E enjte, 18.12.2025, 09:29 AM (GMT)

Kulturë

Ylli M. Dilo: Nuk ka engjëj që të qajnë

E merkure, 17.12.2025, 06:50 PM


NUK KA ENGJËJ QË TË QAJNË


CIKËL POEZISH


Nga Ylli M. Dilo


LUTJE

ZOTI IM

Disa herë humbas

Por TI je atje...

Të lutem më ndihmo

Të përshtat:

Frikën me besimin,

Shqetësimet në shpresë

Dhe humbjet në gëzim

JE :

Shkëmbi im,

Shpëtimtari im,

Shpresa ime, Fuqia ime

Dhe kurajua ime.

AMIN!


O ZOT

Nuk ka ëngjëj që të qajnë

Dhe plagë të lëpijnë

Në mollën pranë shtëpisë

Bilbilat më nuk vinë


Te porta e burgut

Me gjak njeriu shkruar:

"Këtu hyn dhe nuk del"

Ah! Kohë e mallkuar


Në rrugë ecën kortezhi

Me gra dhe fëmijë

Mbi supe mbajnë arkivolin

Fleta e Kerubinit* u prin


O ZOT! Pse ike nga anët tona...

Rënkon një gjoks i lënduar

Kufoma ecin me hapa të ngadalta

Drejt varrit që e hapën

Të familjarëve duar.

* Fleta e Kerubinit është fleta e shenjtë që shëron shpirtërat nga demonët


NËNËS

Nëna ime vuajti gjithë jetën

Se asnjëherë nuk ju perkul

Tutorit bastard.

Në luftë,

e para ishte në aksione

Por në "LIRI"

shpërblim persekutime i dhanë.

E tillë është jeta miku im

Kush sulet i pari në beteja

Shperblim pranga do të ketë

Se kjo është bota e maskarejve.


DËSHIROJ

Dëshiroj zbathur si Sokrati

Të udhëtoj

në të plasariturën Tokë

Të pi ujë te kroi i Pallamasë

ku mban gjithmonë hapur

Të ndriturën portë


KERKOJ SOKRATIN

Kërkoj Sokratin gjithandej

Në fusha, male, univers

Pyeta Sollonin dhe Lukjanin

Por,

Ata më thanë njëzeri:

Iku Sokrati në Galaktika

Kjo botë është infektuar keqazi

Ç'kërkon ti o Njeshi pa vlerë

Më tha Majakovski me qesëndi...


SHIKOME NE SY

Pse nuk më shikon në sy

Pse ke humbur qetësinë

Thuam ç'farë të mundon

Vetëm kështu do ndjehesh mirë


Unë të flas, ti pse s'përgjigjesh

Thuam me ty çfarë ka ngjarë

Sado e rëndë që të jetë

Do të të konsideroj si më parë .


Por ti s'flet, dhe nuk dëgjon

Shikimin diku larg tretur

Fizikisht ndodhemi pranë

Por në fakt na ndajnë shekuj.


MURET

Muret që ndajnë njerëz dhe shtete

T'i shkatërrojmë pa hezitim

Brënda qënies dhe shoqerisë

?? ndërtojmë murin me emrin LIGJ.


Të ruajmë muret e lashtësisë

Nga flakët e luftrave dhe koha nxirë

Dikur në bedenat, në krye të tyre

Luftëtarët dhuronin jetën për LIRINË .


MOS PYET

Këndoje këngën që s'e këndova

Ajo per mua ishte e ndaluar

Shkruaj dy vargje në fletore

Ato për mua ishën privuar


I desha shumë lulet dhe qengjat

Balon që më ruante kopenë

Një grusht me baltë nga vendlindja

Të shtrenjtë pasuri e çmova përherë.


Po iki drejt të panjohurës

Pa ditur as vetë ku shkoj

Veç, një gjë e kam të qartë

Me bastardë nuk mund të jetoj!


Ty miku im të përshëndes

Mos pyet : pse dhe ku?

Do jem kudo dhe asgjëkund

I vetëm, por i mirë gjithashtu.


Vijën e Gëtes s'e marr me vehte

E shikoj nuk ç'mallem dot

Ujë, jetë, pejsazh, dlirësi

Më të madhe pasuri s'ka në botë


Flladi i ëmbël i pranverës

Që mban erë manushaqe, trëndelinë

Do të më mungojë kudo që të vete

Se ai vetëm në Atdheun tim fryn.


Këndoni bilbila blerimin e Prillit

Dhe ju thellëza mos pushoni

Me cicërimat tuaja magjiplotë

Gjithë njerëzimin argëtoni.


Pini ujë te ajo Vijë

Që del nga shkëmbi, burg i zi

Dhe me shushurimën e saj perlë

Krijon më të bukurat melodi


Po shkruaj për :

Meloditë që u ndaluan

Këngët që s'u kënduan asnjëherë

Poezitë që poetët i morën me vehte

Kur breshëritë e plumbave jetën u prenë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx