Mendime
Enver Robelli: Njëra nga metodat më perverse të islamistëve...
E hene, 15.12.2025, 06:54 PM
Enver Robelli:
Njëra
nga metodat më perverse të islamistëve të nahijes shqiptare është kur, pas një
sulmi terrorist të islamistëve, përpiqen të mbitheksojnë faktin se atentatorin
e pengoi një mysliman. Kësisoj zhvendoset vëmendja nga problemi i vërtetë. E ai
problem është: pse ka aq të çmendur në këtë botë që “në emër të islamit” vrasin
njerëz të pafajshëm? Që mes myslimanëve ka shumë njerëz të ndershëm që
kundërshtojnë terroristët, është e vetëkuptueshme. Por fatale, makabre, bizare
dhe e tmerrshme është dhe vazhdon të jetë gatishmëria e militantëve fetarë për
të vrarë njerëz, si në Sydney të Australisë.
Këto
ditë policia gjermane arrestoi pesë persona me sfond islamist, të cilët
dyshohen se po përgatisnin një sulm terrorist ndaj një tregu të Krishtlindjeve
në landin e Bavarisë. Bëhet fjalë për një egjiptian, një sirian dhe tre
marokenë. Para një viti, më 20 dhjetor 2024, një person nga Arabia Saudite
sulmoi tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. Me atë rast u vranë 6 njerëz dhe
më shumë se 300 u lënduan, pjesërisht rëndë. Procesi gjyqësor kundër
atentatorit ka filluar në nëntor.
Edhe
për këtë kriminel islamistët që flasin shqip do të gjejnë arsyetime, duke thënë
se është i çmendur. Pse çka tjetër duhet të jetë dikush që vret njerëz të
pafajshëm? Pyetja thelbësore është kjo: pse aq shumë të çmendur po i referohen
islamit? Ikin nga shtetet e tyre diktatoriale, strehohen në Perëndim, jetojnë
shpesh nga ndihmat sociale dhe, pas një kohe, bëjnë plane për të vrarë dhe
vrasin njerëz të pafajshëm. Kudo që shkon tani në qytete të mëdha në Perëndim,
tregjet e Krishtlindjeve janë të mbrojtura me barriera të larta betoni, në
mënyrë që idiotët gjakpirës të mos futen aty me veturë për të vrarë njerëz.
https://www.facebook.com/enver.robelli









