E enjte, 27.11.2025, 09:36 PM (GMT)

Editorial

Gjon Keka: 28 nëntori 1443 – themeli ynë kombëtar dhe europian

E enjte, 27.11.2025, 06:59 PM


28 nëntori 1443 – themeli ynë kombëtar dhe europian

Nga Gjon Keka

Sa herë vjen nëntori, na përshkon në venat, gjakun dhe trupin tonë kombëtar një frymë e epokës ndër më të lavdishme të historisë së kombit tonë, epokës së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) dhe ngritjes së flamurit të tij më 28 nëntor 1443.

Në këtë datë, pikërisht aty, e ka zanafillën fryma jonë kombëtare, e rilindjes sonë europiane dhe e lirisë; këtu e ka zanafillën simboli ynë që na mbështjell shpirt e trup kombëtar, pra simboli i flamurit të kuq me shqiponjën e zezë dykrenare, që na e vulosi kryeheroi ynë pas rikthimit në atdheun e tij më 28 nëntor 1443 dhe shpalljes së Arbërisë së lirë e të pavarur.

Ashtu si dashuria është krahasuar prej kohësh me zjarrin, dhe se zjarri ka vetinë të konsumojë gjithçka të djegshme që i vjen në dorë, duke e trajtuar atë si një sakrificë, kështu bën edhe dashuria ndaj atdheut, kombit, e derdhur në zemrat dardano-arbërore. Aty ku lejohet të mbretërojë kjo dashuri për atdheun, për lirinë dhe pavarësinë, për flamurin, ajo sakrifikon për sa kohë që ka ende diçka për të sakrifikuar midis të mirave brenda nesh, mbi ne dhe në ne.

Liria është një fjalë magjike e fuqishme, që buron nga vetë qielli, që e trondit shpirtin njerëzor, popujt, individët, kombet e të gjithë ata që preken prej saj. Ajo që popujt, njeriu, njerëzimi dhe kombet – me të drejtë – kanë bërë që nga fillimi i kohës për të ruajtur lirinë, për t'u forcuar brenda saj ose për ta rimarrë atë, është shkruar me shkronja të përgjakshme në faqet e historisë së kombeve europiane e botërore, po kështu edhe në faqet e historisë së kombit tonë arbëror.

Por nëse njerëzit individualë, sikurse edhe kombet, janë të gatshëm të bëjnë sakrifica të përgjakshme për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë e tyre, aq më tepër ata duhet ta ruajnë edhe në zemrat dhe mendjet e tyre, pra në gjakun dhe shpirtin e tyre – lirinë e brendshme – dhe të sakrifikojnë për sigurinë e saj brenda zemrave të tyre. Sepse nëse liria nuk është liri e brendshme, atëherë liria e jashtme është e përkohshme, si retë që zhduken me daljen e diellit të fortë dhe rrezet e tij. Prandaj liria e jashtme duhet të jetë pasqyrim i lirisë së brendshme, që ta fitojë emërtimin e saj kuptimplotë tek çdo komb, popull, shtet dhe njeri.

Dikush mund t’ia imponojë një populli një ideologji fetare të huaj, por jo t’i edukojë ata; besimi apo feja, ashtu sikur edhe edukimi apo arsimimi, lulëzon vetëm në tokën e gjuhës së vet, nga gjenialiteti i lindur i secilit popull. Duke ngritur njohuritë e tyre në një ideologji fetare të huaj dhe gjuhë të huaj, degradohet karakteri, gjymtohet shpirti i tyre kombëtar. Dhe a besoni se mund të ndërtoni një shtet të fortë nga një popull i gjymtuar? Sigurisht, përgjigjen e dinë të gjithë që është: jo, nuk mund të ndërtohet një shtet i fortë apo një komb i fortë nga një shoqëri, popull apo turmë e gjymtuar. Ashtu si popujt e degjeneruar moralisht përbëjnë një rrezik për shtetin, ashtu bëjnë edhe kombet apo popujt fanatikë – të ngarkuar me ideologji primitive fetare, të pakulturuar dhe të paarsimuar.

Për shembull, ka pasur tendenca edhe në të kaluarën, dhe madje ka edhe sot, që populli ynë të mbetet në gjendjen e pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe pushtimit otoman. Sot, një pjesë e popullit ka rënë viktimë e neo-otomanizmit ose islamizmit të armiqëve shekullor. Kjo tendencë vjen nga dy duar: njëra është dora e armiqëve të brendshëm, sëbashku me dorën e armiqëve të jashtëm.

Megjithatë, një njeri i pjekur dhe një popull i pjekur nuk e harrojnë të kaluarën e tyre, nuk i mohojnë figurat themeltare, nuk i njollosin, as nuk i përdhosin flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit e as gjuhën amëtare, sepse ajo përmban historinë e rrënjëve të tyre, pra pasurinë e brendshme të ekzistencës së tyre kombëtare e shtetërore.

Armiqtë e popullit tonë janë përpjekur gjithmonë të na mbajnë në errësirën e injorancës. Kjo është arsyeja pse nuk na u lejua gjuha jonë amëtare, nuk na lejuan shkolla e universitete, ose mjete të tjera arsimimi e edukimi. Të gjitha ato shkolla që ishin, ishin në gjuhën e pushtuesve, dhe qëllimi i vetëm ishte asimilimi total i popullit, jo vetëm nëpërmjet pushtimit fizik, por edhe atij gjuhësor, fetar e shpirtëror.

Prandaj, në kohën e pushtuesve, populli ynë nuk e kuptonte atë që po mësonte në gjuhën e pushtuesit, ngase kështu iu bë mpirja mendjeve dhe largimi nga vetë gjuha amëtare, tradita, historia dhe e kaluara. Prandaj edhe një pjesë e popullit në atë kohë u bë apostate dhe e huaj në shtëpinë e vet; ata, edhe pse ishin në tokat e tyre, në atdheun e tyre, pushtuesit i kishin bërë si të huaj për vendin e tyre, për t’i sunduar dhe shkombëtarizuar tërësisht. Ky ishte qëllimi kryesor i pushtuesve.

Sot ka ndryshuar strategjia e armiqëve. Ata përdorin mjete të tjera dhe fshihen pas petkave të bamirësisë e gjoja miqësisë etj. Prandaj, armiqtë më të rrezikshëm nuk janë vetëm ata që haptas na shajnë, sulmojnë etj., por edhe ata që nën maskën e miqësisë futen në zemër të popullit tonë dhe helmojnë pikërisht ndjenjat që dikur i jepnin vlerë, atë që i dha karakterit dardano-arbëror thelbin e tij fisnik.

Prishja morale dhe nënshtrimi politik i popullit apo kombit tonë nuk shkaktohen nga ata që e sulmojnë hapur, por nga ata që, duke valëvitur flamuj me slogane madhështore, në realitet kënaqen me egoizmin më të ulët dhe, duke shtrembëruar atë që ka qenë e vërtetë dhe fisnike për popullin apo kombin tonë, përgatitin rënien e tij apo shkatërrimin e tij.

Para së gjithash, themelet e zhvillimit kombëtar dardano-arbëror duhet të sigurohen duke mbrojtur identitetin e tij, figurat themeltare, flamurin, gjuhën dhe të ardhmen e tij europiane. Pa këta faktorë, nuk ka liri për Dardano-Arbërinë dhe nuk na pret asnjë e ardhme më e mirë. Politika që i neglizhon këto detyra nuk është as dardane-arbërore, sepse bie ndesh me traditat e së kaluarës, as demokratike e liberale, sepse shpërfill interesat e shumicës dërrmuese.

Mua, si një dardano-arbëror i Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit, Idriz Seferit, Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës etj., më pëlqen të zhytem në të kaluarën dhe, me të drejtë, zhytem në historinë e kombit tim. Sepse, kur udhëtoj nëpër epoka të kaluara, i udhëhequr nga historia, fitoj një kuptim të ngjarjeve të kohës sonë. Shumë gjëra më mbushin me krenari dhe gëzim, por ka edhe nga ato që shkojnë kundër ndjenjës time, dhe kërkoj më kot t’i shpjegoj në të tashmen. Megjithatë, në të kaluarën shpesh gjej shpjegimin më të thjeshtë për pikat e forta dhe të dobëta të kohës sonë. Sepse asgjë që manifestohet në jetën e një populli nuk ka marrë formë papritur.

Kështu, ndjenja kombëtare iliro-arbërore ka zënë rrënjë aq të thella në shpirtin kombëtar arbëror, nga 28 nëntori 1443 e deri më sot, sa asnjë pushtues, armik i jashtëm e brendshëm dhe askush tjetër nuk mund t’ia rrëmbente, as atëherë e as sot, arbërorëve të Gjergj Kastriotit, nga zemra e tyre. Ata që e anashkalojnë themelin e kësaj feste të shenjtë, më saktësisht zanafillën e saj që nis më 28 nëntor 1443 nga Gjergj Kastrioti si themeli i Arbërisë europiane, si flamurtari i lirisë dhe pavarësisë, bëjnë një mëkat në ndërgjegjen e tyre për të cilin nuk do të jenë kurrë në gjendje të përgjigjen para gjykatës së historisë së kombit tonë iliro-arbëror.

Megjithatë, populli ynë, në shumicën dërrmuese, mbetet në këtë zanafillë, pra te themeli kryesor i 28 nëntorit të vitit 1443, te festa e shenjtë kombëtare në shpirt e gjak, sepse ende tek disa lidhja e gjakut shpirtëror midis të gjithë dardano-arbërorëve është aq e fortë sa nuk mund të prishet kurrë. Mungesa e ringjalljes së plotë të kësaj feste kombëtare në pasqyrën e saj të qartë, si në kohën e epokës së artë të Gjergj Kastriotit, është faji i të gjithëve: udhëheqësve në Kosovë, elitës intelektuale dhe akademike, shoqërisë në përgjithësi dhe popullit. Por bota nuk duhet të mendojë se shqiptarët e Kosovës kanë pushuar së qeni dardanë-arbëror, nëse udhëheqësve apo pushtetarëve të Kosovës tashmë u mungon një ndjenjë identiteti dardan-arbëror e europian, ose guximi për ta deklaruar publikisht atë dhe mishëruar këtë festë të madhe e të bekuar kombëtare në realitetin e sotëm shtetëror e kombëtar.

Paramendone: ne, si populli e kombi, jemi në një anije të përbashkët dhe, gjatë udhëtimit tonë për shkak të baticave e zbaticave, pra stuhive të kohërave, kishte kohë që kishte ndodhur një simptomë e rrezikut të ekzistencës kombëtare, por që nuk e kanë parë të gjithë se si uji tashmë po depërtonte në anijen që po pikonte nga të gjitha anët. Dhe nëse secili do të refuzonte të vinte dorën për të larguar këtë rrezik, duke u arsyetuar se nuk i takonte atij të merrej me këtë, apo duke shpjeguar se nuk ishte marinar, çfarë do të ndodhte me anijen tonë të përbashkët? A nuk do të fundoset ajo dhe bashkë me të e gjithë shoqëria, shteti e kombi ynë?

Prandaj vetëm kur secili të bashkojë forcat dhe mendjet, apo kokat, dhe të punojë me sinqeritet e besnikëri ndaj atdheut, do të shpëtohemi të gjithë nga rënia.

Mungojnë burra të vërtetë; është vajtimi i përsëritur herë pas here ndër ne. Le ta heshtim këtë vajtim, duke u bërë plotësisht të vetëdijshëm për karakterin tonë dardano-arbëror, gjergjkastriotian, duke iu bashkuar të gjithë ushtrisë së madhe si pasardhës të Gjergj Kastriotit me guxim dhe energji, me vetëmohim të gëzueshëm, me besim të sinqertë në Zotin, në Atdheun dhe Mëmëdheun, si arbërorë e njerëz të veprimit shpëtues kombëtar, human e civilizues. “Ndihmo veten dhe Zoti do të të ndihmojë!” – është motoja e vjetër. Le të përpiqemi ta bëjmë tonën edhe një herë këtë moto të vjetër.

Le të mos rrimë duarkryq nën pretekstin e rremë se vetëm Zoti do t’i bëjë të gjitha; pa lëvizuar asgjë ne, pa u përvjelur edhe ne nga mëngët tona. Pra, le të jemi sa më larg asaj krenarie të çmendur që mbështetet vetëm në forcën e vet apo vetëm në Zotin. Kështu që vetëm Zoti, i cili na kupton arbërisht (shqip), na flet arbërisht (shqip), do të na ndihmojë vetëm nëse bëjmë detyrën tonë, pra nëse e ndihmojmë ne veten, më saktësisht nëse e shpëtojmë ne veten, kombin e shtetin tonë.

Pra, le të ecim përpara pa frikë, larg të gjitha gjërave gjysmake, larg çdo frike nga njeriu, larg të gjitha konsideratave të vogla. Vetëm kauza jonë kombëtare e shtetërore, kauza gjergjkastriotiane e lirisë, identitetit dhe udhës sonë të rikthimit në familjen europiane duhet të triumfojë dhe do të triumfojë, nëse e mbajmë në sytë tanë, pa egoizëm dhe pa motive të fshehta e armiqësore nga brenda.

Ne, që po përpiqemi të nxjerrim në dritë atdheun tonë, qoftë me laps apo me vepra patriotike të zemrës, jemi në mbrojtje; po luftojmë për vetë ekzistencën tonë, sepse sot çështja është: duhet të fitojmë ose do të zhdukemi.

Le ta mposhtim urrejtjen e kundërshtarëve tanë me dashuri e dritë këshilluese e orientuese që u tregojmë atyre. Le të provojmë me veprimet tona se shpikja sa për sy e faqe e armiqve tanë nën petkun e tolerancës së shumëlavdëruar është një gënjeshtër, e cila përpara fuqisë së dashurisë, dritës e altarit të kombit të Gjergj Kastriotit duhet të dorëzohet. Le të mos e tolerojmë të keqen nga kushdo, dhe secili armik i brendshëm që vjen, le ta duam njëri-tjetrin; nëse jemi vëllezër dhe i themi vetes se jemi vëllezër dardano-arbërorë, kemi një gjak, atëherë nuk kemi nevojë për tolerancën sa për sy e faqe, por vetëm dashuria mund të jetë e vërtetë.

Pikërisht për këtë, sot populli ynë në Kosovë dhe kudo kombi ynë ka nevojë urgjente; le të mos e tolerojmë gabimin, le ta luftojmë atë. Kjo është detyra jonë, kjo është mënyra e luftimit që çon në fitoren e dritës mbi errësirën, në fitore të flamurit të Gjergj Kastriotit dhe kombit tonë, i cili aspiron të bëhet pjesë e botës së civilizuar dhe familjes europiane.

Dhe kështu, le të shpaloset dhe të valëvitet flamuri i përbashkët i Gjergj Kastriotit mbi Dardaninë (Kosovën) tonë, Arbërinë tonë, duke e dashur dhe mbrojtur atë. Uroj që të gjithë gratë dhe burrat dardano-arbërorë, tek të cilët patriotizmi i Gjergj Kastriotit ende digjet fort, të mblidhen rreth këtij flamuri të bekuar arbëror dhe të ndihmojnë në forcimin e shpirtit dhe trupit tonë të përbashkët si komb, shoqëri e shtet.

Mos e humbni kurrë zemrën, mos u tërhiqni kurrë nga rruga e Gjergj Kastriotit. Sepse ai vetëm këtë fjalë kishte për arbërorët e tij: “Përpara, arbërorët e mi!” Një frikacak është çdo ushtar që hedh armët e dijes (lapsin e librin nga dora). Ne nuk duam të shpërndahemi apo shkërmoçemi, por të bashkohemi ashtu sikur na mësoi kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti; se vetëm të bashkuar mund të arrijmë gjëra të pabesueshme dhe të mëdha për kombin, humanizmin dhe civilizimin.

Si në çdo gjë, nëse sfida apo lufta zgjat shumë, njëfarë lodhjeje dhe letargjie janë thjesht të natyrshme. Por varet nga të gjithë ne të sigurohemi që ajo të mos bëhet e rrezikshme, por që të rikthejë guximin dhe besimin, që të rikthehet entuziazmi i vjetër që gjithmonë i ka frymëzuar dardanët e Arbërisë në kohë të mëdha.

Varet nga të gjithë ne të përpiqemi me të gjitha forcat tona që të sigurohemi që çdo shqiptar i Kosovës dhe i tërë populli e kombi të bëhet i vetëdijshëm, edhe si qytetar, për detyrën për të qenë arbëror europian në jetën politike dhe shoqërore, për të menduar, dëshiruar dhe vepruar arbërisht, si dardan besnik i Gjergj Kastriotit, si arbëror i vërtetë europian.

Që tani e tutje, gjaku ynë i vërtetë iliro-arbëror le të rrahë më fort në venat tona si kurrë më parë. Kombi ynë arbëror, kombi i Gjergj Kastriotit, duhet të pohojë veten dhe nderin e tij edhe në zhvillimin politik, ekonomik, diplomatik, kulturor etj., përkrah kombeve të tjera që kanë përparuar para nesh. Dardania jonë, kombi ynë në përgjithësi, si komb i Gjergj Kastriotit, e ka vendin krah për krah me kombet e civilizuara dhe si pjesë e trupit dhe shpirtit të përbashkët të familjes së kontinentit europian.

Urime 28 nëntorin e bekuar të kombit tonë!

Zoti e bekoftë kombin arbëror europian të Gjergj Kastriotit!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx