodernitetit me të drejtë, evidentojnë faktin që sot jetojmë në një shoqëri
autonome, shoqëri vërtetë demokratike, e cila vë në pikëpyetje çdo gjë që është
e paravendosuar, dhe me këtë, çliron procesin natyral dhe të natyrshëm të
krijimit dhe adoptimit me kuptimet e reja sociale, morale, estetike e
komunitare. Ne duhet të pranojmë faktin që duke qënë në etapën e zhvillimeve
turbulente postmoderne, jetojmë në një shoqëri të tillë, në të cilën me sa
duket të gjithë individët janë të lirë të krijojnë, për jetën e tyre kuptimet
që duan. Iku koha e shoqërisë me me zakone të standartizuara dhe pritmëri të
njohura e të pandryshueshme. Sociologët e modernitetit theksojnë se
"traditat, zakonet mënyrat e sjelljes sociale e individuale kanë kuptim
dhe mund të kuptohen, brenda një bote historike dhe shoqërore të përcaktuar.
Kush nuk e dallon këtë, ai nuk numërohet ndër njerëzit e brezit të tij. Ai
mbetet një idiot, një sharlatan ose pedant". Praktikisht shoqëria jonë
është në kushtet e reja të modernitetit, si shoqëri, por me dimension social më
të kufizuar, në emër të zgjerimit të individualizmit dhe vlerave unike
personale. Në këto kushte, disa zakone kanë pësuar struktura degraduese, disa
mbingarkesa morale e zakonore janë në proces likujdimi social. Por për të mos
qënë nihilist, duhet të kuptojmë se në kohën e shoqërisë likuide, jo të gjithë
vlerat ekzistenciale të së kaluarës duhet të zhduken. Përkundrazi sipas
mendimit tim, fakti që kohët e fundit ka një rikthim në disa nga vlerat e
konfirmuara e solide, me vlerë koherente dhe ndikim në mbrojtjen e koracës
sociale të marrëdhënieve njerëzore, dhe mbrojtjen e tyre nga vetmia dhe
copëtimi social, mendoj se duhet vlerësuar ky moment si tregues i një procesi
social që do ta quaja si "kohë e kurbacionit",e vlerësimit real e
dialektik të tyre. Ne duhet t'i njohim dhe t'i pranojmë të vërtetat tona, faktin
që traditat dhe zakonet nën presionin e jetës moderne, standarteve humane të
shoqërisë liberale e individualiste, do t'i nënështroheshin një debati
ndryshues e seleksionues midis relativizmit, të vërtetës dhe subjektiviteti
përzgjedhjes. Jeta postmoderne shqiptare e ka përfunduar tranzicionin, dhe
tashmë është përtej narrativave të vjetra morale, sepse sikurse ka thënë
François Loytard, jetojmë në kohën që shoqëritë i kanë kapërxyer "tregimet
e kota" morale si esencializmave zakonore dogmatike. Padyshim, edhe
në shoqërinë tonë, koha ka sjellë efekte fizike dhe metafizike nën peshë
rrafshuese të "rulit të globalizmit, të cilat kanë zbehur konceptualisht
idenë se zakonet e mira dhe vlerat pozitive të trashëguara, janë të
domosdoshme, mjet me rëndësi sociale që plotëson nevojat njerëzore për afërsi,
mbështetje dhe komunitet. Në shoqërinë tonë, shoqëria dhe njeriu po formatohen
në mënyrë modern. Por nga ana tjetër, krejt në mënyrë objektive qëndron e
vërteta universale, që nuk e mohon faktin, që njeriu është produkt i një
kulture, epoke, tradite humaniste e kombëtare. Fakti që këto kohët e fundit
shoqëria dhe njerëzit tanë kanë një proces rishikimi dhe rikthimi të disa
vlerave të traditës sonë, në eventet e tyre private apo komunitare tregon se
jemi në një moment me rëndësi historike që ka të bëjë me një ndalje të vrullit
nihilist dhe transvlerësim të kujdesshëm të disa vlerave, traditave dhe
zakoneve të së kaluarës. Pavarësisht individualitetit të përveçëm, duhet
pranuar se e kaluara jonë ka qënë e përbashkët dhe ka lënë gjurmë të ngjajshme
në tipologjinë sociale dhe morfologjinë individuale. Ka një raport dialektik
midis përvojës personale dhe të kaluarës së përbashkët. Dhe respektimi i këtij
raporti është vlerë konsensuale jetike e patriotike...Padyshim, është koha dhe
mënyra moderne e jetës që të imponon për të lënë mënjanë disa rite, zakone
norma e paradigma sociale e morale pa të nesërme për kohën e sotme dhe
shoqërinë që po vjen. Doemos që duhet një demarkacion për të ndarë atë që vlen
nga ajo që duhet braktisur nga traditat dhe zakonet e vjetra. Sepse revolucioni
i jetës morale në Shqipëri, ka bërë kapërximin e duhur, largimin e nevojshëm
koherent nga shumë zakone e tradita të tepërta, të panevojshme e penguese, që
kanë mbetur me statusin arkaik të "besnikërive të vjetra morale, zakonore
e sociale hipokrite, perverse dhe antihumane", por nga ana tjetër, po
shfaqet një nihilizëm metafizik e i pajustifikuar ideologjikisht dhe moralisht
duke sjellë "besnikëri morale, sociale e zakonore të përçara" tipike
të jetës postmoderne. Një rishikim i matur, prudent i sistemit të vlerave e
zakoneve të së kaluarës, është reflektim i faktit që shoqëria jonë po përjeton
kriza të reja të ndërtimit të zakoneve adekuate, të cilat janë një nga faktorët
social që e kanë bërë kohën të vështirë për t'u orientuar. Padyshim ka një të
vërtetë universale që mendoj se është kompatibile edhe me zhvillimet sociale në
shoqërinë shqiptare, sipas të cilës edhe tek ne, koha dhe shoqëria ka patur dhe
megjithë tronditjet e jetës turbulente postmoderne, një paketë vlerash dhe
zakonesh, që i përshtaten asaj. Koha moderne ka sjellë aftësi të ndryshuara të
traditës, vlera të reja që ndryshojnë nga ato të së kaluarës, por pa rënë në
nihilizmëm dhe mohimin metafizik të çdo gjëje të trashëguar nga e kaluara. Jeta
nuk është një shkretëtirë vlerash morale e zakonesh sociale. Përkundrazi është
një "rreth ciklik", por i seleksionuar dhe në përputhje me tingullin
e kohës, imperativat e përbashkëta të jetës postmoderne. Por me sa duket edhe
kjo sferë e jetës së njeriut, në aspektin social e public, individual e të
personalizuar ka arsyet e veta, pse pas kalimit të një kohe dhe selsksionimit
të vlerave dhe forcës rezistente të zakoneve, modës, mënyrës së sjelljes, duket
se shpesh ka një shfaqje të recidivizmit apo të ripërsëritjes së një pjesë të
zakoneve më të mira, të cilat kanë dëshmuar se janë të nevojshme për
stabilitetin ekzistencial të formave të jetës së përbashkët sociale. Sidomos në
tërë sistemin e mënyrës së ndërtimit të raporteve midis njerëzve në lidhjet dhe
veprimtaritë sociale publike, apo në format dhe mënyrat e ndërtimit të lidhjeve
në institucionin themelor sikurse është familja, një "fabrikë
sociale" që ndërton, vlerëson, rivlerëson dhe mban qëndrim kritik ndaj
asaj që nuk i shërben kohës, nga ajo që duket konstruktive dhe e nevojshme për
funksionimin e tyre human.
A mund të ketë shoqëri pa një sens konservator ruajtës, mbrojtës dhe
kultivues të disa zakoneve pozitive, traditave me vlera të konfirmuara, që
pavarësisht plotësimit të tyre me një sistem koherent të vlerave të reja, të
marra së bashku dhe secila në rolin e vet të shërbejnë si bazë për ndërtimin e
"busullës morale" të shoqërisë?
Problemi
nuk është i thjeshtë, as nuk zgjidhet me mjete mekanike e ideologjike. Sidomos
për një shoqëri si kjo e jona, e cila tashmë është në kapërxyell midis
nihilimit dhe afirmimit të vlerave të duhura, një shoqëri që deri tre dekada e
gjysëm më parë ishte e "sigurt" në sistemin e saj të vlerave dhe
zakoneve të siguruara me "armën e ideologjisë" dhe tani në një
shoqëri pa busull morale. Shoqëria shqiptare asnjë herë nuk ka qënë e
"bardhë" apo e zhveshur nga sistemet e vlerave të qëndrueshme.
Përkundrazi në këtë proces, që shoqërohet më një rivlerësim dhe rishikim të
sistemit të vlerave dhe zakoneve të së kaluarës, shpesh të goditura en block,
nën ndikimet e jetës postmoderne dhe ndikimeve të shoqërisë liberale e
individualiste, nën efektet e një lloj imperializmi të vlerave postmoderne,
qytetërimi ynë i lashtë dhe modern ka qënë dhe po tregon se duke mos qënë konservator,
në çdo sferë të jetës private e publike, ka ecur në koherencë e sistem
dialektik (të ndryshueshëm) të zakoneve dhe traditave me vlerë sociale
normative, edhe kur janë mohuar nga ndikimet natyrale apo nën efektet e
censurës morale, apo edhe kur janë rikthyer nën ndikimin kritik të jetës
moderne. Është e vërtetë që shumë tradita të mira, norma të sjelljes morale, të
formave të solidaritetit dhe socialitetit, në jetën personale, familjare e
komunitare kanë një tendencë rikthimi, por në asnjë mënyrë kjo nuk ndikon në
paradigmën e qëndrimit konservator. Përkundrazi rikthimi i shumë prej tyre në
kohën e sotme, është i shoqëruar me një proces koherent në raport me traditën.
Sepse jeta postmoderne, duam apo nuk duam, është një realitet social me ndikim thelbësor
shumëdimensional, që ka ndikuar në shpërbërjen e shumë paradigmave themelore
zakonore.
Pyetja që mund të shtrohet është, nëse këtë proces të rishikimit të
vlerave, traditave e zakoneve të mira të së kaluarës është: A është i
logjikshëm një proces "restaurimi" i disa traditave dhe zakoneve, që
koha në mënyrë metafizike, artificiale e kaotike padrejtësisht i ka mohuar dhe
përmbysur?
A mos
rishikimi i disa traditave e vlerave morale, sociale e kulturore të së
kaluarës, nuk duhet ngatëruar me elementët e konservatorizmit dhe nostalgjisë?
Padyshim, duke rrishikuar sistemin e vlerave pozitive që të kaluarës, nga ana
tjetër nuk mund dhe nuk duhet të pajtohemi, në emër të ruajtjes së traditës me
një enumeracion zakonesh e sjelljesh sociale arkaike, që shfaqen si të
papranueshme dhe akohore në jetën e përditëshme? Koha edhe në shoqërinë tonë ka
ecur shumë shpejt, me ritëm të akseleruar. Për pasojë ka sjellë një proces të
dekompozimit të shumë vlerave, traditave dhe zakoneve të së kaluarës. Ky është
fakt. Madje shumë pozitiv.
Por
qëndrimi nihilist, mohimi metafizik i disa zakoneve dhe traditave të mira,
humane e rezistente ndaj "agresionit nihilist", është shpesh nën një
patologji që nuk mund të mos interferonte edhe në sistemin tonë soci-moral nën
infuencën e "cipës sipërfaqësore" e qytetërimit modern. Kjo është
arsyeja pse shoqëria shqiptare në këtë fushë ka qënë shpesh herë në gjëndje
kaotike e trurbulente, duke mos patut të sigurt orientimin social,
"busullën vlerore" dhe ekulibrin e natyrshëm midis asaj që duhej
mohuar, asaj që duhet pohuar dhe afirmuar si vlerë e qytetërimit tonë, në
dilemën e qëndrimit të natyrshmë dhe vlerësimit objektiv të dallimit midis
atyre që janë zakone të vjetra nga njëra anë por edhe vigjilencës për të
dalluar lustrën e zakoneve moderne. Pikërisht është koha moderne që po jetojmë,
e cila po imponon shpejtësi në ndryshimin e "marsheve" të makinës
sociale tradicionale e zakonore. Por me një kusht, sepse në fund të fundit
"... përpara se njerëzit të fillojnë të vrasin individualisht mëndjet për
të përpiluar kodin më të mirë të bashkëjetesës të konceptuar nga arsyeja e
tyre, ata kanë një histori kolektive dhe zakone që i ndjekin
kolektivisht". Zygmunt Bauman, (po aty) f. 234 Kjo do të thotë që duhen
dalluar ato tradita e zakone që kanë vetëm vlerë të kufizuar ornamentale dhe
arkaike, nga ato vlera që janë në themeltare, të qëndrueshme, të gjithanshme.
Për fat të keq shoqëria është nën goditjet masive dhe sulmin agresiv e
patologjik, e cila bën presion që të pranohet çdo gjë (vlerë, zakon i
paseleksionuar) dhe kjo ka sjellë situatën e pazakontë të shfaqjes së një
hemorragjie nënvleftësuese e vlerave të trashëguara, që kanë krijuar një
boshllëk ekzistencial, madje deri në nivelin e përhapjes si "leucemi
vlerash", përmes shfaqjeve të shumë antivlerave, zakoneve banale,
konceptualisht dhe realisht tipike të konceptimit semplist të jetës
moderne. Koha kërkon një qëndrim të kujdesshëm, duke qënë në të njëjtën kohë të
papranueshëm me këtë hemorragji e pa seleksionuar e traditës, zakoneve dhe vlerave
pozitive të trashëguara, ashtu sikurse po aq e papranueshme është çdo tentativë
konservatore apo mbivlerësimi i "magjepsjes retro" ndaj zakoneve e
parimeve të jetës së përmbysur.