Faleminderit
Sadbere Emshiu: Kënga që mbajti malin
E enjte, 18.12.2025, 06:57 PM

KËNGA QË MBAJTI MALIN
Vëllezërit
Jashar dhe Idajet Sejdiu – zëri i kujtesës kulturore dhe shpirtërore të
Malësisë së Sharrit
Nga
Sadbere Emshiu
Parathënie
Ky
shkrim buron nga përvoja ime e jetuar, nga vëzhgimi i gjatë dhe nga një mendim
i ndërtuar ngadalë, si guri mbi gur, mbi kulturën, historinë dhe shpirtin e
Malësisë së Sharrit. Në qendër të këtij reflektimi qëndron kontributi i veçantë
i vëllezërve këngëtarë Jashar dhe Idajet Sejdiu – dy zëra që nuk kënduan vetëm
për veshin, por për shpirtin e një treve të tërë.
Çdo
mendim i shënuar këtu është fryt i një përjetimi vetjak, por synimi i tij shkon
përtej personales. Ai kërkon t'i hapë lexuesit një derë për të hyrë më thellë
në shtresat kulturore, shpirtërore dhe ndijore të një tradite që është jetuar
më shumë në heshtje sesa në fjalë, por që ka mbijetuar përmes këngës.
Ky
shkrim nuk është stoli fjalësh dhe as lavd i zbrazët. Ai është një përpjekje
për të dëshmuar, për të ruajtur dhe për të kuptuar rolin e këngës dhe të atyre
që e mbajtën gjallë atë, në një kohë kur jeta malësore u përball me varfëri,
shpërngulje dhe ndryshime të dhimbshme.
Mali që dëgjon
Në
Malësinë e Sharrit, mali nuk flet – ai dëgjon. Gurët mbajnë brenda betime të
pathëna dhe lot të tharë pa zë. Era shëtit ndërmjet shtëpive dhe odave, duke
bartur zëra që nuk u shuan kurrë. Këtu fjala matet me peshën e nderit dhe të
zakonit; prandaj jo çdo dhimbje guxon të dalë në dritë. Për këtë arsye, kënga u
bë gjuha e dytë e shpirtit – dritarja ku njeriu guxoi të shprehej pa e thyer
rregullin.
Në
këtë vend të ashpër e fisnik njëkohësisht, dolën dy zëra që nuk kërkuan ta
zbukuronin malin, por ta mbanin gjallë: Jashar dhe Idajet Sejdiu. Zërat e tyre
nuk u ngritën mbi malin, por u përzien me të, u bënë pjesë e frymës së tij.
Ky
shkrim nuk është nostalgji romantike për të kaluarën, por një lexim i thellë i
rolit që kënga luajti në ruajtjen e kujtesës dhe të shpirtit të Malësisë së
Sharrit.
Rendi i jetës dhe fjala
e matur
Malësia
e Sharrit nuk është vetëm tokë e thyer, gurishte dhe lartësi. Ajo është një arkë
e mbyllur emocionesh, ngjarjesh të gëzueshme e të përgjakshme, zakonesh dhe
rregullash jete. Jeta këtu u ndërtua mbi durimin, përmbajtjen dhe respektin për
fjalën e dhënë. Fjala kishte peshë, ndërsa ndjenja kërkonte rrugë të tjera për
të dalë.
Gruaja
mbante moralin e shtëpisë në heshtje. Burri ruante fytyrën publike. Plaku
mbante rendin. Fëmija ishte amanet dhe shpresa e së nesërmes. Në këtë rend të
ndërtuar me kujdes, kënga u bë vendi i vetëm ku shpirti mund të merrte frymë
lirshëm.
Kujtimet
e mia, të ushqyera nga rrëfimet e gjyshit tim Haxhi Sehadin dhe nga tregimet e
nënës sime – e cila për çdo këngë që dëgjonte, e shoqëronte me një ngjarje, një
përjetim ose një histori të grave të katundit – lidhen ngushtë me këtë botë ku
kënga nuk ishte zbavitje, por nevojë jetike: ura që lidhte brezat dhe ruante
vazhdimësinë e jetës.
Gruaja në këngë – zonjë,
burrneshë, bukuri dhe plagë e heshtur
Në
këngët e Jashar dhe Idajet Sejdiut, gruaja nuk shfaqet si figurë dytësore. Ajo
është zonjë, bukuri, bujari, burrneshë dhe provokim shpirtëror. Për të, burri
në malësi ka rënë edhe në gjak. Ajo është arsye krenarie, nder i shtëpisë dhe
mall i pathënë.
Por
ana tjetër e medaljes flet ndryshe. Gruaja e asaj kohe, edhe si
"burrneshë", shpesh ishte viktimë e rrethanave, e zakonit dhe e
fatit. Ajo dashuroi pa e përjetuar dashurinë. Priti pa e ditur nëse burri do të
kthehej. Heshti kur zemra i plasi dhe gëlltiti padrejtësinë edhe kur ishte e
çiltër si uji i kroit të katundit.
Këto
këngë nuk e justifikojnë këtë rend shoqëror, por e dëshmojnë atë ashtu siç
ishte, me gjithë peshën e padrejtësive dhe të heshtjeve që mbante mbi vete. Ato
janë zëra të marrë nga nënat, nuset, vajzat dhe gratë e heshtura – jetë e
derdhur në këngë.
Shpërngulja dhe heshtja
e madhe
Gjysma
e dytë e shekullit të kaluar solli një tronditje të thellë. Burrat morën rrugët
e mërgimit. Odat u boshatisën. Shtëpitë mbetën me gra, fëmijë dhe pleq. Heshtja
u bë më e rëndë se fjala.
Kjo
shpërngulje lidhej drejtpërdrejt me kushtet socio-ekonomike dhe politike të
Jugosllavisë së asaj kohe, të cilat e shtynë jetën malësore drejt një heshtjeje
të detyruar. Në këtë gjendje, kënga nuk ishte më vetëm melodi – ajo u kthye në
strehë shpirtërore.
Zëri që nuk u shua
Këngët
e Jashar dhe Idajet Sejdiut nuk janë krijime skene. Ato janë jetë e jetuar.
Zëri i tyre nuk kërkon duartrokitje, por dëgjim të thellë. Çdo varg bart peshë,
çdo tingull rrëfen një histori të përbashkët.
Ata
nuk janë vetëm këngëtarë, por mbajtës të një etike të vjetër, ku kënga është
mburojë kundër harresës dhe shpërbërjes.
Kënga në mërgim
Në
mërgim, kënga e Malësisë së Sharrit merr një jetë tjetër. Ajo bëhet kthim pa
rrugë dhe takim pa kufi. Për brezat e rinj është fije lidhjeje me rrënjët,
ndërsa për brezat e parë – frymëmarrje shpirtërore.
Jashar
dhe Idajet Sejdiu e ruajnë pastërtinë e kësaj kënge, pa e shndërruar në
zbukurim të zbrazët, por duke e mbajtur ashtu siç ishte: të vërtetë, të ndershme
dhe të thellë.
Përmbyllje
Kënga
që mbajti malin nuk ishte vetëm tingull. Ajo ishte mënyrë mbijetese, kujtesë e
gjallë dhe shenjë përkatësie. Përmes zërit të Jashar dhe Idajet Sejdiut,
Malësia e Sharrit vazhdon të dëgjohet edhe sot – jo si kujtim i ngrirë, por si
frymë që ecën me kohën.
Ky
shkrim është një përulje para atij zëri, një dëgjim me respekt dhe një dëshmi
kulturore e shpirtërore për arkivin e kujtesës kolektive të Malësisë së
Sharrit.
Disa linke të kengeve:









