E premte, 28.11.2025, 11:08 PM (GMT)

Mendime

Ilir Çumani: 28-29 Nëntori - Pasqyra ku shohim patriotët dhe e pseudopatriotët e vërtetë

E premte, 28.11.2025, 06:50 PM


28-29 NËNTORI - PASQYRA KU SHOHIM PATRIOTËT DHE E PSEUDOPATRIOTËT E VËRTETË

Nga Ilir Çumani

Në këtë foto të vjetër bardhë e zi, shfaqen pranë njëri-tjetrit Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, me fytyra të lodhura, por të qeta. Shikimet e tyre janë të prerë, por me një dritë që nuk të lë indiferent. Janë fytyrat e burrave të vërtetë që e panë Shqipërinë jo si burim përfitimi, por si një fëmijë që duhej rritur, arsimuar, edukuar e mbrojtur.

Ata nuk e shihnin shtetin kurrë si pronë, por si amanet; nuk prisnin duartrokitjet e momentit, sepse e dinin se koha ishte gjykatësi më i saktë dhe i rreptë njëkohësisht.

Mjeda punoi për gjuhën amëtare, Fishta për kulturën, Gurakuqi për shtetin. Të tre, secili në mënyrën e vet, punuan vetëm për Shqipërinë.

Sot, ndërsa shumë fotografi të politikanëve shfaqen përditë në media dhe rrjete sociale, në ceremoni, në aktivitete të pafundme “zyrtare”, është e pamundur të mos vëresh kontrastin e thellë mes atyre që ndërtuan shtet dhe atyre që sot harrojnë edhe kuptimin e fjalës “shtet”.

Ndërtuesit e dikurshëm nuk e panë veten si heronj; politikanët e sotëm shpesh kërkojnë të duken si të tillë. Ata dikur ia dhanë jetën Shqipërisë; shumë prej atyre sot ia marrin Shqipërisë, dhe nuk i japin thuajse asgjë.

Në çdo nëntor, rituali është i njëjtë: flamuj që valëviten, bërr - bërret lëshohen pa doganë, fjali të mëdha recitohen me një solemnitet të stisur.

Politikanët, shpesh në rresht të parë, mbajnë fjalime që flasin për liri, sakrificë, pavarësi, shtetformim — ndërkohë që, në përditshmëri, janë vetë të parët që i rrënojnë institucionet, i shpërfillin ligjet, i nëpërkëmbin qytetarët.

Në këtë teatër të përvitshëm, festimi bëhet dekor, historia sfond, ndërsa realiteti hesht poshtë tapetit. Patriotizmi i tyre, i fotografuar nga çdo kënd, qëndron vetëm në imazh.

Por shteti nuk ndërtohet me pamje, as me statuse në rrjete siciale, as me fjalime të rënda pompoze kinse “patriotike”.

Shteti ndërtohet me punë, me drejtësi, me përgjegjësi, me transparencë, me ndershmëri, me sakrifica që nuk i sheh kamera.

Pikërisht këtë kishin të tre emrat e mëdhenj që shohim në këtë fotografi: një përkushtim të heshtur, por të palëkundur, që nuk kërkoi as përfitime, as privilegje.

Ndërsa politikanët e sotëm shpesh shfaqen të rrethuar nga një luks i shfrenuar, protokolle e privatizime të interesave, ata të dikurshmit jetuan në varfëri, por lanë pas një pasuri kombëtare që nuk shteron.

Realiteti i Shqipërisë sot i ngjan një shtëpie të ndërtuar dikur me themele të forta, por të lënë nën mëshirën e atyre që e shohin si plaçkë.

Institucionet që duhej të ishin të pavarura shpesh janë kthyer në vegla politike. Ligjet që duhej të ishin të shenjta interpretohen sipas interesit politik të radhës.

Shumë shërbime publike janë katandisur në forma burokratike që lodhin qytetarin dhe ushqejnë klientelizmin e nepotizmin. Besimi tek shteti është tretur. Dhe gjithmonë, në çdo krizë, në çdo keqfunksionim, shfaqet e njëjta fytyrë politike që flet për patriotizëm.

Kjo është një plagë e madhe morale që nuk fashitet me protokolle ceremoniale shtetëtore. Shqipëria po zbrazet nga truri, nga rinia, nga energjia, ndërsa politika zbrazet nga përgjegjësia. Në vend që të ndërtohet shtet, ndërtohen fasada; në vend që të prodhohet drejtësi, prodhohen justifikime; në vend që të forcohen institucione, forcohen individë të gjithëpushtetshëm.

Dhe ndërsa populli përballet me sfida reale, politikanët e sotëm shpesh zhyten në retorikë boshe, në pretendime të lodhura për atdhedashuri, në performanca që nuk lënë gjurmë.

Por historia nuk është naive; ajo nuk i ngatërron lehtë ndërtuesit me rrënuesit. Ajo i shikon qartë dallimet, i shfleton me qetësi dhe i lë të shkruara me ngjyrë të pashlyeshme: dikush ndërtoi ditë pas dite, dhe dikush tjetër ndërroi vetëm dekorin.

Ndërkohë që politikanët sot vendosen në podiume për të “nderuar” të shkuarën, është vetë e shkuara që nuk i nderon ata.

Mjeda, Fishta, Gurakuqi nuk u shpallën patriotë — ata u bënë të tillë me vepra të çmuara në shërbim të kombit. Politikanët e sotëm shpesh shpallen atdhetarë pa dhënë prova për vepra të mira.

Dita e Flamurit dhe ajo e Çlirimit nuk janë vetëm ditë feste, por ditë e gjykimit moral. Janë ditë kur kombi shikon pas për të kuptuar se nga jemi nisur, dhe shikon rreth e rrotull për të parë se ku kemi mbërritur.

Janë ditë që na kujtojnë se shteti nuk është trashëgimi biologjike, nuk është pronë partie, nuk është instrument për të mbuluar mungesat e sotme me lavdinë e djeshme.

Shtetbërja është një arkitekturë e brishtë që kërkon kujdes dhe përgjegjësi të përditshme. Dhe kur kjo arkitekturë lihet në dorë të atyre që nuk dinë, ose nuk duan ta mirëmbajnë, gjithçka fillon të rrënohet pak nga pak.

Në fund, Shqipërisë i duhet një kthim tek modeli i atyre që vepruan për kombin, jo tek modeli i atyre që veprojnë për vete. Sot, më shumë se kurrë duhet të rikthehemi në seriozitetin e ndërtimit të shtetit, në idealin që e ngriti një komb të vogël drejt lirisë dhe identitetit të tij.

Ngase ata që ndërtuan shtet nuk u morën kurrë me protagonizëm; ata lanë një trashëgimi të pasur. Ndërsa ata që harrojnë të ndërtojnë shtet, edhe kur afrohen nëpër festa kombëtare, e dinë fare mirë se historia nuk do t’i vendosë kurrë pranë Mjedës, Fishtës e Gurakuqit. Historia i vendos njerëzit jo sipas fjalëve që shqiptojnë para flamurit, por sipas veprave që lënë pas.

Dhe pikërisht këtu qëndron dilema e madhe e kohëve tona: Shqipëria është ende në udhëkryqin mes atyre që e ngritën dhe atyre që rrezikojnë ta rrënojnë.

Brezat që vijnë do ta kuptojnë lehtësisht se kush e meriton nderimin e përjetshëm dhe kush ka jetuar vetëm për duartrokitjen e një dite. E vërteta është e thjeshtë: shteti ndërtohet vetëm nga ata që e duan më shumë se veten.

Dhe Shqipëria pret që këta njerëz të kthehen.

Tiranë, e premte, 28 nëntor, 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx