E enjte, 18.12.2025, 09:51 AM (GMT)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj: Intervistë me Fatjeta Ramadanin – Studente, pjesëmarrëse në aktivitete kulturore

E merkure, 17.12.2025, 06:57 PM


Intervistë: Fatjeta Ramadani – Studente, pjesëmarrëse në aktivitete kulturore

Nga Nexhmije Mehmetaj

NM. Kush është Fatjeta Ramadani ?

FR: Jam nga komuna e Ferizajt, fshati Softaj, e lindur në Kosovë. Në Francë jetoj që nga viti 2013. Studimet e larta i kam kryer në Gjenevë, Zvicër, bachelor në Marrëdhënie Ndërkombëtare me specializim në Politikë dhe Histori, ndërsa masterin po e ndjek në të njëjtin fakultet në Studime Europiane. Aktualisht punoj me popullatën migrante.

NM: Fatjeta, si e përjetuat personalisht ekspozitën “Sanxhaku – Histori e dhimbjes kombëtare”?

Çështja e Sanxhakut, ashtu si shumë çështje të tjera që prekin popullin shqiptar, nuk kam si ta përjetoj ndryshe veçse me shumë trishtim. Bëhet fjalë për një histori të gjatë shtypjeje dhe përpjekjesh për asimilim, të ushtruara nga regjime të ndryshme që kanë nënshtruar shqiptarët ndër shekuj. Nga ndikimi shumëvjeçar i Perandorisë Osmane, te politikat represive të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe më pas të Mbretërisë së Jugosllavisë, deri te masat e ashpra të Jugosllavisë Socialiste nën Titon dhe regjimeve nacionaliste serbe të shekullit XX, shqiptarët janë përballur vazhdimisht me mohimin e identitetit të tyre kombëtar, shpërngulje të detyruar dhe presione të ndryshme kulturore e politike. Kjo trashëgimi e dhimbshme e bën çështjen e Sanxhakut jo vetëm historike, por edhe thellësisht emocionale për këdo që e ndjen veten pjesë të kombit shqiptar.

NM:A kishte ndonjë element të ekspozitës që ju tronditi ose ju bëri të reflektoni më thellë?

FR: FR: Ajo që më tronditi më shumë ishte vetë njeriu dhe aftësia e tij për të shkuar deri në shkatërrim për pushtet dhe urrejtje ndaj tjetrit. Ekspozita më bëri të reflektoj mbi padrejtësitë historike, mbi dhunën ndaj atyre që janë ndryshe dhe mbi asimilimin si mjet shtypjeje. Sanxhaku është një nga plagët tona historike, dëshmi e vuajtjeve dhe e politikave shtypëse ndaj shqiptarëve. Përmes fotografisë, kjo ekspozitë zgjon ndërgjegjen kolektive dhe ndihmon në ruajtjen e kujtesës historike, në mënyrë që këto padrejtësi të mos përsëriten më.

NM: Sipas jush, pse është e rëndësishme që rinia studentore shqiptare të marrë pjesë në aktivitete të tilla me karakter historik?

FR: FR: Pjesëmarrja e rinisë studentore në aktivitete historike është thelbësore, sepse pikërisht të rinjtë përfaqësojnë forcën e rezistencës, energjinë dhe guximin për të sfiduar padrejtësitë dhe narrativat e shtrembëruara. Njohja e historisë nuk është vetëm rikthim te e shkuara, por mënyrë për të kuptuar të tashmen dhe për të mbrojtur të vërtetën historike. Nëse ne nuk e njohim dhe nuk e tregojmë vetë historinë tonë, të tjerët do ta bëjnë në vendin tonë. Prandaj, është përgjegjësi e brezit të ri që ta ruajë, ta studiojë dhe ta përcjellë historinë shqiptare me integritet, ashtu siç theksonte edhe Ukshin Hoti: “Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

NM: Çfarë ndikimi mendoni se kanë këto evente në forcimin e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare te të rinjtë?

FR: Eventet me karakter historik kanë një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm në forcimin e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare te të rinjtë, sepse ato krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes brezave dhe rrënjëve të tyre. Në një kohë kur globalizimi shpesh rrezikon të zbehë identitetet e vogla kombëtare, këto aktivitete shërbejnë si hapësira ku ringjallet kujtesa historike dhe ku të rinjtë njihen me sakrificat, vuajtjet dhe fitoret që kanë formësuar ekzistencën e popullit shqiptar. Përmes fotografisë, dëshmive, diskutimeve dhe prezantimeve, ata kuptojnë se identiteti nuk është i dhënë, por i ruajtur dhe i përpunuar gjatë shekujve.

Për të rinjtë, pjesëmarrja në këto evente është një proces reflektimi, por edhe fuqizimi. Ajo u mëson se historia nuk është thjesht e kaluar, por mjet për të lexuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen. Duke njohur të kaluarën, ata zhvillojnë një ndjenjë përkatësie dhe përgjegjësie ndaj komunitetit dhe kulturës së tyre. Këto evente i ndihmojnë të shohin veten si pjesë e një historie më të madhe, duke forcuar vetëvlerësimin dhe vetëdijen kombëtare

NM: Si u përfshitë në aktivitetet e shoqatës “Studentet Shqiptarë në Gjenevë” dhe çfarë ju motivon të vazhdoni kontributin tuaj?

FR: Në vitin 2023 u përfshiva në aktivitetet e shoqatës fillimisht nga kureshtja, e cila u shndërrua shpejt në angazhim të qëllimshëm. Gjuha, letërsia dhe historia shqiptare kanë qenë gjithmonë pasioni im, dhe përfshirjen në shoqatë e pashë si një mundësi për të dhënë kontributin tim dhe për të ndarë përvojën me studentë të tjerë.

Ajo që më motivon të vazhdoj është energjia dhe dëshira e studentëve për të mësuar, krijuar dhe bashkëpunuar. Ndërtimi i këtij komuniteti, respekti i ndërsjellë dhe përvojat kulturore të përbashkëta më japin ndjenjën e misionit për të kontribuar, për të mbështetur dhe për të frymëzuar brezat që vijnë.

NM: Cili është roli juaj brenda shoqatës dhe çfarë dëshironi të sillni si vlerë të shtuar për studentët?

FR: FR: Aktualisht jam anëtare e shoqatës së studentëve shqiptarë në Universitetin e Gjenevës, ndërsa më parë kam pasur nderin ta drejtoj shoqatën për një vit e gjysmë. Gjatë këtij angazhimi, motivimi im ka qenë i lidhur ngushtë me dëshirën për të trajtuar tema që prekin komunitetin tonë, për të promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare dhe për të krijuar hapësira bashkëpunimi mes studentëve.

Vlera që dua të sjell është forcimi i solidaritetit dhe ndërtimi i një komuniteti të bashkuar, ku çdo student ndihet i përfaqësuar dhe i vlerësuar. Shumëllojshmëria e përvojave dhe prejardhjeve tona është pasuri, dhe pikërisht kjo energji rinore dhe frymë bashkimi më motivon të vazhdoj kontributin tim për një shoqatë me zë, vizion dhe identitet të fortë shqiptar.

NM: Çfarë fiton një studente nga pjesëmarrja aktive në jetën e komunitetit dhe kulturën shqiptare në mërgatë?

FR: Pjesëmarrja aktive në jetën e komunitetit dhe kulturën shqiptare në mërgatë i lejon atij apo asaj të lidhet me rrënjët e tij, të ruajë gjuhën dhe traditat, dhe të zhvillojë një vetëdije më të thellë kombëtare. Ajo forcon aftësitë personale dhe profesionale përmes organizimit të ngjarjeve dhe bashkëpunimit me të tjerët, ndërsa nxit respektin, solidaritetin dhe përgjegjësinë qytetare. Në këtë mënyrë, studenti/ja bëhet pjesë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit.

NM: Çfarë mesazhi do u jepnit studentëve që hezitojnë të bashkohen në aktivitete të tilla?

Pak dashuri dhe revoltë nëse keni ndaj heshtjes dhe padrejtësisë që iu është bërë popullit shqiptar, mos hezitoni. Ne jemi e ardhmja dhe forca e vendit tonë.

Faleminderit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx