E premte, 05.12.2025, 10:55 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: “Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes

E premte, 05.12.2025, 06:27 PM


“Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes

Nga Albert Vataj

Në “La Miseria” Mjerimi, Cristóbal Rojas na fton të hyjmë në një dhomë ku koha si dimension i pulsimit të jetës ka pushuar së vërshuari, për t’u ngrirë në një çast, në një pluskim të hatashëm që na shtang përmes ngjyrave të ftohta dhe dritës së akullt që bie mbi kraharorin e zbuluar të gruas dhe mbulesën e reckosur që kridhet mbi të si një mantel mortor.

Burri në karrigen e vjetër nuk qan, nuk ulërin, nuk rebelohet. Ai është bërë një me dhimbjen, një me atë boshllëk ontologjik që Heidegger e quante “humbje të tokës nën këmbë”.

Nuk ka më orë, nuk ka më ritëm të botës, ka vetëm heshtje, mjerim dhe një burrë që mban në duar fundin e universit të tij, mbarimin e e gjithë gjërave, qëllimeve dhe kuptimeve dhe një grua që ashtu e shtrirë në krahët e vdekjes, i ka thënë të gjitha, me epjen e saj prore.

Në këtë dhomë të zymtë, aty ku fryma e fundit ka ngrirë në ajër, Rojas na kujton se njeriu është, siç thoshte Pascal, “një kallam që mendon”, i brishtë, i thyeshëm, por i aftë të mbartë peshat më të rënda të shpirtit.

Burri i ulur në prag të humbjes nuk vajton. Heshtja e tij është më e rëndë se çdo britmë. Vështrimi i tij është gozhduar në zbrazëtinë e këtij momenti fatal, si një thirrje e gjëmimshme në errësirën e humnerës.

Dora e tij e majtë është shkrehur e pajetë pranë dorës së mermertë të gruas, ndoshta e platitur pas një prekje të fundit, pas një dorëzimi dërrmues, pranimit të një fati që shkruhet në çdo detaj të Mjerimit të Cristóbal Rojas, për të shprehur kështu një pajtueshmëri të padryshueshme.

Muret e gërruera nga lagështia, shtrati mortor më i trishtë se vetë vdekja, ajri i rëndë që të zë frymën, janë krejtçfarë ky panoramim mjerimi rreket të tregojë përmes penelatave të drithërueshme të një shpirti që kridhet në dallgë.

Gjithçka rri pezull mes jetës dhe vdekjes në këtë fokus krijues trishtimi, ku gjithçka që mund të thuhet është ajo çfarë ne ndjejmë nga shpirtja e trazuar e piktorit, i cili përmes kësaj tabloje nuk përshkruar vetëm realitetin e trisht të një familjeje, por të një shoqërie, të vetë njeriut, që është i destinuar t’i jepet fatit të keq, si të vetmes mundësi që ligjësia e pamëshirshme e mjerimit i ka nënshkruar.

Kjo pikturë karakterizohet nga një madhështi tragjike, sepse trupi i saj i ftohtë dhe shikimi i tij i zbrazur flasin për atë që Simone Weil e cilësonte si “peshën e hirëzuar të fatit”, atë lloj vuajtjeje që e bën njeriun të kuptojë se ekzistenca është një terren i ngushtë midis dritës dhe humnerës.

Tuberkulozi, varfëria, mjerimi, këto nuk janë vetëm tema sociale; janë plagë metafizike. Rojas pikturon një çast ku jeta i dorëzohet vdekjes pa bujë, pa tragjedi që kërkon vëmendje, por me atë heshtjen therëse që Camus e përshkruante si “absurdin e pastër”, momentin kur njeriu kupton se bota nuk ka asnjë shpjegim të drejtë për dhimbjen.

E megjithatë, në dorën e tij të shtrirë pranë trupit të saj, ka një butësi që sfidon gjithë errësirën, shpreh një prani që nuk do të dorëzohet, ngulmon të qëndrojë për të mos lejuar që ndarja t’u hyjë në mes. Ajo dorë është i vetmi akt dashurie që ka mbijetuar mes rrënimit, një kujtim se njeriu, madje edhe në humbjen më të plotë, ruan një dritë të vogël  të pluskojë brenda shpirtit të tij të rrënuar.

Siç shkruante Levinas, “tjetri është gjithmonë fytyra që na urdhëron të mos e braktisim njeriun”. Këtu, fytyra e gruas së shtrirë është thirrja e fundit e njerëzores, është ligjërimi i dhimbshëm i një fikjeje jete që përmes heshtjes kërkon të thotë fjalën e fundit.

“La Miseria” nuk është vetëm një pikturë për vdekjen, është një reflektim mbi brishtësinë e qenies. Një lutje e pashprehur. Një elegji për ata që vdesin në heshtje. Një akt i vogël rezistence ndaj harresës dhe një thirrje e gjëmimshme për të reaguar, për të luftuar, për t’iu dorëzuar vdekjes duke u ndeshur.

Rojas na mëson se njeriu mund të mos ketë asgjë, as bukë, as dritë, as strehë, por sërish mbetet një qenie që dashuron dhe vuan, dhe pikërisht këtu, në këtë përzierje të dhimbjes dhe butësisë, qëndron ajo që Dostojevskij e quante “fisnikëria e fundit e njeriut”.

Kjo pikturë, në fund të fundit, është një psalm i zymtë për dinjitetin që mbijeton edhe në errësirën më të plotë edhe në jehonën më ngjethëse që dëgjohet nga errësira.

Në fund, “La Miseria” është një prej atyre veprave që të detyron të mendosh se ndonjëherë nuk është varfëria që na zhbën, por indiferenca e botës ndaj varfërisë, zëri i shuar i ndërgjeges për të lartësuar në qiellin e kushtrimit thirrjen për mospajtim. Dhe se dhimbja, kur shfaqet kaq e zhveshur dhe e pastër, bëhet një mësim i ashpër mbi tragjedinë e qenies njerëzore, rrugëtimi i fuqisë së brishtësisë për të hyrë në betejën për jetën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë Albert Vataj: Lamtumira pa lavdi e Oscar Wilde Albert Vataj: Kur libraritë ishin tempuj prehje dhe kreativiteti Albert Vataj: Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu! Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi Albert Vataj: Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia Albert Vataj: Pavlina Mani – aktorja që i dha ngjyra artit shqiptar Albert Vataj: George Orwell tregon "Pse shkruaj" në një ese të vitit 1946

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx